Reshat Murati, simbol atdhedashurie dhe humanizmi

Shkruan: Florim Zeqa            15.02.2018

Në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës

Reshat Murati, simbol atdhedashurie dhe humanizmi

Historia e mërgimit të shqiptarëve drejt shteteve evro-përendimore është e gjatë dhe e dhimbshme. Fluksi i largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike varion prej situatave politike në rrethanat e okupimit klasik serb.

Fillimi i viteve të ’90-ta shënon fluksin më të madh të migrimit të shqiptarëve si pasojë e largimit nga puna dhe si produkt i dhunës sistematike të regjimit fashizoid të Millosheviqit ndaj shqiptarëve.

Edhe pse larg vendlindjes, shqiptarët me shpirte të thyer dhe zemër të plagosur, me mallë për vendlindje dhe urrejtje ndaj armikut shekullor që u vlonte si vullkan në shpirtërat  e tyre filluan organizimin në forma të ndryshme; klube, shoqata organizata dhe parti politike.

Njëri nga bashkatdhetarët e viteve të ’90 që emigroi në Gjermani është edhe Reshat Murati nga Peja, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, humanist dhe aktivist i dalluar i LDK-së.

Kështu Reshati me t’u vendosur në Viersen ( Gjermani ) kyqet në Aktivin e LDK-së me seli në këtë qytet, i zgjedhur më pas me votat e bashkatdhetarëve në postin e Sekretarit të Përgjithshëm në këtë Aktiv të LDK-së i cili udhëheqej nga kryetari z. Hilmi N. Gashi.

Ky aktiv asokohe numëronte rreth 300 anëtarë të rregullt që përkohësisht punonin dhe vepronin në Viersen të Gjermanisë, qytet ky që shtrihet per rreth kufirit me Holanden dhe asokohe numëronte mbi 200 mijë banorë.

Prioritet i kryesisë së Aktivit të LDK-së në Viersen ishte organizimi dhe mobilizimi  bashkatdhetarëve për pjesmarrje masive në demostrata, internacionalizimin dhe senzibilizimin e autoriteteve vendore (gjermane) me gjendjen dhe realitetin mbi Kosoven e pushtuar, pastaj hapjen e shkollës per Mesimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, grumbullimin e mjeteve për financimin e fondit të Republikës së Kosovës, grumbullimin e ndihmave dhe mjeteve finaniciare për familjet e rrezikuara ekonomikisht në Kosovë përmes Fondit Humanitar me seli në Achen, si dhe përgatitja e oficierve dhe nënoficierve dhe vullnetarve për luftën e drejt të UÇK-së, si dhe dërgimin e sigurtë të tyre në Shqipëri.

Aktivist i palodhshëm

Në vazhdën e organizimit të protestave dhe demostratave të bashkombasve  nga Aktivi i Viersenit, si gjithnjë Reshat Murati ishte i renditur në radhët e para. Vlenë të permendet pjesmarrja e tij në këto demonstrata:Düsseldorf, Bon, Bruksel, Denhag, Zhenevë, Bernë dhe në Paris të Francës.

Lidhur me internacionalizimin dhe senzibilizimin e autoriteteve gjermane për gjendjen aktuale në Kosove, Aktivi i LDK-së i Viersenit ka organizuar disa  mbrëmje informative, në të cilat mernin pjesë qindra qytetarë gjerman, në mesin e të cilëve kishte personalitete të shquara si: profesor, doktor shkencash, jurist, akademik, kryetar bashkie, etj,…përmes të cilëve pala gjermane gjithnjë informohej me kohë dhe saktësisht çfarë po ndodhte në Kosovë.

Kryesia e Aktivit të LDK-së në Viersen ishte e kyqur direkt me Qendren për Informim të Kosoves (QIK), të udhëhequr gjatë asaj kohe nga veprimtari Enver Maloku. Vlenë për të theksuar se me të gjitha materialat ishte i ngarkuar sekretari i Aktivit, veprimtari besnik i çështjes kombëtare Reshat Murati.

Punë e madhe dhe me vlerë ishte bërë edhe me hapjen e paraleles së Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, ku falë punës së palodhshme të Reshat Muratit për një kohë relativisht të shkurtër ishin grumbulluar të gjitha të dhënat e fëmijëve në Viersen e rrethinë si dhe kërkesa me shkrim e cila u paraqit para Ministrisë për Arsim në Gjermani. Kështu në saje të seriozitetit dhe besueshmërisë që autoritetet gjermane kishin krijuar ndaj Resaht Muratit kërkesa ishte pranuar pa asnjë hezitim dhe sot e asaj dite vazhdon së vepruari Shkolla Shqipe në Viersen.

Rreth grumbullimit të mjeteve financiare për fondin e Republikës së Kosovës, fillimisht u formuan komisionet rajonale dhe lokale në Viersen e rrethinë, pjesë e së cilave ishte edhe Reshat Murati.

Ky komision fillojë së vepruari nga fillimi i muajit maj të vitit 1992, ku Reshat Murati ishte anëtarë i komisionit lokal dhe kryetar i komisionit të 3 %, i cili për detyrë kishte shpërndarjen e fletëpagesave si dhe marrjen e tyre pas kryerjes së pagesës si dhe përgatitjen e numrit të parapaguasve si dhe nxerrjen e shumës mujore, gjegjësisht bilancin financiar mujor,  respektivisht sa mjete janë grumbulluar nga bashkatdhetarët me emër e mbiemër, si dhe ciliët ishin ata që nuk i kanë kryer obligimet rreth vendimit Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil.

Lidhur me grumbullimin e mjeteve për ndihmë familjeve të rrezikuara në Kosovë, në kuader të Aktivit të LDK-së në Viersen, u furnizuan me artikuj ushqimor dhe gjëra tjera elementare për jetë bashkombasit tonë në Kosovë.

Vlenë për t’u theksuar se Aktivi i LDK-së në Viersen, për nderë të festave kombëtare ka organizuar koncerte dhe ka ftuar musafir si nga Kosova po ashtu edhe nga Shqiperia dhe Ilirida, sidomos per festat e nentorit, si dhe në akademi përkujtimore dhe përvjetore të ndryshme.

Në përiudhen e luftës çlirimtare, gjegjësisht në vitet 1998/99, Aktivi i LDK-së në Viersen organizoj tubime me pjesëmarrjen e të gjithë atyre që shprehen dëshiren të marrin pjesë drejtëpërdrejt në luftën e UÇK-së në Kosovë.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës u bë rekrutimi dhe organizimi i oficierve e nënoficierve dhe ushtarëve vullnetar për të qënë pjesë e luftës çlirimtare, të cilët përmes kanaleve të sigurta janë dërguar deri në Shqipëri, ku nga aty u janë bashkangjitur shtabeve të luftës, të cilat më pas i kanë dërguar në vijat e frontit.

Përveq kësaj, shtabet e luftës janë pajisur dhe forcuar me mjete logjistike dhe gjëra tjera të nevojsme ushtarake.

Enciklopedi e gjallë e aktiviteteve të mërgatës në Diasporë

Pas përfundimit të luftës çlirimtare, organizimi i mërgatës ndryshon në formë dhe përmbajtje. Kryesisht aktivitetet e mërgatës janë të përqendruara në organizimin e aktiviteteve kulturore, në shënimin e festave kombëtare dhe shtetërore, si dhe organizimin e evenimenteve tjera kulturoro-sportive.

Edhe përkundër gjendjes jo të mirë shëndetësore, Reshat Muratin e gjen kudo në aktivitetet e mërgatës si në Gjermani ashtu edhe shtetet tjera, si; Zvicër, Belgjikë, Holand, Austri, etj.

Reshat Murati ka bashkëpunim të shkëlqyer me shumë shoqata në Gjermani dhe Zvicër, duke mos kursyer asgjë nga vetja për begatimin e aktiviteteve dhe aspektit publicitar të tyre.

Ashtu sikurse para lufte, edhe pas saj, Reshat Murati i prirë nga pasioni për fotografinë dhe nga dëshira për të fokusuar çdo eveniment të mërgatës, me blicin e Aparatit të tij fotografik ka shënuar pothuajse çdo ngjarje dhe aktivitet të mërgatës në shtetet evropërëndimore.

Më mirë se çdo fjalë dhe çdo varg flasin fotografitë e shkrepura nga aparati i tij, përmes të cilave Reshat Murati është shndërruar në enciklopedi të gjallë të mërgatës sonë.

Puna vlerëmadhe dhe fotografitë e shkrepura me dorën e tij, janë një thesarë i çmuar për gjurmuesit dhe shënjuesit e historiografisë së mërgatës tonë.

Në këtë përvjetor jubilar të pavarësisë së shtetit tonë, duke e përgëzuar Reshat Muratin për punën vlerëmadhe kombëtare, i urojmë shëndet e jetëgjatësi, suksese të mëtejme në profesionin e tij prej fotografi dhe veprimtari të shquar të çështjes kombëtare.