‘Qeveria Hoti’ në teh të shpatës!

hkruan: Florim Zeqa                     04.06.2020

‘Qeveria Hoti’ në teh të shpatës!

Jo për ta lidhur vazhdimësinë e shkrimeve, por për ta tërhequr vëmendjen e deputetëve të Kuvendit, shkrimin e sotëm do e nisi me përfundimin e shkrimit paraprak.

« Vakumet ligjore që ndodhen në bazamentin juridik (Kushtetutë), janë çështje tjetër me të cilën duhet të merren me urgjencë ekspertët ligjor dhe ligjëvënësit e kësaj legjislature, me amandamentimin dhe plotësimin e neneve të kushtetutës, në mënyrë që të mos na përseriten të njëjtat paqartësi ligjore dhe konteste gjyqësore të llojit të njëjtë.

Çështje tjetër më të cilën duhet të mirret me urgjencë kjo Legjislaturë e Kuvendit, është ndryshimi i ligjit zgjedhor dhe nxjerrja e një ligji të veçantë të kushtetutës për zgjedhjen e drejtëpërdrejt të presidentit nga populli, i cili do të pamundësonte futjen në pazar të postit të presidentit gjatë marrëveshjeve për koalicion të ri mes subjekteve politike. Ligji për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, do të bënte që muaji Maj i vitit të ardhshëm ta gjejë Kosovën me një president të ri të votuar nga populli, e jo të kontrabanduar si më parë ».

 

Ndërrimi paqësor i pushtetit, ogurë i mirë për të ardhmen e shtetit

Pa dashur të komentoj zhvillimet që ndodhen në seancën e 3 qershorit kur u votua ‘Qeveria Hori’, dua të them që, gjëja më pozitive ndodhi me ndërrimin paqësor të pushtetit. Heqja dorë e Vetëvendosjes nga rezistenca, përkatësisht nga protestat e  paralajmëuara, për herë të parë në ekzistencën e këtij subjekti politik, e bën Albin Kurtin liderë të përgjegjshëm.

Ndryshe, ky veprim i matur dhe pranimi në heshtje i verdiktit të kushtetueses për zhbllokimin e ngërçit politik nga LVV-ja, janë shprehje pozitive e respektimit të institucioneve shtetërore.

Na mbetet të shpresojmë se, Albin Kurti si adoleshent politik në qeverisjen e vendit, të ketë mësuar mjaftueshëm nga gabimet në qeverisjen e shkurtër si dhe të ketë nxjerrur mësimet e duhura nga lëshimet në raport me partnerin qeverisës, të cilat i kushtuan me rënje të shpejtë nga kreu i ekzekutivit.

 

Shkallët e ngritjes, do të jenë edhe shkallët e zbritjes së kësaj qeverie

Pavarësisht faktit, se a do të mbetet ‘Qeveria Kurti’ më jetëshkurtër në historinë e qeverive të Republikën e Kosovës, ‘Qeveria Hoti’ shënoi rekordin e parë të zgjedhjes së dy qeverive brenda një legjislature të Kuvendit (nuk do të jetë e fundit).

Jetëgjatësia e ‘Qeverisë Hoti’ është e varur nga këta tre faktorë;

-e para, nga zhvillimi i bisedimeve me Serbinë,

-e dyta, nga Lista Serbe,

-e treta, nga numrat vicioz në Kuvend.

Janë këta, jo një, por tre teha të shpatës nëpër të cilën do të kaloj ‘Qeveria Hoti’. Nëse i analizojmë të trija situatat veç e veç, atëherë secili nga këta faktorë përbëjnë rrezik permanent për rënjën e kësaj qeverie në çdo kohë dhe çdo momentum politik.

Kur kësaj i shtohen problemet socio-ekonomike të grumbulluara dhe rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë, edhe fuqia e shkopit magjik në dorën e kryeministrit të ri do të sfidohet në përballje problemet madhore me të cilat do të përballet ‘Qveria Hoti’.

 

Opozita konstruktive në Kuvend, e domosdoshme për rrethanat kohore

Për herë parë nga përfundimi i luftës, do ta kemi një opozitë të koordinuar dhe të fuqishme e cila do t’i bëhet barrë e rëndë qeverisë së pakicës shqiptare me numra vicioz në Kuvend.

Është mirë që partitë opozitare ta bëjnë punën e tyre duke mos abuzuar me prezencën në koalicionin e ri qeverisës të minoritetit serb (Listës Serbe), kësaj të keqeje të domosdoshme, që është bërë normë kushtetuese pas 17 shkurtit 2008.

Ngase, nga ajo kohë e deri më sot, asnjë qeveri (as ‘Qeveria Kurti’) nuk është formuar pa përfshirjen e monoritetit serb, gjegjësisht të emërimit të dy ose tre ministrave (zv. ministrave) serb në qeverinë e Kosovës.

Opozita duhet të jetë aktive dhe pjesëmarrëse në të gjitha zhvillimet në vend, e në veçanti në dialogun përmbyllës me Serbinë, për shkak se frytet e epilogut final i këtij dialogu do t’i i shijojmë të gjithë së bashku.

Për këtë arsye duhet të bëhemi bashkë, t’i lëmë inatet personale për interesin e shtetit, në mënyrë që ta nxjerrim më të mirën e mundshme nga ky dialog, i cili nuk ka mundësi të prolongohet dhe as të përsëritet më, siq nuk do të përseritet më asnjëherë intervenimi ushtarak për çlirimin e Kosovës.

Për ndihmën e pa parë ndonjëherë gjatë historisë sonë, që na erdhi nga Shtetet e bashkuara të Amerikës  dhe ato evropiane,  Akademiku, Mark Krasniqi, e kishte thënë më mirë se askush tejtër: « Mrekullia vetëm një herë zbret nga qielli », duke aluduar në intervenimin e NATO-s kundër forcave pushtuese serbe.