REXHEP UKA-RAMADANI NJË SHEMBËLLTYRË E LARTË FISNIKËRIE, BUJARIE DHE ATDHEDASHURIE

REXHEP UKA-RAMADANI

NJË SHEMBËLLTYRË E LARTË FISNIKËRIE, BUJARIE DHE ATDHEDASHURIE

Në 20-të vjetorin e shkuarjes në amshim (1 tetor 1998) të njeriut atdhetar dhe të bashkëveprimtarit të paepur të Alb-Prometheut, Adem Demaçit

Rexhep Uka-Ramadani

 

Shkruan: Xhemail Peci

“Abdyl Frashëri mujti me çelë Kongresin e Prizrendit e me u drejtue Fuqive të Mëdha, Memorandumin me 27-të pika, sepse ndër male kishte Marash Uca qi dijshin të hapin kuvende krenësh, tue vue në rend të ditës të drejtat e pamohueshme të fisit shqiptar.”

(Ernest Koliqi: ‘Marash Uci’)

***

  1. Krahu i shqiponjës

Koha shpalos kujtime e një portret që flet vetë, dëshmon sa për qëndresën epike po aq edhe për historinë, për ngjarjet e vrullshme, për sfidat dhe ndeshtrashat që ranë mbi tokën bujare të gjakut. Votra që e lindi dhe sofra që e rriti, ruan sa bardhësinë po aq dhe krenarinë e saj të ligjshme. E kujtimet e thadruara në kujtesë, vetvetiu janë një ftesë për të përkujtuar ngjarje dhe data, emra dhe vende, oda dhe kuvende, përfaqësues të denjë të cilët qenë të bekuar me ndenjën e një zjarri të shenjtë atdheadashurie, të cilën si një flakadan të pashuar e përcollën brez pas brezi – si gjënë më të shenjtë të qenies së tyre, prej së cilës ata gjithmonë nxorën krenarinë përmbi lumturinë.

Në portretin të cilin koha e shpalos në kujtesën e saj, shfaqet një burrë i qetë, pajisur me virtytet dhe tiparet më përfaqësuese, të cilat natyra në zemërgjërësinë e saj ia ka falur si një dhunti të rrallë kombit të cilit ai e kishte për krenari t’i takonte dhe t’i shërbente me gjithë qenien e tij, me mish dhe me shpirt.

Këtë portret e shquan një fytyrë që rrezaton sa dritë, po aq edhe një mirësi dhe mbarësi, një qëndrim sa krenar po aq edhe burrëror, një qëndresë sa epike po aq edhe si dëshmi e zhvillimeve historike, një njeri i cili shquhet për fisnikërinë dhe bujarinë e tij, sa bukëdhënës po aq edhe frymëzonjës, sa idealist po aq edhe humanist, sa i papërkulur po aq edhe i kalitur ndër sprova e ndeshtrasha, një mishërim i gjallë ku shkrihen aq natyrshëm epikja dhe historikja, një zemërthirrje ku rri gjithmonë atdheu dhe një zemërklithje ku pret githmonë toka e të parëve; një dorë që ka pritur dhe përcjellur, një ogur i bardhë e një flamurtar që shqiponjën e ka sa në zemër po aq edhe në ballë, i zoti i një dere atdhetare i cili mblodhi gjithmonë rreth sofrës bujare, me fjalën e tij të urtë e me shembëlltyrën e tij,  breznitë orëmira.

Pa dyshim, një mishërim i rrallë i një pinjolli i cili do të shquhej për mbi çdo gjë, për atdhedashurinë e tij të veçantë.

Për më tepër se kaq, ai shfaqet në sfondin e kohës si një portet që atdheun e do në mënyrën e vet më origjinale, pa bujë e pa zhurmë, sa i heshtur po aq edhe duke shaplosur një të buzëqeshur e cila gjithmonë u ka pasur hije pinjojve të breznive orëmira; një buzëqeshje e cila  atyre gjithmonë u rri si një emblemë ilire, e me një lule shqiponje e cila i rri tek krahët si një mburojë përjetësie, një shqiponjë të cilës ai me shembullin e mirësisë së tij, të bujarisë së tij, të fisnikërisë së tij, e përmbi të gjitha, me shembullin e veçantë të atdhedashurisë së tij, iu bë krah i pathyer.

Në këtë portret shfaqet njeriu i urtë e bamirës, trim e i mençur, e njëlloj edhe i dashur, por njëkohësisht shfaqet një burrë i vendosur, i cili me qëndrimin e tij krenar, pohon dhe dëshmon se është ai zot në tokën e vet, në truallin që e lindi dhe e rriti, trashëgim nga të parët tanë.

Rexhep Uka-Ramadani, është një emër që atdheun dhe kombin, gjuhën dhe flamurin i kishte gjithmonë në zemër. Ai ishte bashkëmendimtar, bashkëveprimtar dhe bashkudhëtar me veprimtarin e çështjes sonë kombëtare, Adem Demaçin. Si i tillë, e thënë me fjalët e shkrimtarit të madh botëror-Horhe Luis Borhesit, ai ecte drejt flakëve të zjarrit. I vetëdijshëm për pasojat dhe rreziqet, për sfidat dhe ndeshtrashat, ai u bë edhe më i pandalshëm, edhe më i pathyeshëm, edhe më i paepur. Ai, ashtu sikurse edhe brezi i tij atdhetar, e dinte se barbarët nuk ishin vetëm. Ata as nuk kishin ardhur vetëm dhe as nuk sundonin vetëm. Puthadorët dhe poltronët ishin kudo. Hija e gjarpërinjve të gjakut zgjatej kudo dhe ata mund të kafshonin këdo e kurdo, por breznitë orëmira as u ndalën e as u zbrapsën në qëllimin e tyre të shenjtëruar.

  1. Një figurë frymëzonjëse

Duke shkruar për figurën frymëzonjëse të Marash Ucit, një nga levendët e lirisë së Shqipërisë, i cili kudo në “Lahutën e Malëcis” e mbanë të gjallë frymëzimin epik të poetit të rrallë kombëtar Gjergj Fishtës, Ernest Koliqi me të drejtë ka bërë një nga krahasimet nga më të qëlluarat, sa i përket pjesëmarrjes aktive të breznive orëmira për ta bërë Shqipërinë me hir o me pahir:

“Abdyl Frashëri mujti me çelë Kongresin e Prizrendit e me u drejtue Fuqive të Mëdha, Memorandumin me 27-të pika, sepse ndër male kishte Marash Uca qi dijshin të hapin kuvende krenësh, tue vue në rend të ditës të drejtat e pamohueshme të fisit shqiptar.” (Ernest Koliqi: ‘Marash Uci’)

Ernest Koliqi shkroi për Gjergj Fishtën dhe për përmasat e ndikimit të tij, në një kohë kur siç thoshte vetë: “Shumëkush atdhedashurinë e ka vetëm mbi buzë, jo në zemër!”

Duke përkujtuar me të drejtë se: “Malësorët krijuen ndër kufij të Shqypnis ato kala të gjalla ndertue me gjokse vigajsh të cilat thyen sulmet e armiqve.”, Koliqi theksonte parantezat historike, të cilat jo rastësisht po na përsëriten edhe sot: “Si duket Dedë Gjo Luli u gri batare prej Serbvet në Mirakli në qershor 1915. Serbet kurr nuk ua falen Malësive të Veriut – kala e patundun e Arbërit ndër shekujt, – pengimin qi u qiten lakmive të tyne ekspansioniste.”

Ndërkaq, në njërin prej shkrimeve të tij nga më brilantet, të titulluar “Fishta asht i gjallë midis nesh”, Ernest Koliqi aq sa ngre lart figurën e poetit kombëtar, po aq lartëson figurën burrërore të malësorëve shqiptarë:

“Fishta ndër zhele të Malësorvet pau kindat e nji flamuri të grisun ndër përleshje për mprojtjte t’atdheut. Ato zhele, lecka e rrecka, na i paraqiti të puthuna nga dielli i lavdis. N’ato zhele Malësorët e mbarë Shqipnis mbështjellin poentat e njëmendta të fisnikis s’onë, të njerzis bujare, të gjakut arbnuer.”

Pra poeti kombëtar, luftëtari shqiptar, si dhe këngëtari shqiptar, në kujtesën kombëtare shpalosin sfondin historik ku Pirroja i lashtë la fjalët e një qartësie lapidare e të një urtie solomonike: “Shqiponja jam unë. Ju jeni krahët e mi!”

Ky sfond, i cili në penën atdhetare të autorit të himnit kombëtar, Aleksandër Stavri Drenova-Asdrenit, do të shpaloset edhe më thekshëm si një sfond “rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë e me një qëllim”, do të jetë firmament i shqiptarëve ndër shekuj.

Po për të njëjtin sfond, poeti atdhetar Kosovë Rexhë-Bala, në poemën “Beteja”, kushtuar kreshnikut të Kosovës, Isa Boletinit, do të shkruante në mënyrë aq kuptimplote se: “Krojet burojnë gjak.”

  • Fjala dhe kënga, pena dhe pushka

Pikërisht këto kroje do të bëhen burime të pashterrshme frymëzimi, si për poetët ashtu edhe për këngëtarët, si për heronjtë ashtu edhe për dëshmorët. Prandaj, në kohën e zezonave të mëdha, në dimrat e vetmisë së madhe, në kohët e egra e ziliqare, kur përmbi tokat tona sërish prenë gërshërët e Konferencës së Londrës e të Jaltës, ku mbi kokat tona ra furishëm murlani i Moskës, e kur u sul e qartun lukunia e ujqërve të Ballkanit, kënga u bë pushkë e jehoi deri në kupë të qiellit, për ta mbajtur gjallë frymën e pashuar të qëndresës kombëtare.

Në një kohë për të cilën Bajroni do të thoshte në mënyrë tepër domethënëse: “Kur heshtën librat, e graniti u thye”, telat e çiftelisë shoqëruar me ritmin e sharkisë, së bashku me këngët e lahutave e me ato majakrahau, u bënë sfidë hordhive barbare.

Me penë dhe me pushkë, por edhe me këngën shqipe rreth sofrës e pranë votrës, u sfidua robëria e zezë shekullore, madje u sfidua në përmasat e vargjeve të epikës fishtjane:

Çohu Kacel e merr lahutën,

pa na kno nji kangë shqiptare,

se s’majmë zi pa dalun fare!

 

Greqia e pushtuar e kishte mundur pushtuesin e pagdhendur, prandaj edhe përfaqësuesit e breznive orëmira, bijtë dhe bijat e këtij trualli la me gjakun e derdhur rrëke, e dinin se liria e shumëpritur do të vinte dhe se Kosova e përgjakur ndër mijëvjeçarët, do ta shporrte një herë e përgjithmonë thundrën gjakatare të knjazave dhe krajlave.

Brezi i Rexhep Ukës-Ramadanit, për të sendërtuar qëllimet e tyre në shërbim të një ideali rreth të cilit ata ishin tubuar dhe përbetuar, përdori për lakmi e me një mençuri të rrallë, bindjen me anë të fjalës së urtë, ushqeu shpresat me anë të shembëlltyrës së gjallë, të vetëdijshëm se fjala i prekë zemrat e shemb kështjellat-sa herë që pasohet nga veprimet konkrete, kurse me fuqinë e këngës dhe magjinë e saj, ata depërtuan në palcën e shpirtit të një kombi të përvuajtur, mu aty ku pushtuesit shekullorë kishin shpresuar të godisnin më së shumti.

Për brezin e Rexhep Ukë-Ramadanit, fjala ishte kreshta më e bardhë, e kënga shqipe ishte krenaria e ligjshme e të qenunit shqiptar e bir shqiptari. Duke bashkuar kështu fjalën dhe këngën, penën dhe pushkën, duke ushqyer kështu shpresat dhe duke zgjuar kështu ëndrrat, ata u rreshtuan në shërbim të një misioni dhe vizioni për të cilin kishin pritur breza të tërë të shqiptarëve atdhetarë.

Njëri prej poetëve të mirëfilltë disidentë të Kosovës, Kosovë Rexhë-Bala, në njërën prej krijimeve të tij poetike, të titulluar “Krojet e krenis shqiptare” (poemë kushtuar “Shpatarit t’Arbërit”, pra Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut), kishte shkruar në emër të breznive orëmira, të cilat gjithmonë e kishin ruajtuar si tepër të shenjtë, zjarrin e atdhedashurisë:

I lirë o i kallun n’flak t’barotit,

asht parimi i nipave t’Kastriotit

Nuk ka dyshim se poeti dhe rapsodi takohen në trajektoren e zhvillimeve historike të një populli. Pena dhe kënga u shkrinë në një për t’u prirë pushkëve kryengritëse. Prandaj, Rexhep Uka-Ramadani dhe brezi i tij, me tingujt e këngës shqipe, mbajtën të gjallë idealin e shenjtë të të gjitha kohërave, idealin e breznive orëmira:

                Zgjohu, zgjohu dhe rrëfehu,

ç’është gjak i Shqipërisë,

me armikun tënd mbërtheu,

dhe rrëfeja gjithësisë…

Shqipëri moj shpatë e zhveshur,

që kur të njeh historia,

dyfekun e mba mbi supe,

në gjak të mbiu liria.

  1. Një figurë atdhedashurie dhe një parantezë historike

Në shkrimin e tij kushtuar Islam Vrionit, Vexhi Buharaja (ky mjeshër i rrallë i poezisë shqipe, ky poliglot e ky përkthyes i madh i poetëve gjenial të letërsisë së lashtësisë persiane, të Firdusit, të Hafiz Shiriazit, të Rudakit, Saadiut, Xheladin Rumit e Enverit) i ka ngritur atij një monument të rrallë, jo prej mermerit por prej magjisë së fjalëve. Duke e gdhendur portretin atdhetar të Islam Vrionit, Vexhi Buharaja na përkujton stilin monumental të Mihal Gramenos tek “Kryengritja Shqiptare”, e ku skalitet aq bukur portreti i Idriz Gurit që i heqë zorrët zvarrë për lirinë e Shqipërisë.

Pa dyshim, se portreti i skalitur nga pena e mjeshtrit të fjalës shqipe, mbetet i paharruar: “Islam Vrioni, 80-të vjeçar, i pastërt shpirtërisht, ishte simbol i një veprimi të paprerë dhe i një ideali të lartë. Tek Islam Vrioni, jeta shkrihet në idenë dhe ideja në jetë, për të lindur ideali i lartë. Le ta ndjekim patriotin e shquar të Beratit në udhën e jetës së tij të gjatë, gjatë sundimit osman dhe do ta gjejmë që do të nxjerrë kurdoherë zërin e tij të ëmbël për çështjen shqiptare. Ndiqeni Islam Benë dhe do të gjeni herë duke u përfytur me ndonjë pashë osmanlli, herë nëpër shtëpira të futur, duke ia mësuar shqipen djelmërisë së asaj kohe bashkë me Babë Dudë Karbunarën, herë me vuajtje të pakapërcyeshme, herë nëpër male dhe herë në mbledhje me rëndësi si në Kongresin e Dibrës, bashkë me Dervish Himën, Aqif Pashë Elbasanin, Hafiz Ali Korçën e të tjerë.”

Duke e vendosur në sfondin e rrethanave të kohës, Vexhi Buharaja nuk mjaftohet në nderimin dhe respektin që i ka bërë Islam Vrionit: “As trembjet dhe frikësimet e Qeverisë Otomane, as zotimet e ryshfetit që ishin gati t’i jepnin qeveritarët osmanë, as edhe rytbeja e ndonjë pashallëku që mund t’i zotonte sulltani, nuk puthnin dot përpara ndjenjës së kthjellët patriotike që ndizej në shpirtin e Islam bej Vrionit.” Por figura atdhetare e Islam Vrionit, lartësohet edhe më shumë sepse historia ia kishte vënë mbi supet peshën e saj: “Dhe kur populli i Beratit shtrëngohej të grumbullohej nëpër sallat apo nëpër sheshet e ndërtesave qeveritare për të brohoritur hipjen në fron të ndonji sulltani, Islam Beu, nga ana tjetër, mblidhte djelmërinë e kulturuar dhe sfidonte çiltazi qeverinë dhe sjelljet e saj, flamurin dhe sistemin politik të sajin me një gjuhë elokuente dhe me një burrëri të pathyeshme. Ai mbante qëndrim ndaj atyre që ishin shitur tek Perandoria Osmane për t’u bërë vegël e saj, qofshin këta edhe dashamirë të tij. “Duhet të jemi të lirë”, i thoshte Islam Beu djelmërisë. Liria, një fjalë e padëgjuar ose e dëgjuar rrallë në qytetin tonë deri në atë kohë, u përhap menjëherë me anën e zërit të urtë të Islam Beut. Islam Vrioni filloi si një mësonjës i palodhshëm t’ia mësojë popullit kuptimin e lirisë në thellësinë e saj.”

Më tutje, Vexhi Buharaja e krahason veprimin atdhetar të Islam Vrionit me mendimin poetik dhe dijetar të Mehmet Akifit, i cili edhe pse në kohën e sundimit të Sulltan Hamidit, shprehte idenë e qartë sa dhe të guximshme se: “Nuk del gjë, nuk ka ndonjë vleftë vetëm shpallja e lirisë, në qoftë se nuk rrënjoset si duhet ideja e lirisë; pra, mundohuni që t’ia rrënjosni pakëz popullit këtë ide” – thoshte Mehmet Akifi, autor i himnit kombëtar të Turqisë.

Prirur nga ide të tilla, duke e ndier se ora e Shqipërisë po biente, patriotët shqiptarë, shkruante më tej Vexhi Buharaja, “për çdo çështje drejtoheshin tek Islam Beu. Populli fillon tashti ta quante atë me emrin “shqiptar”. Dhe kur erdhi ora, Islam Beu rroku armët dhe doli në male me atdhetarët më të shquar të vendit tonë. Hyrjeti u dha, Lufta Ballkanike plasi, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe Shqipëria doli më vete. Por ishte thënë që Islam beu të vuajë edhe më.”

Kjo është pika ku fillon rrokullisja e fati ia kthen shpinën Islam Vrionit, ashtu siç do t’ua kthente edhe Mihal Gramenos e sa e sa atdhetarëve të tjerë, që me mendje dhe me zemër, që me mish dhe me shpirt e deshtën atdheun dhe kombin, për të cilin ishin në gjendje të flijoheshin në çdo cast:

“Çetat rebele trokëllijnë në portat e Beratit për të futur edhe në qytetin tonë mendimet e tyre të mbrapshta. Atëherë plaku veteran rroku edhe një herë armët, organizoi bashkë me shokët çetën atdhetare dhe doli t’i presë hovin kësaj vale. Pushka kërcet nëpër lagjet e jashtme e nëpër rrethet e qytetit duke i dhënë datën popullit…Një zjarr i madh që shpërtheu në qytet, i kalli dhe më tepër dërrmën popullit…Janë shtëpitë e Islam Beut, apo sarajet si i quante populli, që u bënë hi brenda një kohe të shkurtër bashkë me plaçkat dhe gjërat e vlefshme që ishin brenda. Po në këtë kohë përvëloheshin edhe dy palë shtëpi të veteranit tjetër, Neshat Vrioni, dhe me të vërtetë tmerr pa Berati. Baki Gjebreja e Ismail Klosi u vunë në mitraloz përpara burgut…Dhanë shpirt që të dy në mes të këngëve kombëtare e brohoritjeve të qindra luftëtarëve që përshëndetnin martirët nga dritaret e vogla të burgut duke brohoritur: “Rroftë Shqipëria!” Hajrdein Fratari u vra me të pabesë në vendin që quhet Çargjet. Muharrem Lleshi, një djalë gjigant, me trimëri e guxim të vërtetë shqiptari, ra dëshmor dhe ky i vrarë me të pabesë, por pasi bëri kërdinë njëherë mbi rebelët. Nuk u mjaftua me kaq: u trembën dhe u torturuan shumë njerëz të zgjedhur për ndjenjat e tyre thjesht shqiptare duke i internuar nëpër burgjet e Elbasanit, të Kavajës e të Tiranës. Në mesin e atyre që u munduan dhe u internuan ishin edhe myftiu i Beratit, fort i përndritshmi dijetar H. Mehmed Esadi, i ndjeri Qerim bej Fuga, Izet Resuli, Emin Bej Vokopja, etj. Vetëm fjala e urtë e Islam Beut ishte një ngushëllim për popullin e atyre ditëve të llahtarshme.”

Një llahtari e tillë si pasojë e ndarjeve në dysh, mjerisht Shqipërisë dhe shqiptarëve do t’u përsëritej aq shpesh gjatë gjithë historisë së tyre, si një ogur i zi. Dhe ndarja kishte ndodhur që nga kohët e Ilirisë, kur qenë ndarë Batoja i Breukëve dhe Batoja i Desidantëve, kur Demetër Fari ua kishte dhënë romakëve çelësat e kështjellave të Teutës, kur princat shqiptarë për shkak rivalitetit të tyre, herë zunë ta thirrnin Venedikun e herë Turqinë që t’u venin në ndihmë për të plotësuar interesta e tyre të ngushta; kur Moisi Golemi dhe Hamza Kastrioti i ranë pas krahëve Skëndërbeut: kur shpërrtheu zemërimi i Zanfinës së Moisi Golemit (sepse Mamica e kishte marrë për burrë Muzak Topinë-nga i cili qe shkurorëzuar Zanfina, dhe e cila në zemërim e sipër martohet me Moisi Golemin-duke e hasetuar dhe duke e nxitur të dezertonte në Tragjedinë e Beratit), kur Lekë Zaharia e Lekë Dugagjini nxirrnin dhe vërtisnin shpatat me njëri-tjetrin se kush do merrte Jerinën e Bukur të Topiajve (sherri kishte plasur në Dasmën e Mamicës me Muzak Topinë, me 26 janar 1445-në Muzakianë, midis Krujës dhe Durrësit. Shkaku ishte Irenë Dushmani e Zadrimës, apo siç njihet me emrin Jerinë e Bukur e Topiajve, për të cilën zunë të grindeshin Lekë Dukagjini dhe Lekë Zaharia i Danjës. Me gjithë ndërhyrjen e Uran Kontit-i plagosur në krah, dhe të Vladan Juricës-i plagosur në kokë, bilanci ishte tragjik: 100 të vrarë e 200 të plagosur); kur Mustafë Pashë Shkodrani u sul kundër Kurt Pashës së Beratit me 1775, kur Bushatllinjtë në Shkodër e Ali Pasha në jug derdhnin gjak shqiptari për interesat e tyre të ngushta feudale e personale, kur rebelët e Esad Pashë Toptanit dhe të Haxhi Qamilit i ranë pas shpine shtetit të porsaformuar shqiptar të Ismail Qemalit, e duke sfiduar tutje Qeverinë e Sylejman Delvinës-që kishte dalë nga Kongresi i Lushnjes (pasi kishin vrarë me atentat patriotët zemër-zjarrtë Sali Nivicën e Xhafer Ypin); kur emisarët jugosllavë Milladin Popoviqi, Svetozar Vukmanoviq-Tempo, Dushan Mugosha-Duqi, Raif Dizdareviqi e Velimir Stojiniqi, të dërguar enkas nga mareshali gjakpirës jugosllav Josip Broz Tito në misionin e tyre famëkeq, e futën thikën e vëllavrasjes mes shqiptarëve në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, pasojat tragjike të së cilës po i ndiejmë edhe sot.

E sidoqoftë, duke e gdhendur më tej portretin atdhetar të Islam Vrionit, Vexhi Buharaja shkruante: “Kur më në fund Zoti që punon me drejtësi, deshi që vendi ynë të qetësohet, Islam Bej Vrioni u tërhoq mënjanë për të kaluar tepricën e jetës së tij në prehje. Mirëpo a e dini se çfarë qëndrimi morën njerëzit e qeverisë së parë ndaj Islam Vrionit? Lëre mos e pyet: “Një patriot”. Dhe vetëm kaq. “Një veteran si gjithë të tjerët që kreu detyrën e tij”. Këto ishin fjalët e vetme të qeveritarëve të asaj kohe. Dhe kur dilnin ndonjëherë broshura në kujtim të atdhetarëve (dhe këto sa për të përkëdhelur popullin), emri i Islam Beut nuk dukej fare, ose andej nga fundi, në ndonjë cep, i zbehtë dhe pa sqarime. Islam Beu u harrua si u harruan edhe patriotët e tjerë. Lëre mënjanë qeverinë, po të ashtuquajturit shkrimtarë mendjelirë si nuk gjetën as kohë sa qe t’i kushtonin penën e tyre veprës së Islam Beut…Një patriot si gjithë të tjerët…Dhe vetëm kaq!“

Duke e plotësuar portretin e Islam Vrionit si dijetar, Vexhi Buharaja ia vente në spikamë aftësitë dhe dituritë e tij prej njeriu, i cili  „për fenë ndiente një bindje, një përunje jo të verbër, por të arsyeshme dhe shpirtqetësonjëse“ dhe „që adhuronte të vërtetën, të drejtën dhe idealin“, të cilat e kishin frymëzuar dhe udhëzuar madje jo vetëm atë, por edhe shumë e shumë të tjerë:

„Islam Bej qe një mentar i thellë, një njohës i diturive, një dijetar në kuptimin e vërtetë të fjalës. Mendja e pjekur e tij ishte një fjalor diturish, një thesar i paçmuar njohurish…Mbaroi studimet e para në qytetin e tij, në Berat, dhe pastaj ndoqi me zell të madh fakultetin e shkencave politike në Mylqijen e Stambollit, duke zgjëruar kështu rrethin e njohurive të tij. Ishte një student i aftë i arabishtes, i tuqrishtes, i persishtes, i frëngjishtes, i greqishtes së vjetër dhe i disa gjuhëve të tjera, por edhe një njohës i thellë i filozofisë, i arteve dhe i literaturës së tyre. Kur pata fatin ta vizitojë Islam Beun në një pasdreke verore, si thashë më lart, u gjeta përballë një dijetari të urtë, shpirtmadh, modest, i ndërgjegjshëm, me personalitet të shquar, i sinqertë e me vetija të tjera shembullore. Për tri orë që ndenja, m’u qetësuan veshët nga poterët e fjalët se sa shkon misri e sa gruri, se kush është i mirë e kush është i keq. Njëmendi ndodhesha përpara vështrimit të një mentari, në qoftë se nuk gabohem, të një filozofi, që, duke na shfaqur gëzimin e tij për vizitën që i bëmë, me buzëqeshjen e tij ziliqare, zuri menjëherë nga filozofia e Sokrartit, e Platonit, e Ibn Rushidit (Averoes), e Farabiut, e Kantit…Foli mbi letrarët persianë: mbi Khajamin, mbi Saadinë, mbi Firdeusin, Meulananë, Shirazin; preku teoritë mistike të burrave të pashoq myslimanë; foli mbi letrarët, sociologët e çdo shekulli, duke bërë krahasime, shkoqitje, analizime dhe kritika me vend.“

Një përshkrim i tillë dhe një vizitë e tillë nuk ka sesi të mos na e kujtoj përshkrimin dhe vizitën që Gjergj Fishta dhe Faik Konica ia kishin bërë Shtjefën Konstantin Gjeçovit: „gati të harruar nga njerëzit dhe perëndia“. E filli i kujtesës shpaloset tutje në penën e Vexhi Buharasë: „U habita sidomos kur pashë se nga goja e tij dolën fjalë të mira për letrarët e vendit tonë. Më foli me radhë për Nezimin, Sulejman Naibin, Omer Nadinë (që të tre këta poetë beratas). Më foli edhe mbi De Radën, mbi Naimin, Fishtën, Ali Asllanin dhe mbi Lasgushin. Brenda kësaj kohe të shkurtër gjeta patriotin e vyer, teologun e mbaruar, letrarin e urtë dhe historianin kritik. Islam Beu ishte një sociolog i heshtur, por edhe një moralist tejshkonjës, një besnik i Profetit.“

Duke e përmbyllur shkrimin e vet për figurën eminente të atdhetarit dhe dijetarit të shquar të Beratit e të gjithë Shqipërisë-Islam Vrionin, Vexhi Buharaja ia nënvizon parimet e tij për moralin individual: “Ja se si i përgjigjet Islam Beu atij që e pyeti mbi moralin e demoralizimin: Morali, për hijen individuale, është si ndreqja me elegancë për një fytyrë fisnike. Edukata, delikatesa, drejtfolja, besnikëria mbi ç’beson e dashuron, respekti në fe, në Perëndi, në zakonet kombëtare, në njeriun përgjithësisht, në mysafirët dhe për çdokë më të madh në moshë a në dituri dhe për cilindo që pëlqen njerëzimi i vërtetë, nderi dhe dinjiteti personal, demokracia me aristokraci principe dhe karakteri, të gjitha këto janë ndër cilësitë kryesore të moralit individual!”

  1. Njeriu atdhetar, i cili shtratin e të birit-Hetemit ia lëshoi Bacë Ademit

Njëri prej martirëve të lirisë së Shqipërisë, Dom Ndre Zadeja ka përkujtuar me të drejtë se ‘ideali është një lamë (fushë) ku lufton i urti e vdes i forti.’ Por ai gjithashtu ka përkujtuar që shqiptarët të mos pranojnë më kurrë të bëhen ‘turma të përgjakura’ të historisë apo të padrejtësisë së kësaj historie, e cila mjerisht shpesh, shumë shpesh është treguar aq e padrejtë ndaj nesh.

Historia sikur po përsëritet në format e saj më të sofistikuara! Kohët po shfaqen sërish ziliqare. Zare të reja po hidhen gjithandej. Danajtë po na sjellin sërish dhurata! Në rrathana të tilla, një komb tubon mendjet e tij më vizionare dhe bashkon zemrat atdhetare, sepse vetëm duke kthyer kokën kah e kaluara e tij historike, në mënyrë të veçantë kah shembëlltyra e figurave frymëzonjëse, ai mund të gjejë shtegun e ardhmërisë së tij të ëndërruar aq shumë. Prandaj, Republika nuk mjafton të jetë vetëm parlamentare. Ajo duhet të jetë para së gjithash e mbi të gjitha, edhe Republikë Atdhetare, e cila do të duhej të kish bashkuar tashmë mendjet dhe zemrat që rrahin për të mirën e atdheut dhe për të ardhmen e kombit…

Hetem Ramadani

Ndërkaq, shembëlltyra e lartë e fisnikërisë, e bujarisë dhe e atdhedashurisë tek Rexhep Uka-Ramadani, dëshmon fare qartë se të marrësh anën e drejtë të historisë, të rreshtohesh përkrah qëndresës kombëtare, të sfidosh hafijet e shumta, përkatësisht udbashët e Josip Broz Titos (ashtu siç i kanë sfiduar të parët e tu subashët dhe bimbashët e çallmave të Azisë); të bëhesh me shembullin tënd simbol i të mirës dhe i vëllazërisë kundër shpërnguljes së detyrueshme shkretëtirave të Anadaollit sipas marrëveshjes famëkeqe të Jugosllavisë dhe Turqisë, të sfidosh Aksionin famëkeq të Armëve dhe politikën nacional-shoveniste të Aleksandër Rankoviqit, të mësosh dhe të edukosh me shembëlltyrën tënde brezat e kohës tënde si dhe breznitë që do të vijnë pas teje, të rritësh dhe të ngritësh një çetë të tërë prej djemve dhe vajzave duke i ushquer ata me ndjenjën e atdhedashurisë e të diturisë, t’i shërbesh me mish dhe me shpirt një misioni dhe një vizioni të shenjtëruar historik, ta ndashë kafshatën e bukës së fëmijëve tu dhe të familjes tënde me bashkëmendimtarët, bashkëveprimtarët dhe bashkudhëtarët e një ideali të larë me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të një kombi të martirizuar ndër shekuj, të mos marrësh parasysh rreziqet dhe ndeshtrashat e shumta duke ecur gjithmonë mbi tehun e shpatës; të sfidosh lajlet dhe lajkat e rregjimit kriminal juosllav, të mohosh lumturinë e rrejshme që ofronte ky regjim antikombëtar dhe të lartësosh sa me trimërinë po aq edhe me mençurinë e dëshmuar krenarinë e të qenunit shqiptar e bir shqiptari, t’ia lëshosh shtratin e të birit-Hetemit (duke i thënë atij të bjerë në tokë) dhe t’ia lëshosh atë Bacë Ademit, madje duke rrezikuar sa e sa herë edhe me kokë; ta shtrosh sofrën e bujarisë e të zemërgjërsisë, të bardhësisë e të mirësisë, sofrën e atdhedashurisë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, madje edhe shtatë deri tetë herë-ditën apo natën (ashtu siç ka rrëfyer vetë Bacë Hetemi), të vësh në rrezik shtëpi e katandi – jo vetëm duke i folur Bacë Adem Demaçit (kur të tjerët nuk guxonin as t’i flisnin e madje nuk donin as ta përmendinin) – por edhe duke e mbajtur në shtëpi, duke e strehuar, duke e përkrahur e duke agjituar bashk me të; të besosh aq fort në ngadhënjimin e idealit të lirisë dhe pikërisht për hir të këtij besimi të patundur të pagëzosh njërin prej fëmijëve tu me emrin Fitore, në një kohë kur puthadorët i ngrenin klikës së Josip Brozit përmendore; të bëhesh anëtar i devotshëm i organizatës politike të Adem Demaçit duke sfiduar gjarpërinjt e gjakut të veshur shpesh me gëzofin e anëtarësisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë; të flasësh hapur se nëna jonë është Shqipëria dhe se njerka është Jugosllavia, të sfidosh me bindje të plotë politikat nacional-shoveniste sa dhe hegjemoniste të bajlozëve të bastiljave të Beogradit duke u bërë shembull i gjallë frymëzimi dhe udhëzimi për bashkatdhetarët e tu të përvuajtur në robërinë e gjatë e mizore; ta mbash kokën lart e të mos përkulesh kurrë, të rezistosh, të kundërshtosh, e të veprosh pareshtur për të mirën e atdheut dhe të kombit, ta sfidosh regjimin barbar të Sllobodan Millosheviqit e të shpresosh aq for se edhe i biri i burgosur në regjimin gjenocidial të kasapit të Ballkanit, një ditë do ta gëzojë lirinë; t’ua lësh amanet dashurinë për atdheun, flamurin dhe gjuhën bijve dhe bijave-ashtu sikurse breznive orëmira, e në mënyrë të veçantë t’ua lësh amanet Bacë Ademin (duke porositur njëlloj sa Arbenin po aq edhe Fatonin, e më së shumti Hetemin), pra t’i bësh bijtë dhe bijat e tu të ndihen me të drejtë krenarë për një baba atdhetar, njëlloj sikurse nipërit dhe mbesat – deri tek brezi më i ri – me Arbën, Arisin dhe Ninën, don të thotë të jesh shumë më shumë se një atdhetar. Don të thotë se nuk ke pranuar kurrë ta blesh çmimin e paqes me çmimin e dinjitetit kombëtar. Don të thotë se gjithmonë ke gjakuar për të dhënë për mëmëdheun dhe nuk ke dashur për të marrë  prej tij, don të thotë se ke qenë i pajisur me një tipar dhe virtyt tepër të rrallë, të cilin Zoti t’i ka falë si shpërblim i të qenunit atdhetar i devotshëm. Don të thotë se e meriton nderimin dhe përkujtimin e përjetshëm të breznive orëmira, don të thotë se me atdhedashurinë dhe modestinë tënde tepër të veçantë, ke hyrë përjetësisht në mendjen dhe në zemrën e një kombi të cilin e ke dashur aq shumë, dhe të cilit i ke shërbyer me gjithë fuqinë e mendjes, me gjithë bujarinë e zemrës dhe me tërë bardhësinë e shpirtit.

Përmbi çdo gjë, don të thotë se ke hyrë në portat e përjetshme të Republikës së Breznive Orëmira, jo vetëm duke u përkulur përpara këtyre portave kaq të shenjta por edhe duke u bërë shembull, gjithmonë sipas parimit të madh të shkodranit të mençur e shqiptarit të madh, poetit të pushkëve të bardha-Pashko Vasa, parim i cili qëndron shumë më lart se çfarëdo lloj urdhri, shumë më lart se sa disa dekorata me deklarata të thata; parimin i bërjes së Shqipërisë së mirëfilltë, të lirë, demokratike dhe të bashkuar – sot e mot: ‘Urdhrat e ndërgjegjës kombëtare duhet të na vijnë për krerë dhe të na bindin për ushtarë!’

Pa dyshim një shpirt sa fisnik po aq edhe bujar, sa bujar po aq edhe atdhetar. Një shpirt thellësisht shqiptar. denjësisht shqiptar, burrërisht shqiptar. Shqiptar e bir shqiptari. Krenar për rrënjët e lashtësisë së tij, për jehonën e trimërisë, si dhe për përmasën e mençurisë që ky komb diti të rrezatonte nëpër shekujt tinzarë.

Arben Ramadani, Arbresha Kelmendi-Ramadani, Fitore Ramadani-Perçuku & Breznitë Orëmira në ditëlindjen e veprimtarit të paharruar të çështjes kombëtare, Adem Demaçit (Alb-Prometheut), 26 shkurt 2016

Pikërisht ashtu siç kishte shkruar Borhesi në Epilogun e njërës prej kryeveprave të tij poetike, të titulluar ‘Tigrat ëndrrimtar’, më 31 tetor 1960, në Buenos Aires: ‘Njeriu i vë qëllim vetes për ta portretizuar botën…Shpejt, para vdekjes së tij, ai zbulon se labirinthi i durueshëm i vijave bart gjurmët e pamjes së fytyrës së tij.’

Pikërisht ashtu siç shkroi Viktor Hygo, se: “Shpirti i lartë dhe i dlirë, i paarritshëm nga pasionet dhe emocionet vulgare, që çohet mbi retë dhe terret e kësaj bote, mbi marrëzitë dhe gënjeshtrat, mëritë, kotësitë dhe mjerimet, banon në kaltërsinë e qiellit dhe nuk ndien më gjë tjetër veçse tronditjet e thella dhe të nëndheshme të fatit, ashtu siç ndiejnë dhe majat e maleve tërmetet”.

                              Arbëreshi ngado vete di dhe bën…

Rexhep Uka-Ramadani:

DRITË I BËFTË SHPIRTI!