Rikujtesë historike: MOS TA HARROJMË GOLI OTOKUN

Rikujtesë historike: MOS TA HARROJMË GOLI OTOKUN

Bedri TAHIRI

Babai më mbeti në Goli Otok

Adem Nikën e kam mik të mirë dhe e njoh qysh moti. Është një veprimtar e atdhetar i zoti, i cili, siç thotë vetë, më kishte njohur ende pa u takuar, dihet, përmes shkrimeve. Në luftën e lavdishme të UÇK-së ka luajtur rol të madh në organizimin dhe mbajtjen gjallë të frymës çlirimtare në vendlindje dhe më gjerë. Dhe, sa e sa herë, gjatë takimeve tona të shpeshta, ma kishte prëmendur një peng të zemrës, bacin Azem Daut Nikën, i cili paskësh mbetur e tretur në gurorët e Goli Otokut (Ishullit të zhveshur)…

Azem Daut Nika (Portret)

Eh, sa fat nopran patëm ne shqiptarët! Kudo e kahdo, varre e varre. Cep me cep Ilirisë së lashtë. Madje, sikur nuk mjaftoi tokë e shkretë, dhe u tretëm edhe në ujërat e Adriatikut. Një ditë gjiri i Tivarit u mbush pulëbardhat (plisat) shqiptare…

Po Goli Otoku?!

Një ferr tmerrues që ua kaloi nëntë rrathëve të atij të Dante Aligerit! Ishulli Goli Otok, në pjesën kroate të Detit Adriatik, deri para Luftës së Dytë Botërore nuk ka pasur kurrëfarë vendbanimi, kur austrohungarezët formuan kampet për rusët e robëruar nga fronti lindor. Në vitin 1949 Jugosllavia e shëndrroi në burg të rëndë, në të cilin kanë qenë krejtësisht të burgosurit politikë. Aty kanë vuajtur mbi 16 mijë të burgosur, ku, sipas historianëve, 600 nga ta kanë vdekur nga torturat që u bëheshin aty. Ky burg ka qenë në duart e qeverisë federale deri në vitin 1956, e pastaj kalon në mbikëqyrje të RS Kroate dhe më 1988 është mbyllur fare.

Babai më mbeti në Goli Otok

Mjaftoi edhe një takim në Prishtinë me Miftar Nikën dhe, ditën e shtunë, më 10 shkurt 2018, unë me djalin e axhës, Nasufin, t’ia mësyjmë Gllanasellës (Shkabës). Këtë vendbanim, edhe ashtu, e çmoja shumë, sepse aty përherë ka gjëlluar kënga e grykëhollës, duke kulmuar me komandantin e papërsëritshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të pavdekshmin Fehmi Lladrovci…

Në shtëpinë e vjetër buzë rrugës, të djegur disa herë, na pret zemërhapur, djali i personazhit, për të cilin kishim marrë atë rrugë, plisbardhi modest e fjalëpakët, por që dinte shumë, Daut Azem Nika. Tamam një malësor i motit, siç i thonë një fjale!

Muhabetin e nisim shtruar e vendçe. Mësojmë për historinë e këtij vendbanimi historik dhe për banorët e tij të shpërndarë nëpër lagjet: Lladrovci, Nikaj, Krasniqi, Berisha, Maloku, Kurrumeli, Topilla, Karaçica, Llugani, Bunjaku, Mehani, Saradaku etj., duke u përqendruar te Nikajt, që shikuar hollë e hollë, diku në lashtësi, lidhen me Nikaj-Mërturin e Malësisë…

Nikajt paraqesin histori në vete, që ky burrë babagjan e mendjehollë, i shpije deri në shtatë e më shumë breza, duke ndaluar të Balaj i vejtër…

-Babai më mbeti në Goli Otok,- nis rrëfimin xha Dauti, me një qetësi mahnitëse, duke thithur me afsh tymin lakadredhas të cigarës. Shumë të tjerë u kthyen nga ai burg i zi, por babai jo. Më 14 mars 1957 na erdhi një telegram ku shkruante se babai kishte vdekur në Goli Otok dhe eshtrat e tij kishin tretur diku atje, që kurrë nuk i pamë me sy…
-Po si e kujton veprimtarinë e tij dhe pse e burgosen,- e pyesim ne, sa për t’ia lehtësuar pakëz ritmin e rrëfimit?
-Po, të gjitha më kujtohen fort mirë. Babai im ka qenë biri i Dautit të Avdyl Balës. Gjyshi Daut ka qenë i martuar me Fata Lladrovcin, bijën e Agush Lladrovcit, me të cilën pati dy djem: Hetemin e Azemin (dy djem tjerë, Bilallin e Avdylin dhe vajzën Hanife i pati me gruan e dytë). Harrova të të them në fillim se kulla e Avdyl Nikës gjithmonë kishte qenë derëhapur e sofërshtruar për luftëtarët e lirisë të Azem e Shotë Galicës…Kështu ngjau edhe gjatë Luftës së Drenicës, udhëhequr nga trimat Shaban Polluzha e Mehmet Gradica…

Babai im, Azemi, ka qenë i lindur më 10. 07. 1907, këtu në Gllanasellë. Për fat ishte nxënës i gjeneratë së parë të shkollës së Dobrashefcit, e hapur më 1927, kuptohet në gjuhën serbe, andaj ka qenë ndër më të shkolluarit në këto anë. Më vonë i pati mbaruar edhe disa kurse për tregti në Gjakovë dhe u bë i njohur me hanin (dyqanin) që e mbate në Dobrashefc. Ai kishte lidhur fatin me Hateme Miftarin nga Beçuku i përtej Qyqavicës, përndryshe mbesë e Ahmet Delisë së Prekazit, me të cilën pati tre fëmijë: një vajzë, Eminen dhe dy djem: Dautin e Vehbiun.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, bashkë me dy vëllezërit: Hetemin e Bilallin, mori pjesë aktive, përkrah Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, në luftë kundër okupatorëve sllavokomunistë. Hetemi, madje, ka qenë edhe përjetues i Tivarit…

Portreti që na bashkoi

Mirëpo, paslufta për ne nuk ishte e lumtur. E keqja nuk na u nda as më vonë. Atdhetarët u ndoqën, u keqtrajtuan dhe u burgosën. Liria, siç shihej, ende do të na mungonte. Trimat kurrësesi nuk u pajtuan me atë gjendje. Ata dolën maleve, u organizuan prapë dhe, në fshehtësi, vepronin hiç pa u ndalur.
“Forcat e vërteta kombëtare, të cilat nuk ishin komprometuar as në formacionet profashiste, as në ato të partizanëve të Titos, vendosin të veprojnë në një platformë të re të riorganizmit. Ato forca tanimë kishin krijuar Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, si dhe shtabet e disa zonave, duke bërë përpjekje për ta rikthyer në skenën e diplomacisë botërore çështjen e Kosovës”.
Edha babai u lidh me ato grupe të NDSH-së dhe mori pjesë në Kongresin Dobërdolit dhe të Lipovicës (Blinajës), mbajtur më 25 korrik të vitit 1946, ku disa luftëtarë kishin marrë vendim për të dalë në Greqi. Unë isha shumë i ri, por i kuptoja veprimet e tyre. Mbanin takime të fshehta dhe bënin plane. Si bari u dërgoja bukë. Në fakt unë bukën e çoja për babanë në dyqan, por në shtëpi më jepnin për më shumë veta…
Kur atdhetari Aziz Zhilivoda (1912 -1994), me grupin e tij doli maleve për ta kundërshtuar regjimin antipopullor serbokomunist, dhe rrallëkush kishte guxim tua hapte derën, baba Azem u lidh me ta dhe me mish e me shpirt u vu në shërbim të çështjes kombëtare…
Aty, jo shumë larg hanit, në një gemushe me ferra, hithëra e thanishte kishte qenë bunkeri i tyre…


Tek Bunkeri, që sot është rrafshuar dhe nuk dallohet dot

Dhe, një ditë, më 5 nëntor 1953, babanë e arrestuan. E dërguan në stacionin e policisë në Qirez e prej andej në Skënderaj, ku Gjykata e Qarkut të Pejës, sipas Aktgjykimit P. nr 137/53, më datë 7. 11. 1953, e dënoi me 9 vjet burgim të rëndë, si pjesëtar i grupit të Aziz Zhilivodës. Atë ditë, në Skënderaj, u dënua i gjithë grupi: Azem Nika, Murat Nika, Bajram Zuka, Selim Zuka- Kastrati, Ilaz Dervishi, Sadik Dervishi, Ibish Baliu-Dervishi, Fazli Brahim Hajdari, Aziz Halil Hajdari, Isa Preniqi dhe Brahim Preniqi. Mungonte udhëheqësi i grupit, Aziz Zhilivoda, i cili kishte arritur të shpëtonte dhe, më 1949, kishte kaluar në Shqipëri …


Faksimile nga Procesverbali i Aktgjykimit të Azem Nikës me bashkëveprimtarë

 

Dënimin e ka vuajtur nëpër burgje të ndryshme, në Pejë, në Nish dhe në Goli Otok. Sa ishte në Nish, lejonin vizita, mixha Bilall ka qenë dhe e ka vizituar disa herë. Mirëpo, kur e dërguan në burgun famëkeq të Goli Otokut, më nuk patëm mundësi ta shohim e as të komunikojmë. Sipas telegramit që na erdhi, mësuam se ai kishte ndërruar jetë më 10. 01. 1957, ndërkaq ishte varrosur më 12. 01. 1957, në varrezat e përbashkëta në Kozala. Por, në fakt, ajo ishte një vrasje e kamufluar dhe, as sot e kësaj dite, eshtrat e tij nuk na u kthyen,- përfundon ai, me një maturi që i lakmoja…
Në nderkohë, në odë, na e sollën një portret të bukur të tij, punuar nga Ylber Haxhiu, meqë foton ia kishte përpirë flaka e piromanëve serbë, gjatë luftës së fundit…Nipat e tij, Miftari e Blerimi me ofrojnë edhe dëshmi të tjera, vendimin e gjyqit, procesverbalin e gjykimit, Mirënjohje, libra e gazeta ku përmendet emri i tij.
Brezi brezit amanet
Thuhet, kroi që ka rrjedhur, nuk shteron. Mëse e vërtetë. Siç e thamë në fillim, Nikajt, përherë qenë në shërbim të kombit e të atdheut. Këtë e dëshmon historia, e djeshmja dhe e sotmja.
Në shtëpinë ku po bisedonim dhe në truallin përreth kishte ngjarë vetë historia jonë e re. Atypari kishte zënë emrion edhe fara jonë çlirimtare. Celulat e para të UÇK-së ishin krijuar nëpër këto oda të Nikajve. Fillimisht në konakun e Adem Nkës e paskëtaj Shtabi u përqëndrua kryesisht në odën e Vesel Nikajt, aty ku sot është vendosur pllaka përkujtimore. Në ndërkohë ka pasur lëvizje edhe në odën e Habib Nikës e të Ramadan Nikës…Atypari kishte vepruar edhe sypatremburi, nipi i tyre, komandant Fehmi Lladrovci. Po këtupari, më 14 shkurt 1998, kishte rënë edhe dëshmori i parë i kësaj ane, Abdullah Nika, nipi i atdhetarit, Murat Nika, i cili, vendin e tij të punës, “Trafon”, e kishte shndërruar në bazë të fortë të UÇK-së.
Pranë e kisha veprimtarin dhe luftëtarin e orëve të para, Adem Hetem Nikën, i cili, përveç tjerash, ua mësoi edhe artin e luftës të rinjve në Akademinë Ushtarake në Gradicë. Kisha luftëtarin tjetër, Blerim Nikën, vëllanë e tij, Miftarin si dhe disa stërnipër kreshtarë: Albanikun, Diartin, Eltonin dhe Leonin, që dëgjonin tërë sy e vesh dhe, herë-herë, na e shtronin ndonjë pyetje nga historia.
Dhe, biseda ecte me ritmin e saj. Baca Daut pinte duhan dhe paksa sikur pushonte e dëgjonte. Dhjetë fëmijët e tij (Azemi, Miftari, Sylejmani, Hava, Blerimi, Florimi, Islifetja, Samiu, Sadetja dhe Nuhiu) i ka rritur dhe i ka edukuar më djersë, me pagën e shtëpiakut në shkollën e Dobrashefcit. Por, ata, kanë kontribuar mjaft, me armë e më para, për këtë ditë të bardhë.
Nikajt, trungu i ngushtë i këtij atdhetari dhe përgjithësisht si lagje, luftës i dhanë shumë pushkë e i falën edhe dëshmorë: Abdullah Behram Nikën, Fatmir Avdi Nikën, Fatmir Nuredin Nikën, Kadri Idriz Nikën, Abedin Nikën, Mexhit Nikën, Nexhmedin Nikën si dhe shumë martirë…
Në fronte të luftës, në logjistikë, në emergjencë e në shërbime mjekësore ishin të angazhuar: Adem Nika, Blerim Nika, Rrustem Nika, Xhemail Nika, Sami Nika (erdhi nga Gjermania në Koshare, ku u plagos dhe pastaj u kthye prapa për shërim), Bashkim Nika, Faruk Nika, Fehmi Nika, Gani Nika, Habib Nika, Milaim Nika, Muhamet Nika, Skënder Nika, Sabit Nika, Bahri Nika, Arben Nika, Ramë Nika, Nuhi Nika, Florim Nika, Agim H. Nika, Agim A. Nika, Antigonë Nika, Sadete Nika, Ajshe Nika, Mursel H. Nika, Ragip Nika, Musli Nika…
Azem Daut Nika meriton më shumë!
Në të përfunduar të ndejës sonë vllazërore, që u përmbyll me një drekë të begatë në “Dijamant” të Drenasit, sërish mendja më ktheu vrik te veprimtari i martirizuar, Azem Daut Nika dhe te ferri më i madh i shqiptarëve, Goli Otoku! Sa kemi bërë si shoqëri e qeveri për ata burra të pathyeshëm që u robëtuan nepër atë gurore të mallkuar, ku nuk kishte jetë e shumë jëtë mori!
Fare pak, për të mos thënë hiç! Ky atdhetar ka marrë Mirënjohje nga komuna e Drenasit dhe një rrugë mban emrin e tij në vendlindje, në Gllanasellë.


Mirënjohje nga Komuna e Drenasit

Rrugë në Gllanasellë

Mirëpo, kjo nuk mjafton. Ai dhe të tjerët si ai, meritojnë më shumë. Ata duhet të përkujtohen e të nderohen! Jo me fjalë, por edhe me vepra. Të mos e harrojmë atë thënien: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!

Gllanasellë (Shkabaj),
10 shkurt 2018