Qamil Goçi, mjeshtër-dekorator dhe luftëtar i devotshëm nga Kosova

Qamil Goçi, mjeshtër-dekorator dhe luftëtar i devotshëm nga Kosova

Qamilin e pata takuar për herë të parë  në Zvicër. Në një bisedë pat thënë: « Jam krenar për të parët tanë ILIRË… Jam gjithashtu krenar për gjyshërit e mij», dhe po filloj shkrimin tim për Qamil Goçin me idenë që të jap një përshkrim të shkurtër por tejet konkret të katër brezave që i paraprijnë…

Qamil Goçi lindi më 1954 në Molliq : Që nga fëmijëria tregoi interesim dhe prirje për mjeshtri : Gjatë shkollimit fillor në Junik, në lëndën e Edukatës Politeknike tregonte sukses të jashtëzakonshëm, bile kur e sjellte në shkollë ndonjë vegël pune apo instrument muzikor si punë dore, mësimtarët dhe nxënësit mahniteshin me punën e tij.

Në klasën e shtatë fillore gdhendi me mjeshtri të jashtëzakonshme një çifteli të cilën edhe sot e ruan me kujdes vëllau i tij Rexhepi.

Pas mbarimit të shkollës fillore, Qamili nuk pushoi së punuari me mjeshtërit më të vjetër të Junikut, si shtëpia me mure guri, shtëpia me tulla njëshe, oda të burrave etj. Fillet e para të zanatit për punët mjeshtërore i morri nga kushëriri Çel Goçi. Më vonë i vijoi mësimet e duhura dhe u kualifikua për muratori dhe zdrukthtari. Në moshë shum të re, ai ndërtoi një shtëpi në Junik prej themeli e deri në kulm. Më vonë e bëri një ekip dhe punoi pa ndërpre në Junik dhe rrethinë. Qamili i morri disa shtëpi për ti ndërtuar edhe në Tuz të Malit të Zi. Për pak kohë në fshatin Vuksanlekaj, ai fitoi simpatinë e malësorëve si njeri i mirë dhe si mjeshtër i talentuar. Bashkëkombasve shpesh u fliste për Kosovën, për të drejtat e shqiptarëve që shkeleshin nga pushteti jugosllav…

Qamili edukimin atdhetar e kishte marrë në odën e burrave duke dëgjuar rrëfime historike, duke dëgjuar këngë trimërie dhe duke dëgjuar prej intelektualëve debate të ndryshme për çështje kombëtare. Prandaj, ai heret ishte brumosur me ide patriotike.

Janë pesë breza nga familja e tij që kanë luftuar kundër sundimtarëve të huaj, qoftë pushtuesve osmanli, qoftë atyre sllav. Kështu, katragjyshi  Sylë Ali Goçi kishte marrë pjesë aktive në kryengritjen anti-osmane. Ja se çka thotë nisma e një kënge:

Ylli i dritës paska dalë,
Asht çu n’kam’ ni sokol djalë,
Rrept â çu për besë t’Zotit.
Sylë Alia qaj djalë i Goçit,
Kish vesh armët e trimnis’,
Për me i dal’ Zot Shqipnis’.

Stërgjyshi Nezir Sylë Goçi i parë kishte qenë kundër pushtuesit serb dhe e kishte kundërshtuar me vendosmëri kolonizimin e tokave shqiptare me serbo-malazezë. Ndërsa gjyshi Dervish Demë Goçi ishte arrestuar disa herë për shkak të veprimtarisë atdhetare të cilën e udhëheqnin Dervish Dana i Duzhnjës dhe Dervish Syla i Molliqit.. Pra gjyshi, Demë Goçi me vëllezërit  Rexhep Goçin e Parë dhe Avdi Goçin e Parë kishin luftuar kundër pushtuesve çetnikë e më vonë kundër komunistëve serbo-sllav. Kështu Avdi Goçi në Luftën e Dytë Botërore bashkë me patriotë të tjerë të Junikut dhe Molliqit duke luftuar në Qafë të Morinës kundër pushtuesve të rinj bie dëshmor. Babai Nezir Demë Goçi u shpall armik i popullit dhe u dënua në Prishtinë me një vjet burg, sepse nuk pranoi kolektivizimin dhe nuk deshi të bëhet sherbëtor i okupatorit.

Qamili është brezi i pestë që nuk u pajtua me robërinë serbe. Kur shpërthyen demonstratat e studentëve në Prishtinë më 1981, ai doli haptas në mbrojtjen e kërkesave të studentëve duke u thënë malësorëve se për liri dhe pavarësi duhet të luftohet me të gjitha mjetet kundër okupatorit serb. Aktiviteti i tij në rrethinën e Tuzit shum shpejtë ra në sy të sigurimit shtetëror dhe kështu Qamili u burgos dhe u dënua me tre vjet e gjashtë muaj heqje lirie në Titograd (sot Podgoricë). Pas mbarimit të burgut në Shpuzë të Malit të Zi, Qamili bashkë me vëllaun Sylën morrën rrugën e mërgimit. Në Zvicër ata u sistemuan si ndërtimtarë. Për disa vjet rresht Syla dhe Qamili arritën sukses në përsosjen e disa punëve ndërtimtarie dhe fituan simpatinë e vendësve dhe bashkëatdhetarëve. Qamili krahas punëve ndërtimore, krijonte edhe vepra arti me anë të drugdhendjes. Ai realizoi me sukses disa portrete relievore : Ismail Qemali, Isa Boletini, Skënderbeu, Nënë Tereza etj. Qamili e lëshoi Zvicrën dhe u kthye në Junik. Ndërtoi një shtëpi të bukur dhe një punëtori zdrukthtarie : Filloi të punon vitrina, dyer, dollapë, shkallë, kuzhina, sofra, komodina, tavolina dhe dekorime të ndryshme enterieri.

Kur plasi lufta në Kosovë, më 1997-1999, Qamil Goçi me djalin e vet Kastriotin u rreshtuan në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shtëpia e tij për një kohë u shëndrrua në ambulancë, kurse punëtoria e tij u bë depo e armatimit dhe e riparimit të armëve. Qamili gjatë kësaj periudhe u dallua si ushtar shembullor në organizimin dhe fuqizimin e luftës në Junik dhe në fshatrat tjera për rreth. Ai u dallua edhe si komandant me moral të lartë në kryerjen e të gjitha detyrave që i parashtroheshin. Pas mbarimit të luftës ai rindërtoi shtëpinë të cilën e kishin djegur barbarët serbë. Riaftësoi puntorinë dhe kështu filloi prap të kultivon me dashuri dhe pasion zanatin e tij – mjeshtërinë.

U përmend edhe më lartë se shum punë mjeshtërore të tij nuk janë thjeshtë punë zejtarie por janë krijime me artikulim artistik. Kuzhina, dollapë, dyer, dritare, shkallë, ornamente të një stili të përsosur, zbukurojnë sot shtëpitë në Dukagjin. Qamili, ky mjeshtër-artist, i ka gdhendur në dru me dashuri e kujdes të rrallë duke krijuar kështu funksionin e qëlluar dhe formësimin artistik.

Në një takim tjetër të rastit me Qamilin, i kërkuam atij (si edhe shum adhurues të estetikës ndërtimore) t’i hedh në letër punët e tija të kryera me afinitet të veçantë që ka dhe të ngrej dorë nga modestia e tij e përhershme se një libër i tillë nuk është asnjë lloj snobizmi. Përkundrazi, ai libër do të jetë një, ta quaj doracak pedagogjik për mjeshtrit dhe artistët e rinj. Me këtë rast, Qamili ka premtuar se së shpejti do të përgatis këtë shkrim dhe se do ta botojë pa vonesë…

 

Shënim:

Qamil Goçi në dokumentet zyrtare quhet edhe Qamil Syla: Familja e tij kishte pronësi toke në Junik dhe në Molliq : Ndonëse një pjesë e familjes që jetonte në Molliq, për ta shpetuar pronësinë e tokës nga kolinizimi serb, e kishin marrë mbiemrin Syla. Kështu, familja mban dy mbiemra, atë të kahmotshmin Goçi dhe mbiemrin e ri Syla.

*Emri dhe mbiemri i mbuluar mbi faksimilin e gazetës “Pobjeda” është bë nga “filolet”.

filolet