RAMIZ, PSE SHKOVE?!

Xhemail Peci

II

RAMIZ KELMENDI NJË SHEKULL DIJE DHE DRITE (Vazhdim)

Ramiz! U nise dhe trokite në botën e letrave që kur kishe 16-të pranvera! U nise duke shkruar me pseudonimin “Hija e Lirisë”, hyre në portat e mëdha të Republikës së Letërsisë, dhe sot u përcolle nga ajo që e deshte aq shumë, nga Republika e Lirisë, për të cilën luftuan e punuan aq shumë breznitë orëmira.

Ramiz! Gazetat shkruan se: U shua Ramiz Kelmendi! Shkruan atë që na e the vetë për së gjalli, në atë nëntor të bardhë, në atë muajin më të dashur që nga fëmijëria jote, tek përuronim për herë të parë monografinë studimore në VI-të vëllime, kushtuar Juve.

Kur na the në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare (sot Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”): “Por disi e ndjeva veten me përshtypje. Duhet t’ua them. Duke ju dëgjuar çfarë that krejt për punën time letrare edhe për jetën time, edhe për mua si emër, unë me vete thashë: Paska vdekur Ramiz Kelmendi!”

Ramiz, atë ditë foli Dom Lush Gjergji. Edhe profesor Prendi, Prend Buzhala – studiuesi më i përkushtuar i vepërs sate, i cili për më shumë se 40-të vjet rrjesht e ndoqi atë hap pas hapi. Ramiz, atë ditë u përpoqa të them dy fjalë edhe vetë. Atë ditë shqiptarët ta falën edhe suksesin!

E sot, Republika e Letrave Shqipe është në dhembje, pikëllim e lot, sepse sot nga ngriu loti buzëqeshjen!

Ramiz! Gazetat u nxituan kur shkruan se: U shua Ramiz Kelmendi! U nxituan, sepse Ramiz Kelmendi nuk shuhet kurrë! Sa të ketë ujë në gurrë nga Bjeshkët e Rugovës kreshnike, për sot e mot, mes nesh do të jetë edhe Ramiz Kelmendi!

Do të rrojë vepra jote e fjala jote!

Dhe pikërisht për shkak të vlerave të mëdha ideo-estetike dhe përmasave të kësaj vepre, ne shprehim ndjenjat e falenderimit e të mirënjohjes së veçantë, si dhe respektin më të thellë për: Ramiz Kelmendin.

Të heshtin armët e të flasin librat!

Kjo është zemër-thirrja e jote, një zemër-thirrje e cila do të rrojë sa mosha e kësaj toke, dhe si e tillë ajo është e barabartë me atë që tha Gëte në momentet e fundit të jetës së tij:

U bëftë dritë!

Dhe se zemër-thirrja që të heshtin armët e të flasin librat, është e një kuptimësie dhe e një simbolike nga më të veçantat në gjithë jetën tonë mendore e shpirtërore.

Një zemër-thirrje e tillë e Ramiz Kelmendit, është e barazvlefshme me zemër-thirrjen e Pjetër Budit:

Qoftë për të mirën e dheut të arbërit!

III

R-RAMIZ, R-RILINDËS

Sa më shumë që e lexon dhe e studion njeriu veprën e Ramiz Kelmendit, aq më shumë fitohet përshtypja se ai ka një debolesë të veçantë për shkronjën L: Liria (nuk është rastësi që edhe pseudonimi i tij i parë ishte Hija e Lirisë), letrat, letërsia, Lulja e Kujtimit, Lypsat në lulishtë, lotët, apo edhe Lumo Skëndo, për të cilin u shpreh me aq madhështi: “Emri shumë i shenjtë i kombit shqiptar.” Pastaj Luvri, Lulja, Lumnija, dhe emri që e do më së shumti, siç e ka pohuar vetë në një intervistë, emri: Liridon…

L – si lumturitë. L – si Lukiani.  – si libri. L – si lulemollët.

L – si Lukiani, kur shkrove:  “S’ka fjalë më të dashur dhe më të ëmbël se fjala “atdhe”, ndaj e duan edhe vetë perënditë. Atdheu do konsideruar si nëna e përbashkët për të gjithë.”

Por më shumë se kaq, Ramiz Kelmendi shquhet për një debolesë edhe për një fjalë tjetër, të cilës i ka falë shumëçka, të cilës i ka falë gjithçka, fjalës: Rilindje. Ramiz Kelmendi është një Nestor i urtë e një mendje e hollë, një penë e mprehtë e gjithë dhunti, që trasoi rrugë e hapi shtigje, që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë kombëtare. Prandaj, të thuash Ramiz, do të thotë të thuash Rilindës. Jo vetëm pse shumëçka lidhet me Rilindjen, por sepse ai gjakoi gjithmonë për një Rilindje të vërtetë, që nga arbëreshët e Italisë, të Greqisë, e kudo gjetkë nëpër hapësirat shqiptare.

E Ramiz Kelmendi ka bërë thirrje në vazhdimësi: Atdheu është gjuha vetë.

Ernest Koliqi i falej urtisë dhe arsyes së gjykimit, duke thënë: Urti-Hyjni e moshës së pjekun!

Ndërkaq, për Ramiz Kelmendin libri është hyjni e dijes dhe se duke e mbrojtur librin si hyjni të dijes, ai e mbron të bukurën dhe të madhërishmen:

“Unë do t’ia nisja ma atë, të them pikën më neuralgjike timen gjatë gjithë jetës…Unë me librin e kam nisur dhe në qoftë se çfarëdo kam arritur në këtë jetë, të gjitha diplomat e mia, ose fakultetet e mia, si do të thoshte një shkrimtar i madh, lidhne me librin dhe i kam nga libri, me librin.”  (Nga ditari im. Kujtime, Buzuku, Prishtinë, 2011, fq. 251-252)

Duke qenë njeri i librit dhe njeri i letrave, Ramiz Kelmendi na la porosinë e tij të madhe se: “Duhet t’i blatohemi me mish e me shpirt kombit. Njerëzit do mësuar që të mos ia kenë frikën kohës. Shkrimtari nuk mund të fshihet, as të ikën nga koha e vet, meqë dalë ka prej saj.”

Si adhurues i përjetshëm i gjinisë së bukur (siç është shprehur vetë në në 70-të vjetorin e shkrimtares Adelina Mamaqi, më 27 tetor 2009 në Prishtinë), Ramiz Kelmendi i ka folur ardhmërisë sonë, pra i është falur edhe përjetësisë.

R – si harresa. R – Ramiz si sfidues i harresës, e veçmas riharresës. Emri i tij, jeta e tij dhe vepra e tij, së bashku me gjithë forcën e gjakut të fisit, i kundërvihet harresës dhe riharresës.

Dje tek “Rilindja”. Me shkrime tek “Rilindja”. Edhe me ligjërimet, po tek Rilindja. Tek Rilindja Kombëtare Shqiptare. Tek Rilindja e tek rilindësit trima e të mençur. Edhe tek arbëreshët e Italisë, ku u gëzove dhe kur u lumturove aq shumë, kurrë thirre nga thelpinjtë e zemrës sate, për një Rilindje të Dytë. Kur e nise nga aty ku e la De Rada: Gjaku ynë i shprishur tha De Rada. Ramiz, kur e the për ne, për breznitë orëmira, e për këtë atdhe: “Gjaku i Arbërit po vlon. Ndër arbëreshët, po zien, po vlon, po gurgullon….”

Pa më thuaj, Ramiz Burri, kush e tha më bukur? Ramiz, kush e tha më bukur se Ramizi vetë? Kush?

E njëlloj si tek Rilindja, edhe tek Ringsi. Gjithmonë R. Gjitmonë, R, sepse të thuash Ramiz, don të thotë të thuash: Rilindës.

Gjithmonë i tillë. Edhe në faqet e gazetave e të revistave, të librave e të kronikave. Edhe tek Shkolla e Lartë Pedagogjike. Edhe tek Verrat e Llukës. Edhe tek Fakulteti i Gazetarisë.

Rilindës me mendje e me zemër. Edhe me shpirt. Veçmas kur më pyet, mua studiuesin e veprës sate: Ç’ke që më kërshirosesh kështu?!

Besoj se pajtohemi që të dy. Nuk ka rastësi! Ka vetëm bardhësi. Që kur ta vunë si në pagëzimin si një ogur të bardhë, atë kryeshkronjë që të rri si një emblemë e rrallë përmbi ballë, atë emër që e kemi aq shumë për zemër; kur në ato qëndismat prej filigrani në majë të penës sate, thure fjalë si ca margaritarë të rrallë e kur kohës i shuajte mall:

R.

Ramiz.

R.

Rugovas.

Ashtu siç thonë rugovasit:

Ramis.

Ramizi dhe Rilindja:

“Saktësisht, unë gazetar jam vetëm dy vjet më i ri se “Rilindja”; kjo lindi më 12 shkurt 1945, e unë botova shkrimin tim më të parë në këtë gazetë – dy vjet më vonë.” (Nga ditari im. Kujtime. fq. 114)

 

IV

DY DASHURITË E MËDHA TË RAMIZ KELMENDIT

Dy janë dashuritë e mëdha të Ramiz Kelmendit: Shqipëria dhe letërsia.

Dy janë frymëzimet më të mëdha të Ramiz Kelmendit: Rugova dhe Peja. Që të dyja janë frymëzim i përjetshëm i tij, sepse Rugova dhe Peja kanë shpalosur nga brezi në brez, dy mesazhe të një bardhësie dhe përjetësie monumentale, shpalosur së pari nga shamitë e bardha të lokemadheve të Rugovës Kreshnike, dhe dalur nga palca e zemrës së Ramiz Kelmendit: Të heshtin armët e të flasin librat.

 

Dy janë shpërblimet më të dashura për Ramiz Kelmendin, Qytetar Nderi i Pejës, dhe Shpërblimi për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”.

Dy janë qytetet në të cilat Ramiz Kelmendi ka dashur të vend-ndodhet: Ulqini dhe Gjakova.

Dy janë qytetet më të dashura të Ramiz Kelmendit, dhe me të cilat ai e ndante zemrën e tij: “Vendlindja ime, po, është Peja. Por, vend-dashja ime është Gjakova”.

E para ia ka mbjellur dashurinë për letërsinë, kurse e dyta ia ka falur mundësinë për të pagëzuar e për të përjetësuar emrat që deri atëherë nuk ishin dëgjuar: Visar, Migjen dhe Nita.

Dy janë mbishkrimet që Ramiz Kelmendi i ka nxjerrur nga pluhuri i harresës, duke i nënvizuar aq thekshëm në publicistikën e tij antologjike.

I pari është mbishkrimi i formuluar nga fjalët e qartësisë transparente dhe lapidare, me të cilat Elena Gjika i shkruante Jeronim De Radës: “Të mos vdesim pa e parë të valojë i lirë Flamuri i Skëndërbeut mbi Kështjellën e Rozafatit!”

I dyti është mbishkrimi, përkatësisht emblema ilire, të cilën Jeronim De Rada ia ka falur në mënyrën më të hijshme dhe më të madhërishme në gjithë letrat tona – Elena Gjikës, duke iu drejtuar asaj me epitetin nga më të rrallët, nga më të bukurit e nga më kuptimplotët: Mirësia juaj engjëllore!

Dy janë figurat embelmatike të cilave Ramiz Kelmendi u është falur me ndjenjën e respektit më të thellë dhe të mirënjohjes së veçantë.

I pari është babai i tij, Jakup Brahimit – të cilit siç na e ka pohuar vetë, i ka rënë në gjunjë, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufi.

I dyti është babai i “Albanias” – Faik Konica, për të cilin pat thënë me krenari dhe mburrje: “Për mua Faik Konica është mendimtari më i madh i botës shqiptare. Atij – edhe pse ka vdekur, unë edhe në këtë moshë i ngritem në këmbë.” (Ramiz Kelmendi, në emisionin Oksigjen, Radio Televizioni i Kosovës, 9 mars 2012).

Dy janë “etërit” e tij të gazetarisë: Faik Konica dhe Masar Murtezai (“babai im i gazetarisë”).

Dy janë kritikët më të shquar dhe njëkohësisht bashkëkohanikë të tij, nën thjerrzën e të cilëve nuk ka qenë aspak e lehtë të kalohet, ashtu siç nuk ka qenë aspak e lehtë që të kalohen porvimet e letërsisë tek ta (në lëndën e Letërsisë botërore – tek i pari, si dhe në lëndën e Estetikës – tek i dyti) pikërisht për shkak të kritereve të drejta letrare dhe estetike që kishin ata: Profesori erudit Hasan Mekuli, dhe akademiku Rexhep Qosja.

I pari ia ka dhënë epitetin aq shumë të merituar: Talenti i tij epik. Duke shtuar më tej se Ramiz Kelmendi është: “Një personalitet më kompleks prej krijuesi. Prozator i formuar dhe më përvojë. Ai na përvetëson me trajta farfuritëse të observimit dhe të komponimit në prozë, si dhe me aftësinë që një temë të thjeshtë ta shfrytëzojë maksimalisht dhe ta shtrojë letarisht. Satirën e vet nuk e drejton kundër njerëzve, por kundër dobësive të tyre dhe pengesave e shprehive njerëzore…Shkrimtar me stil dhe individualitet letrar të veçantë, të cilit gjithsesi i takon një vend i posaçëm në prozën shqiptare. Ai këtë vend e zë me autoritet, si shkrimtar i frytshëm, i cili në mënyrë permanente begaton opusin e tij dhe popullariteti i të cilit nuk bie ndër lexuesit. Bota që paraqet Kelmendi është specifike dhe komplekse…Ramiz Kelmendi është gjithsesi një fizionomi e veçantë letrare…Ai është identifikuar shpirtërisht dhe emocionalisht me njerëzit e rij dhe kureshatrë. Duke kundruar lindjen e botës së re, ai sheh shumë qartë edhe krijimin e një altruizmi të ri. Ramiz Kelmendi thekson prirjen për portretizim psikologjik të turmës. Bota që paraqet Kelmendi është specifike dhe komplekse. Opusi tregimtar i Ramiz Kelmendit është dëshmi e sprovave dhe e horizonteve të kësaj proze.”

I dyti, ia ka falur gjithashtu epitetin aq fort të merituar: “Pena e tij e Artë! Njëri nga gazetarët e rrallë. Njëri prej prozatorëve të parë të shquar. Njeri dhe Artist. Publicist i shkathët. Militant i të vërtetës. Njëri ndër gazetarët më të mirë shqiptarë në përgjithësi. Dëshmitar historik i popullit të vet. Figurë emblematike e letërsisë shqipe…si njëri prej gazetarëve më të mirë të Kosovës. (Rexhep Qosja. Dëshmitar në kohë historike (1996-1974), Ditari I, Tiranë, Toena, 2014, fq. 437.)

Duke e vlerësuar më tej figurën poliedrike të Ramiz Kelmendit, akademiku Rexhep Qosja ka theksuar se: “Jetës i përkulet njeriu dhe arti. Por ai është përkulur në mënyrë prometheistike. Në shkrimet e tij prej gazetari, mbizotërojnë letrari dhe artsiti. Dëshmitar historik i fatit të popullit të vet. individualitet prej krijuesi e tregimtari.”

Dy janë mësuesit tjerë të radhës, të Ramiz Kelmendit: Esad Mekuli (“babai im i letërsisë”) dhe Ernest Koliqi.

Për të parin është shprehur gjithashtu me pietet, me admirim, me aq respekt dhe me ndjenjën e thellë të mirënjohjes e të falenderimit, duke e quajtur atë si babain e të gjithë krijuesve në letërsinë shqipe të shkruar në ish shtetin federal:

“Nisa punën si reporter i lirë në gazetën “Rilindja”. Vijova të shkruaj tregime dhe t’i botoj në revistën letrare “Jeta e Re”, nën përkujdesjen dhe ndihmën prindërore të Esad Mekulit”.

Ndërkaq, të dytit – Ernest Koliqit, gjithashtu i ka dalë hakut me zemër-thirjen e tij aq fisnike dhe po aq krenare:

Falë u qofsha të gjithë mësuesve të mi ernestkoliqianë!

Dy janë femrat të cilat e kanë nxitur neurasteninë krijuese të Ramiz Kelmendit: Ajkuna e Desdar Osman Agës dhe Dylbere Gjelina, për emrat dhe për bukurinë e të cilave kishte dëgjuar (siç na e ka pohuar vetë në Ditarin e tij) nga daja i vet: Arif Zhuji.

Dy janë lidhjet e tij të para me letërsinë: Ulqini dhe Ulqinakja.

Çuditërisht, dy janë shkrimtarët, tek të cilët Ulqinakja ka ushtruar ndikim dhe ka ngjallur frymëzim të veçantë. Në letërsinë spanjolle – tek Miguel de Servantes Saavadera, dhe në letërsinë shqipe – tek Ramiz Kelmendi:

“Një ulqinake sa e këndshme aq edhe e mençur”, siç do të shprehej shkrimtari, duke sqaruar: “Është shumë e vërtetë se dashuria, lindja dhe lidhja me letërsinë e ka zanafillën pikërisht siç thatë – jo në NDONJË gocë, po te – NJË GOCË. Madje edhe ajo – ulqinake. Ndaj edhe më i pari tregim në jetën time u frymëzua nga ajo dhe mban titullin “Barka e peshkatarit”. Isha student asokohe dhe një – djalë i dashuruar”.

Dy janë qytetet të cilat ngado shkonte e ngado vente, ashtu si edhe Shqipërinë, Ramiz Kelmendi i merrte gjithmonë me vete: Peja e fëmijërisë dhe e rinisë së tij, Peja me bukuritë e saj dhe me historitë e saj (me të drejtë është thënë se Kafka është Praga, dhe Praga është Kafka. E njëjtë gjë mund të thuhet edhe për Ramiz Kelmendin dhe për Pejën), si dhe Ulqini – vendlindja e tij letrare.

Dy janë pasionet e mëdha të Ramiz Kelmendit: Pena dhe letra. Pena sepse ai besonte në misionin fisnik të fjalës, dhe letra sepse ai besonte se letra ka më shumë forcë sesa floriri. Sepse dhuntia e falur nga natyra si dhe dhe dija e fituar leximi i librave të shumtë, e kishin bërë të besonte në atë që e ka thënë Bajroni, se fjala dhe rima kanë fuqinë e një perandorie!

Dy janë figurat epike të cilat kanë mbetur në kujtesën e Ramiz Kelmendit: Pushkatimi makabër i Salih Ukellës (një levend që luftonte për lirinë e truallit të tij), dhe qëndresa heroike e Marie Shllakut përballë torturave më mizore.

Pjesa e parëPjesa e dytëPjesa e tretë