RËNIA E LDK-së (2): KOALICIONET JO PARIMORE DHE DËSHTIMI I PLANIFIKUAR

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hyrë në zgjedhje të jashtëzakonshme krejtësisht e papërgatitur. Këto divergjenca në koncepte e bëjnë edhe ma të dyshimtë misionin e papërcaktuar në sloganin “shihemi në finale”. Por ky slogan nuk përcakton sukses, kurse finalja mund ta ketë edhe dështimin fatal, madje mund të takohemi edhe me fatin tragjik të LDK-së.

LDK në vitet e 90-ta ka qenë më e profilizuar se tashti, ka pas një qëllim nacional të përcaktuar dhe ka ditur të ecë udhës së saj. LDK-ja ka pas një platformë politike shumë me të qartë se sa LDK-ja e Isa Mustafës dhe e klanit që po e shkatërron LDK-në.

Njëri nga postulatet më të rëndësishme të LDK-së ka qenë lufta politike kundër “Lidhjen Komuniste”, nga e cila Isa Mustafa asnjëherë nuk është distancuar, madje në një emision në RTK patë thënë se asaj periudhe ai nuk ia heq asnjë presje, kurse brez ynë e mban mend se ai ka qen Drejtor i dhunshëm në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, menjëherë pas pranverës kosovare të vitit 1981, ndërsa në kohën e ndryshimeve Kushtetuese Isa Mustafa ka qenë për një Serbi Unike duke mbajtur anën e Unitarizmit Radikal Serb. Prandaj në këtë konglomerat  nuk e kam të qartë se cili është qëndrimi politik dhe strategjik i kandidatëve në Listën për deputet nga radhët e LDK-së. Mbrojtja e Isa Mustafës apo një fitore e LDK-së për ta sforcuar pozitën e lëkundur të Isa Mustafës, ose janë përpjekje individuale sa për të siguruar një vend pune dhe kaq?!

Cila është platforma politike e këtyre deputetëve dhe cila qenka strategjia e tyre për ta fituar betejën? E nëse beteja fitohet, ta zëmë se fitohet?! Këta deputet që po premtojnë rrejshëm se fillimi i PDK-së ka nisë në LDK, a do ta rrëzojnë Isa Mustafën, të cilin asnjëri prej tyre asnjëherë nuk e ka kritikuar drejtpërdrejt për dëmin që ai  ia ka shkaktuar LDK-së. A do të bëhen përpjekje për ta largua nga LDK-ja, njeriu që i solli kaq plagë Kosovës,  dhe si asnjë politikan tjetër është treguar i paaftë për të drejtuar politikë në kohën e demokracisë.

Çirrjet e deputetëve për t’u bërë bashkë sa për t’i fituar zgjedhjet, në prapavijë ka qëllimin mashtrues, pasi logjikisht forcimi i Isa Mustafës dhe klanin të tij që janë shkaktarë e shkatërrimit të LDK-së i dëmton proceset gjeostrategjike të SHBA-ve, partnerit tonë më strategjik. E nëse forcohet Isa Mustafa me klanin e tij tragjik, Kosova po rrëshqet drejt paktit Ruso-Serb i cili kohëve të fundit është mjaftë aktiv dhe po fuqizohet vazhdimisht në tërë hapësirën ballkanike, pra edhe në Kosovë.

Hyrja në fushatë zgjedhore pa principe dhe me një listë kandidatësh të cilët nuk kanë kredibilitet të mjaftueshëm intelektual, moral e njerëzor, dhe madje nuk kanë asnjë përgjegjësi morale, se po ta kishin nuk ishin bashkuar me ata me të cilët nuk udhëtohet as në tren, e le më për t’u bashkuar për të bërë shtet.

Por kjo kohë ka nxjerr në sipërfaqe një lloj proletariati i cili përveç sloganit “shihemi në finale”, dinë ta shqiptojnë emrin e dr. Ibrahim Rugovës dhe të betohen rrejshëm se kemi vija të kuqe, për të cilat mund të vendos e t’i ndryshojë kur të dojë Isa Mustafa.

Koalicioni me Begjet Pacollin, i cili sado që ka biznese të mëdha na është i njohur për vllaznillakun e mirë me familjen e Sllobodan Milosheviqit. Po ashtu thuhet se ka dosje të hapura në prokurori. Ndërsa bizneset e Ramiz Kelmendit lidhen me vëllezërit Kariq, prandaj kjo damkë është njollë për Kosovën, kurse këta dy kandidat e sforcojnë bindjen se klani serbo-rus është mjaftë aktiv në Kosovë, sidomos kjo pamje duket nga Lista e kandidatëve për deputet të cilët i janë ekspozuar një ambicie për ta kthyer Serbinë në Kosovë.

Koalicioni parazgjedhor në mes të LDK-së, AKR-së dhe Alternativës, e ka dëmtuar imazhin e Kosovës, në raport me aleatët tanë perëndimor.  LDK-ja do të pësoj në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, sepse lista e përbashkët zgjedhore me figura të dyshimta dhe të përfolura si rusofilë (Begjet Pacolli), serbofile (Ramiz Kelmendi), dhe radikalizmi islamik (Amir Ahmeti, Refiqe Tërnava dhe Labinotë Demi), e bëjnë qëllimin të stërkequr dhe të parealizueshëm. LDK-ja dhe as Kosova nuk kanë pasur nevojë të rikthehen në lidhjet e hershme serbo – ruse dhe ato orientale të cilat janë lidhje me pasoja afatgjate dhe të kushtueshme deri në shkallën e rrezikimit të lirisë.

Në asnjë kalkulim logjik dhe matematik LDK-në nuk është dashur të shkojë në një koalicion parazgjedhor me AKR-në e Begjet Pacollit dhe me grupet që predikojnë Radikalizëm Islamik, sepse LDK-ja tashmë ka marrë pamje krejtësisht antievropiane dhe antiamerikane.

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Radikalet Islamik, nuk është koalicion shpresës dhe nuk duhet të konsiderohet as si Brez i Republikës, por është koalicion i dështimit tragjik të LDK-së. Isa Mustafa nuk është i qëndrueshëm, kurse përfaqësuesit e Alternativës janë të njohur për përplasje sa këtej e po aq andej. Partneret e koalicionit me LDK-në janë grupe të vogla që përfaqësohen nga individ të dështuar në planin politik.

Në vend se LDK-ja të zgjidhte konfliktin me Degët e LDK-së në Diasporë dhe të krijonte një koalicion të madh brenda partiak, duke ftuar personalitete nga tradita e partisë, themelues dhe ata që i dhanë emër e koncept demokratik LDK-së, në vend se të ftonte personalitete të LDK-së të cilat për tre dekada i ndenjën besnik të qenit anëtar dhe veprimtar i LDK-së, partinë e arnuan me kuadër që kurrë s’kanë qen në LDK të cilët ishin përfaqësues të kolegjit Riinvest, për të cilin flitet se me formën e nëntokës ka pushtuar LDK-në.

LDK-ja, me Isa Mustafën, mban nofkën e partisë  që dinë të tradhtojë elektoratin kurse me koalicionin e tashëm parazgjedhor, jo vetëm se është dëmtuar shumë, por po dëshmon se është larguar nga koncepti dhe platforma politike e LDK-së. LDK-ja, krejtësisht e ka braktisur rrugën e dikurshme demokratike, duke instaluar nepotizmin, vulgarizmin dhe elemente të tjera që bien ndesh edhe me kulturën demokratike të vendeve perëndimore. Kështu qe hyrja në zgjedhje dëshmon edhe një herë jo seriozitetin e Isa Mustafës i cili më shumë duket sikur është në krye të misionit për ta shkatërruar LDK-në.

Për shkak të rënies së ndikimit të LDK-së në planin nacional, është e papranueshme përjashtimi me dhjetëra e dhjetëra personalitete të famshme që i ka pasur tradicionalisht LDK-ja, për të bërë arnime me AKR-në dhe Alternativën. Me një fjalë, rreziku për dështimin e LDK-së është evident, por para cilës përgjegjësi do të jap llogari Isa Mustafa?

Shih edhe në profilin e autorit në FB:
St. Gallen, 31.05.2017