Presidentin në Kosovë ta zgjedhë populli

Presidentin në Kosovë ta zgjedhë populli

Nga Skënder Sadri KAPITI

Demokracia në Kosovë duhet t’i kthehet popullit sepse popullit ia kane rrëmbyer demokracinë  korrupsioni dhe  matrapazët e politikës.

Këta matrapazë të vullnetit të popullit janë kryetarët e partive politike të Kosovës.

Matrapazët e politikës kosovare bënë grushtin parlamentar kundër legjitimitetit demokratik të zgjedhjeve të vitit 2019, duke mundësuar formimin e një qeveria nga  humbësit e zgjedhjeve. Demokracia kosovare është kthyer në bixhoz e lojë numrash, të trafikimit dhe të komplotit parlamentar, të formimit të një legjitimiteti matrapazllëku parlamentar kundër legjitimitetit popullor dhe që ka sfiduar vullnetin e popullit.

Kosovës i duhet demokracia referendare, duhet që Presidenti të zgjidhet nga populli i Kosovës dhe jo nga pazari dhe matrapazllëku politik. Populli duhet ta zgjedhë Presidentin e Republikës, dhe jo pazari dhe as nuk kanë nevojë shqiptarët për ndonjë president të propozuar dhe as të imponuar  nga ndërkombëtarët.

Shqiptarët kanë talentin, mëncurinë  dhe intuitën për të zgjedhur më të mirin dhe më të duhurin për  President të tyrin. Shqiptarëve u duhet një President i afte dhe   që të jetë sa më shumë jo partiak, jo krahinor dhe jo klanor.