Referendum popullor për marrëveshjen finale me Serbinë

Shkruan: Florim Zeqa                     04.03.2020

Referendum popullor për marrëveshjen finale me Serbinë

Referendumi është një instrument demokratik, me të cilin elektoratit i kërkohet të shprehet me votë të drejtpërdrejtë për propozime të veçanta, me mundësinë për të zgjedhur në mes dy ose më shumë opsioneve të paracaktuara (për shembull: po / jo, republikë parlamentare / presidenciale / monarki, qëndrim / largim, bashkim / ndarje, etj.).

Referendumi është forma më e lartë e demokracisë së drejtpërdrejtë, në të cilën qytetarët, pa asnjë ndërmjetësim apo përfaqësim politik, mund të ushtrojnë vullnetin e tyre dhe të vendosin për çështje madhore për vendin.

 

Rrugëtimi 30 vjeçar i Kosovës

Kosova si ish njësi federale e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, është vendi i fundit që e fitoi mëvetësinë si rrjedhojë e shpërbërjes së përgjakshme të kësaj federate.

Edhe pse me 2 korrik 1990 Kosova u shpall Republikë përmes Deklaratës së Pavarësisë, ndërsa nga data 26-30 shtator 1991 përmes referendumit popullor u shpall shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989–1999).

Qëndresa e gjatë paqësore mbarëpopullore, lufta çlirimtare (1998–1999) dhe ndërhyrja ajrore e NATO-s në pranverë të 1999 i dhanë fund genocidit të Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Trupat e NATO-s hynë në Kosovë në qershor 1999 dhe Kosova u administrua nga një mision i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) deri në 2008.

Më 17 shkurt 2008, Kosova u (ri) shpall shtet i pavarur dhe sovran. Edhe pse deri më tani Kosova ishte njohur nga mbi 116 vende të botës, Serbia po vazhdon fushatën politike për ç’njohjen e shtetit dhe pretendimet e saj për ripushtim dhe shtrirje të sovranitet mbi territorin e Kosovës.

Mirëpo, edhe pas 21 vitesh nga çlirimi dhe 12 nga (ri) shpallja e pavarësisë, trupat e NATO-s (KFOR-i) janë mbrojtësit kryesor të lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë.

 

Referendumi instrument demokratik për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të hapura me Serbinë

Kosova në historinë më të re të saj ka organizuar referendumin e parë dhe të vetëm për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, të mbajtur prej 26-30 shtator 1991, në të cilin kanë marrë pjesë mbi 90 % e popullatës së Kosovës, ku 99,99  % e pjesëmarrësve në referendum janë deklaruar për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur.

Pavarësia e 17 shkurtit 2008, e ardhur si produkt i Pakos diskriminuese të Ahtisarit, përveqse i barazoi shqiptarët shumicë me pakicat etnike, duke e shpallur Kosovën multietnike me 90 përqind shqiptar, na zhveshi nga identiteti kombëtar dhe na hoqi referendumin si instrument demokratik për përcaktimin dhe marrjen e vendimeve plebishitare si shtet i pavarur dhe sovran.

Në kohën kur Kosovës po i bëhet presion i paparë ndërkombëtar për të hequr taksen, si kusht për vazhdimin e dialogut, ndërsa në anën tjetër Serbisë nuk është duke ju bërë asnjë presion për të ndërprerë luftën politike dhe fushatën për ç’njohjen e Kosovës, kërkohet unifikim i faktorit politik shqiptar, për të mbajtur taksën si të vetmen mundësi që kemi për ta ndëshkuar Serbinë derisa ajo të njohë realitetin e krijuar, përkatësisht ta njohë shtetin e Kosovës.

Në këto rrethana, kur mungon konsensusi nacional për marrjen e vendimeve për temat kruciale në Kuvend, siq është taksa apo reciprociteti ndaj Serbisë, çfarë do të bëjmë ne me marrëveshjen finale me Serbinë!?

 

Kthimi i Referendumit popullor, imperativ i ngutshëm kohor

Ka një kohë të gjatë që është folur e përfolur për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht ndryshimin e ligjit zgjedhor, por deri më tani nga asnjëra legjislaturë e Kuvendit nuk është kërkuar nxjerrja e një ligji që kthen Referendumin si instrument demokratik, i cili i mundëson sovranit marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin, siq është përcaktimi i rendit kushtetues, sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit.

Në rrethanat kur mungon  konsensusi politik për gjëra më të vogla siq është taksa dhe reciprociteti, në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar që fati i shtetit të mbetët në dorën e liderëve partiak, qofshin ata në pushtet apo opozitë.

Të paktën ne, të mos bëhemi pjesë e lojërave të ndyta kundër pavarësisë së shtetit tonë. Reciprociteti pa njohje reciproke është mashtrimi dhe iluzioni më i madhë që mund t’i krijojmë vetes në këto rrethana të pa qarta politike.

Kërkojë që deputetët e kësaj legjislature të inciojnë ligjin për referendumin, si e drejtë kushtetuese e përcaktimit të sovranit (popullit) për tema kruciale për vendin.

Kthimi i Referendumit popullor para marrëveshjes finale me Serbinë, do t’i bënte më të vëmendshëm dhe më të përgjegjshëm negociatorët kosovarë, si dhe do t’i zvogëlonte mundësitë e pazareve politike në dëm të shtetit të Kosovës.

Mos ta lëmë veriun e vendit në mëshirën e pazargjinjëve, për ta trajtuar atë si « pasuri e të gjithëve dhe pasuri e askujt », por ta mbrojmë në mënyrë demokratike përmes referendumit popullor.