RAMIZ KELMENDI NJË SHEKULL DIJE DHE DRITE

(pj e -I-rë)

Xhemail Peci

NJË URTI E LARTË, NJË KOLOS I LETRAVE SHQIPE, FIGURË POLIEDRIKE E PISHTAR I GJALLË I KULTURËS KOMBËTARE SHQIPTARE, RILINDËS I KOMBIT TË VET, TIRTE QË ME ZJARRIN E FJALËS SHQIPE GJAKONTE PËR NJË ATDHE TË LIRË E TË BASHKUAR, LUIGJI PIRANDELLO I ROMANIT SATIRIK SHQIPTAR, ALBERTO MORAVIA I LETRAVE SHQIPE, BALZAKU SHQIPTAR ME MË SHUMË LIBRA TË SHKRUARA E TË PËRKTHYERA SESA VITE MBI SUPET E TIJ; TALENTI I TIJ EPIK (profesor Hasan Mekuli), PENA E TIJ E ARTË, (akademik Rexhep Qosja) BIR I RUGOVËS KRESHNIKE (kritiku Vehap Shita) KLASIKU MODERN I FJALËS SHQIPE, TITAN I PËRKTHIMEVE, MOLIERI I LETRAVE SHQIPE, MJESHTRI I KONTRASTIT, KRIJUESI I MIRËFILLTË, SHPËTIMTARI I DASHURISË, ZËDHËNËS I KOHËS ME VEPRËN E TIJ, MEMORIE E GJALLË E BREZAVE, MREKULLI E KOMUNIKIMIT TË QARTË, NJERI I ARTIT AQ SA EDHE NJERI I KULTURËS, NJERI DHE ARTIST, ENCIKLOPEDI E GJALLË, NJËRI NDËR STILISTËT MË TË PËRKRYER TË LETRAVE SHQIPE (profesor Prend Buzhala), SATIRË QË FSHIKULLON ME ZJARR PËRCËLLUES (studiuesi Hashim Baftiari), KRESHNIKU I FJALËS SË ËMBËL, NJERI I LETRAVE PËRBALLË PËRBUZJEVE, SOKOL HALILI I LETRAVE SHQIPE, KALORËS I LETRAVE DHE ARTEVE, GAZETARI EMBLEMË I KOSOVËS, IKONA E GAZETARISË KOSOVARE, DOAJENI I SAJ, FIGURË EMBLEMATIKE, FIGURË PIKANTE E FIGURË MARKANTE E LETRAVE SHQIPE, DHE LIGJËRUES I PËRJETSHËM I FAKULTETIT TË GAZETARISË “FAIK KONICA”.

Me rastin e kalimit në amshim të profesorit, publicistit, veprimtarit e shkrimtarit Ramiz Kelmendi

“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha -nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.”

                                                                                       Ramiz Kelmendi

 

                                                        “Ramizi ka rrënjë të Lisit të Gjakut”

                                                                           Dr. Zymer Ujkan Neziri

I

SOT, REPUBLIKA E LETRAVE SHQIPE,

ËSHTË NË DHEMBJE, PIKËLLIM E LOT!

 

R

Sot, letrat shqipe mbetën pa njërin prej përfaqësuesve të saj më të denjë, tregimi shqiptar mbeti pa mjeshtrin e vet të rrallë, novela shqiptare mbeti pa vrojtuesin e hollë të vijave dhe vrragëve të jetës njerëzore, romani shqiptar mbeti pa njërin prej njerëzve me një dhunti të rrallë narrative, kritika letrare shqipe mbeti pa qasjen e tij aq origjinale, polemika shqiptare mbeti pa elegancën e fjalës së tij të latuar holl e të gdhendur aq bukur, publicistika shqiptare mbeti pa njërën prej penave të saj më të ndritura, gazetaria shqiptare mbeti pa doajenin e saj, dramaturgjia shqiptare mbeti pa njërin prej lëruesve të saj më të zotë, memoristika kombëtare mbeti pa njërën prej mendjeve më të kthjellta të saj, kultura shqiptare në përgjithësi mbeti pa ikonën e vet, jeta mendore dhe shpirtërore e një kombi të etur për dije dhe për dritë, mbeti pa emblemën e vet aq të dashur; fusha e përkthimeve si histori e mirëfilltë e qytetërimeve dhe e urave mbeti pa përkthyesin e vullnetit të çeliktë, tribuna e intervistave mbeti pa njeriun e fjalës së ëmbël e aq shumë të dashur, katedrat e letërsisë mbetën pa edukatorin dhe profesorin, tribuna letrare mbeti pa ligjëruesin e saj të shquar e gojëambël, armata e lexuesve të shumtë mbeti pa romancierin e vet aq të preferuar, e bukura dhe e madhërishmja mbetën pa shijuesin dhe adhuruesin e tyre të madh, kuadrot e dala nga mëngët e duarve të tij – nëpërmjet Fakultetit të Gazetarisë “Faik Konica” mbetën pa profesorin dhe pedagogun e shquar, studimet për Faik Konicën mbetën pa konicologun e tyre të devotshëm, Verrat e Llukës e rrugëtimi biblik për pajtim e bashkim kombëtar, mbetën pa mentarin e veprimtarin e tyre të pandalshëm; Rugova kreshnike mbeti pa birin e saj fisnik e bujar, Kosova mbeti pa burrin e mençur e të rrallë, i cili në ballë të tij ashtu sikurse edhe në ballë të veprës së tij kishte për mision dhe vizion dashurinë mes vëllezërve të një gjaku e të një gjuhe – pajtimin, bashkimin dhe përparimin e tyre; Rrënjët e Lisit të Gjakut sot mbetën pa njërin prerj pinjojve të tij më të denjë, mendësia shqiptare mbeti pa urtësinë e tij të lartë, bota e kulturës kombëtare shqiptare mbeti pa figurën e vet poliedrike e pa pishtarin e saj të gjallë, kokrrat e kripës arbërore mbetën pa Nestorin e tyre të urtë, Breznitë Orëmira mbetën sot fizikisht pa Ramiz Kelmendin.

Sot, Republika e Letrave Shqipe, është në dhembje, në pikëllim dhe në lot!

Sot, gjuha shqipe ndjeu një zbrazëtirë të thellë, për shkak se njëri prej stilistëve të saj më të denjë, i cili ia kishte falur asaj durimin e vet prej shenjtori dhe qëndismën prej filigrani, shkoi në amshim.

Sot, Republika e Lirisë, të cilën ai e kishte gjakuar aq shumë, e përcolli drejt përjetësisë, njërin prej luftëtarëve të vet më të shquar të dritës, i cili me penën e tij, me veprën e tij, me fjalën e tij, me djersën e tij si dhe me shembullin e tij, i kishte kontribuar aq shumë mendësisë sonë, duke hapur shtigje e trasuar rrugë në Republikën e Letrave Shqipe, në fushën fisnike të artit të fjalës së shkruar: në Republikën e Letërsisë.

Sot, u ndamë vetëm fizikisht nga ai, por shpirtërisht do të jemi gjithmonë me të e me veprën e tij, me fjalën e tij të urtë e me porosinë e tij të madhe, me shembullin e tij frymëzues e udhërrëfyes prej pishtari të gjallë të kulturës kombëtare shqiptare, sepse Ramiz Kelmendi është krijuesi që mishëron të gjitha tiparet dalluese të një personalitetit letrar, krijues dhe intelektual tek i cili shkrihen kombëtarja dhe universalja, si në kuptimin e madhështisë ashtu edhe në kuptimin më fundamental të gjakimit drejt lirisë.

Ramiz Kelmendi është një Nestor i urtë e një mentar i hollë. Ai sot e mot, mbetet një urtësi e lartë e një shkrimtar i shquar, të cilit i është falur epiteti nga më të rrallët e gjithsesi edhe nga më të bukurit në letrat shqipe: Kreshnik i fjalës së ëmbël; talentin e të cilit me të drejtë profesori erudit Hasan Mekuli e ka cilësuar si talenti i tij epik, penën e të cilit akademiku Rexhep Qosja me të drejtë e ka quajtur pena e tij e artë, veprën e të clit profesor Prend Buzhala e ka quajtur një mrekulli e komunikimit të qartë.

Në njërën prej intervistave të tij (Letërsia ime është pjellë e padrejtësive të sistemit totalitar), pyetjes: “Jeni pedagog me shumë vjet përvojë pune. Tash a ndjeni mall dhe dëshirë që të ligjëroni para studentëve?”, Ramiz Kelmendi i është përgjigjur se një gjë e tillë është një mall i përjetësisë. Por, të hysh në botën letrare dhe intelektuale të një kombi si figurë emblematike, të jesh në botën mendore, kulturore dhe shpirtërore të një kombi klasik i gjallë; të rrezatosh dritë, dije, kulturë, paqe, vëllazëri dhe pajtim; të jesh rilindës i kombit të cilit ke krenarinë t’i takosh, të ligjërosh me pasion dhe me përkushtim lëndën kombëtare “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”, të jesh një nga hartuesit e Apelit të 215-të intelektualëve, të jesh bashkorganizator i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimit Kombëtar; të jesh pjesë e një rrugëtimi biblik për tek tubimi historik në Verrat e Llukës, të themelosh dhe të pagëzosh Fakultetin e Gazetarisë me emrin e princit të gjuhës shqipe Faik Konica, të jesh me shkrimet dhe udhëpërshkrimet, me reportazhet dhe margjinat, me çapitjet dhe kristalet e mendimeve, i pranishëm për më shumë se 60-të vjet rrjesht, nëpër gazeta, revista, libra, monografi e krijimtari letrare të vazhdueshme, të mbledhësh kokrra kripe arbërore e rreze drite-të cilat lexuesi do t’i kërkojë me aq kureshtje, t’ia bësh lexuesit faqet e gazetave dhe të revistave dritare prej kah ai e sheh jetën dhe prej ku e kupton botën më bukur, të ngritesh me aq dinjitet kundër plagëve të shumta e kundër sëmundjes së mendjemadhësisë, kundër kompleksit të kryelartësisë duke i bërë thirrje arsyes dhe modestisë; të bëhesh pjesë e mendimit të përditshëm dhe pjesë e pandarë e ndikimit të përditshëm në jetën dhe në kulturën e kombit të cilit i takon, dhe për të cilin gjakon në mënyrën më të përkryer, do të thotë të ligjërosh përjetësisht.

Nuk ka dyshim pra se pa penën e tij, pa udhëpërshkrimet e tij, pa prozën e tij, pa tregimet e tij, pa romanet e tij, pa dramat dhe melodramat e tij, pa publicistikën e tij, pa fejtonet e tij, pa reflekset e tij, pa margjinat e tij, pa çapitjet e tij, pa çapitjet e reja midis rrjeshtave – të tij, pa shkrimet tërthorazi troç – të tij, pa teatrin e tij, pa shkrimet e tij, jo vetëm letërsia, jo vetëm kultura dhe arti ynë, por në mënyrë të veçantë bota jonë mendore dhe shpirtërore, do të ishte shumë më e varfër dhe shumë më e zbrazët, sepse vepra letrare dhe publicistike e Ramiz Kelmendit është pasuri e jona e madhe, është pjesë e rëndësishme e kulturës sonë mendore dhe shpirtërore.

Është i nderuar një komb që ka një personalitet të tillë. Është më e begatuar një kulturë që ka në gjirin e vet një pishtar të tillë me flakë të gjallë ndriçuese, është shumë më e pasuruar nje letërsi që ka një penë të denjë e të artë si të Ramiz Kelmendit. Janë të lumtura ato brezni që kanë mundësi të shijojnë një thesar kaq të pasur letrar dhe publicistik. Gjithsesi, eshtë i nderuar një shkrimtar, të cilit i bën homazh një komb i tërë.

Ramiz, ja kush te ka dashur me gjithe shpirt! Ky popull shpirtbardhë, (për të cilin me krenarinë e ligjshme the se “ky popull ka jetuar e do të jetojë me shekuj”) dhe ky publik i mrekullueshëm, këta banorë të mbretërisë së lashtë të librit, që nuk t’u ndanë për asnjë çast, as kur të ndiqnin 7-të e as kur të përndiqnin 77-të.

 

A

Ramiz nuk mund të besoj se nuk do të takohemi më tek Ringsi, aty ku dilje shpesh dhe ku kishe dëshirë ta kundrojë jetën në lëvizje e sipër, aty ku kishe dëshirë ta shikoje botën në rilindje e sipër. Nuk do të mund të besoj se nuk do të drekojmë prapë tek Pishat së bashku, për të folur gjërë e gjatë, për Republikën e Letërsisë dhe për Republikën e Lirisë, për ato debolesat tona të përbashkëta, që aq shumë lidhen me gazetat dhe me gazetarinë, por jo vetëm me to…

Por megjithatë një gjë është mëse e sigurt, se gjithmonë do të takohemi së bashku, ne adhuruesit e tu e të veprës sate rrezatonjëse, do takohemi sot e mot në sheshin e letrave shqipe.

 

Ramiz!

Na le, duke i mbushur 87-të kokrra jete. Një shekull dije dhe drite!

Ramiz! Sot, Dantes nuk ka kush t’i shkruajë!

Ramiz! Sa e vështirë qenka të thuash: Lamtumirë Ramiz!

Sepse Rugova dhe Kosova, atdheu dhe diaspora, në këtë ndërrim moti, nga majat e bjeshkëve lëshuan në mollëzat e faqeve ca pika loti!

 

M

Sërish një janar me acar. Një janar që na i ka marrë gjithmonë njerëzit më të zotë, më të mirë! Të shpatës e të pushkës, të jataganit e të dyfekut, të penës e të dijes. Sërish janari. Por ky janar, më shumë se acar, sot ka një sfond të bardhë.

Sërish i njëjti zë. Po ai zë, zëri i shekujve shqiptarë, zëri që përkulë ujëvarat e bjeshkëve, zëri i lahutës hyjnore e zëri i zemër-thirrjeve.

Sërish e njëjta bardhësi. Si ajo e një dite vere, kur Rugova nxori nga arkat e thesareve të saj, shaminë e bardhë të lokemadheve të Rugovës kreshnike, duke e shpalosur atë palë-palë si një mall të valë nëpër fjalë, tek i tha Poetit të Vargut të Gjakut („Kosova është Gjaku im që nuk falet!“) :

Lamtumirë Poet! Të qoftë i lehtë dheu! Dhe Paqja: E Amshueshme!

Asnjë mermer nuk do të ishte më monumental. Asnjë ceremoni mortore nuk do të ishte më denjë. Asnjë komb nuk do të dinte të nderonte më shumë, më bukur!

Ramiz, është sërish po ajo bardhësi kur u shfaqe në ekranin e Radio Televizonit të Kosovës, kur fole gjithë dashuri në emisionin Kult, me një sfond librash gjithë përjetësi!

Si në janarin e vitit 2012-të, si në janarin e vitit 2017-të! Një sfond bardhësie me përmasa përjetësie.

 

I

Ramiz! Sot, kaq shumë po ma kujton atë thënien e madhe të Viktor Hygoit, të cilët e lartësove në ato të paharruarat Kokrra Kripe Arbërore:

“Shkrimtari, thonë, krijon në gjallje të vet bazament e përmendore, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë ose jo bustin!”

Dhe pikërisht sot, sot si asnjëherë tjetër, sot si kurrënjëherë tjetër, më vie ndërmend thënia e Jeronim De Radës se: “Me kalimin e kohës, erërat e botës e rrisin flakën e mendjes. Pena e atyre që do të dijnë ta përdorin si duhet do t’i durojë të gjithë shekujt.”

Pikërisht sot, më vie ndërmend ajo që e the vetë për De Radën:

Shpirtërisht e gjithsesi i prirë e i gllabëruar për letra e arte të bukura.

Ramiz, përse po ma kujton kaq shumë De Radën sot?!

Sepse gjurmëve të De Radës shkove e shkrove!

Sepse edhe vetë u gllabërove njëlloj, si ai bardi i madh i letrave shqipe:

Shpirtërisht e gjithsesi i prirë e i gllabëruar për letra e arte të bukura.

 

Ramiz!

Sot, Republika e Lirisë dhe Republika e Letërsisë, të puthin në dy faqe! Sipër të vënë ca kurora me lule, ca lulebore dhe ca trëndafila me manushaqe!

Sot e mot: Ramiz Kelmendi!

Si në vjershën e Gjergji Komninos kushtuar Jeronim De Radës:

Ndaj o Shembëll’ e së Mirës, shpirt’ i-yt le të shkëlqejë,

Sepse t’arthmet gjenerata, vallë kush do t’i ushqejë?

Vetëm hov’ i këngës s’ate me një tingull të malluar

E në vargjet shekullore do të mbetet si pasqyrë,

Se, një vlerë që s’mohohet, aq të lartë njerëzore,

Pati frym’ e punës s’ate, nga fuqija besimtare,

Sa në zemrat e të rinjve, t’është ngritur përmednore.

 

Pra, me dritën e mendimit të kulluar që Ti pate,

Frymëzo shpirtat e njoma pas të shenjtës gjurmës s’ate!

 

Z

Ramiz! Edhe sot, është po ai sfond bardhësie me përmasa përjetësie, si në atë që na la Zef Skiroi për De Radën (të cilin aq shumë e deshte, aq shumë e çmove, aq shumë e adhurove, dhe të cilin aq shumë e përjetësove):

“Udhëtimi i tij i fundit ndriçonte me një episod të denjë për legjendat më të bukura të etërve të shenjtë. Sepse me nderet që i bënë njerëzit kufomës së tij u bashkuan, si me vullnet hyjnor, ato të natyrës. Pranë varrezave, në çastin e lamtumirës së fundit të farefisve e miqve, nga një bajame e lulëzuar aty afër, u ngrit, e rrëmbyer nga era një re petalesh të bardha, që ra, duke e zbardhur të gjithë qivurin e të mjerit De Radë. Toka bujare e lindjes, duke pritur në gji trupin pa jetë, përshëndeste birin e vet të madh me buzëqeshjen e pranverës që po vinte dhe shumë veta në episodin tokësor deshën të shihnin shenjën e përqafimit qiellor të Zotit me shpirtin tepër fetar të Poetit”.

Edhe sot, një zemër-klithje e një zemër-thirrje si ajo që lëshoi Viktor Hygoi përpara arkivolit të Balzakut:

Honore! Ja kush të ka dashur me gjithë shpirt!

RAMIZ! …

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, i tokës bujare të lindjes dhe i tokës bujare të gjakut!

Ngushëllimet më të sinqerta Familjes së Nderuar Kelmendi, Familjes Emblemë në kulturën shqiptare!

Ngushëllime më të sinqerta, të gjithëve, emër për emër: që nga më i moshuari e deri tek më i riu!

Ngushëllime, gjithë farefisit Kelmendi!

Ngushëllime, botës shqiptare!

Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe nderimi për Ramiz Kelmendin!

Për jetë e mot, Ramiz Kelmendi do të mbetet një emër që e kemi dhe do ta kemi shumë për zemër!

Pa dyshim, edhe një dëshmi se Rugova është shamibardha jote Shqipëri!

Pjesa e parëPjesa e dytëPjesa e tretë