Ra ky mort e u pamë, në LDK

Ra ky mort e u pamë, në LDK
(Lëvizjet ne kohë pandemie)

Nga; Ramazan Bekteshi

Sot, tapia e LDK-së është përbuz, është shkel, është përdhos. Sot ajo është në duar te uzurpatorëve të licencuar nga autokrati. Në LDK ende defilojnë pleqtë pazarxhinjë, ata që thirren në rugovizëm por veprat i kanë antirugoviste, ata që ia vizitojnë Presidentit Rugova varrin vetëm kur ka zgjedhje, ata që s’e kanë as siklet që t’ia shkruajnë epitafin, partisë.

Sot, kur flitet për projekt-marrëveshje e klauzola të dyshimta për korrigjim/shkëmbim kufijsh, kur flitet për amnisti të përgjithshme, falje krimesh, pajtim, ju LDK-stë të mi heshtni, por jeni vërsul si bisha ndaj ish partnerit tuaj qeverisës, për të marrë pushtetin si humbës, në kohë mortaje.

Sot, ai premtimi i famshëm i LDK-së gjatë zgjedhjeve me moton “Beso” u bë i pabesë e imperativi i foljes “Beso” është zëvendësuar me një folje tjetër po në mënyrën urdhërore “Tradhto” si urdhër suprem për kryesinë që vjen nga Presidenti HTH për LDK-në. Partia që në emër të rugovizmit zvarriti, linçoi gratë më të vyeshme të shtëpisë jashtë porte, (Donikën më herët e Vjosën me tendencë tash).

Sot LDK-në e udhëheqin njerëz që heshtën për vrasjet e anëtarëve më të përkushtuar të LDK-së, më të guximshmit, heshtën qe 20 vite. Sot LDK-në e udhëheqin ata që i shuan Degët e LDK-së në diasporë, asetet më të forta të partisë që në zgjedhjet e fundit ua panë edhe sherrin sepse ata votuan për kundërshtarin e drejtpërdrejtë politik, dhe ikën me gjasë që të mos kthehen më kurrë.

Sot LDK-në e udhëheq një satrap, një lider që erdhi me hile dhe i shkaktoi LDK-së vetëm humbje dhe asnjë fitore të vetme, ‘akademiku’ me duar në xhep ia humbi partisë edhe bastionin më të fuqishëm, Prishtinën dhe njerëzit për rreth heshtin, askush nuk kërkon përgjegjësi, askush s’dëshiron të rebelohet sepse e di ç’e pret.

Sot LDK-në e udhëheqin njerëz që e shuan QIK-un, dritaren më të shkëlqyeshme të Kosovës në kohë okupimi, dritaren e vetme që ishte pikë referuese dhe burim i besueshëm i shtypit dhe medias botërore të kohës, dritaren për të cilën ra i madhi Enver Maloku.

Sot LDK-në e udhëheqin njerëz që kurrë s’patën interesim të mbledhin arkivat e degëve të LDK-së në Diasporë që shtriheshin prej Europe, në Australi, Amerikë, Kanada e deri në Alaskë, që asnjë parti në botë nuk ka pas shtrirje në tre kontinente. Ajo, udhëhiqet nga njerëz që s’patën interesim e guxim qytetar të themelojnë arkivin e LDK-së si institut shtetëror.

Sot, LDK-ja nuk ka në sirtar asnjë film dokumentar me vlerë të sakrificave të panumërta, brenda e jashtë vendit, as për heronjtë e vërtetë të Luftës për pavarësi, Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj, Salih Çekaj, Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, Adem Jashari dhe heronjtë e pas luftës. LDK ishte në pushtet por s’e pati këtë preokupim kurrë.

Sot në LDK është harruar flamuri Dardan dhe himni ‘Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë’ që na e la trashëgimi Baba, krijuesi i shtetit. Por, këta njerëz si ngushëllim na sollën Zajednicën dhe e falën Çakorrin së bashku me HTH. Derisa në pushtet lideri i LDK-së kurrë s’e luftoi krimin por ishte pjesë e tij. Në LDK njerëzit nuk janë të lirë nga frika por disa janë të prirë për vasalitet.

Sot në LDK sundojnë ata që nga ‘akademia » e tyre nuk doli asnjë studim për okupimin, luftën e fundit, asnjë kërkesë për dëmshpërblim nga agresori qe dogji mbi gjysmë milioni të shtëpive e objekteve ndihmëse, për plaçkitjet dhe asgjësim të bagëtisë, masakrat masive, dhunimet e 20.000 femrave, vrasjen e 1500 fëmijëve gjysma nën moshën 5 vjeçare, e agresorin se paditën për gjenocid as pas 20 vitesh.

Sot LDK-ja ka mbet qyqe, sepse ata burrat dhe gratë e zellshme në Europë e Amerikë që lobonin për LDK-në e Kosovën dhe dërgonin lekë gjatë viteve të vështira e të lavdishme nuk janë më me partinë, sepse ajo ua përplasi portën në fytyre, LDK-ja s’ka miq ne Amerikë përpos Grenell që i shfrytëzoi keq për mizervillëk,

Sot në LDK riciklohen vetëm ato kuadro që janë të dëgjueshëm, sot kryetar dege mund të jesh vetëm nëse je krahu i Isës. Sot për deputet nominohesh sërish vetëm nëse je njeriu i Isës, i Isës duhet të jesh edhe në Këshill të Përgjithshëm edhe në Kryesi. Dhe të gjithë të Isës, rrethuar rreth tij nuk votojnë si në demokraci, por e zgjedhin kryetarin me konsensualitet si në Korenë Veriore, dhe mburren, sepse këtë e quajnë unitet.

Sot, LDK-në e udhëheq Ministri i Financave në qeverinë Bukoshi, që jetoi si beg nga ai fond me vite me tërë familje, por që s’dha kurrë llogari për milionat e zhdukur të fondit. Isa, qe e shiti Dardania Bank-ën dhe nuk la as nam as nishan. Sot, tandemi i tiranëve ISA-HTH, bosat e fondeve “Vendlindja Thërret” dhe “Fondi i Qeverisë, 3%” ende sundojnë pas 20 vitesh, në akordansë të plotë, por tani si multi-milionerë.

Sot e kësaj dite, në LDK ka mbet një ves i keq nga historia jonë e hidhur, nënshtrimi, ata harrojnë se ne jemi të pavarur dhe kjo s’vlen më. Historinë tonë në të kaluarën e bënë të huajtë por edhe me dorën tonë të mallkuar. Tani ka ardhur koha historinë ta bëjmë ne sipas interesave tona shtetërore, pse me të vjetrën, harroje vasalitetin, o lider i trishtë me shkopin e kobshëm.

Sot, në LDK nga i gjithë ky trishtim, vasalitet e okupim, ndodhi dhe një e mirë, ‘Ra ky mort e u pamë’, u panë ata që funksionojnë me urdhra te HTH kundër interesit të partisë dhe Kosovës, fatmirësisht ata janë të paktë. Elektorati i LDK-së është i sinqertë, i edukuar, i zgjuar. Ky elektorat mund të bëjë ndryshimin, t’i pensionoje despotët, të reformojë partinë, dhe t’u kthehet fitoreve si në kohën e Babës. Koha është tani, mos i BESO të tashmes por të ardhmes së LDK-së së reformuar, me fryme e forca te reja, si Vjosa Osmani e Donika Gërvalla. Mos lejoni që këta të sotmit t’ia shkruajnë epitafin partisë.

 

Autori: Ramazan Bekteshi PhD, Alexandria, Virginia-USA
Ish-kryetar i degës së LDK-së Chicago dhe Koordinator i degëve te LDK-së për Amerikë e Kanada (1990-2000), si dhe National Albanian-American Council, Board of Directors (1996-2000)

 

*Marrë nga prifili i autorit në FB: https://www.facebook.com/ramazan.bekteshi.7/posts/616590152402330

Pamfleti: https://www.youtube.com/watch?v=OHGIU1vkHWs&feature=youtu.be&fbclid=IwAR146wkkMjA-cGKwl3i2KAYKR3pw5TLw2d41Lk2-PnYSUKakAA4bfOrDA6M