Reforma në Drejtësi e VETING-u në Kosovë do ishte Reforma më madhore pas Çlirimit dhe Pavarësisë

Reforma në Drejtësi e VETING-u në Kosovë do ishte Reforma më madhore pas Çlirimit dhe Pavarësisë

Nga Skënder S.KAPITI

                                                 (Platformë)

Duhet patjetër të miratohet Reforma në Drejtësi dhe të zbatohet VETING-u edhe në Kosovë ashtu si në Shqipëri.

Ç’është VETING-u?

VETING-u është një skaner kontrolli i trefishtë mbi njerëzit e sistemit të drejtësisë: mbi ligjshmërinë e pasurisë së tyre, për lidhjet e tyre me krimin e organizuar, pra me botën e krimit si dhe me aftësimin professional të tyre.

Ky VETING  mbi drejtësinë i hap rrugën edhe VETING -ut tjetër  të madh, atij mbi politikanët të cilët edhe ata do t’i nënshtrohen kontrollit dhe verifikimeve të pasurive dhe të fshehjes së tyre; të rekordeve kriminale e të lidhjeve të tyre me krimin politik, ekonomik dhe ordiner. Dhe prandaj edhe Kosova ka nevojë për një VETING të tillë si ky që është miratuar në Shqipëri.

VETING-u është pra një sistem kontrolli para të cilit gjyqtarët dhe prokurorët duhet të përgjigjen dhe të japin llogari, si dhe sistemi i cili e pastron pastaj edhe politikën nga individë me rekorde kriminale, dhe po kështu e pastron  edhe administratën shtetërore.

Armiqtë dhe kundërshtarët më të mëdhenj të VETING-ut janë politikanët, pushtetarët, gjyqtarët, prokurorët, kryetarët e komunave dhe të bashkive, bizneset e pista, mediat e shitura dhe mercenare, dhe të gjithë ata te tjerët të cilët kanë shfrytëzuar detyrat dhe postet publike dhe shtetërore për të vjedhur, për të pervetësuar e grabitur paranë publike, prona dhe pasuri të qytetarëve dhe ato shtetërore, të cilët edhe duhet të ndëshkohen penalisht.

Prandaj Reforma në Drejtësi dhe zbatimi i VETING-ut është i vështirë për t’u bërë edhe në Kosovë ashtu sikurse ishte shumë  i vështirë edhe në Shqipëri.

Reforma në drejtësi në Shqipëri u miratua vetëm pas ndërhyrjes vendimtare të SHBA e të BE, sidomos të perkushtimit të Ambasadës Amerikane, të ambasadorit Donald Lu i cili deklaronte në një takim të tij me ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë se “ Reforma në Drejtësi është prioritet madhor i Ambasadës Amerikane”.

Dhe këtë prioritet duhet ta ketë edhe ambasada amerikane në Prishtinë për një Reformë të tillë edhe në Kosovë.

VETING –un duhet ta miratojë politika e re, të cilën e votoi populli i Kosovës me 11 Qershor 2017.

Nëse ka ndonjë gjë për të bërë kjo politika e pas 11 Qershorit 2017 KRYESORE është  reformimi i sistemit të drejtesisë, pra VETING-u, si prova më e madhe me të cilën do të përballet kjo politikë të cilën në një fare shkalle të konsiderueshme mund edhe ta quajmë si Politikë të Re pasi vota popullore e ndeshkoi rendë politikën bashkeqeverisëse dështake PDK e LDK.

Reforma në Drejtësi, në politikë, në qeverisje dhe kudo në institucione dhe në administratën publike dhe në pushtetin vendor duhet realizuar pasi kjo Reformë është jetike për shqiptarët, si kryereforma e cila do ta reformojë e konsolidojë shtetin e Kosovës, shoqërinë dhe demokracinë dhe do të përshpejtojë liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në BE.

Një “VETING” duhet ta bëjnë edhe vetë individët dhe vetë shoqëria shqiptare  për t’u pastruar nga egoizmi negativ; si dhe nevoja për një ndergjegjsim masiv  si domosdoshmëri për të njohur Ligjet dhe Edukatën e Lartë Hyjnore; si nevojë e domosdoshme për t’u njohur edhe me botën moderne të ligjeve demokratike në mënyrë që ta braktisim trashëgiminë e vjetër dhe të dëmshme nepotike, krahinore, të akraballëkut e të miqësive e krushqive me synimin për ta lënë të lirë individualitetin dhe personalitetin njerëzor, talentin dhe dhuntinë, patriotizmin dhe përgjegjshmërinë që të arrijë në lartësinë  dhe në vëndin që meriton në shoqëri: aftësia, ndershmëria, përgjegjshmëria dhe kompetenca; për të arrirë pjekurinë morale të ndërtimit të shtetit modern e ligjor ku të gjithë antarët e shoqërisë  të jenë  të barabartë para ligjit.

Reforma në drejtësi duhet në Kosovë, që edhe atje të çlirohet sistemi gjyqësor prej prokurorëve dhe gjyqtarëve frikacakë, të paaftë dhe të korruptuar të cilët vjedhin paranë e pronat e qytetarëve; të cilët lejojnë krimin e organizuar, biznesin e pisët dhe politikanët me rekorde kriminale dhe korruptive  që ata të bëjnë politikën , të ushtrojnë pushtetin dhe të bëjnë edhe vetëgjyqësinë.

Kjo Reformë në Drejtësi  për nga rëndësia do të ishte  një fitore, më e madhja pas asaj të Çlirimit dhe Pavarësimit të Kosovës, pasi: zbatimi i VETING-u do ta çlironte  shtetin dhe shoqërinë në Kosovë nga politika dhe drejtësia e krimit dhe e korrupsionit, që kanë kapur sistemin dhe shtetin dhe që përbëjnë kërcënim të madh për Sovranitetin Kombëtar.

Nëse kjo nuk realizohet atëhere duhen zgjedhje të tjera të parakohshme parlamentare, duhen zgjedhje pas zgjedhjesh derisa populli dhe vota e tij ta pastrojë politikën e cila nuk ka vullnetin për një ndërmarrje të tillë vendimtare dhe jetike për shqiptarët, për Reformën në drejtësi, për ndërtimin e shtetit ligjor me standarte moderne shtetformuese.

Duhet zgjedhje, madje edhe në çdo 2 apo 3 vite pasi megjithë humbjen politike të të dy partive kryesore në Kosovë, politikanë të cilët nuk duheshin zgjedhur e që duheshin ndëshkuar nga vota popullore janë rizgjedhur përsëri, të cilët dhe do ta kundërshtojnë VETING-un duke përdorur potencën politike dhe të pushtetit të tyre për ta sabotuar miratimin dhe zbatimin e tij.

Situata e sistemit të Drejtësisë në Kosovë është e tillë dhe njëlloj si ajo në Shqipëri, dhe vlen edhe për Kosovën të citohet një deklaratë  e një diplomati të lartë të BE-së kur  pati deklaruar pak a shumë kështu se: në Shqipëri do të ishte mirë sikur të dëbohen nga sistemi i drejtësisë të 400 gjyqtarët dhe të 400 prokurorët.

Pra, sikur të ishte dhe të realizohej mundësia që edhe në Kosovë të kishte një Reformë në Drejtësi, reformë e një pastrimi radikal të gjykatave dhe të prokurorisë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe zëvëndësimi i tyre me juristë profesionistë, të ndershëm, me integritet e personalitet moral, intelektual e patriotik.

Kjo është shumë e vështirë për t’u realizuar pasi së pari mungon vullneti politik i klasës politike e cila e sundon ligjin, drejtësinë, ekonominë, shtetin, shoqërinë, biznesin, korrupsionin, krimin dhe ia ka vjedhur popullit jo vetëm pasurinë e paranë por edhe personalitetin, moralin, pushtetin dhe demokracinë.

Duhet patjetër ndëshkimi i politikës së kriminalizuar të cilën e bën drejtësia, por që të realizohet kjo,duhet dhe këtë e bën një reformë radikale e sistemit të drejtësisë.

Reforma e Sistemit në Drejtësi në Kosovë, realizimi si miratim dhe si edhe zbatim njëkohësisht i saj do të ishte për nga rëndësia  ngjarja e dytë më e madhe për Kosovën pas ÇLIRIMIT DHE PAVARËSIMIT TË KOSOVËS sepse shteti, politika e pushteti janë kapur nga mafia e politikës, pushtetit, biznesit të pisët, nga media servile e mercenare dhe nga drejtësia e “frikësuar” nga krimi dhe politika, por edhe nga drejtësia e vetëkriminalizuar dhe e korruptuar në shërbim dhe si zgjatim i mafio dhe oligarko-politikës të cilat po kercënojnë sovranitetin kombëtar.

Nuk e di  deri më sot që në Kosovë dhe as në Shqipëri  të ketë deklaruar apo të ketë dhënë dorëheqje ndonjë gjyqtar apo prokuror të cilën e ka “kërcënuar” mafia ,krimi apo politika ashtu sikurse nuk pati dhe nuk ka akoma ndonjë “vullnetar” të guximshëm nga drejtësia për ta denoncuar një gjë të tillë.

Pra, nuk po na rezulton ndonjë prej tyre që të ketë dhënë dorëheqje për një arsye të tillë, e kjo do të thotë se atyre u pëlqen ky profesion prej të cilit ata fitojnë e përfitojnë, pra ata dhe morali i tyre e pranon dhe i bindet edhe “frikësimit” edhe “presionit” por sidomos edhe vetëkorrupsionit dhe pazarit që ata bëjnë me drejtësinnë sikur ta kishin pronë të tyre.

Kjo tregon se tërë sistemi i Drejtësisë është i korruptuar dhe patjetër duhet një pastrim rrrënjësor i institucionit të sistemit të drejtësisë edhe në Kosovë, duhet një organ i Lartë mbigjyqësorin kosovar që ta drejtojë, kontrollojë , ndëshkojë dhe ta pastrojë drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët aktualë në Kosovë.

Pra duhet patjetër ai që tashmë njihet si VETING , pastrim i drejtësisë, zbatimi i të i cilit bën pastaj edhe pastrimin dhe dekriminalizimin edhe të politikës.

Ja, edhe se si duhet të kryhet Reforma në Drejtësi, politikë dhe kudo në administratë edhe në Kosovë ashtu si ne Shqipëri.

Rolin vendimtar për VETING-un në Kosovë duhet ta marrin përsipër SHBA dhe BE.

Kjo për faktin se vetëm prej presionit demokratik, kryesisht të SHBA –ve të cilat i mbështeti edhe BE, u bë e mundur dhe e detyroi pa kushte politikën e Tiranës që ta miratojë Reformën në Drejtësi, VETING-un. Pra në Shqipëri triumfoi revolucioni institucional demokratiko-ligjor  i drejtuar nga SHBA dhe BE  mbi politikën dhe drejtësinë e kriminalizuar dhe të korruptuar në Shqipëri.

Po SHBA, e cila e kishte prioritet madhor  në Shqipëri miratimin e Reformës në Drejtësi, po SHBA po këmbëngul ta ketë edhe si prioritet kryesor edhe zbatimin e saj, pasi politika dhe gjyqësori i kriminalizuar dhe i korruptuar po reziston akoma me të gjitha mjetet por që nuk mund të shpëtojë tashmë nga agonia.Prandaj, edhe ngritjen e organeve të VETING-ut në Shqipëri po monitorohet rreptësisht  nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i përbërë prej profesionistësh të shquar nga SHBA dhe nga BE.

Një gjë e tillë duhet sa më shpejt ta marrë si shembull dhe të kryhet edhe në Kosovë.

Por opinioni dhe shoqëria civile edhe në Kosovë mos të presin, se kurrë këtë nismë nuk e merr as politika, as media dhe as drejtësia në Kosovë, sepse jo vetëm që nuk e kanë as dëshirë dhe as vullnet por edhe janë kundërshtarët më të mëdhenj të cilët do të bënin gjithçka për pengimin dhe mosrealizimin e një reforme të tillë, ashtu sikurse ishin dhe janë akoma të tillët edhe në Shqipëri.

Nëse politika edhe kjo e pas 11 Qershorit  2017 “reziston” dhe tregohet kokëfortë në Miratimin e një VETING-u, atëhere moralisht  por edhe detyrimisht pushteti duhet ta çojë Kosovën përsëri në zgjedhje të parakohshme.

Po kështu edhe nëse miratohet ligji i VETING-ut, drejtësia dhe ligji duhet menjëherë të fillonte nga zbatimi i tij : t’ua ndërpresë mandatin parlamentarëve deputetë, duhet të skualifikojë gjyqtarët dhe prokurorët si dhe ta pastrojë administratës qëndrore dhe lokale prej individëve  të paaftë dhe sidomos nga ata me rekorde kriminale dhe korrupsioni duke i ndëshkuar edhe penalisht.

Por, ashtu sikurse pa ndihmën e SHBA-së nuk do të ishte mundësuar çlirimi i Kosovës, ashtu edhe realiteti po tregon se pa rolin vendimtar të SHBA-së nuk reformohet as drejtësia në Kosovë. Prandaj edhe ambasadori amerikan në Kosovë duhet të luajë po atë rol siç veproi me këmbëngulje dhe me vendosmëri ambasadori amerikan në Tiranë, Z.Donal, ashtu sikurse ka deklaruar ne Korrik 2016  në Tiranë  edhe Ndihmës Sekretarja amerikane  Nuland se: Reforma në Drejtësi, prioritet i lartë në marrëdhëniet SHB-Shqipëri.

Kjo do të thotë se Reforma në Drejtësi, kjo detyrimisht duhet edhe në Kosovë, patjetër  është domosdoshmëri, dhe ka po të njëjtën rëndësi si Reformë jetike edhe për  Kosovën.

Nga Skënder S.KAPITI Durrës, me 22 06 2017