RËNIA E LDK-së (3): KLIENTELA E ISA MUSTAFËS DO TA SHKATËRROJË LDK-në

RËNIA E LDK-së (3):

KLIENTELA E ISA MUSTAFËS DO TA SHKATËRROJË LDK-në

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Të presim edhe pak ditë më thirri dikush, sa të ngritët e forcohet Isa Mustafa, se ta rrëzojmë tashti kështu “të rrxut për toke”, nuk qenka burrëri më shkroi ai. Pastaj ai vazhdoi duke llomotitur “se tani nuk qenka momenti, nuk qenka koha”, pasi zgjedhjet gjithqysh duhet t’i fiton LDK-ja, e ai mendonte se e keqja duhet të luftohet me të keqin. Por nuk pastrohet “fëlliqësira me fëlliqësirë”, thotë një urti popullore. Ai nuk ishte në gjendje të tregojë pse Isa Mustafa nuk lëshoi pe, por i shkoi kursit të shkatërrimit të LDK-së deri në skaje. E ai ngulmonte të ma mbushte mendjen se për ta kritikuar Isa Mustafën nuk është momenti, kritikat duhet t’ia bëjmë pasi ai ta shantazhojë tërë Kosovën, kur ai do të fitojë dhe do të forcohet?!… Atij dhe të tjerëve si ai, as nuk ua ha palla dhe as nuk po kuptojnë se Isa Mustafa është në krye të misionit për ta shkatërruar LDK-në.

Isa Mustafa erdhe në krye të LDK-së me akuza të rënda kundër PDK-së, dhe turma i besoi se ai i mban fjalët, por Isa Mustafa e tradhtoi elektoratin dhe i zhgënjeu ata që e sollën në LDK për pazare të ulëta. Tash po kjo turmë, u mashtrua me tërheqjen e tij taktike vetëm nga lista për deputet dhe për kryeministër, dhe kjo ka ndodhur vetëm sa për ta kryer misionin e mashtrimit deri në fund, dhe më pas do të shohim si do të shkojnë punët. Por se do t’i mashtron Isa Mustafa, këta që po vet mashtrohen s’ka dyshim.  Elektorati i LDK-së për të është kope bagëtish dhe kaq.  Tashmë koalicioni Rus në Kosovë është në ofensivë, prandaj nuk zgjidhen mënyrat dhe mjetet për t’ia arritur qëllimit.

Një tjetër militant i Facebookut vlerëson se Isa Mustafa ka bërë mirë se u largu nga fushata, “e mbi tokës”, themi ne për ta udhëhequr atë me metodat e nëntokës. Ai shprehu emocionet e tij se u bë mirë që pas Abdullah Hotit, po lëpihen të gjithë, dhe për fat të keq vazhdonte të mendonte se pas zgjedhjeve do ta qesin një kryetar legjitim dhe do t’i qesin nga loja edhe disa sahanlëpirës.  Por këta sojnik nuk prajnë së shkruari sikur të ishin të porositur nga vet Isa Mustafa, sa për të krijuar mjegull, se koncepti komunist i ka mësuar, mjegull për të mjegulluar dhe përçaj nëse do të sundosh sa ma gjatë.

Një tjetër klientelist, mendonte se ai i cili do të merr vota ma së shumti do të bëhet kryetar i LDK-së, dhe shqetësohej se atë post Isa Mustafa e lëshon kur të bëhet kufomë ose nëse shkatërrohet LDK-ja pak ma herët, për ndryshe s’ka shanse. Në rrjetet sociale nuk po prajnë analistët e rrjeteve sociale të cilët i dinë të gjitha por nuk ia qëllojnë kurrë,  e kjo është tragjike, prandaj këtë mentalitet tragjik Isa Mustafa, po e përdor për realizimin e qëllimeve të tija në mision për ta shkatërruar LDK-në, dhe si askush tjetër ai ia ka arritur këtij qëllimi me ndryshuar strukturën e LDK-së.

Një tjetër thotë se ne duhet pa tjetër t’i fitojmë zgjedhjet dhe pastaj ta përzëmë nga LDK-ja, klikën e Isa Mustafës?! O Zot sa të mençur e kemi elektoratin i cili nuk pran së mbllaçitur në internet, bëjnë fotomontazhe nxjerrin shpata me të cilat me çdo kusht duan ta forcojnë pozitën e ligshtë të Isa Mustafës, sepse edhe ashtu është ma burrëri për ta larguar të fortin siç shprehet ai për “klikën e Mustafës”.

Ndërsa një tjetër këto analiza i kategorizon si shprehje mllefi, sado që i pranon si të sakta ai thotë se nuk e paskam gjetur kohën për t’i thënë tashti në fushatën zgjedhore. Ndoshta ai jarani i Facebookut, mendon se është ma mirë ta kritikojmë Isa Mustafën, pasi të shkatërrohet krejtësisht LDK-ja, e ne si analist, pastaj të merremi me “Kronologjinë e Krrakamës”.

Me sa di askush nga këta nuk ka bërë llogari të thjesht matematikore, nëse dy degët e LDK-së në Diasporë, përmes familjarëve të tyre në Kosovë, do të kishin me sjell vota ma shumë se sa që mundet me sjellë Begjet Pacolli ose Ramiz Kelmendi, duke mos i përmendur ato dy gratë me mbulesë të cilat e kanë përzier fenë me politikën.

Por ja militantet e rrjeteve sociale janë aktiv, prandaj ata nuk prajnë duke këshilluar kah duhet drejtuar kritikat për zgjedhjet, pavarësisht nëse ajo kahe është reale dhe e drejt për zhvillimet e tanishme dhe për rrjedhën e proceseve në shkallë më të gjer se sa rajoni dhe Ballkani.

Merreni me mend sa janë lumturuar “Rugovistet” nga gjesti i Isa Mustafës duke menduar se do t’ia hedhin lakun një njeriu të rafinuar në të gjitha sistemet e këtij gjysmë shekulli që lamë pas.

Isa Mustafa eliminoi të gjitha figurat e rëndësishme politike dhe të gjitha personalitetet e shquara që kishte LDK-ja. Ai vet erdhi në krye të LDK-së pa qen asnjë ditë anëtarë i kësaj partie, pastaj përreth tij pat sjell një suitë të tërë pa pasur stazh partiak, duke përfshirë edhe Avdullah Hotin, e deri tek Lumir Abdixhiku dhe Driton Selmanajn të cilët nuk kanë çfarë flasin për demokracinë as për respektimin e proceduarve të brendshme demokratike. Ata kanë ardhur në LDK me urdhër të “Centralni Komitetit të SFRJ-së”, dhe flasin për  demokraci, për votën e lirë, për zgjedhjet me kundër kandidat, për hierarkinë partiake e kështu me radhë. Flasin çunat, bile pa ndal, se atyre palla nuk iu ha pse po e gënjejnë opinionin, se mbase edhe ngjitjet e ngritjet e tyre nuk i kanë respektuar rregullat e partisë.

Ata deklarojnë se nuk janë vegla të Isa Mustafës, por i zbatojnë urdhrat e Isa Mustafës. Pasi edhe ashtu po flitet se Abdullah Hoti është një “Copy Paste” e Isa Mustafës, një figurë e përshtatshme për tu manipuluar, ashtu siç flitet edhe për Lumir Abdixhikun dhe Driton Selmanajn, të cilët nuk kanë respektuar votën e lirë, nuk e kanë duruar as konkurrencën, sepse frikohen se mund të humbasin dhe ia marrin fytyrën shefit të tyre për të cilin bëjnë kaq sakrificë. Edhe ngjitjet lartë, në majat e LDK-së, i kanë arritur ashtu siç mund t’i kenë arritur edhe gradat akademike.

Pjesa dërmuese e Listës së LDK-së është me njerëzit e Isa Mustafës, të cilët kanë detyra të caktuara për ta shkatërruar LDK-në ashtu siç e kanë katranosur procesin e brendshëm zgjedhor.

 

CH – St. Gallen, 01.06.2017