Rektori Nimani priti në takim humanistin dhe veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, z. Ramiz Tafilaj

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, i shoqëruar nga Prorektori për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, prof. asoc. dr. Haxhi Kamberi, pritën në takim humanistin dhe veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, z. Ramiz Tafilaj me bashkëveprimtarë.

Në takim, rektori Nimani i njoftoi për ecurinë e zhvillimeve në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, të arriturat në projektet ndërkombëtare, anëtarësimet, bashkëpunimet me institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, si dhe planin strategjik të zhvillimit të universitetit. Rektori Nimani e përgëzoi z. Tafilaj për kontributin e dhënë në veprimtarinë e tij rreth çështjes kombëtare, humanizmin, dhe për miqësinë e tij të mirë me presidentin amerikan, Joe Biden.

z. Tafilaj shprehu falënderim për pritjen dhe e përgëzoi rektorin, prof. ass. dr. Artan Nimani për arritjet me UFAGJ-në. Po ashtu, u shpreh i gatshëm të iniciojë marrëveshje të bashkëpunimit me universitetet në ShBA, si dhe të ndihmojë studentë të interesuar për studime në ShBA.

Në fund të takimit, në shenjë respekti për Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, z. Tafilaj dhuroi botimin anastatik të koleksionit të plotë të gazetës “LIRIJA” (1908-1910), themeluar e botuar nga Mit’hat Frashëri (i njohur me pseudonimin Lumo Skëndo).

Red. A. L.