QERIME SHOTE GALICA NJË ZJARR I SHENJTË ATDHEDASHURIE

Në 90 vjetorin e vdekjes së Heroinës së Popullit, Qerime Shote Galica

Xhemail Peci

QERIME SHOTE GALICA

NJË ZJARR I SHENJTË ATDHEDASHURIE

  1. Nusja e Maleve

“Është hiri i të vdekurve ai që e   ka krijuar Atdheun”
(Lamartini)

Në historinë e luftërave dhe përpjekjeve të parreshtura të kombit shqiptar për liri, pavarësi dhe përparim, emri i heroinës Qerime Shote Galica zë një vend nderi.

Madje, ajo jo vetëm që zë një vend ballor por vështirë është të gjesh një heroinë si Shote Galica, e cila me kalimin e kohëve është bërë kaq e dashur për kombin e saj, duke frymëzuar përgjatë gjithë historisë, si breznitë orëmira ashtu edhe simotrat e saj në luftën për liri.

Qerime Shote Galica është bërë frymëzim brezash dhe mishërim i përpjekjeve atdhetare për çlirimin e tokave shqiptare, për shkak të trimërisë së saj të pashoqe, për shkak të luftës përkrah burrit të saj vigan Azem Bejtë Galicës, për shkak të qëndresës heroike në rrethime të panumërta, por në radhë të parë për shkak të simbolikës tepër të veçantë që përfaqëson ajo si Nusja e Maleve.

Shote Galica u lind e u rrit në flakët e luftës për lirinë e Kosovës. Kënga, pushka dhe libri ishin tri dashuritë e saj të mëdha, ndërsa dashuria për atdheun ishte mbi çdo gjë tjetër.

Qerime Shote Galica është një ndër femrat e rralla shqiptare që veshi rrobet kombëtare, rroku armët e hodhi hapa prej heroineje, jo vetëm duke u rreshtuar përkrah burrit, por duke e udhëhequr luftën për çlirimin kombëtar edhe pas vdekjes së Azem Galicës.

Duke u bërë prijëse e çetës luftarake, duke kryer aksione e atentate, duke sfiduar barbarinë serbe, duke çarë rrethime e duke ngjallur shpresa për të ardhmen, ajo u bë një shembëlltyrë sa fisnike po aq edhe heroike, sa bujare po aq edhe atdhetare.

Fotografia e Shote Galicës krah për krah me burrrin, është një ndër fotografitë e rralla e cila shqiptarëve u ka ngjallur e do t’u ngjallë sot e mot emocionet më të gjalla, sepse ajo është një fotografi ku qëndrojnë bashkë mali dhe bjeshka, trimëria dhe krenaria, guximi dhe sakrifica, e bukura dhe e madhërishmja, dashuria dhe besnikëria, gërsheta dhe pushka, bekimi dhe betimi, kreshniku dhe shqiponja, historia dhe legjenda, bardhësia dhe përjetësia, Heroi dhe Heroina.

Fotografia e Azem e Shote Galicës, është një nga fotografitë e rralla e cila ka hyrë përjetësisht në kujtesën kombëtare të shqiptarëve. Ajo është një nga pamjet më të rralla të dy prej figurave nga më të shquarat, dhe gjithsesi edhe nga më të dashurat për të gjithë shqiptarët. Ajo është një fotografi ku një dorë besnike e betuar në armët jetike, bie si një kurorë mbi supin e burrit dhe të bashkëluftëtarit, sup që aq shumë ka shëmbëllyer me malet epike; një fotografi gjithë bardhësi plisash e hijeshi fytyrash, në të cilën ideali që përfaqësojnë shfaqet në një sfond si prej legjendash.

Pamja me rrobet kombëtare të Azem e Shote Galicës, jo rrallë shqiptarëve u ka ngjallur përfytyrimin e pararendësve të tyre: Agronit dhe Teutës. Ndjenja krenarie dhe mallëngjimi kanë përshkuar e përshkojnë qenien shqiptare sa herë që shikojmë këtë fotografi, sa herë që përkujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e panumërta të Azemit dhe Shotës, për liri e pavarësi kombëtare.

Në mënyrë të veçantë, Qerime Shote Galica me rrobet e saj kombëtare, me plis e me tirqi, me armët ngjeshur e mbi supin e të burrit mbështetur, mishëron luftën e përbashkët që kanë bërë shqiptarët përgjatë gjithë historisë, duke u rreshtuar në vijën e zjarrit burra dhe gra.

Qerime Shote Galica në fushëbetejat për çlirimin e truallit amtar, është vetë Mamica e Gjergj Kastriotit, por ajo gjithsesi na përkujton edhe simotrat e tjera të saj që u rreshtuan përkrah burrave të tyre atdhetarë: Igballe Prishtinën përkrah Hasan Prishtinës, Qamile Boletinin përkrah Isa Boletinit, Evdhoksi Gërmenjin përkrah Thimistokli Gërmenjit, Androniqi Gramenon përkrah Mihal Gramenos, Sevasti Qiriazin- Dakon përkrah Kristo Dakos, Ajshe Vakun përkrah Lotë Vakut, Adile Boletinin përkrah Adem Boletinit…

 

  1. Heroinat e Shqipërisë

“Se dheut, të vrarët, ia shtojnë pjellorinë…Sa sofra dasmash u përmbysën e sa djepe mortja i thau…Mos i harro o njeri, ato që ndodhën e shkuan mbi dhe. Në do si njeri të rrosh, ato që mbi dhe do të rrjedhin, kallëzoja, o babë, birit e ti, bir, birit tënd…” (Betim Muço. Kënga e Isës. Nga romani “Gjurmët e vetëtimës”, kushtuar Isa Boletinit)

Qerime Shote Galica, ashtu sikurse simotra e saj Paro Kita kishte një qëllim të shenjtëruar. Qerime Shote Galica luftone në mbrojtje të Kosovës nga shovenistët serbë e malazezë, ndërsa Paro (Parashqevi) Kita luftonte kundër shovenistëve grekë.

Qerime Shote Galica, së bashku me burrin Azem Galicën kishte ngritur flamurin në Zonën e Lirë të Arbërisë së Vogël, kurse Paro Kita (e bija e atdhetarit të devotshëm Vasil Kita) e kishte ngritur flamurin e bekuar kuqezi në shtëpinë e saj, në Gostivisht të Kolonjës.

E gjithë jeta e Qerime Shote Galicës ishte luftë. Luftë për jetë a vdekje, luftë në shtetrrethime të hekurta, në të cilat ajo luftoi heroikisht përkrah Azem Galicës, por edhe përkrah nënë Sherifes. Ajo do t’ia falte atdheut 22 martirë të lirisë nga familja e saj, do t’i bënte atentat naçallnikut të Mitrovicës për krimet e bëra në Drenicë, do ta lëshonte me duart e veta në shpellën e thellë mbi 70 metra viganin e maleve kreshnike Azem Galicën, do të lëshonte nga zemra e saj e madhe e para kushtrimin: “O, prite Azem Galicën, prite”, do t’i përgjigjej kushtrimeve kryengritëse për ta mbajtur gjallë luftën për liri e pavarësi kudo që e kërkonte koha, do të luftonte edhe përkrah Plakut të Maleve, Bajram Currit (më 1925 në Has, Kukës e Lumë); do të shquhej për trimëri, për mençuri e gjithmonë e etur për dituri, me plagë në trup e me dhembje në shpirt për fatet e atdheut do të kujdesej në momentet e fundit të jetës së saj për kalamajtë e cfilitur të Kosovës martire (të cilët kishin mbetur jetimë), dhe do të mbyllte sytë Në Fushë-Krujë, e izoluar qëllimisht nga regjimi zogist- e lënë në varfëri, por me vështrimin e syve kthyer kah Kosova, si vetë shkëndija e diellit ndaj manushaqes, sepse emri përkëdheltar me të cilin e kishte thirrur babai i saj atdhetar Halil Radisheva: Shotë, do të shtrihej përjetësisht në qiellin e përflakur të arbërit, ashtu siç do të shtrihej edhe vetë ajo, herë si një shqiponjë me flatra e herë e veshur me tirq e xhamadan, me plisin përmbi vetull e me armët e brezit ngjeshur…

Paro Kita u vra në shtëpinë e saj nga bandat e barbarëve grekë më 1914, por para se të binte në përleshje me ta, ajo i tha xhelatit grek Stratoit, e rrjedhimisht edhe gjithë përfqësuesve të megaloidesë famëkeqe se: “E kam për nder të vdes për Shqipërinë! Jam shqiptare dhe vdes për kombin tim!”

E tillë ishte edhe vlonjatja Sado Hamza Koshena (Heroinë e Popullit) e cila me pushkë në dorë (ndonëse 52 vjeçare) luftoi kundër pushtuesve turq, kurse në moshën 57 vjeçare, duke iu përgjigjur thirrjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, së bashku me dy djemtë e saj (Bejan dhe Metën) zbrapsi forcat greke në Llogara. Ndërkaq, në moshën 65 vjeçare, së bashku me të tre djemtë dhe duke i pri çetës prej 13 vetësh, më 4 dhe 5 qershor të vitit 1920 e shpartallojnë garnizonin italian, kurse në Vlorë, në Drashovicë e Shushicë, në muajt qershor-korrik, shkroi epope të re trimërie e lavdie kundër pushtuesve italianë.

Sado Koshena edhe në moshën 90 vjeçare e përkrahu pa rezervë, me djemtë e saj dhe me gjithë familjen luftën çlirimtare kundër pushtuesve nazi-fashistë.

Populli në shenjë nderimi dhe respketi, falënderimi dhe mirënjohjeje, i përjetësoi në këngë bijat e saj më të denja:

Vesh’ si burra dhe burrërore,

                                  Sado, lulja e Labërisë,

                                  Shotë, legjenda e Kosovës,

                                  Heroina të Shqipërisë.

 

Qerime Shote Galica është krenaria dhe dinjiteti i të qenunit shqiptare, ashtu sikurse si dhe heroina Nora e Kelmendit (e cila u printe në fushë të betejës 300 grave të armatosura), si Tringë Smajlja e cila u rreshtua në vijën e parë të zjarrit në luftë kundër pushtuesve malazezë, si Kaje Gajlja e Bege Maliqja që me armë në dorë luftuan pushtuesit shekullor të tokave tona stërgjyshore.

Qerime Shote Galica do të ringjallet me kalimin e kohës tek figura e luftëtareve të lirisë si Marie Shllaku, tek Adile Jashari- e cila do të gjendet përkrah Adem Jasharit, Salë Jashari (Tringa e Prekazit)- e cila do të luftonte përkrah Hamit Jasharit (dhe e cila ra duke luftuar me heroizëm të rrallë në kullën e saj në Prekaz në marsin e vitit 1998), tek heroina Xhevë Krasniqi-Lladrovci (e cila luftoi përkrah burrit të saj Fehmi Lladrovcit), tek Hanëmshahe Abdullahu-Zymberi (Nushi)- e cila rroku armët e lirisë përkrah burrit të vet Tefik Zymberit; apo edhe tek Hyrë Emini (Heroina e tri lufërave), tek Fatime Hetemi (e mbesa e luftëtarit të papepur kundër bandave gjakatre partizano-çetnike, Kadri Bistricës), në përpjekjet e tyre titanike për ta çliruar Kosovën dhe trojet shqiptare nga thundrat barbare serbe.

 

  1. Ti do të vish!

“Ku vemi? Ky vig që lëkundet më kujton djepin e nënës, që më merrte gjithmonë në shpinë. Me djepin tim e të Konstandinit ime ëmë u çonte barut luftëtarëve. Nga gjumi më zgjoi një krismë, dhe një krismë po më vë në gjumë…Më varrosni pranë fortifikatës Gjergj Kastrioti, që hija e tij të më qetësojë. (Faik Ballanca. Kënga e fundit e Marko Boçarit)

Figura e Qerime Shote Galicës, është përjetësuar shpesh edhe në vargjet e këngëve popullore. Një nga këto këngë, shquhet për dyvargëshin e saj:

Çohu moj Shotë, çohu prej varrit,

                                T’thërret koburja e shqiptarit!

 

Shote Galica, gjithmonë qe aty ku e kërkoi kushtrimi i luftës për liri. Ajo u bë frymëzim brezash e krah shqiponje.

E Shote Galicës, prapë po i thërret koha:

Çohu moj Shotë, çohu prej varrit,

                              Po t’thërret zemra e shqiptarit!

 

Nuk është e largët dita, kur do të çohet prapë Shote Galica! Do të çohet për t’u nisur sërish në rrugëtimin e saj final, për të ardhur në tokën e të parëve, në truallin stërgjyshor. Aty tek gjiri i vatrës, aty tek pragu i kullës, aty tek djepi i lavdisë, tek Drenica trime.

Sërish përkrah Azemit.

Do të vijë Shota. Sërish do të vijë e sërish do të jetë: Heroinë e shkuar Heroinës.

Do të vijë, se aty e ka vendin. Aty, tek varret e të parëve.

Aty, përkrah Kryetrimit.

Aty ku e kërkojnë breznitë orëmira!

Aty ku e thërret që sa vjet dhe pena kushtrimtare e Bedri Tahirit!

Çohu moj Shotë!

E kur të vijë, ajo sërish to të kaptoj fushat dhe malet, shtigjet dhe bjeshkët, gurët dhe shkrepat. Matanë do ta përcjellin Rozafa e Argjiro Monavica, Sado Koshena e Paro Kita. E këtej, malet e larta do t’i dalin përpara. Do të ulet në gjunjë Qyqavica e do ta pret me krahë të hapur Drenica trime. Si Nuse Malesh do të vijë prapë Shota. Se Nuse Malesh u nis. Nuse Malesh mbeti që kur u nis drejt përjetësisë.

Flaka e pashuar e lirisë, e cila me armë në dorë kaloi shtigje e çau shtetrrethime topash dhe pritash të vëna me zjarr dhe me hekur, do të vijë Rrugës së Kombit. Andej kah kaloi sa e sa herë, andej kur theu kufirin e gurëve të përgjakur, e ku ngriti pelerinatën e gjakut në një ideal të shenjtëruar për lirinë e mëmëdheut.

E kur të vijë Shota sërish në Drenicë, do të gëzohen i madh e i vogël, do t’i del përpara për ta pritur një komb i tërë.

Kanë me t’dalë para edhe zogjtë e malit e kanë me t’marrë n’gryk edhe lisat e ahit!

Guri e druri kanë me u gëzue!

Kanë me gëzue lisat dhe plisat!

Dy shtete si kurorë të asaj gërshete që mbi supe hodhe kur u betove, roje nderi kanë me të qëndrue!

Do të zbrazen prapë pushkët, si ditën kur u linde.

E rapsodët, këngën e Dervish e Shaqës, nga palca e zemrës kanë me ta këndue!

Kanë me t’dalë para burrat me moshë mbi supe, veshur me plisa t’bardhë, me tirq e xhamadana. Nënat dhe motrat kanë me t’pritë me krahë të hapur, e n’Dardani prapë kanë me ra trumpetat me tupana: në kujtim të Dasmës sate, o Nuse Malesh!

Nuse e shkuar nusesh!

E zani i zemrave ka me shkue deri në kupë të qiellit:

PO VJEN SHOTA E AZEMIT!

Kanë me t’dalë para Nënë Sherifja e Nënë Zahideja e Jasharajve, bashkë me Lokemadhen Ajshe Gërvalla. E tok me to edhe ca shoqe tua. Ca motra do të vijnë edhe ato tek votra: Xheva e Hanëmshahi, Fatimja e Hyra…

Dheu i Arbërit do të gëzohet e të rinohet.

Ashtu sikurse u gëzua kur u kthye Doruntina!

Kur e solli Konstantini!

Besa e Madhe kur e solli!

Tej 9 kodrave, tej 9 maleve, tej 9 bjeshkëve, Ti prapë do të vish:

Nusja e Maleve!

Krushqit e ngrirë do të ngjallen prapë e si rreze dielli në të dy anët e rrugës prapë kanë me u rreshtue për me t’nderue:

Ahmet Delia e Mursel Ahmeti, Bacë Hasani e Bacë Bajrami…Shaban Polluzha e Mehmet Gradica…Tahir e Nebih Meha, Jasharajt trima e legjendarë.

Si xherdan yjesh do të vijnë dhe ata, e do të ndrijnë me radhë!

Një nga një kanë me t’puthë me mall!

E për pajë, Kosova martire, kryevargun e Pjetër Bogdanit do ta vë si kurorë në ballë:

Veshur me diell, mbathur me hënë!

Ti do të vish, ashtu siç erdhe gjithmonë kur u nise në rrugëtimin tënd drejt lirisë. E prapë kanë me ra telat e çiftelisë, të cilës ia the aq bukur, të cilën e deshte aq shumë, si vetë grykën e pushkës:

Lum Kosova e lum Drenica,

                               Heroinë Shote Galica.

                               Shqipe mali me dy fletë,

                               Dymbëdhjetë vjet luftoi në çetë!

 

Ti do të vish, ashtu siç ke ardhur gjitmonë.

Ashtu siç të pat e siç të ka sot e mot, Shqipëria:

Lule në kraterin e vullkanit!

Sot e mot, një zjarr i shenjtë atdhedashurie:

Nusja trime nga Drenica,

                              QERIME SHOTE GALICA.

 

Londër, 3 korrik 2017