Presidenti i Kosovës të zgjidhet drejperderejt nga populli*

Nga Skënder Sadri KAPITI 

A ka moral dhe legjitimitet kjo politikë e këtij parlamenti për ta zgjedhur Presidentin e Kosovës?!

Legjitimiteti popullor i 6 Tetorit 2019 zgjodhi  « de jure » kryeministër   Z.KURTI dhe Presidente Znj. OSMANI  si dy personalitetet me profilin më   të   lartë   politik e kombëtar.Nëse Parlamenti vetëkorigjohet dhe e respekton legjitimitetin popullor të   6 Tetorit, Presidentja Ushtruese e Detyrës së   Presidentit, Znj. Vjosa Osmani   do të   ishte me meritë   edhe si Kryetare e Shtetit. Pra, kjo është   zgjedhja dhe zgjidhja u duhur e mbështetur, e pranuar dhe e votuar nga verdikti i 6 Tetorit. Askush tjetër akltualisht për postin e presidentit nuk është   më   meritor se sa Znj. Vjosa Osmani. Publiku, opinioni publik, intelektual dhe ai mediatik  duhet të   flasin  për këtë   realitet që   e ka imponuar vullneti real i popullit të   Kosovës.

Por përderisa ky parlament ka prodhuar krizë, dhe kush prodhon kriza nuk e nxjerr vëndin nga kriza, pasi kriza sjell pasoja që janë vështirë për t’u ndrequr nga ata të cilët shkaktojnë krizën,prandaj për të dalë nga kriza, vëndin e nxjerr prej saj vullneti dhe gjykatësi popull me zgjedhje të reja dhe jo me arnime politike si thotë ndonjë politikan, intelektual  apo ndonji analist konformist.

Edhe “zgjedhja” e Presidentit nga cfarë propozojnë ndërkombëtarët nuk është zgjidhje.

Zgjidhje janë   zgjedhjet e reja parlamentare, por që    më   e mira do të   ishte verdikti popullor, pra më e mira është vota popullore referendare për zgjedhjen e Presidentit, përderisa presupozohet që presidenti është simbol i unitetit kombëtar, atëhere pse të mos zgjidhet nga legjitimiteti i madh popullor,por të rrudhet te legjitimiteti parlamentar që rezulton në shumë raste të jetë ujdi interesash e tarafesh sidomos si ky  puci i  të   fundit   i rrëzimit të   qeverisë   KURTI.

Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet nga një parlament i ri, dhe më e mira do të ishte që të zgjidhej direkt nga populli si në SHBA.Tani kur ishpresidenti i Kosovës dha dorëheqjen e detyruar, Kosovës i duhet zgjedhja e Presidentit të ri. 

Gjithkush e lakmon këtë post të lartë të kryetarit të  shtetit, por askush prej atyre pretendenteve si nuk e pyet veten sa a është i aftë dhe i duhur për atë post, apo mos ecin sipas logjikes : “e  hu…ha …  kur e bëri Thaçi këtë punë e bëj edhe unë”.

Është mirë që këta të cilët kërkojnë postin e presidentit, ta llogarisin mirë se çfarë simpatie kanë ata në popull, dhe se çfarë force elektorale përfaqëson partia e tyre. Të pretendosh për  President Republike kur në parlament ke ca deputetë si dhe kur më keq akoma edhe je konsumuar politikisht, kjo nuk shkon.

Pse këta kandidatë p.sh. nuk deklarohen që Presidenti të zgjidhet direkt me  Referendum, nga vota popullore, pasi aty ata e shohin se çfarë vlere dhe se çfarë “note” ata marrin nga populli.

Ky parlament i cili në mënyrë jolegjitime rrëzoi dhe komplotoi kundër qeverisë legjitime, kundër legjitimitetit popullor, ky tashmë nuk ka as moral dhe as legjitimitet për të zgjedhur Presidentin e Kosovës, pasi tashmë dihet se deputetët e tij janë vetëm xhambazë politik që bëjnë trafiqe e matrapazllëqe për interesa personale.

Kështu veproi parlamenti edhe 4 vite më parë kur zgjodhi Thaçin si President. Do ishte mirë që Presidenti të zgjidhej nga populli dhe aty të shihnim se kush do të fitonte,sikur të kandidonin Haradinaj, Pacolli, Limaj, Kurti  dhe Osmani. Por një gjë duhet të kihet parasysh që si të akuzuarit ashtu dhe të thirrurit nga Gjykata Speciale mos të vetëmashtrohen se mund të bëhen Presidentë të Kosovës pa përfundur gjykimi , dhe të mos pretendojnë  as ata  të cilët janë të konsumuar dhe që kanë imazh negativ korrupsioni e hajnije.

*Titulli i redakcionit