Nga: Reis Mirdita

rmPa hy në grimcat e kuptimit demokraci dhe as të kuptimit politik të fjalës rrugë*, do të përqendrohem në thelbin e sjelljeve që të dy kuptimeve në praktikën shqiptare duke bërë disa krahasime me këto dukuri në botë dhe duke marrë parasysh gjendjen dhe rrethanat ku këta dy kuptime përballen dhe sajojnë detyrime ose lëshime të anasjelltë.

Me zhvillimin e sistemeve shumanësore, u hapën mundësitë më të volitshme për të shprehur pakënaqësi apo kënaqësi kundrejt një vendimi, aktiviteti, ndërmarrje politike dhe luftarake…

Pushtet mbajtësit me kohëzgjatje të madhe, zakonisht nuk kanë sjellë lumturi të një populli dhe as kanë arritur të përballen me zhvillimin dhe kërkesat ekonomike e shkencore të botës së mbretërive parlamentare e sidomos atyre ku zgjedhjet janë më të drejta dhe më të mbrojtura nga të gjitha anët politike. Aq më pak sukses e mbarëvajtje kanë sjellë dhe mund të sjellin puçet ushtarake. Është i udhës nganjëherë edhe puçi, kur kërcënohet ndonjë luftë civile e cytur nga radhët e partive dhe personave jo të përgjegjshëm por me ndikim në masa. Çdo intervenim tjetër është i dëmshëm dhe nuk lëviz përpara gjendjen shoqërore të vendit gjegjës. Dhe jo që nuk zgjidh çështjet kyqe por as nuk çon para rendin politik, shoqëror dhe ekonomik.

Në shtetet ku sundonte një kastë diktatorësh dhe ku partia ishte shtet e shteti parti, u bënë disa lëvizje barazimi klasor por gjithnjë duke mbajtur luksin e pushtetit një tog ideologësh e që zakonisht në krye kishin udhëheqës të dalë nga lufta, i pa shkollim të plotë por i fryrë me forcë ekzekutuese. Këtu në radhë të parë, bëjnë pjesë të gjitha diktaturat komuniste të cilat në shumë vende erdhën në pushtet duke përfituar nga luftërat ndërshtetërore, shpesh nëpërmjet të përvijimit nëpër një lloj revolucioni të quajtur « i proletariatit », që praktikisht i përket rrugës por tani si luftë qytetare, me dëme shkatërrimtare njerëzore dhe materiale.

Shqiptarët njihen më së shumti në botë si popull i sunduar nga diktator(ë) më të vrazhdët të shekullit XX. Është ndoshta unik rasti i ynë sepse jetuam nën diktaturë dhe të ndarë: Në Shqipëri dhe jashtë kufijve politik të saj, gjegjësisht në Jugosllavi.

Sistemet e tilla politike nuk toleronin në asnjë mënyrë shprehjen e ndonjë revolte ose kërkese qoftë edhe maksimalisht beninje, paqësore, të pa zhurmë dhe pa kërkesa e qëllime politike që mund të luhatnin diktaturën. Çdo tentativë për manifestim të ideve në kundërshtim më të vogël me sistemin gjegjës, ndëshkohej rëndë me burgime të gjata kohore e përcjellë me torturë dhe zhdukje fizike. Në Budimpeshtë dhe Pragë, ndërhyri BRSS dhe mposhti pa mëshirë dhe me gjakderdhje, “rrugën” që u shndërrua në revolucion të vërtetë. Ky epilog sikur e zbehu mllefin e popujve të mbërthyer nga diktatura e asaj kohe në mbarë globin, përveç te shqiptarët jashtë Shqipërisë. Viti 1968 ka renomenë e reagimit më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm në harkun kohor. Shumë pak njerëz në botë besonin në sukses “të rrugës” shqiptare në RSFJ. Nëse në Çekosllovaki dhe Hungari mund të pritej ndonjë arritje sepse aty, reagoi herën e parë vet elita pushtetare duke detyruar ndërhyrjen e një force ushtarake nga jashtë që vetvetiu nënkupton se në rast të ri, ndërhyrja e BRSS do të pamundësohet nga qarqe të fuqishme botërore…, në tokat e banuara me shqiptarë problemi shihej dhe do të shihet në vazhdimësi si tentativë destabilizuese brenda shtetit dhe kërkesë për ndryshim kufijsh. Reagimit të masave me protesta (demonstrata) nuk pritej që kush t’i japë mbështetje.

Mirëpo shqiptarët edhe nuk u brengosën për këso çështje n’atë kohë pasi që ata në radhë të parë, nëpërmjet organizimit “jashtinstitucional” shumë të mençur dhe të vetëdijshëm se ndihma nga “miq të huaj” është për momentin vetëm një iluzion, nuk kërkonin, sikur do të pritej, as shkëputje (së paku publikisht) nga federata e as shkëputje nga e njëjta për t’iu bashkangjitur një shteti tjetër, në këtë rast Shqipërisë. Për rastin tonë, është me rëndësi të cekim se viti 1968, me demonstratat ku morri pjesë populli e jo elita në pushtet (shih komunistët), shënoi sukseset e para të arritura me kërkesa në rrugë dhe pa ndihmën e askujt tjetër. Natyrisht, diktatura burgosi, torturoi, shpunësoi intelektualët më të devotshëm shqiptarë, por si që thash, u detyrua të njohë disa kërkesa të “irredentisteve dhe separatistëve”. Është gjithashtu karakteristike se viti ’68 nxori në dritë trimat shembullorë të kombit. Përderisa në Kosovë i dimë dhe i njohim më mirë pjesëmarrësit që i dhanë lavdi dhe krenari kombit, në Tetovë u harrua i riu kryesor i “rrugës” drejt qëllimit sublim, As tani nuk përmendet oficialisht Alirami I. Ramadani, atëkohë nxënës i vitit të tretë të gjimnazit. Ai shënoi më së miri demonstratat dhe sot, të gjithëve atyre që dolën me ditë të tëra në rrugë, iu kujtohet forca dhe guximi e tij në ballafaqim fizik me uniformat jugosllave. Këtu flas për trimëri të “rrugës” për kacafytje të drejtpërdrejt me forcat e rendit të diktaturës e jo për ndonjë ideolog të vetëshpallur pas “dasmës”. Më në fund, pas krejt torturave dhe burgosjeve, “rruga” edhe këtu arriti një sukses të parë në botë nën pushtet të diktaturës komuniste (flamuri, përdorimi i gjuhës shqipe pa asnjë restrikcion në administratë, në partinë e vetme dhe në qeveri).

Shqiptarët vazhduan të thyejnë tabunë e ngritjes kundër në sistemin politik diktatorial. Janë kampionë të guximit ngaqë vazhduan me dalje në rrugë, pra me mospërfillje të institucioneve shtetërore që ndalonin rreptësishtë çdo lloj greve e mos të flasim për opozitë që manifestohej publikisht në rrugë dhe sheshe të vendbanimeve. Represaliet nuk mundën t’ia presin hovin lëvizjes progresive të brohoritur publikisht dhe masovikisht. Nëse themi që rruga rrëzoi shumë diktatorë komunist të gjysmës së dytë të qindvjeçarit të XX para se kjo të ndodh në Shqipëri, është e saktë, por, plagët e para dhe më me rezistencë vijuese ia dhanë shqiptarët sundimit robërues “popullor” jugosllav dhe me këtë shënuan historinë, thyen mitin e pathyeshmërisë së diktaturës komuniste. “Rruga” u tregua më solide se institucioni i diktaturës.

Në disa vende protestat dhe demonstratat edhe pse shumë masovike dështuan sikur në rastin kinez. Ky dështim vjen në radhë të parë nga elita “opozitare” e cila synon që nëpërmjet presionit të rrugës të merr pushtetin dhe vetëm në radhë të dytë len synimin për ndryshim. Gabim tragjik dhe jo frytdhënës. Njeriu i rëndomtë kërkon në plan të parë mirëqenie shoqërore, çlirim nga dogma shtypëse dhe hapësirë jetike, me një fjalë, kërkon liri dhe vetëm mandej, instalim të personave meritorë në pushtet, njerëz që do të aplikojnë demokracinë maksimale.

Përkundrejt protestave dhe demonstratave në sistemet moniste, në demokraci qëndrojnë disa rregulla të kundërta nga ato të diktaturës. Tani protestat paqësore janë të lejuara por lirisht themi, të padëshiruara dhe më së shpeshti quhen po ashtu, “rrugë”. Ky term preferohet edhe më shpesh në shtetet ku demokracia është e brishtë ose plotësisht e re, e pa përvojë. Vlerësoj se këtu një shfaqje kundërshtimi edhe kur arrin përmasa dhune të pakontrolluar nga njëra ose të dyja palët, nuk ka “motorët” e pakënaqësisë dhe vrullin e rrugës si nën diktaturë. Për më tepër, kërkesat në demokraci shpesh janë të artikuluara nga partitë në opozitë dhe pa dyshim se duket haptas qëllimi i fundit i organizatorëve që është pushteti. Kjo vlen edhe te na, në të gjitha trojet tona prandaj edhe suksesi i “rrugës” nuk është efikas. Në këso kushte të organizimit, ajo sjell konfuzion dhe shkrirje të shpejt të kërkesave sepse ato gati asnjëherë nuk janë të drejta në kuptimin e plotë të fjalës. Përfituesit partiakë kanë arritur shpesh t’i dëmtojnë edhe kërkesat më të pastra të qytetarëve duke u munduar të marrin drejtimin e tyre e me këtë bëjnë devijim të kërkesave fillestare.

Në Shqipërinë postkomuniste kemi njohur në dy raste manifestime që lehtë mund të shndërroheshin në luftë të vërtetë qytetare dhe kjo është lëvizja më e errët e politikës për pushtet. U pa qartë në të dy rastet se asgjë nuk u bë për përmirësimin e mirëqenies së popullit. Krejt i ngjau një loje “dangërxhiku” në mes të forcave politike duke lënë përsëri qytetarin e rëndomtë në mjerim. Nuk di se si do të përfundonte një lëvizje e masave në rrugë pa pasur mbështetjen paternaliste të partive politike. Ndoshta një “rrugë” pa kërkesa të “mirëfillta” do t’ia arrinte kërkesave të mirëfillta, sublime; për të vu në binarë një demokraci të vërtetë. Pse jo?! A nuk thamë se fuqia lëvizëse e rrugës, kur ajo synon ndryshime pozitive, është e pandalshme?

Profetizime reale

Një sukses evident i rrugës mund të pritet në këtë dhjetëvjetorë në çështjen e kufirit ndërshqiptar, gjegjësisht atij në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. Në këtë gjendje apokaliptike të skamjes në të dy anët e kufirit dhe nën trysnitë e ndryshme gjeopolitike të “miqve dhe armiqve” tanë, populli që nuk fle kurrë, do t’ia tejkaloj politikës shterpë që nuk ndal luftën për pushtet dhe do t’i fshin, nëse jo në hartë, në praktikë, pikat kufitare dhe nuk do të lejoj askurrë më “barakat” polico-byrokratike të ushtrojnë kontroll mbi qytetarët gjatë lëvizjeve të tyre, në trojet e veta. Një ditë, “rruga” do të niset drejt kufirit, aty ku do ta sheh vet të arsyeshme dhe kjo do të jetë thyerje përfundimtare. Thyerje që do t’ua prishë letargjinë politikanëve të fjetur në divanet e pushtetit të pamerituar. Thyerje që do t’iu marr pushtetin policëve me anomali të ruajtura nga koha e diktaturës; t’ia konfiskojnë fotoaparatin njeriut të përmalluar që nxiton të merr në foto tokën e Kosovës…

*Gjatë tërë shkrimit, për protestë dhe demonstratë është përdorur fjala rrugë ngaqë gjithmonë nga politika në pushtet është quajtur ashtu për ç’vlerësim por kurrë nuk arriti ta mposhtë këtë formë të luftës pozitive të njeriut për liri, përparim dhe mirëqenie andaj, këtu “rruga” merr kuptimin e drejtë të cilësisë së lartë.