PROF. DR. REXHEP GJERGJI DUHET T’IU PRIJË REFORMAVE NË LDK

Thirrje për reforma në LDK:

PROF. DR. REXHEP GJERGJI DUHET T’IU PRIJË REFORMAVE NË LDK

Shkruan: Shefqet DIBRANI

LDK-ja humbi zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Isa Mustafa, duhet të japë dorëheqjen?! Ai s’ka nevojë ta pres ndihmën e Albin Kurtit as të Kadri Veselit, për ta bërë LDK-në patericë për t’i shëruar komplekset e humbjes tragjike.

Isa Mustafa duhet të shkojë bashkë me kryesinë e LDK-së, dhe me të edhe ¾ e Këshillit të Përgjithshëm si dhe ½ e delegatëve për Kuvendin e LDK-së. Në udhëheqjen e LDK-së dhe në reformat e partisë nuk mund të përfshihen asnjëri nga kandidatët e Listës për Deputet që e miratoi Isa Mustafa, pasi të gjithë duhet të shikohen me rezervë dhe gjatë kësaj kohe t’i nënshtrohen një lloj testimi për risocializim partiak. Në këtë proces reformues nuk është mirë të involvohen të gjithë ata që kanë bërë thirrje për ta votuar Isa Mustafës, dhe përmes fitores së madhe të LDK-në, për ta reformuar sa Mustafën, pasi ishte koncept absolutisht i gabueshëm dhe shumë i kushtueshëm.

Në reformat e domosdoshme duhet të hiqen iluzionet e standardeve të dyfishta, dhe të merren modalitetet e parive Evropiane, se kush humb zgjedhjet merr përgjegjësi. Tashmë po shihet qartë, edhe me këtë humbje kaq të madhe, Isa Mustafa, nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje, madje për këtë humbje nuk merr përgjegjësi as Abdullah Hoti, dhe asnjëri nga kandidatët që ishin në listën e LDK-së. Pra me këtë humbje nuk turpërohen askush, as kryesia, as Këshilli i Përgjithshëm dhe asnjëri nga Kryetaret e Degëve të LDK-së, aty ku LDK-ja pësoi humbje të thellë. Tash shtrohet pyetja: Po sikur LDK-ja t’i kishte marrë dyfishin a trefishin e votave, si do të sillej Isa Mustafa, dhe si do të krrokatnin humbësit e tanishëm para fitores së imagjinuar.

Po të kishte kulture demokratike dhe të kishte përgjegjësi morale, qysh në mbrëmjen e datës 11 qershor 2017, Isa Mustafa, bashkë me Abdullah Hotin është dashur të japin dorëheqje, kurse brenda 24 orëve, është dashur të jap dorëheqje komplet Kryesia e LDK-së. Ndërsa qysh në javën e parë, është dashur të japin dorëheqje të gjithë Kryetarët e Degëve të LDK-së në Kosovë, të cilët nuk janë pjesë e strukturave udhëheqëse, që nuk janë as pjesë e Këshillit të Përgjithshëm, e në ¾ e Këshillit të Përgjithshëm, do të duhej të shkonin të gjitha kryesitë ekzekutive në nivel të Degëve, aty ku LDK-ja pësoi humbje.

Është dashur të krijohej një Këshillë Drejtues, për ta quar partinë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm, dhe për ta reformuar partinë si duhet. E kjo të bëhej vetëm nëse nuk e dëshirojnë ta përsërisin rezultatin e këtyre zgjedhjeve, edhe në zgjedhjet për pushtetin lokal në të cilat pritet që LDK-ja të pësoi humbjen ma të madhe që prej themelimit të saj.

Reformimi i LDK-së do të duhej t’i besohej prof. dr. Rexhep Gjergji, i cili është njëri nga themeluesit e LDK-së. Prof. dr. Rexhep Gjergji, ka qen sekretar organizativ me Degët e LDK-së në Kosovë, si dhe sekretar për marrëdhënie me Degët e LDK-së në Diasporë gjatë viteve të nëntëdhjeta. Ai është njohës i mirë i zhvillimeve politike në LDK që nga themelimi e deri më sot. Pastaj ai ka ushtruar rolin e Ministrit të Brendshëm gjatë viteve të 90-ta, atëherë kur bëheshin organizmi për vetëmbrojtje si dhe ka qenë njëri nga ndërmjetësuesit e të gjitha zhvillimeve politike dhe nismave të para ushtarake. Prof. dr. Rexhep Gjergji,  është njeriu që i ka njohur ma së miri ato zhvillime dhe ka pasur rol vendimtar në ato procese.

Prof. dr. Rexhep Gjergji, ka qen përgjegjës  për Vetëmbrojtje si dhe zyrtari i LDK-së i cili i di se si janë bërë organizimet e para ushtarake në Shqipëri. Po ashtu prof. dr. Rexhep Gjergji, është njëri nga intelektualët e parë që ka vizituar masakrën në Familjen Jashari në Prekaz, dhe personaliteti në të cilin lidhen e ndërthuren të gjitha zhvillimet politike brenda LDK-së.

Prof. dr. Rexhep Gjergji, në cilësinë e pedagogut universitar, do të mundet me i afruar grupet dhe me i lidhur gjeneratat e të gjitha klaneve, grupeve, regjioneve, religjioneve dhe në aspektin gjinor. Vetëm prof.. dr. Rexhep Gjergji, ka mundësi me i lidhur Degët e LDK-së në Diasporë, si dhe ai mundet ma së miri me e ruajtur edhe gjeneratën e mesme e cila është aktive në strukturat e tanishme në LDK, prandaj ky propozimi  duhet të shqyrtohet seriozisht dhe rreth tij të bashkohen strukturat e shëndosha dhe ata që i duan dhe i dëshirojnë reformat rrënjësore në LDK dhe në Kosovë.

Prof. dr. Rexhep Gjergji, do të arrinte me plotësua ekipin e tij, me diku 5 – 7 veta nga veteranët, 5 veta nga Diaspora, (një nga Dega e LDK-së në ShBA, kurse në këtë pesëshe duhet të përfshihet ish Kryetari i Kolegjiumit të Degëve të LDK-së në Diasporë z. Hafiz Gagica).

Natyrisht në këtë ekip prej diku 21 vetash patjetër duhet të jenë disa nga ekipi i ngushtë i Fatmir Sejdiut. Por do të ishte mirë me ditë me bërë kalkulime të sakta, për ta mbuluar si duhet tërë territorin e Kosovës, për t’i përfshirë dukshëm shtresën akademike, pastaj militantët e shumtë, duhet me pas kujdes me përfaqësimin si duhet në aspektin gjinor, në atë fetar si dhe të ruhet një lidhshmëri me grup-moshave.

Asgjë s’ka ideale por me një përpjekje dhe me vullnet pozitiv ishin bërë arritje të mëdha duke u shtuar shpresat se ma në fund LDK-ja po bënë kthesa të mëdha.

Natyrisht në këtë listë nuk është mirë të jenë në vende të dukshme fajtorët e humbjeve drastike, sikurse edhe ata të cilët janë shquar me deklarata dhe sidomos ata që janë shquar me servilizmin do të ishte mirë në këtë fazë të tregonin mirësjellje, të ndihmonin reformimin por të mos involvohen në proces, pasi prezenca e tyre do të shkaktonte nervozë duke nxitur frymën revanshiste.

Në këto reforma të nevojshme nuk do të ishte mirë të përsëritej konvertimet e menjëhershme, të atyre që gjatë këtyre viteve luajtën me standarde të dyfishta, të atyre që nuk patën guxim të marrin rolin e reformatorëve, e fjala është pikërisht për grupi të cilin personalisht autori i këtij shkrimi ua ka parashtruar në një takim në Prishtinë, në shtatorin e vitit 2015. Kjo thirrje është përsëritur disa herë, por ata nuk u treguan të guximshëm, madje as të dinjitetshëm për të shprehur një reagim moral për veprimin antidemokratik që ndodhi me Degën e LDK-së në Zvicër.

Por për fat të keq, të gjithë u treguan oportun dhe nuk patën guxim, por për fat të keq i ndihmuan Isa Mustafës për ta drejtuar LDK-në drejt humbjes së madhe. Thirrja e tyre për ta votuar LDK-në, ishte  vetëm përpjekje për ta mashtruar popullin për ta votuar LDK-në edhe në zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Prandaj, aq sa ka përgjegjësi Isa Mustafa dhe kryesia e LDK-së për humbjen e madhe të LDK-së, po aq kanë përgjegjësi mbështetësit dhe përkrahësit e Isa Mustafës, e bashkë me ta  edhe kandidatët në Listën e LDK-së për deputete dhe deputet.

Zgjedhjet e 11 qershorit 2017, përfunduan me humbje të madhe të LDK-së, me zvogëlimin dhe tkurrjen e papërballueshme të LDK-së. Rezultati përfundimtar është dhënë, kurse Isa Mustafa nuk ka dhënë dorëheqje, sikurse askush nga strukturat përgjegjëse të LDK-së nuk duan të dëgjojnë për disfatën e LDK-së.

Humbja e LDK-së ishte e madhe, kurse Isa Mustafa, po tenton, përsëri ta bënë LDK-në patericë të partive të tjera, prandaj iu bëjë thirrje deputeteve dhe deputetëve të zgjedhur duhet si grup ose individualisht të deklarohen se do ta votojnë Ramush Haradinajn për Kryeministër në njërën anë, kurse në anën tjetër duhet ta motivojnë LVV të hynë në qeverisje të vendit bashkë me fituesin e zgjedhjeve Grupimin PAN. Dhe t’iu thuhet LVV se vijat e kuqe duhet të mbrohen në realizimin e programeve qeverisëse por jo për udhëheqje të vendit.

Deputetët e LDK-së kanë përgjegjësi historike për ta reformuar LDK. E kjo mund të bëhet vetëm duke e pensionuar Isa Mustafën. Deputet nga Lista e LDK-së duhet të marrin shembullin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në vitin 1990, të cilët edhe pse ishin pjesë e një filtri të një sistemi tragjik, ata në momentin kyç, ditën të bëjnë kthesa historike dhe kanë ditur ta drejtojnë Kosovën drejt proceseve të mëdha historike.

Deputetët e listës nga radhët e LDK-së nuk kanë asnjë rrezik, prandaj ato dhe ata e kanë rastin historik, të përmirësojnë imazhin e tyre, dhe t’i korrigjojnë gabimet e mëdha, prandaj ata kanë mundësi reale për t’i shërbyer demokracisë së brendshme në LDK. Vendimi i tyre për  t’u bërë pjesë e reformave të mëdha në shtet, do t’i motivonin edhe reformat në parti. Vetëm duke vepruar me mençuri, më pastaj ata mund të flasin në emër të LDK-së, mund ta përfundojnë mandatin e deputetit me dinjitet duke marrë edhe funksione të larta shtetërore.

Të gjithë ata që do të kyçen në reforma, duhet të sistemohen në Këshillin e Përgjithshëm, në Degët ku e kanë bazën deleguese si dhe nëpër struktura partiake.

Reformat në LDK nuk duhet të udhëhiqen nga fryma revanshiste sepse do të ishte fatale për të ardhmen e partisë, por duhet të gjendet një kompromis, sidomos me kuadrot e konsumuara që të risocializohen, duke bërë aktivitet nëpër Degët ku e kanë bazën, në mënyrë që të mund të përfshihen për zgjedhjet në nivel lokal.

LDK-ja ka nevojë për reforma rrënjësore, kurse reformator i  mirë dhe i suksesshëm mund të jetë vetëm prof. dr. Rexhep Gjergji, ai mund t’i lidh gjeneratat dhe mund t’i afroj e pajtojë grupet me konflikte dhe mund ta nxjerr LDK-në nga kriza!St.

Gallen, 26.06.2017

Publikuar në profilin e autorit në FB…