Pse Shqipëria është edhe sot në këtë krizë të thellë?!

Nga Skënder S.KAPITI

Shqipëria është në krizë.Krizë do të thotë anarki, paqëndrueshmëri, pasiguri, paligjshmëri, mosbesim, mosshpresë , rrëmujë apo kaos e që mund ta çojnë  vëndin edhe në fatkeqësi e madje edhe në tragjedi . Për një krizë apo gjëndje rrëmuje në Shqipëri  e thotë dhe shprehet edhe Gazeta “ The American Spectator” se: Shqipëria është një rrëmujë, ashtu si dhe media të tjera më parë që e quajtën “Kanabistan”. Kjo krizë tashmë i është faturuar Ramës dhe të të ashtuquajturës qeverisje e ekipit të “Rilindjes” jo vetëm nga opozita E Djathtë cila proteston pandërprerë prej dy muajsh, por, qeverisja e “Rilindjes” socialiste akuzohen rëndë edhe nga vetë  E Majta; si nga aleatja e saj në qeverisje, LSI-ja, e cila po i bën realisht opozitë  PS-së, pavarësisht se ajo bashkëqeveris me të.

Por tashmë është konfiguruar  shumë fuqishëm edhe Lëvizja  “Zgjidhja” brënda Partisë Socialiste e drejtuar nga politikani  i njohur socialist,  Koço Kokëdhima;  Lëvizje e cila erdhi  si reagim  kundër  lidershipit të Partisë Socialiste dhe qeverisë së pseudoRilindjes ; si një Lëvizje për ta demokratizuar dhe për ta reformuar PS-në e kapur dhe të privatizuar nga lidershipi, pushteti dhe “rilindasit” e Partisë dhe të pushtetit.  Kjo Lëvizje  e Kokëdhimës e cila ka marrë misionin jo vetëm të demokratizimit të së Majtës shqiptare por edhe të demokratizimit të tërë sistemit demokratik në Shqipëri ka marrë përkrahjen dhe mbështetjen e madhe jo vetem të antarsisë dhe të simpatizaneve të së Majtës, por edhe të publikut dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi.

Ajo nga Lëvizje brënda PS-së edhe mund të shndërrohet në një Parti politike  pasi në pak kohë disa mujore që nga dalja në skenë si Lëvizje, ajo ka një antarësi dhe ka fituar  besim e mbështetje shumë të fuqishme  në funksion të realizimit të misionit historik të saj: të transformimit, reformimit  dhe të konsolidimit të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të integrimit  të individit, të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar.

Politika në Shqipëri ka prodhuar gjithnjë  gjatë këtyre 25 viteve tranzicion: konflikte, mashtrime e gënjeshtra; papunësi dhe varfëri; trafikim qeniesh njerëzore dhe drogë, korrupsion, krim dhe eksod, tradhëti dhe paqëndrueshmëri. Pra Shqipëria mbetet kështu gjithnjë në krizë. Edhe SOT, Shqipëria është në një krizë të thellë e të gjithanshme, dhe  për ta nxjerrë atë nga ky udhëkryq nuk mundet as politika dhe as shoqëria shqiptare ,nuk mjaftojnë  ambasadorët e SHBA-së dhe të BE-së por duhet të vijnë edhe ndërkombëtarë të tjerë si; Ministri i Jashtëm i Gjermanisë dhe ai i Hollandës si dhe pritet që të vijë edhe Kryetari i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.

Në fakt për ta nxjerrë Shqipërinë nga krizat  ku e kanë zhytur atë vazhdimisht paria politike e saj, gjithmonë ka qenë vendimtare ndihma dhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve, pasi politikanët bajraktareskë shqiptarë e kanë pasur dhe e kane pothuajse të pamundur që të dialogojnë ndërmjet tyre, sepse ata mbi të gjitha kanë kapadaillëkun, kokëfortësinë, egoizmin, inatin  dhe si më kryesore  politikanët shqiptarë kanë pushtetin, tradhëtinë , korrupsionion dhe interesin personal mbi atë kombëtar.

SOT, së pari, Shqipëria  është aktualisht në një krizë të thellë  politike, elektorale dhe ligjore pasojë kjo që ka ardhur nga një parlament , qeverisje dhe administratë e mbushur me injorantë, të korruptuar dhe me individë me rekorde kriminale; pasojë kjo që ka ardhur prej këtyre të përzgjedhurish që kanë bërë lidershipet  dhe kjo elita politike e tillë. Rrjedhimisht pra, Shqipëria është  në një krizë  gjithëinstitucionale  politike dhe qeverisëse dhe në krizë prej  sistemit të drejtësisë së falimentuar, të kriminalizuar dhe të korruptuar.

Shqipëria është edhe në krizë morale sepse: nëse vëndi është në krizë politike, elektorale(demokratike) dhe ligjore,  kjo krizë vjen vetëm atëhere kur politika, zgjedhjet demokratike dhe ligji e drejtësia nuk funksionojnë moralisht. Dhe të sillesh moralisht do të thotë të sillesh dhe veprosh si duhet , siç e kërkojnë urdhërat dhe ndalesat morale. Këto nuk i ka, apo këto janë deficitet më të mëdha që i ka politika , pushteti dhe drejtësia në Shqipëri.

Nga kjo situatë vëndi del vetëm me zgjedhje të lira, të pamanipuluara, të ndershme dhe demokratike që do të mbahen së shpejti, por me një kusht që ato të mbikqyren, të monitorohen dhe të kontrollohen rreptë  nga ndërkombëtarët  duke skualifikuar së pari  nga e drejta për të konkuruar dhe për të marrë mandatin e deputetit, të qeveritarit  dhe të administratorit  elementët e pamerituar, të paaftë, amoralë, jopatriotë dhe sidomos nga ata me rekorde kriminale. Dhe këto zgjedhje prandaj duhet të monitorohen rreptësisht nga ndërkombëtarët pasi politika shqiptare aktuale  është e pabesueshme  pasi e ka të pamundur për ta bërë vet-VETING-un  apo vetdekriminalizimin e saj.

Në Shqipëri jo vetem vetë politika , por edhe askush tjetër më nuk ka besim se pushteti apo qeverisjet kanë organizuar ndonjëherë zgjedhje të ndershme dhe të pamanipuluara, prandaj do të ishte mirë që të miratohej një ligj i tillë që: disa muaj para çdo  zgjedhjeje parlamentare  qeverisja t’u besohej teknicientëve dhe intelektualëve nga jashtpolitika, pra një qeverisjeje paanësie politike; qeverisja t’u besohej individëve të besueshëm  dhe profesionistëve me personalitet intelektual dhe moralisht të pa infektuar nga politika dhe korrupsioni. Vetëm kështu kthehet besimi te qytetarët shqiptarë për zgjedhje të lira, të ndershme e të pranueshme si dhe besueshmeria për ligjin, për lirinë dhe për demokracinë.

Dhe vazhdojmë të pyesim edhe se: pse gjithmonë kur Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe të  Preshevës  si dhe vetë Shqipëria: kur ata kanë nevojë për një Shqipëri të  integruar  dhe të fortë ekonomikisht,  demokratikisht dhe politikisht; kur  shqiptarët  kudo që ata janë, kanë nevojë  për një shtet shqiptar të konsoliduar e modern dhe për një Shqipëri të qëndrueshme politikisht  dhe të integruar europianisht; pse shteti shqiptar pothuajse gjithnjë në momente të tilla gjëndet në udhëkryq politik dhe demokratik shkaktuar prej politikanëve të saj?

Kjo a nuk përbën tradhëti për  politikën dhe  për politikanët shqiptarë?

Që prej 25 vitesh Shqipëria zhagitet, zvarritet  apo vetëm sa rrëshqet nëpër udhëkryqet e historisë mundimshëm dhe  përvuajtshëm drejt demokracisë, progresit, mirëqënies dhe integrimit. Kjo vjen jo  vetëm prej pengmarrjes që Shqipërisë i kanë bërë politika dhe politikanët e mbrapshtë por edhe dhe prej indiferencës kolektive  ndaj problemeve themelore me interes kombëtar të shoqërisë apatike shqiptare e cila lëviz  e përçarë  dhe vetëm kur e ftojnë bajraktarët e korruptuar dhe matrapazët e politikës dhe të pushtetit për interesat e tyre personale, politike dhe për pushtet.

Nëse nuk gaboj, konstatohet  apo vërehet  se opinioni publik në pjesën më të madhe të tij interesohet dhe bëhet kurioz të dijë dhe të merret me vogëlsira, me gjëra të thjeshta, të sipërfaqshme dhe të parëndësishme; të besojë lehtësisht në thashethemnaja dhe gënjeshtra si  dhe të  manipulohet e lehtëmashtrohet nga përrallat, premtimet  e rrejshme dhe akrobacirat politike të aventurierëve të politikës, pushtetit dhe të hipokrizisë së tyre.

Pothuajse gjithnjë interesi popullor dhe ai kombëtar  është tradhëtuar prej parive apo lidershipeve, apo prej këtyre  farë “elitave”  politike shqiptare  të cilat  gjithmonë  janë treguar  “tolerante”,  dorëlëshuara    për të matrapazuar , kontrabanduar, falur e shitur dhe të  gatshme  për të sakrifikuar interesin kombëtar  e publik për interesa të ngushta personale të tyre.

Kemi 25 vite që dëgjojmë  nga politika, pushteti dhe media në Shqipëri vetëm gënjeshtra, mashtrime dhe pallavra politike për demokracinë, për patriotizmin, për drejtësinë, për shtetin ligjor dhe për integrimin  dhe po ashtu zhurmë dhe thirrje populiste dikur Berisha,ik! Nano, ik! Pastaj përsëri  Berisha, ik! dhe tani edhe Rama, ik! Pra, ik e eja, por ik e eja po të njëjtët politikanë e zullumqarë të pandëshkueshëm  dhe e njëjta melodi, fizionomi, filozofi dhe elitë politike krimi, korrupsioni, mafie, hajnije, papërgjegjshmërie, varfërie, trafikimi droge e qeniesh njerëzore, tragjedish e fatkeqësish të vazhdueshme, të përsëritshme dhe të riciklueshme.

Kjo klasë apo kjo elitë  politike  e rrejshme dhe mashtruese  na ka bërë gazin e botës dhe po e mban Shqipërinë gjithnjë peng , në krizë dhe në udhëkryq.

Gjithçka është problem në Shqipëri, pasi asgjë nuk është zgjidhur si duhet dhe as nuk është vënë në vëndin e duhur, por vetëm sa të këqijat përsëriten, rriten dhe shtohen ato.

Problem pronat; problem ligji, drejtësia, krimi; problem shkollat dhe universitetet; problem kultura, shëndetsia, mjedisi e territori; papunësia dhe varfëria; problem mirëqënia, pensionet, ndihma sociale; problem plehrat, ndotja, ekomafia dhe mbiproblem korrupsioni e narkomafia; problem europian eksodi dhe narkotrafiku nga Shqipëria; problem që prej 25 vitesh demokracia dhe zgjedhjet elektorale gjithnjë të vjedhura, të blera dhe të manipuluara. Dhe nuk e di se çfarë nuk është problem apo cili  problem është zgjidhur si duhet në Shqipëri?

Pra, deri kur më Shqipëria do të jetë në udhëkryq të demokracisë dhe të integrimit;  në udhëkryq kritik  për zgjedhje të lira dhe të ndershme; në udhëkryq për zgjedhjen e presidentëve të saj; në udhëkryq  prej kapjes nga një kastë politike e korruptuar dhe e kriminalizuar; në udhëkryq prej  pamundësisë për të luftuar krimin dhe drogën etj. Dhe së fundmi pse edhe tani pas miratimit të Reformës në Drejtësi akoma ka tendenca dhe përpjekje për  ta bllokuar dhe penguar zbatimin e saj, pra, për ta mbajtur akoma Shqipërinë në udhëkryq prej padrejtësisë?

Pra a nuk është Shqipëria në krizë dhe në udhëkryq edhe tani në prag të zgjedhjeve elektorale të vitit 2017, ashtu siç ishte  dhe në prag të zgjedhjeve të vitit 2013, dhe ashtu siç edhe ka qenë gjthnjë në prag të çdo zgjedhjeje elektorale ku 6 muaj para tyre shteti nuk funksionon.

Shqipëria është në udhëkryq sepse atë e mban peng lufta e egër politike vetëm për pushtet, si për ta mbajtur ashtu edhe për  ta fituar atë vetëm  me synim  për përfitime e privilegje personale, nepotike, familiare dhe klanore; Shqipëria në udhëkryq prej politikës krejtësisht të papërgjegjshme dhe të painteresuar për çështjet publike, sociale dhe kombëtare. Deri kur më kështu?

Shqipëria sot është në një krizë të thellë politike pasi elita politike aktuale, pushteti dhe qeverisja mbahen në këmbë prej poshtërsive, korrupsionit dhe nga ndërthurje të interesave të ngushta korruptive dhe kriminale afatshkurtëra  të krimit , të matrapazëve  dhe të klaneve të politikës që nuk po pyesin  akoma as edhe për Reformën në Drejtësi, as për Dekriminalizimin e Politikës , as për nevojat e shoqërisë dhe as për ndërkombëtarët. Kjo është premisë drejt shkarjes në një humnerë apo në ndonjë katastrofë tjetër të radhës ndoshta si ajo, apo përafërsisht si ajo e viteve 1997.

Shqiptarët  duhet  të veprojnë  tani sepse kanë  edhe përkrahjen e SHBA-ve, dhe se  pa ndihmën e tyre nuk dalin dot shqiptarët nga udhëkryqi  ku e mbajnë Shqipërinë politikanët dhe kryetëparët  e politikës dhe të shtetit shqiptar;  duhet vepruar  dhe ndëshkuar këta zullumqarë,  mëkatarë  dhe keqbërës të paskrupullt.

Shoqëri civile!

Guxoni dhe veproni tashmë, por mesa duket as nuk po guxoni, dhe as nuk po doni, dhe as nuk  po  mund të veproni sepse në atë farë derexheje është katandisur jo vetëm politika dhe drejtësia por edhe shteti dhe shoqëria civile.

Mesa duket edhe dekriminalizimin e sistemit politik dhe atë të drejtësisë do ta bëjnë po SHBA, ashtu sikurse edhe po prej presionit të SHBA dhe të BE-së u miratuan edhe Ligji i Dekriminalizimit të Politikës dhe Reforma në Drejtësi. Është shumë e çuditshme kur ambasadori amerikan shprehet se kryeprokurori i Shqipërisë e ka penguar Reformën në Drejtësi dhe  as politika, as opozita dhe as pozita, as deputetë dhe as Parti politike dhe as shoqëria civile nuk kanë kërkuar minimalisht dorëheqjen e Kryeprokurorit.

Mesa duket edhe skualifikimin e kandidatëve me rekorde kriminale për deputet në zgjedhjet e këtij viti  do ta bëjnë  dhe urojmë që ta bëjnë SHBA-të pasi nuk mund ta bëjë pastrimin dhe vetVETING-un politika e kriminalizuar shqiptare dhe as shoqëria civile shqiptare e paralizuar dhe e kapur prej kësaj elite politike dhe sociale e kriminalizuar dhe e korruptuar. Dhe pa një mbikqyrje dhe një monitorim të rreptë nga SHBA dhe BE as mos t’i shkojë ndokujt në mëndje se do të ketë zgjedhje të pamanipuluara në Qershor të vitit 2017.

Shoqëria shqiptare  deri më sot edhe kur ka lëvizur, edhe kur ka vepruar , edhe kur ka sakrifikuar  për lirinë, për demokracinë, për progresin dhe për integrimin, edhe kur ka protestuar, edhe kur ka votuar: prej të gjitha këtyre pëfituesja e madhe ka qenë vetëm politika dhe pushteti; politika dhe pushteti të cilët vetëm  sa kanë mashtruar, manipuluar, keqpërdorur dhe kanë spekulluar me aspiratat  e lirisë, demokracisë, patriotizmit dhe të integrimit  të shoqërisë shqiptare.

Shqiptarë!

Guxoni të veproni për ndryshimin, për shpresën dhe për të ardhmen sepse keni SHBA-në, aleatin e madh  që na ndihmoi dhe na nxori nga sketerra  komuniste, SHBA ,e cila po na ndihmon prej 25 vitesh  për të dalë edhe SOT nga udhëkryqi demokratik  i korrupsionit; nga udhëkryqi i vjedhjes dhe i manipulimit të zgjedhjeve demokratike; për të dalë   nga udhëkryqi prej  sistemit politik të kriminalizuar dhe nga ai i sistemit gjyqësor politik dhe të korruptuar si dhe prej sistemit kriminal të kultivimit dhe të trafikimit të drogës, të pastrimit të parave të pista, të trafikimit  të qënieve njerëzore etj.

Këto janë kauzat për të cilat duhet të ngrihet dhe të lëvizë shoqëria shqiptare , kauza të cilat motivojnë dhe nxisin protestën për demokracinë dhe lirinë  e vërtetë; kauza që  motivojnë një Lëvizje  jo vetëm demokratikisht dhe qytetarisht, por  duke  motivuar një Lëvizje qytetare moralisht së pari, pra një Lëvizje në emër të së vërtetës, të dinjitetit dhe të moralitetit njerëzor; një Lëvizje kundër tradhëtisë, hipokrizisë, mashtrimeve, krimit, korrupsionit politik dhe kundër degradimit politiko-social, ekonomik , kulturor dhe intelektual të shoqërisë që i  vijnë asaj  nga keqqeverisja politike dhe nga apatia shoqërore.

Duhet rezistencë shoqërore pa kompromis kundër të keqes, krimit dhe  tradhëtisë publike të politikës dhe të pushtetit; duhet rezistencë shoqërore së pari për t’i sfiduar, mundur dhe ndëshkuar ato. Për një Lëvizje të tillë ka nevojë akoma Sot Shqipëria që ajo të dalë nga kjo pengmarrje e politikës dhe nga ky udhëkryq ku Shqipëria gjendet  kryesisht për faj dhe prej korrupsionit, krimit dhe të tradhëtive së elitës politike shqiptare që prej 25 vitesh..

Nëse shqiptarët nuk luftojnë vetë së pari për të dalë nga ky udhëkryq demokratik atëhere  ata i vuajnë me meritë pasojat e tij, pasi për SHBA dhe për BE Shqipëria nuk përbën  ndonjë prioritet apo  rëndësi jetike për ta, por vetëm  sa Shqipëria përfshihet  në planin strategjik periferik të tyre, pasi: SHBA dhe BE  kanë probleme  të tjera shumë të rëndësishme  të tyre, në vëndet e tyre sikurse  dhe  kanë probleme  të tjera madhore strategjike me rëndësi globale. Por, ama, ne vetëm sa po u krijiojmë  atyre  shqetësim dhe kokëçarje me problemet tona të cilat  duhet t’i zgjidhim vetë ne.

Dhe nëse  SHBA dhe BE lodhen si gjithnjë me ne, ata edhe mund të na braktisin, gjë të cilën e dëshirojnë  armiqt  tanë  si dhe korrupsioni dhe pushteti i politikanëve shqiptarë të papërgjegjshëm para shtetit dhe kombit të tyre, përderisa ata sillen  kundër  interesave të popullit të vet, kundër demokraciasë dhe kundër integrimit të Shqipërisë.

Është fakt, pasi realiteti i këtyre viteve të tranzicionit ka treguar se vetëm falë ndihmës, monitorimit dhe ndërhyrjes  vendimtare  nga  SHBA dhe BE-së Shqipëria ka mundur që të shmangë  destabilitetin politik  të shpeshtë  dhe ngjarje të tjera të rënda me pasoja katastrofike për vëndin të shkaktuara prej elitës së papërgjegjshme politike shqiptare.Vazhdon…