RA QË TË MOS BINTE JUNIKU

Në 19-vjetorin e rënies së dëshmorit Bastri Hajzer Beqiri

Bedri TAHIRI

RA QË TË MOS BINTE JUNIKU  

Familja e dëshmorit Bastri Beqiri ishte një trung i lashtë burrërie. I ati, Hajzeri, dallohej për të mirë në gjithë rrethinën ku jetonte. Ishte i fjalës, i besës dhe gjithmonë eci në rrugën e lavdisë. Dallohej edhe për mençuri. Dinte të fliste nëpër kuvende dhe besa edhe i këndonte shumë këngë trimërie e sidomos ishte interpetuues i këngëve kreshnike.

Djaloshi syshqiponjë

Fëmija i gjashtë i prindërve Hajzer e Vahide  Beiqri qe Bastriu, i cili në këtë botë erdhi më 26 qershor 1976. Qysh si i ri u dallua prej të tjerëve. Ishte i shkathtë dhe syshqiponjë. Mësimet e para i mori në Pantinë, kurse të mesmet në Vushtrri…

Dashurinë për atdheun dhe të parët e vet e kishte thadruar në mendje qysh si fëmijë, duke dëgjuar rrëfimet e pleqve urtakë dhe këngët e trimërisë. Dhe, kur plasen demonstratat dhe lëvizjet kundër pushtuesit të përtej Tunës, ishte i gatshëm të futet në radhët e para, duke mos i bërë syri tërr para tytave vrastare serbe.

Mirëpo, kur i dëgjoi krismat e para andej përtej kodrave, në Drenicën heroike, ku dragonjtë kamxhikosnin kuçedrën shumëkrerëshe, zemra e tij u bë mal. Atentatet e njëpasnjëshme të Adem Jasharit me shokë kundër policisë serbe, sa në Skënderaj, sa në Drenas, sa në Mitrovicë, kishin zënë t’ua fusin lepurin në barkë kukudhave, në njerën anë, dhe t’u jepnin zemër shqiptarëve për ta luftuar më me forcë armikun shekullor.

Në radhët e UÇK-së

Djaloshi Bastri Beqiri kontaktet e para me luftëtarët e lirisë i bëri në Pantinë, ku me kohë ishin formuar njësitet e para ushtarake, duke vënë edhe pikat vepruese, madje mu pranë rrugës që shpie për në Ashlan e në Mitrovicë. Kjo u pat dhënë zemër banorëve të kësaj ane dhe gatishmëria e këtyre trimave për t’u flijuar për atdhe garantonte se liria nuk ishte larg.

Faktikisht, Bastriu, u mobilizua në shtabin lokal të Ashlanit, më 26 qershor 1998. Sakaq, numri i vullnetarëve shtohej e armatimi mungonte. Dhe, më 19 korrik 1998, rreth 500 luftëtarë, u nisën drejt Alpeve Shqiptare për ta kaluar kufirin vëllandarës shqiptaro-shqiptar. Në mesin e tyre ishte edhe Bastri Beqiri.

Në betejën e Junikut

Vajtje-ardhjet e luftëtarëve të lirisë shtigjeve të Alpeve Shqiptare dhe furnizimi i vazhdueshëm me armatim e municion i fronteve të luftës në Kosovë, u kishte rënë në sy barbarëve serbë dhe me çdo kusht përpiqeshin ta pengonin. Me tërë arsenalin policor-ushtarak ishin përqëndruar përgjatë kufirit. Një grup i madh, me mbi 1000 veta, kishte rënë në pritën kombtare serbe në Padesh, te Rrasa e Zogut, ku kishin mbetur të vrarë disa luftëtarë të UÇK-së. Kjo kishte ngjarë mu kur grupi i Bastriut po nisej andej. Por, fati e deshi që ky grup të kthehej pa probleme.

Kur arrijnë në Junik, Bastriu me disa bashkëluftëtarë takohen me eprorët e shquar Bekim Berisha-ABEJA, Bedri Shala, Elton Zherka e Bashkim Leku. Dhe, vendosën të ndalonin aty e t’u ndihmonin në mbrojtjen e Junikut që ishte rrethuar nga të gjitha anët.

Më 10 gusht 1998 zhvillohet edhe një betejë për Junikun. Forcat serbe u thyen keq, duke lënë edhe një tank në fushëbetejë. Bedriu i afrohet tankut, duke thënë: “Ja e çoj këtë tank në Drenicë, ja nuk kthehem i gjallë”! Dhe, tamam kur po hynte në tank, një plumb i snajperit serb e godet në krahëror. Në mbrojtje të trupit të tij niset edhe Bekim Berisha- ABEJA, i cili, po ashtu vajti në përjetësi. Atë ditë, në fushën e nderit ranë edhe bashkëluftëtarët, Elton Zherka, Përmet Vula e Bashkim Leku.

Bastri Beqiri me bashkëluftëtarët e tij besnikë: Sadri Morinën nga Akrashtica, Blerim Kalludrën nga Pantina, Maxhun Malokun nga Juniku etj., ishin pozicionuar afër trafos, në pikën “7 Shtatori” dhe qëndronin si dragonjtë e pathyeshëm. Forcat serbe i kishin shumë afër, komunikonin e shaheshin gojë me gojë. Sakaq, një predhë minahedhësi pëlcet mu pranë tyre. Bastriu plagoset rëndë, por nuk pranon të tërhiqet nga vija e frontit. Ashtu me ciflën e granatës në shtat lufton e qëndron, derisa popullata tërhiqet nga rreziku.

Në ndërkohë, bashkëluftëtarët e tërheqin dhe paraduarsh e dërgojnë deri në lagjen Gacaferri, në ambulancën e improvizuar. Prej aty e nisin për në qytetin Bajram Curri, ku e merr helikopteri ushtarak dhe e dërgon në spitalin ushtarak të Tiranës. Plagët ishin të rënda dhe nuk shërohen dot. Kështu, më 17 gusht 1998, shpirti i tij vajti në amshueshmëri dhe zuri vend nderi në Altarin e Pavdekësisë. Trupi i tij varroset në Tiranë.

Më 24 qershor 2004, eshtrat e tij u zhvarrosen për t’u rivarrosur më 25 qershor 2004, në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë.

Lavdi dëshmorit Bastri Beqiri dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë!