“Rruga e Kombit” apo Rruga e gjobës së Kombit

Rruga e Kombit” apo Rruga  e gjobës së Kombit

Nga Skënder Sadri KAPITI

Si ta kuptojmë pushtetin dhe Qeverinë e Shqipërisë sot  kur Kosova ballafaqohet me një problem të madh me rëndësi gjithëkombëtare, me problemin e kufirit me Serbinë dhe me atë të Kosovës Lindore, problem i cili është bërë  edhe si një agjendë europiane dhe më gjërë , e ndërsa Shqipëria  si gjithnjë “indiferente”  por madje edhe perkundër kësaj  ajo gjen “preokupimin” dhe kohën  duke vendosur një taksë ndarjeje Shqipëri-Kosovë që njihet tashmë si Taksa e “Rrugës së Kombit”?!

Greqia përkujdeset aq shumë për minoritarët grekë në Shqipëri sa që edhe ku ka tre minoritarë ajo e ka detyruar Tiranën të hapë shkolla greke, gjithashtu Greqia u akordon edhe ndihma finanaciare, paga  dhe pensione  minoritarëve grek në Shqipëri.

Serbia  me gjithë gjëndjen dhe krizëm që e ka mbërthyer  atë, ajo u jep mbi 40 mijë rroga familjeve serbe  të Kosovës, dhe megjithë  gjëndjen jo të mirë as politike, as financiare dhe as ekonomike:  dhe pavarësisht kësaj, Serbia  investon qindra miliona euro për zhvillimin e komunave me shumicë popullsie serbe në Kosovë, pra i ndihmon ata.

Ndërsa Shqipëria jo vetëm se nuk e ndihmon Kosovën si shtet i ri i cili doli nga lufta e rrënuar , e djegur dhe e shkatërruar , e prapambetur dhe e pazhvilluar si pasojë e regjimit kolonialist genocidist serb,  por përkundrazi  sot Tirana  i vë pengesa,  vendos atë   që tashmë quhet me të drejtë gjoba e madhe  për qytetarët dhe për biznesin kosovar, taksimi shume i lartë për ata shqiptarë të cilët disa here në vit  vizitojnë Shqipërinë, dhe vinë  shpeshherë të pushojnë në Shqipëri.  Po kështu politika e Tiranës kundërshton edhe Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën kur ajo nuk ka bërë asgjë për shqiptarët atje , asnjë ndihmë dhe jo më investim për komunat shqiptare të Luginës së Preshevës, dhe me këtë taksën e  Rrugës së gjobës së Kombit  i gjobit  edhe ata  kur  vijnë  si dhe shqiptarët nga Maqedonia që  udhëtojnë në Shqipëri në këtë rrugë.

Pra taksa e  Rrugës  që  është  një  taksë  shumë  e lartë  dhe aq më  tepër e imponueshme për tu paguar ajo edhe nga ata të  cilët nuk e përballojnë  dot,  kjo pasi nuk ka alternativë  tjetër dytësore për të  udhëtuar , e cila është  edhe si  tarifë për tu paguar për një  rrugë  të  papërfunduar ,një  taksim  i  lartë  si një  gjobë   për të gjithë shqiptarët  sidomos dhe veçanërisht për Shqiptarët e Kosovës dhe të  Luginës së  Preshevës.

A  kjo është ajo  se çfarë Shqipëria  duhet të bëjë  për “integrimin” gjithkombëtar të shqiptarëve!?

Pra, në çfarë roli e kontributi mund t’i besohet   që mund të luajë  si  qeveria por edhe opozita në Shqipëri  të cilat  nuk  lobojnë  dhe as nuk ndihmojnë   financiarisht kurrë jo se jo ,por as politikisht e diplomatikisht  seriozisht  për njohjet ndërkombëtare  për Kosovën;  për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi; për integrimin e serbëve të Kosovës Veriore në Shtetin e Pavarur të Kosovës, dhe as për liritë dhe të drejtat kombëtare apo edhe për Bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën  kjo si  e  drejtë kombëtare e tyre e deklaruar erdhe me Referendum , por që politika pozitë-opozitë në Shqipëri është kundër saj?!

“PatriotizmI “ politik  djathtist PD-ist, kundërshtimi dikur  “antikorrupsion” majtist politik PS-ist për ndërtimin e Rrugës së Kombit, buja dhe zhurma e madhe për dhe kundra ndërtimit të “Rrugës së Kombit” e cila  ka një emërtesë patriotike dhe  kombëtare ,  por në të vërtetë me këtë rrugë u spekullua shumë, u vodh dhe u abuzua shumë rreth 200-230 milion euro.

Një Rrugë që kushtoi shumë shtrenjtë e që nuk ka përfunduar akoma dhe as që  nuk dihet se kur do të përfundojë, Rrugë e cila nuk ofron shërbimin e duhur dhe nuk plotëson as standartet.

Kjo Rrugë  që u ndërtua për  dhe në emër të Kombit, që reklamohej  më shumë si sukses  patriotik dhe si  Rrugë politike  e Berishës dhe e Partisë Demokratike , e qeverisë së Partisë Demokratike por e ndërtuar  jo me paratë e tyre  por me paranë publike ,me paratë e taksapaguesve shqiptarë, por që edhe u vodh dhe u abuzua aq shumë  me të.

Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste nuk është ndërtuar as edhe një kilometër e kësaj Rruge.

Tashmë Partia Socialiste, qeverisja e saj duke mos gjetur e siguruar para për ndërtimin e kësaj Rruge , pas “vuajtjesh e mundimesh” , “përkushtimi” e “shqetësimesh” të mëdha  për të gjetur para e fonde  për “Rrugën e Kombit”,  që prej një viti  më në fund shpiku dhe gjeti zgjidhjen,  jo si ishpushteti i mëparshëm i cili e ropi dhe e vodhi popullin shqiptar, paranë publike   për këtë rrugë, por Partia dhe qeverisja socialiste tashmë ka vendosur tarifën apo taksën e lartë për shqiptarët e Kosovës të cilët duhet të paguajnë për “mirëmbajtjen” e kësaj Rruge, por realisht kjo taksë është një gjobë që u vihet qytetarëvë të Kosovës të cilët vijnë  dhe e vizitojnë Shqipërinë, madje  duhet për të paguar për një shërbim që kjo rrugë nuk u ofron atyre , sepse  kjo rrugë as nuk plotëson standartet dhe as nuk ka përfunduar , por edhe që është një taksë shumë, shumë e lartë.

Ky provokim dhe ky antikosovarizëm  i Qeverisë shqiptare mund të marrë me të drejtë edhe një si kundërpërgjigje reciprociteti  nga Kosova  e cila edhe ajo pse  të  mos vendosë taksë për Rrugën, për autostradën e saj edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe për bizneset nga Shqipëria që operojnë në Kosovë, veprim ky që  i imponohet  Kosovës nga Tirana dhe që provokon  dhe nxit një distancim çintegrues dhe largesë kombëtare mes dy shteteve shqiptare.

Kjo taksë e Qeverisë “Rama”  është trau i ri ndarjes  politike, tregëtare dhe ekonomike të Kombit , mes Shqipërisë dhe Kosovës, si trau  i korrupsionit dhe  si barrierë e pengesë për komunikimin, afrimin dhe bashkimin e Kombit.

Pyesim se përse hesht  edhe opozita  dhe pse ajo mjaftohet me një kundërshtim të cekët e vetem sa për dukje, përse opozita “patriotike” e PD nuk kundërshton dhe nuk deklarohet se kur të vijë në pushtet do ta  rishikojë apo edhe do ta heq “Gjobën e Kombit” për “Rrugën e Kombit”.

Apo u arrit ujdija ,marrëveshja e konsensusi  politik , korruptiv e antikombëtar  i politikës  opozitë- pozitë së Tiranës që:” mos na hetoni ne  për vjedhjen që kemi bërë me paratë e “Rrugës së Kombit” në emër të Kombit , dhe tani vazhdoni  ju që të gjobisni e të grabisni qytetarët dhe shqiptarët e Kosovës me tarifën , taksën apo me gjobën e Rrugës me emër  të Kombit ”.