PUBLICISTIKA E HAZIR MEHMETIT

Botim i ri

Nga Bedri TAHIRI

Në kremten  e madhe të Nëntorëve të Lavdisë, SHB “Lena” e Hajdar Fejzullahut, nxori në dritë librin publicistik e studimor ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë” të autorit tashmë të mirënjohur, Hazir Mehmeti, mësues, studiues e veprimtar i palodhur në Vjenë.

Si redaktor i librit, përgëzoj autorin (aktualisht është në Vjenë) dhe botuesin, duke e postuar recensionin tim:

 

PUBLICISTIKA E HAZIR MEHMETIT

 Nuk ka në Evropë racë më të lashtë se e shqiptarëve

(Albert Dymant)

Mësuesi dhe veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, z. Hazir Mehmeti, tashmë është bërë emër i njohur edhe në fushën e krijimtarisë publicistike-letrare e të kulturës në përgjithësi. Disa vite mësimdhënës shembullor e veprimtar i dalluar në Kosovë; mësues e pedagog i zellshëm, hartues tekstesh e abetaresh për nxënësit shqiptarë në Vjenë e më gjer në mërgatë; publicist, tregimtar, përcjellës besnik i të gjitha ngjarjeve kulturore të mërgimtarëve, pasqyrues i shumë të arriturave arsimore e shkencore në Austri e gjetkë si dhe gjurmues e hulumtues i historisë sonë në qendrat botërore.

Dhe, krahas të gjitha këtyre aktiviteteve, në shpirtin e tij entuziast, përherë gjeti vend edhe muza e krijimtarisë artistike hulumtuese, duke e ngacmuar botën e tij të brendshme që me penë të skalis monumente përjetësie në fushën e publicistikës, derisa e nxori në dritë librin më të ri ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë”. Në fakt, ky libër, të cilin autori ia përkushton vajzës së tij, tashmë të ndjerë, shkencëtares së papërsëritshme, Vlorë Mehmetit-Tërshani, vjen si vazhdimësi e monografisë “Mësimi shqip në Austri”, në të cilën autori pati përfshirë punën sistematike njëzet e pesë vjeçare (1987-2012).

Libri ” ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë”, shikuar hollë e hollë, paraqet një lloj enciklopedie shumë të vlefshme, me të dhëna të nevojshme e me fotografi, që pasqyrojnë bindshëm jetën dhe veprimtarinë e personaliteteve më të shquara që folën shqip në Austri, siç reflekton edhe vetë titulli.

Ai, sikur e ka ndjerë këtë si një obligim, ngase: ”Vjena ishte qendër ku lanë gjurmë shumë figura arti e shkence që ishin me origjinë shqiptare apo të tjerë që u morën me historinë, kulturën e gjuhësinë shqiptare. Deri më tani pak i është kushtuar rëndësi këtyre, andaj ne dimë pak për ta dhe veprat e tyre.  Në përgjithësi na mungon tradita e shkrimeve. Kjo bëri që të dihet pak mbi aktivitet rreth mësimit dhe atyre  kulturore në rrethet e gjëra të vendorëve dhe vetë shqiptarëve. Akoma kemi pak shkrime rreth mësimit të gjuhës shqipe, aktiviteteve kulturore dhe historisë shqiptare në Austri. Forma më e mirë që nesër të dihet diçka nga e sotmja është shkrimi. Edhe këtë libër e kuptoj si të tillë, një gjurmë e sotme për nesër, për gjeneratat që do vijnë”,- shprehet vetë autori.

Si moto të librit janë vënë thëniet lapidarë të tre kolosëve tanë: Fan Noli, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta si dhe fjala përshëndetëse e ambasadorit të Shqipërisë në Austri, z. Roland Bimo, i cili shprehet: “Thuhet se çdo gjuhë është një dritare e hapur për njohjen e botës… Përmes kësaj dritareje arritën të shohin albanologët e mëdhenj austriakë të vërtetën mbas mjegullave të historisë. Ishin Gustav Majer, Johan Georg fon Han, Miklosiç, Lybke, Jireçek, Shuflai, Karl Paç dhe Baroni Nopça, fillimisht duke hulumtuar shqipen, të cilët themeluan, argumentuan dhe mbrojtën etnogjenezën  ilire të shqiptarëve.

   Nga ana tjetër,  janë me dhjetëra filologët e gjuhëtarët shqiptarë që janë formuar në Klagenfurt, Grac e Vjenë, duke filluar nga Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Karl Gurakuqi  e deri tek  Lasgush Poradeci e i madhi Eqrem Çabej- të gjithë shembuj frymëzimi për mijëra studentë shqiptarë që sot shkollohen në Austrinë mike, si edhe për fëmijët shqiptarë të lindur e rritur në këtë vend, mbështetja e të cilit është sprovuar gjatë historisë sonë të trazuar.

Duke e shfletuar, lexuar e shijuar kujdesshëm librin e Hazir Mehmetit ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë” bindemi plotësisht se ai, vërtet, është një enciklopedi e llojit të vet, nga i cili mund të informohesh e të mësosh për shumëçka. Autori  i rryer e me përvojë, Hazir Mehmeti, me një mjeshtri të rrallë ka arritur ta mbarështrojë mirë e mbarë gjithë atë mal faktesh: biografi, dokumente, fotografi, materiale arkivore, shkrime nga shtypi etj., të grumbulluara për gjashtë vjet rresht, duke e sistemuar e konceptuar në disa kapituj, të ndërlidhur me njëri- tjetrin, si mishi me thoin.

Në kapitullin e parë, që më shumë shërben si një hyrje, jepen në mënyrë telegrafike informacionet për shqiptarët në Austri, për shkollimin e tyre atje dhe ndikimi i austriakëve në çështjen shqiptare.

Kapitulli i dytë shpërfaq qartë e natyrshëm kontributin e pazëvendësueshëm të gjermanofolësve për gjuhësinë shqiptare, duke nisur që me Arnold Fon Harffin, autorin e  dokumentit të dytë i gjuhës shqipe, për të vazhduar me Johannes Thunman, Jakob Philipp, Fallmerayer, Johannes Georg von Hahn, Gustav Meyer, Leo Freundlichm Franz Baron Nopcsa, Jan Urban Jarnik, Norbert Jokl, Maximilian Lambertz, Franc Xaver Ritter Miklosich, Theodor Ippen Herman M. Ölberg Wilfried Fiedler e Dr. Kurt Goschtentshnigg etj.

Ndërkaq në kapitullin e tretë mund të mësojmë për personalitete të njohura austriake me origjinë shqiptare, siç ishin: Gjergj Basta, Karl Gega  e Aleksandër  Moisiun, me të cilët krenohet edhe e gjithë bota e civilizuar.

Thelbin e librit në shqyrtim, padyshim, e përben kapitulli i katërt, ku pasqyrohet jeta dhe veprimtaria e mbi njëqind personaliteteve të mëdhenj shqiptarë në Austri, në mesin e të cilëve shquhen Hasan Prishtina, Kolë Rrota, Gjergj Pekmezi, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Hilë Mosi, Lasgush Poradeci, Karl Gurakuqi, Kristë Maloku, Skënder Luarasi, Pandeli Sotiri, Xhevat Korça, Sokrat Dodbiba e shumë e shumë të tjerë, deri tek studiuesit e shkencëtarët e ditëve tona, ku u dallua edhe vajza e autorit e nxënësja ime, Dr. Vlora Mehmeti- Tërshani, tashmë e ndjerë.

I rëndësishëm dhe mjaft interesant na del edhe kapitulli i fundit “Shoqëritë shqiptare në Austri”, ku, në mënyrë përmbledhëse e të argumentuar pasqyrohet jeta kulturore e veprimtaritë e begata të shoqërive,  revistave, gazetave, gramatikave, klubeve, organizatave e shoqatave prodhimtare shqiptare në Austri.

Në kuadër të këtij kapitulli është futur edhe një shtojcë plotësuese me emrin “Dromca nga shtypi i kohës, kushtuar figurave të prezantuara në libër”, të cilat janë shkëputur nga botimet e mëhershme nëpër revista e gazeta të ndryshme nga vetë autori i librit.

Dhe, e gjithë kjo punë do të dilte e zbehtë fare, po mos të shfrytëzoheshin  edhe foto të ndryshme, të cilat autori Hazir Mehmeti i ka për zemër. Nëse gjithmonë është thënë: Një foto flet sa njëmijë fjalë, atëherë, del se libri “STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë ”, paskësh vlerë të madhe dhe, po del se paskësha pasur të drejtë kur, që në fillim, e quajta një Enciklopedi e llojit të vet!

Në përmbyllje, autorit i dëshirojmë shëndet e suksese të mëtejme në fushën e krijimtarisë e librit mirëpritje nga lexuesit dhe bibliotekat tona!

 

Galicë, 12 maj 2019