RRËFIM DRAMATIK

Recension:

RRËFIM DRAMATIK

Gani Bytyçi, ”MAKTH“, tregime, botoi “SHKËNDIJA”, Prishtinë 2016,

faqe 106. ISBN 978-9951-532-57-0

Tregimet e Gani Bytyçit, të mbledhura e botuara në librin “MAKTH”, artikulojnë zhvillimet politike e shoqërore në vitet, kur ato janë publikuar. Këto tregime kanë mënyrën dramatike të rrëfimit, nëpërmjet një figuracioni të rrallë, që na kthen në atë situatë e në ato rrethana, duke na e paraqitur atë kohë, të qartë e të prekshme si në shuplakë të dorës, veçse këtu ajo gjendje na përshkruhet në një mënyrë figurative e krejt artistike, nga një penë e mprehtë, e cila me guximin intelektual, qysh në atë kohë, paska trajtuar tema për situatën e vështirë që kalonte vendi ynë, një situatë dramatike e atij realiteti, që lidhej drejtpërdrejt me përpjekjen për ekzistencën dhe mbijetesën e qenies shqiptare, rrëfim ky të cilin e ndeshim qysh në tregimin e parë: “Në muzg”, ku një nënë “e shqetësonte ëndrra, që e kishte parë një natë më parë, kur plaka me të cilën kish bërë luftë gjithë natën i bëhej se çdo çast i vërsulej mbi të birin mu sikur bisha”, faqe 9.

Duke i pasur parasysh zhvillimet politike të vitit 1981, dhe duke e ditur edhe ashpërsinë e atij sistemi, veçmas kur nga ne, ato ngjarje janë përjetuar në shpirt, ndërsa nisma e atyre shtypjeve, do të ndryshojë raportet e sistemit të vetëqeverisjes socialiste në Jugosllavinë Federative. Jo vetëm kaq, por Pranvera e vitit 1981, i ashpërsoi edhe marrëdhëniet ndëretnike, dhe kundër shqiptarëve nisen masa të rrepta ndëshkuese, duke nisur një fushatë e egër e cila do të shoqërohej me vrasje dhe burgosje masive, ndërsa Jugosllavia, u shndërruar në një “Shtet shtrigë”, të cilin përmes rrëfimit Gani Bytyçi, qysh në atë kohë e paska mallkuar: “Qofsh mallkuar, shtrigë shtriga! Dy m’i more e tash do të ma hedhësh futën mbi kulmin e shtëpisë”, faqe 10.

Në anën tjetër varfërinë dhe prapambetjen e Kosovës, e kishte shkaktuar robëria dhe skamja në familjen shqiptare, që kundërmonte si luftë politike e psikologjike në mes shtetit dhe qytetarit, përkatësisht “Pushtetin – shtrigë”, i cili e kishte ashpërsuar gjendjen sociale e cila reflektohej edhe në shëndetin e gjithmbarshëm të popullsisë shqiptare. “Nuk kemi para për doktor e për ilaçe./…/ Djali i ka opingat e shqyera,…/ Nuk i duhen të mbathura, do ta bart në shpinë, – tha Zeneli i cingërisur”, faqe 11.

Përgjatë këtij tregimi, sa tragjik po aq edhe sfidues, drama jetësore do të ketë epilogun tragjik. Edhe pas tërë sakrificës që bëri Zeneli, për ta dërguar djalin e tij tek mjeku, dhe më pas edhe për t’ia plotësuar dëshirën e fundit, e cila ishte “një shujtë me mish”, për djalin i tij të sëmurë, gjithçka u përmbys aq dhembshëm. Anipse familja shiti unazën e fejesës, të cilën e ëma e ruante në pajën e nusërisë, drama megjithatë përfundoi fatalisht, për t’iu mbetur prindërve peng i parealizuar, pasi me të kthyer Zeneli, kuja dhe zija kishte mbuluar shtëpinë dhe me këtë shtriga – shteti”, bashkë me skamjen që kishte shkaktuar ai, po gëlltiste fëmijët për t’ia mbyllur vatrën jo vetëm Zenelit, por synim final kishte varfërimin dhe shkatërrimin e shkretimin e një krahine të tërë, e cila shtrihej në një rrafshnaltë, kurse autori edhe pse nuk e thekson në këtë tregim, merret vesh se fjala ishte për Kosovën.

Kjo sakrificë kaq e madhe përfundon tragjikisht. Jo vetëm nga aspekti letrar, mirë i organizuar, por ne theksuam më lart se ky tregim është botuar në vitin 1982, dhe në kontekstin e asaj kohe, autori paska shprehur guximin intelektual për ta përshkruar detajisht, shkaktarin e varfërisë, në kohën kur këto elemente ideologjike nga sigurimi i shtetit shikoheshin përmes syrit zmadhues – llupës?!

Gani Bytyçi, me mjaftë mjeshtri ka artikuluar mendimin letrar, ku përmes personazheve ka sjell mesazhe origjinale të asaj kohe e cila edhe nga kjo distancë kohore lexohen me pasion, por tregimi “Para arratisjes”, Ferizaj 1982; si duket ky tregim, në këtë libër, vjen për të parën herë?! Themi kështu pasi rrëfimi është tepër i drejtpërdrejt dhe trajton fenomenin e ndjekjes, persekutimit dhe të përgjimit që bënte shteti, të cilin e shpjegon letra: “Janë arrestuar dy nga shokët. Janë pyetur edhe për ne. Mos u gjend në shtëpi”, faqe 24. Edhe epilogu i këtij tregimi ka përfundimin tragjik, pasi “Uniformat”, turreshin…” dhe në ato çaste “Po prangohej liria. Po arrestohej ajo”, faqe 27, duke i përshkruar në mënyrë detajizuese mynxyrat e dhimbshme të ndjekjeve dhe arrestimeve, që kishin nisur të bëheshin përditshmëri e asaj kohe, sidomos pas “pranverës kosovare të vitit 1981”, e cila me tërë qenien e saj ka ndikuar edhe në konceptin e tregimeve të asaj kohe që për autor kanë Gani Bytyçin.

Pa dyshim kjo frymë e rrëfimit e kthen lexuesin në atë periudhë që për njohësit e rrethanave, këto tregime përjetohen me emocione dhe njëkohësisht edhe me drojën e frikës së atëhershme. Ndonëse siç shihet nga përmbajtja e tregimeve autorit qysh atëherë nuk i paska bërë syri vrik. Ky guxim shfaqet në tregimet: “Në muzg”, botuar në gazetën “Rilindja”, 1982; “Para arratisjes”, Ferizaj 1982; “Kohë rrebeshesh, bubullimash…”, revista “Shkëndija”, 1985, (nga konkursi letrar); “Kulla”, revista “Fjala”, Prishtinë 1986 dhe “Nëntori”, Tiranë, 1986; “Meta rritet me ju”, revista “Shkëndija 1984, (nga konkursi letrar); “Letra e mësuesit”, revista “Shkëndija”, 1986, (nga konkursi letrar), etj.

Por, ne mendojmë se në këtë guxim intelektual, Gani Bytyçi, nuk mbetet i vetëm, pasi siç shihet disa nga tregimet janë pjesë e konkurseve letrare, ndërsa të tjerat janë botuar edhe në shtypin e kohës, d.m.th. kanë kaluar nëpër procedurë botimi nga një staf i kompletuar, por kështu siç janë na shpjegon tërë dramën dhe përpjekjen jetësore të atij brezi, i cili ka guxuar, ka vepruar dhe ka bërë shumë për Kosovën.

Nëse tregimet analizohen nga ky prizëm, do të shihen përpjekjet e atij brezi për ta ndryshuar gjendjen politike në Kosovë, për të ndikuar dhe për ta vetëdijesuar qytetarin kosovar për të qëndruar, për të vazhduar dhe për të mos u dorëzuar. Prandaj Gani Bytyçi qoftë vetëm me këto tregime të asaj kohe duhet të mbetet në skenën letrare, sepse paraqet shkrimtarin kryengritës, i cili me stoicizëm intelektual ka bërë përpjekje për të ndikuar, dhe për ta ndryshuar atë gjendje, atë “Makth”, siç mban titullin një tregim sa shqetësues po aq triumfues, mbi ëndrrën, e cila si magjia e zezë bënte roje mbi familjet shqiptare, duke shpërndarë frikë e pasiguri në njërën anë, kurse në anën tjetër vriste shpresën për ditë më të mira. “- Ç’tmerr po përjetoj, o i madhi Zot! – shfryu ajo dhe sikur u pajtua me pafuqinë e saj për të shpëtuar nga makthi në të cilin kishte tretur”, faqe 30.

Kjo formë magjike, qoftë përmes ëndrrës a magjisë së zezë, shpreh gjendjen tepër të rëndë, e cila kishte mbuluar Kosovën e atyre viteve. Por në tregimin e ëndrrës, që kishte marrë dhenë, duket sikur autori ka pasur parasysh Jugosllavinë dhe shkatërrimin e pashmangshëm të saj. Tregimi “MAKTH”, për ëndrrën, pasi ëndrra e quajtur “vëllazërim – bashkim”, më nuk pinte ujë, për askë e aq më pak për Gani Bytyçin, sepse përralla e vëllazërimit dhe ëndrra në tregimin “Makth”, tashmë kishte pushtuar dhenë, duke u shndërruar në një profeci dhe duke dëshmuar për një prognozim absolutisht të saktë! Prandaj Bravo Maestro?!

Po me këtë pasion e në këtë frymë, janë shkruar edhe tregimet: “Kohë rrebeshesh, bubullimash”, që flet për burgosjen e mësuesit, pasi ai kishte lënë mesazhin se “ajo pranvera, për të cilën shkruan ti, do të vijë domosdo një ditë”, faqe 47, por “hija e zezë që i sillej, që i ishte bërë pjesë e trupit e s’i ndahej dot, e mori, e hëngri mësuesin”, faqe 48.

Ndërsa tregimi “Kulla”, ka një alegori të mirë me realitetin e kohës, por si tregim paraqet guximin intelektual të autorit dhe të redaksive që e kanë botuar, sepse tregimet “nga konkursi letrar”, siç e theksuam ma lart iu kanë nënshtruar një vlerësimi profesional, i cili bashkë me autorin kanë bërë të pamundurën për kohën e tyre.

Kultura e shkrimit Letra është një parametër tjetër artistik, i cili në aspektin gjuhësor është e nivelit elitar, prandaj siç shihet autori edhe në planin artistik e gjuhësor ka dhënë maksimumin, duke u radhitur në shkrimtarët që shkruajnë kujdesshëm duke e pasuruar të shprehurit letrar artistik përgjithësisht. Këtë e themi duke u bazuar në tregimet në fjalë në të cilat autori iu ka kushtuar rëndësi detajeve të imta gjuhësore, simbolikës dhe metaforës së mendimit krijues, prandaj hiq se teprojmë nëse themi se ky libër duhet për tu shndërruar si vlerë e rrallë e kulturës së shkrimit të bukur letrar, i cili vlen për t’u marrë shembull edhe nga autorët tjerë!

Po ashtu në këto tregime, na shpërfaqet edhe elementi i përpjekjes për t’i ndryshuar konceptet, qoftë të të shprehurit, qoftë të të menduarit, veçmas gjatë shkrimit letrar, duke ndjekur një kurs evropian për shqiptarët. Këtë element e fiksuam nga gjetja e emrave shqip për personazhet ose në pjesën dërmuese emra që flejnë në truallin evropian. Kjo qasje është dëshmi e mirë e asaj kohe, përpjekjet dhe sakrificat pedagogjike, për t’u rreshtuar edhe shqiptarët si pjesë e identitetit evropian, sepse si pjesë gjeografike edhe Ballkani është Evropë, por e tashmja me përpjekje për t’u rreshtuar me kulturën orientale sikur ia ka vënë një pikëpyetje atyre sfidave, atyre përpjekjeve, dhe gjithë atij angazhimi intelektual.

Ishin këto përpjekjet e një brezi idealistësh, që kanë ndikuar për t’i dhënë kahe evropiane kulturës shqiptare, sidomos nëpërmes aspekteve letrare të të shkruarit. Ky element është sinjifikativ e që hetohet dukshëm gjatë tërë librit, duke e bërë autorin si intelektual që sillte, qysh në atë kohë, mesazhe të kujdesshme për shoqërinë, ideale këto të cilat përkojnë me synimet e tij dhe të brezave të tërë shqiptarësh, për t’i dhënë vendit tonë, pra edhe letërsisë shqipe, koncept të pastër shqip dhe mentalitet evropian, gjithsesi.

Natyrisht tregimet e botuara gjatë dekadës së viteve të tetëdhjeta trajtojnë këto fenomene, ndërsa në dy tre tregimet e më vonshme sikur bie përkushtimi i autorit në këtë qasje, duke iu kthyer aspekteve psikologjike të rrëfimit, megjithatë disa aspekte figurative dhe marrëdhënia e tyre me temën ndryshojnë dukshëm, karshi tregimeve të më hershme, duke shtuar përpjekjen për një qasje më moderne në tregimin shqiptar. Ndoshta, kjo ka ndodhur për shkak të kthimit që ka bërë autori, kah piktura dhe arti pamor, me të cilin ai ka bërë emër të respektuar, prandaj në formën magjike të rrëfimit psikologjik, ndeshemi me gjurmët e brushës dhe ngjyrave për një rrëfim më të drejtpërdrejt, ashtu siç duket edhe rrëfimi nga arti pamor.

Padyshim, tregimet e Gani Bytyçit, janë një perlë e rrallë, kurse vepra si tërësi është një ditar autentik, i cili flet për diktaturën dhe zhvillimet letrare të asaj kohe në Kosovë, duke rrëfyer për deformimet e shumta politike, morale e shpirtërore të atij sistemi.

Në tregim përmes rrëfimit artistik, Gani Bytyçi shpjegon rezistencën e pathyeshme intelektuale, guximin qytetar dhe gatishmërinë për t’u sakrifikuar e përballur me sfidat e asaj kohe, në rrugëtimin drejt lirisë dhe drejt një perspektive më të ndritshme!…

 

St. Gallen, 15.03.2017.

Shefqet Dibrani