Ramosaj: Qeverisja jonë do jetë, transparente dhe llogaridhënëse para qytetarëve

Bashkëbisedim me kryetarin të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili në zgjedhjet e 22 tetorit, fitoj bindshëm ndaj kundër kandidatëve tjerë, duke u bërë kryetar i Komunës së Deçanit.

Ramosaj: Qeverisja jonë do jetë, transparente dhe llogaridhënëse para qytetarëve

Juristi, Bashkim Ramosaj, i lindur me 21.05.1974, në Carrabreg, pos që ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme për 8 vite (2009-2017), kishte edhe pozicioni të larta politike si, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, dega në Deçan; shef i Shtabit zgjedhor që nga 2007; e së fundmi ishte nënkryetar i kësaj parie, pozicion që mbanë edhe tash. Ramosaj, në zgjedhjet e fundit lokale, doli bindshëm para kundër kandidatëve të tij, duke marrë mbi 64 përqind të besimit të votuesve deçanas.

Bisedoi: Adem Lushaj

Cilat janë planet tuaja qeverisëse për mandatin katërvjeçar?

Do vazhdojmë me punët të cilat janë në vazhdimësi, qoftë në realizim të projekteve kapitale, ashtu edhe të rritjes së nivelit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Komuna jonë si shtylla të zhvillimit, i konsideron bujqësinë dhe turizmin, ngase këtë na ofron natyra e bukur, qoftë toka pjellore apo masivi i Bjeshkëve të Nemuna. Me prioritet edhe më tej mbetët kanalizimi i ujërave të zeza, gjithnjë duke shtrirë rrjetin nëpër zonat rurale, deri në përfundimin e krejtësishëm të tij. Këtu kemi parasysh edhe trajtimin e ujërave të këtij kanalizimi, duke kërkuar përkrahjen nga niveli qendror dhe donacione ndërkombëtare e vendore. Në agjendën qeverisëse është përmbyllja e furnizimit me uji të pijes, ashtu që mos të kemi ankesa nga fshatrat e kësaj komune, për mungesë të ujit, pasi që Deçani njihet për resurset ujore që posedon. Turizmi i Deçanit është ngushtë i ndërlidhur me infrastrukturën rrugore, sidomos në drejtim të bjeshkëve. Ndaj, do jemi të përkushtuar se kjo infrastrukturë të rregullohet, duke krijuar parakushte për investitorët e mundshëm, të cilët kapitalin e vet, dëshirojnë ta derdhin në turizmin malor të Deçanit. Assesi nuk do ndalojmë për ndërtimin e rrugës që do mundëson lidhje të shpejtë me Malin e Zi, çka do shkurton rrugën drejtë Ulqinit. Pra, rruga që lidh Deçanin me Plavën, me trojet shqiptare, do jetë prioritet e përtej prioriteteve tona qeverisëse. Përkushtimi ynë, do jetë në krijimin e kushteve më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie, por edhe në aftësimin profesional të mësimdhënësve. Kujdes të shtuar do ketë shëndetësia, kultura, sporti dhe rinia, por edhe të moshuarit. Këtu kemi fjalën për pensionerët, të cilët do kenë përkrahjen tonë në ndonjë aktivitet që do ndikon në rehabilitim të tyre, sado i vogël qoftë. Ndër prioritet më të rëndësishme do jetë mbrojtja e mjedisit, ngase zhvillimi i tubimit është ngushtë i ndërlidhur me mjedisin. Pra, shërbimet publike do jenë në agjendën tonë, ngase në vazhdimësi po kemi telashe me grumbullim dhe administrim të mbeturinave, gjë që Decani krenohet me mjedisin e bukur që posedon.

Zt. Ramosaj! Edhe pse keni shumicën absolute në Kuvend, cili do jetë bashkëpunimi juaj me opozitën?

Kuvendi komunal prej 27 këshilltarëve, është organi më i lartë vendimmarrës, nga edhe dalin obligimet tona si ekzekutiv. Nuk do bëj dallim mes pozitës e opozitës, ngase janë të zgjedhurit e qytetarëve. Ne, do respektojmë vendimet që merren në Kuvend, por edhe do kundërshtojmë ato, nëse nuk do jenë në përputhje me interesat qytetar dhe në kundërshtim me bazën ligjore. Presim që, pozitë dhe opozitë, të jenë unike në qëndrime strategjike për të ardhmen e Deçanit. Por, do kërkojmë që vendimet të merren me konsensusin më të lartë të mundshëm, duke bërë që subjektet politike me numër më të vogël të këshilltarëve, të ndjehen të respektuar në mendimet dhe qëndrimet e tyre. Presim një konstruktivitet, nga të gjitha subjektet politike, por edhe të shoqërisë civile, sa herë që të kërkohet përkrahja e tyre. Ne do vlerësojmë lartë edhe qëndrimet e organizatave të shoqërisë civile, qofshin edhe në kundërshtim me mendimet tona si kryetar komune. Jemi të hapur për pozitë dhe opozitë, për shoqëri civile dhe çdo mekanizëm tjetër, që do kontribuon në qeverisjen e mirë, transparente dhe demokratike.

Si do rrisni nivelin e transparencës institucionale?

Jam i prirë si jurist, të respektoj bazën ligjore dhe obligimet që dalin nga dokumentet bazë, qofshin të ardhura nga Ministria e Pushtetit Lokal, apo edhe të atyre që dalin nga legjislativi i komunës dhe institucionet tjera ligjvënëse. Do respektojmë në plotni Ligjin mbi Vetëqeverisjen lokale dhe Statutin e Komunës, që obligojnë përcaktojnë raportimet e rregullta, sikurse që jemi të përkushtuar në respektim të rregullores komunale për bashkëpunim me fshatra. Strategjia komunale për informim dhe rregullorja për transparencë, do respektohet tërësisht, ngase transparenca institucionale është ndër komponentët bazë të qeverisjes së mirë dhe demokratike. Do përgjigjem çdoherë ftesave të cilat vijnë nga subjekti të ndryshme politike e jo politike, të cilat ndikojnë në përmirësimin e bashkëpunimit dhe transparencës e llogaridhënies sonë. Jemi të përgjegjshëm ndaj akteve ligjore, por edhe të kërkesave të qytetarëve, për çdo lloj nevoja që kanë, duke bashkëbiseduar dhe ofruar shërbimet tona të mundshme dhe ligjore. Komunikimi me media është i pa diskutueshëm, ngase janë pasqyrim i angazhimeve, por edhe të dështimeve të mundshme. Do jam i hapur për media në çdo kohë, pa hezitim, duke bërë që dera e zyrës së kryetarit të jetë e hapur çdoherë për mediumet tona, por edhe ato jashtë Kosove.

Bashkëpunimi ynë, është i hapur me të gjithë, për interesa të qytetarëve. Ndaj, roli i mediave në punën tonë, është i pa zëvendësueshëm. Ftoj qytetarët, qoftë përmes mediave, e mbi të gjitha duke ia mësy zyrës sonë, të njoftojnë për shqetësimet e tyre, ashtu që së bashku, në bazë të mundësive që kemi, të gjemë zgjidhjen duhur dhe së bashku të qeverisim me Deçanin. Koha është për Deçanin. Kësaj komune i ka ardhur koha për zhvillim, ngase në krye të ekzekutimit të shtetit, është njeriu që di të vlerëson dhe të qeverisë, është lideri ynë, njeriu i luftës dhe paqes, është Ramush Haradinaj!