NËPËR TROJET SHQIPTARE

Bedri TAHIRI

Ekskursionet përherë kanë qenë dhe do të mbesin të vlefshëm, ngase, krahas tjerash, thellojnë njohuritë për vendet që i viziton, mbase jo edhe për herë të parë. Kjo vlen sidomos për nxënës. Mirëpo, ne mësimdhënësit e Gjimnazit “Eqrem Çabej” këtë e praktikojmë edhe për veten tonë. Kësaj radhe zgjodhëm pjesën jugore të Shqipërisë Etnike, e cila, është sakatosur dhe copëtuar keq nga vendimet e padrejta të fuqive vendimmarrëse, nga orekset e pangopura dhe djallëzitë e fqinjve grabitçarë e, mjerisht, edhe nga gabimet tona, nga babëzitjet për pushtet të prijësve tanë gjatë historisë…

Dhe, kufijtë politikë e administrativë, më parë se politikëbërësit, i heqin njerëzit e dijës e të kulturës. Këtë synim sikur kishte edhe agjenda jonë që mëtonte përthekonte tre cepe të tre shteteve: Kosovës, Shqipërisë dhe Iliridës. Pengesat formale nëpër pikat kufitare i kapërdinim lehtë, ngase ato se së shpejti do të ngelin vetëm relikte të së kaluarës…

Nisja nga Vushtrria e lashtë e Hasan Prishtinës, në mëngjesin e hershëm të 15 Prillit 2017 dhe ngarendja përmes grykash lumenjsh ujëkulluar e malesh me kokën tej në qiell mbuluar me plisin e dëborës, përfundoi me drekim në Gostivarin e bukur, themeluar nga Goca e Tivarit (kështu e shpjegon A. Dragoti). Për buajtje zgjodhëm Veleshtën e bujarisë, konkretisht hotelin “Diplomat” te Gajur Kabës.

Në oborrin e hotelit “Diplomat”- Veleshtë

Struga apo Qyteti i urave siç e quajnë ndryshe, është vend me bukuri të rralla, i cili mua më ka ngelur në mendje që nga klasa e gjashtë, diku rreth 50 vjet më parë, kur me mocanikët e mi e mësuesit tanë ishim këndejpari. Rrjedha e Drinit të Zi nga Liqeni i Ohrit, paraqet një raritet…

Në Poradecin e Lasgushit…

Të nesërmën, në orën 9, mësyjmë Qafëthanën. Bjeshkët pitoreske të bëjnë për vete dhe e harron lodhjen e atyre dredharakeve. Në të zbritur drejt liqenit sërish bukuri mahitëse. Tej poshtë fshati i bukur turistik Pini  i  Pogradecit…

Sapo të mbërish në qytetin e Lasgushit, fill të vete mendja te poeti i pakapërceshëm, te liriku modern, i cili për të gjallë qe harruar e tashmë, në pavdekësi, po rikujtohet, por jo sa duhet…Në parkun buzë liqenit ballëpërballë dy kolosët e letrave shqipe: Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli, të cilët Kosovën e mbanin në zemër.

Dy kolosët tanë: Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli

Lasgushi ynë i madh në të ngrysur të jetës do të shkruaj një si testament:

Do të vijë një kohë, kur do vemi në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemi në vdekje e do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën!…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën!

Të gjithë i nderojmë dhe fotografohemi si para shenjtëve…Unë, Sabit Kadriu e Asllan Sallahu vëhemi edhe në kërkim të shtëpisë së tij, e cila kohë më parë qe shndërruar në histori…Dhe, e gjetëm, por jo ashtu siç do të dëshironim. Disi e lënë përgjysmë dhe pa përkujdesjen e duhur. Ah, medet! Të tillë jemi ne!!!

Sërish marrim përpjetë kodrave deri në Qafë-Panjë, për t’u lëshuar paskëtaj në Fushën e Maliqit. Sakaq, ata që kishin lexuar romanin “Këneta” të F. Gjatës, e rikujtonin tharjen e saj me punë vullnetare më 1946 dhe kombinatit e madh të sheqerit. Aty, për dreq, seç m’u kujtua edhe varrosja për së gjalli e shkrimtarit Mitrush Kuteli, i cili nuk i përballonte dot asaj pune të rëndë fizike…

Qyteti i dashurive dhe serenadave

Korça, që ndryshe njihet si qytet i dashurive, i serenadave, i artit, i birrës, por edhe si Parisi i vogël, ka shumëçka që e veçon nga vendbanimet e tjera. Korça përbën një nga qendrat kulturore më të rëndësishme të Shqipërisë. Vetë muzeumet e shumta në qytet përshkruajnë aktivitetin kulturor ndër shekuj. Është e mirënjohur Shkolla e Parë Shqipe në këtë qytet që daton në vitin 1887, shkolla e parë në Shqipëri për vajza, si dhe liceu Francez i ndërtuar në vitin 1917. Edhe pse ndër vite qyteti ka qënë pushtuar disa herë, ndikimet e huaja përbejnë një pjesë të vogël te kulturës korçare. Vend të rëndësishëm paraqet edhe Katedralja “Ringjallja e Krishtit” e ndërtuar më 1992 (në vend të Katedralës së Shën Gjergjit e rrënuar gjatë sistemit komunist).

Katedralja “Ringjallja e Krishtit” në Korçë

Mirëpo, Korça, para së gjithash, identifikohet me Mësonjëtorën e Parë Shqipe, të cilën e vizituam dhe e nderuam me kënaqësi të veçantë në 130 vjetorin e saj.

Para Mësonjëtores së Parë Shqipe

Në të kthyer vendosem të shkonim për Shën Naum, por nuk na bëri zemra të kapërcejmë pa e shijuar edhe bukurinë e Drilonit. Kjo perlë shqiptare ka bukuri mahnitëse. Ky lumë bukurosh, 4 km larg Poradecit, e ka rrjedhën aty afër, në fshatrat Tushemisht e Gurras dhe pa e zgjatur tretet në liqe.

Manastiri që e falëm

Vetëm 2 km larg doganës së Tushemishtit ndodhet një nga Manastiret më të mëdha të gjithë rajonit të Europës e të Ballkanit, Manastiri i Shën Naumit (Shëndaumit), i cili që nga 1912 deri më 1925 i përkiste Shqipërisë…

Tek burimi i Drinit të Zi në Shën Naum

Sapo i afrohesh një parku të madh (20 hektarë) buzë liqenit me lumin Drini i Zi, i cili burimin e ka aty, e që paskëtaj kalon përmes liqenit e del në Strugë…Parku me një gjelbërim te harlisur, me përroska uji e drurë të ndryshëm dekorativë, zogj të rrallë që vijnë rrotull manastirit dhe çdo gjë të duket si diçka përrallore…Edhe përbrenda  një oborr i rregulluar dhe kompleksi me piktura të shumta murale shenjtorësh ku vendin qëndror e ze ajo e Shën Naumit, varri i të cilit ndodhet në  një dhomë të veçantë ku njerëz të shumtë bëjnë peligrinazhe. Me fjalë tjera, ai të shfaqet si mpleksje midis ëndrrës dhe reales. Me godina të ç’ngjyrosura nga koha, muret e pikturuara me zbukurime të ndryshme kishtare, dhe të zverdhura, shenjtorët e kupolat e dekoruara me motive ëngjëllore kanë një pamje tërheqëse, ku shpirti të humbet në mistikën e tyre.

Manastiri i Shën Naumit

          Rrapi shumëshekullor i Ohrit

Ohri i ka rrënjët në parahistori. Fisi ilir i enkelejve e ndërtoi vendbanimin të parë me emrin Lyhnidos, i cili më 526 u shkatërrua nga një tërmet i fuqishëm. Për fatin e qytetit të lashtë faktet historike nuk japin më të dhëna. Në vitin 1462, Skënderbeu e mposhti me ushtrinë e tij Ohrin dhe rajonin rreth tij.  

Atraksioni më i madh i Ohrit është liqeni i tij, ndër më të vjetrit dhe më të thellët në Europë. Në majë të njërës nga kodrat dominon kalaja e Samoilit, e cila është pjesa tjetër, që i shton pamjen mahnitëse qytetit.

Në një nga lagjet e vjetra, Çinari (turqisht Çinari- Rrapi), ku banojnë shqiptarët, të tërheq vëmendjen një rrap shumëvjeçar (thuhet 1130 vjeçar) me trung të trashë të degëzuar e kurorë të madhe gjelbërimi.  Në mbarim të Tregut të vjetër, aty buzë liqenit, edhe dy shtëpi të vjetra (sipas rrëfimtarëve, njëra e Hasan Prishtinës e tjetra e Dervish Himës), tashmë të shndërruar në lokale biznesi.

Para Rrapit shumëshekullor në Ohër

Në të kthyer ndaluam edhe në Tetovë e përfunduam me Shkupin, kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, të cilin, mbase nuk gabojmë ta shpallim sërish kryeqytet të Trojeve tona të ribashkuara!