Retrospektivë: Isa Mustafa, demarkacioni dhe qasja ndaj vizave

Reis Mirdita

1. Para disa kohësh, Kryeministri Mustafa lejoi veten të hy me dy këmbë në një lojë të fëlliqtë përballë qytetarit dhe votueseve besnikë të tij e të LDK dhe Kosovës së Re. Ç’e shtyri të përdhosë classe-n që mbajti disi mbi pushtetarët e tjerë gjatë gjithë kohës si kryeministër. Pse i duhej sot të shantazhon Kosovën me vizat?! Demarkacioni nuk është kusht valid dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të jetë shem dere që kemi ta kalojmë për t’u degdisur shteteve të BE.

Si do që të zhvillohet procesi i dhënies së drejtës për lëvizje të lirë, Mustafa nuk duhej të lejonte veten të bjerë në shkallën e lojërave poshtëruese, kryesisht të Francës e Holandës, për të bërë kështu, shtypje të tërthortë me deputet e “padëgjueshëm” duke rritur këtë shtypje ndaj tyre, me mashën e huaj, gjegjësisht me popullin e uritur që presin t’iu hapet një shteg, për të fituar monedhën e gjallërimit.

2. Megjithatë, them se me plotë të drejtë kërkoi nga bashkë-partiakët e tij ta votojnë atë çka lypë duke i kushtëzuar me disa “ndalesa” në rast të mos votimit. Pak si vonë iu kujtua edhe autoritarizmi për rend partiak brenda radhëve të veta që luan rol pedagogjik dhe disuaziv ndaj atyre që nuk njohin sa duhet obligimet demokratike në gjirin e një familje politike. Me nxjerrjen e “duarve prej xhepave”, duke kushtëzuar drejtpërdrejt kuvendarët lëdëkëistë, akti është i qëlluar dhe duan apo s’duan të apostrofuarit, do t’i binden kryetarit të partisë së tyre, gjegjësisht Kryeministrit. Në rast të kundërt, “exit” nga zgjedhjet e ardhshme!

3. Kërcënimi me “s’ka demarkacion, s’ka viza!”, është fenomen në vete që flet shumë për popullin e gjunjëzuar para kushteve flagrante që i parashtron BE. Me politikanë të nënshtruar turpit sa herë që të lëshojë ajër ndonjë “i madh” nga Europa, populli në Kosovë, nga presione të tilla jo njerëzore, arriti në një gjendje të mjeruar dhe tejet nënçmuese përballë sfidave ekonomike të mbijetesës.

4. Është e pakuptueshme edhe sjellja e shumë intelektualëve jo të angazhuar politikisht që s’është dëm në vetvete nëse ata rrinë anash edhe në çështjet tjera shoqërore por, kështu pasivë ata nuk janë të gjallë dhe kjo botë i anashkalon mirëpo nga ana tjetër, ata bëjnë shkatërrim të krenarisë kombëtare kur paraqiten herë pas herë për thënë mendimet e tyre që lidhen pas vizave duke zbuluar kështu profilin e tyre të mjerë.

5. Krahasimet në mes të mundit për lëvizje pa viza nëpër BE, sikur rasti me Turqinë, vënë në pah injorancën e plotë të ideatorëve të tillë. Kushtet ekonomike e sidomos strategjia politike është diametralisht e kundërt në mes të Kosovës dhe Turqisë. Në plan të parë, qëndrimet turke janë të qarta dhe pa lajka e premtime të pa shpresa popullit. Ata ndërtojnë infrastrukturë dhe kanë plane të dukshme për ardhmëri. Dhe më kryesorja, planet e tyre me BE e me vizat bazohen në qëllime politike ku ndoshta me qëllim synohet largimi i një pjese të popullatës nga vendlindja.

6. Perspektivë:

Kosova me politikën dhe politikanët aktualë por edhe me tendencat e vet qytetarëve për largim, do të na sjellë në një vajtim pa fund kur do të themi: BE lidhi “besë” me Malin e Zi dhe zuri shkak demarkacionin për ta boshatisur Kosovën.

Dikur, vrap qyteteve për të mësuar ca fjalë turqisht sa për të marr visikat (vizat), sot turr kurseve të mësojmë gjermanisht por edhe të shesim troje; për të marr vizat!