”Rroftë pushteti dhe paraja”!

Faik KRASNIQI
Nëse partitë politike do t’i qëndronin besnike fjalëve dhe deklarimeve të mëhershme që në asnjë mënyrë nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në, e që unë besoj që kjo nuk është e mundshme, atëherë në zgjedhjet e ardhshme PDK-ja do të vihej në një pozitë të vështirë për të gjetur partner për krijimin e Qeverisë, kuptohet nëse kjo parti del e para. Por, është pak e besueshme që PDK-ja nuk do të gjen partner për krijimin e Qeverisë. Madje edhe do t’i përgjëroheshin vetëm e vetëm për t’i marrë në Qeveri. Prandaj, nuk më habit fare deklarata e z. Ramush Haradinaj se partia e tij nuk do të vendos vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik, madje as ndaj Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo tregon që këta liderë e këto parti, hallin e kanë vetëm tek pushteti e kurrsesi tek interesat shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës. Një gjë nuk po arrij ta kuptojë. Z. Kadri Veseli e akuzojnë vazhdimisht për vrasjet politike, për kapjen e shtetit dhe krimet e ndryshme, duke i thënë fjalët nga më të ndryshme: kriminel, vrasës e hajdut, e pastaj bëjnë koalicion me të. Kjo tregon pafytyrësinë e tyre, që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë. Që hallin e kanë tek pushteti e jo tek shteti dhe qytetarët. Por tekefundit këta politikanë nuk kanë fytyrë fare, sepse mendjen e kanë vetëm tek paraja dhe pushteti. Prandaj qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të matur se për cilën parti dhe cilin lider do të votojnë, në mënyrë që mos të tradhëtohen sikurse elektorati i LDK-së, parti e cila PDK-në dhe liderët e kësaj partie duke i akuzuar vazhdimisht për vrasjet e anëtarëve të saj dhe kapjen e shtetit, dhe në fund për hir të pushtetit shkuan në prehrin e tyre. Kështu që nuk bën të çuditemi nga krijimi i çdo koalicioni, sepse Kosova është vend i paradokseve!