PUSHKATIMI I LIRISË?!…

Nga Shefqet Dibrani
Sh. DibraniMe të gjitha tragjeditë dhe luftën që pat Kosova, Shtabi Komandues, nuk do të arrijë t’ia devalvojë vlerat lidershipit të LDK-së, veçmas ta nënshtrojë Kultin Ibrahim Rugova që ishte futur thellë në zemrën e Dardanisë dhe popullit dardan.
Përpjekja për Pushkatimin e Lirisë bëhej duke ia vrarë demokracinë Kosovës, fushatë të cilën e bënin titistët dhe jugosllavistët e UJDIT për Kosovën të cilët gati për një dekadë radhazi nuk kanë lënë gjë pa shpifur mbi secilin personalitet të kohës që i rrinte afër liderit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
Po ashtu Pushkatimi i Lirisë së Kosovës bëhej duke ia vjedhur pasurinë Kosovës të cilën e bënin kryesisht Komandantët e paarsimuar të cilët zbritën nga mali, dhe në saje të “meritës mbi Luftën?!” dëshironin ta nënshtronin popullin e Kosovës, dhe kjo bëhej duke ia vjedhur, uzurpuar dhe plaçkitur të gjithë pasurin publike dhe shtetërore që kishte qenë në pronësi të shtetit deri në atë kohë.
Për të rrëzuar elitën dhe për të bërë pushkatimin e Kultit Ibrahim Rugova, gjatë asaj kohe janë aplikuar kryesisht metoda e eliminimit fizik përmes dhunës e frikësimit, dhe kjo u bë pamëshirshëm, pa zgjedhur mjete e mënyra, duke e detyruar pjesërisht ose tërësisht që elita politike të luhatet, të heshtë, të largohet ose krejtësisht të mbyllet.
Liria dhe ardhmëria e Kosovës
po pushkatohej atëherë kur fati i kombit po rrëshqiste në duart e neogrupit që nuk mund të ngjitej kurrë në nivelin e elitës së një populli…
St. Gallen, 30.04.2016. Shefqet Dibrani
* Citati është nxjerr nga analiza “INTELEKTI I ELITËS DHE I NEOELITËS SË NJË POPULLI”, që është botuar në dy vazhdime në gazetën “Rilindja”, të datës 17 dhe 19 gusht 1999, si dhe ka qenë e botuar edhe në gazetën “Dardania press” që dilte asaj kohe në Prishtinë. Komenti i sotëm ka vetëm disa shprehje për aktualizim.