Rruga Deçan-Plavë, bosht i zhvillimit dhe integrimit të viseve shqiptare

Mr.Adem LushajMr. Adem Lushaj

Ndërtimi i rrugës që lidh komunën e Deçanit me Plavën, pos që konsiderohet bosht i zhvillimit ekonomik, është edhe si një arterie e integrimit rajonal, Kosovë-Mali i Zi dhe Shqipëri. Mirëpo, rëndësia më e veçantë e ndërtimit të kësaj rruge është në atë së bën lidhjen e trojeve shqiptare, që mund të quhet edhe rrugë e “lidhjes kombëtare”. Se sa është e rëndësishme ndërtimi i kësaj rruge, është dëshmuar edhe në Simpoziumin shkencor të mbajtur në Tuz, ku referues nga Shqipëria, Kosova dhe Malësia e madhe, të ardhur edhe nga Amerika e largët, kanë prezantuar argumentet e tyre shkencore për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në trojet etnike në Mal të Zi.

“Infrastruktura ekonomike dhe konkretisht ajo rrugore, paraqet faktorë limitues të zhvillimit ekonomik, edhe pse nuk është bartëse e zhvillimit. Investimet në infrastrukturën ekonomike (rrugë, energji, etj.) kanë karakter kapitalo-intensiv, sepse absorbojnë vlerë të madhe të investimeve dhe punësojnë numër të vogël të punëtorëve”, ishte shprehur edhe eksperti i ekonomisë, dr. Musa Limani, në një intervistë për Botapress. Mirëpo, ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, nuk është vetëm i interesit ekonomik, por është me interes të shumëfishtë, kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo, paraqet rrugë me interes kombëtar, duke lidhë tokat etnike shqiptare, sikurse që paraqet rrugë të rendit të parë, sepse bën lidhjen e dy vendeve fqinje, Kosovën me Malin e Zi.

Proceset integruese ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore etj., paraqesin hapin e parë dhe shumë të rëndësishëm të ribashkimit tonë kombëtar, ku rrugët paraqesin një arterie shumë të rëndësishme. Investimet për këtë rrugë janë të arsyeshme dhe efikase, sepse kjo rrugë paraqet bosht të zhvillimit, jo vetëm për ekonominë e komunës së Deçanit, por edhe për ekonominë e Kosovës dhe të Plavës, por edhe viseve tjera shqiptare në të Malit të Zi. Pra, nga aspekti ekonomik, kjo rrugë ka arsyeshmërinë e vet, sepse do të mundësojë rritjen e tregjeve ekonomike, si për Deçanin e Kosovën, ashtu edhe për Plavën dhe Malin e Zi. Madje, kjo rrugë do të mundësojë zhvillimin e turizmit, dimëror e veror për këto dy komuna dhe për këto dy vende.

Ideja për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë e kamotshme, qysh në vitet e ’70-ta,  por ishte penguar Serbia, me arsyetimin politik, se ne nuk duhet ndërtojmë rrugë për t’u lidhur me Shqipërinë. Bazuar në këtë, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova, duhet të ndërtojnë  infrastrukturën rrugore drejtë trojeve shqiptare, qofshin kah Maqedonia, apo Mali i Zi, të cilat mundësojnë lidhjen fizike të trojeve etnike shqiptare. Sikurse që rruga e kombit, (autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë) lidhi trojet etnike shqiptare, pothuajse e të njëjtës rëndësi është edhe ndërtimi rrugës, Deçan-Plavë. Ndërtimi i rrugëve që bëjnë lidhjen e kombit, duhet të jenë strategji gjithëkombëtare, e jo vetëm të një shteti apo të dy komunave. “Për një kafe në Tiranë”, ishte një thënie e ish presidentit dr. Ibrahim Rugova, që ngjashëm mund të themi , “për një kafe në Ulqin”.

Ndërtimi i kësaj rruge, ka edhe një rëndësi tjetër të veçantë, sepse mundëson krijimin e raporteve ndërshtetërore, e që është parakusht për tu integruar në familjen e madhe evropiane, kur dihet se ndër komponentët kryesor të Instrumentit për para anëtarësim në BE është, bashkëpunimi ndërkufitar. Pra, bashkëpunimi ndërkufitar, është një nga kërkesat kryesore për integrimin evropian, pasi që mundëson zhvillimin e qëndrueshëm në të dyja anët e kufirit, promovon zhvillimin ekonomik dhe social, siguron kufijtë dhe në mënyrë efikase, luftohet krimi i organizuar. Fondet e IPA-s, kryesisht janë të orientuar në projektet të cilat mundësojnë komunikimin rajonal, siç është edhe komunikimi mes shteteve fqinjë, Kosovë, Malit i Zi dhe Shqipëri.

Pa asnjë dyshim, rruga Deçan-Plavë, është bosht i zhvillimit dhe integrimit të viseve shqiptare, krijimit të raporteve ndër shtetërore si para kusht i vendosur nga BE-ja, ndaj nuk duhet të hezitohet, e as të kursehet, por nëse është e nevojshme, duhet ndarë edhe kafshatën e bukës, për ndërtimin e saj.