PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (4)

PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (4)

 Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilën do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet  në Librin e Rekordeve Guinness

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, viti 1990, ishte viti i sfidave të mëdha, përkatësisht viti i ndarjes nga “vëllazërim-bashkimi”, që e predikonte Isa Mustafa, i cili me tërë qenien e tij ishte pjesë e strukturave të LKJ-së. Por, në Kosovë kishte filluar një mobilizim i gjithanshëm, si vazhdimësi e grevave dhe protestave që ndodhën gjatë vitit 1989.

Gjatë vitit 1990, ai ishte pjesë e kabinetit të Rrahman Morinës, pra edhe atëherë kur dr. Ibrahim Rugova e themeloi LDK-në, partinë e parë demokratike, e cila ia lëkundi themelet Jugosllavisë së AVNOJ-it. Pranvera e atij viti ishte përplot gjallëri, anëtarësimi në LDK, bëhej në mënyrë të organizuar dhe në formë masive. Elita Intelektuale dhe ajo Akademike e Kosovës, si kurrë më parë ishte në ballë të misionit të saj historik.

Kudo nëpër OTHPB-të e shumta kishte filluar “dorëzimi masiv i librezave të LKJ”[1]. Gjatë asaj kohe “Kosova, edhe pse ishte nën pushtimin ushtarak serb, u organizua në lëvizjen paqësore për liri, pavarësi dhe demokraci të ndërtuar me mjete thellësisht demokratike. Kjo ishte lëvizja më interesante dhe e pashoqe e shekullit në Evropë, për nga mënyra e konceptimit dhe e veprimit për mbërritjen e qëllimit politik. Ajo u kthye në një betejë të fuqishme ndërmjet pushtuesit Serb dhe popullit shqiptar të Kosovës. Këtë betejë e udhëhoqi dr. Ibrahim Rugova”[2]. Ndërsa Isa Mustafa, sorollatej kabineteve të Rrahman Morinës, atij nuk i bëhej kurrë vonë ashtu siç nuk iu bë kurrë vonë as në Qeverinë e Bujar Bukoshit në Ekzil, ashtu siç nuk iu bë vonë as gjatë luftës së UÇK-së, prandaj atij nuk i bëhet vonë as tashti duke e vonuar themelimin e “Qeverisë Kurti”. Ishte po ky Isa Mustafë, i cili nuk iu bë vonë as kur zvarriste punët me VLAN-in e as me PAN-in, pra Isa Mustafa, gjithmonë u vonua dhe madje në të gjitha ato legjislatura ku ai pati ndikim ishte në anën e errët të hënës.

Në vitin 1990, veprimtarët politik dhe Elita Intelektuale e Kosovës e dinte fort mirë se “me rastin e fillimit të rrokullisjes së Jugosllavisë drejt shkatërrimit, të kota, anakronike dhe donkishoteske u treguan edhe përpjekjet për të krijuar organizata gjithë jugosllave si UJDI i Veton Surroit dhe i jugo-jogurt jugosllavëve”[3]. I këtij koncepti pro-Jugosllav ishte edhe kryetari i tanishëm i LDK-së Isa Mustafa, i cili me perfiditet arriti t’i sfidoj ato kohëra duke u faktorizuar si “ekspert”, kudo dhe kurdo?!

Tashmë shihet se “jugo-shqipfolësit kanë mbetur po ata të dikurshmit, jo vetëm nostalgjikë të bashkim vëllazërimit, por edhe besnikë të ndërkryer, të cilëve u mungon Beogradi,… thjesht u mungon Jugosllavia, andaj edhe shajnë e përbuzin çdo vlerë kombëtare shqiptare. Jugo-shqipfolësit, si krijesa adapte, tashmë iu kanë përshtatur kohës. Sot janë bijtë e tyre, këta të cilët fryhen për trimëritë, që kishin treguar baballarët e tyre, duke mos u pajtuar me shpërbërjen e Jugosllavisë”[4].

Tridhjetë vjet më pas Isa Mustafën, edhe pse nuk i fitoi zgjedhjet qet kajde, ai po vonon krijimin e “Qeverisë KURTI”?! E, siç flitet, vonesat kanë të bëjnë me tallin që duhet t’ia dorëzojnë shefit të tyre ata që synojnë të bëhen Ministër në “Qeverinë KURTI”. S’ka dyshim këto veprime janë mënyrë e intrigave që bëjnë komunistët e dalë nga shkolla e Kumrovcit.

Pavarësisht asaj se edhe gjatë vitit 1990, Isa Mustafa vonohej, sikurse tashti për ta themeluar “Qeverinë KURTI”,  “intelektualët, madje edhe në rrethana represive, guxuan – sidomos në Kosovë – ti kundërviheshin regjimit serb edhe me çmimin e burgosjes. Nga Adem Demaçi, tek “Apeli i 215 intelektualëve”, e deri te shkyerja e librezave të LKJ, në gazetën “RILINDJA”[5].

Në një plan tjetër, ngjarjet politike që ndodhën gjatë vitit 1990, nuk do t’i kuptojmë kurrë nëse ato ngjarje nuk i kundrojmë në kontekstin e atyre zhvillimeve, nuk i shohim si një kronologji e asaj kohe, prandaj kthimi ynë në retrospektivë ka për qëllim për t’i trajtuar ato zhvillime kombëtare duke i kundruar edhe nga zhvillimi i ngjarjeve të mëdha në planin ndërkombëtar. Atëherë kur baraspesha Lindje – Perëndim, po pësonte ndryshime strategjike, prandaj duhet të pranohet se është meritë e Elitës Intelektuale të asaj kohe, që diti ti drejtoj proceset mbarë dhe në interesin kombëtar. E potencojmë këtë fakt, për tua bërë me dije klientelës  nga Kolegji RIINVEST dhe Brezit të Republikës, se Isa Mustafa nuk ishte askund, përkundrazi Ai bënte sehir me duar në xhepa, kurrë nuk i bëhej vonë, tamam sikurse sot, d.m.th. atëherë dhe sot ai po qëndronte në anën errët të hënës.

Në arenën ndërkombëtare, sidomos në Paktin e Varshavës kishin filluar ndryshime të mëdha, edhe kur bota komuniste po rrokullisej, Isa Mustafa, i shërbente atij sistemi pa u merakosur se po i bëhej vonë?! Më 15 janar 1990, rrëzohet Partia Komuniste në Bullgari, kurse me 7 shkurt 1990, Rusia lejoi krijimin e partive të tjera parlamentare, e vetëm 4 ditë më pas (më 11 shkurt 1990), pas 27 vitesh, është liruar nga burgu Nelson Mandela. Sigurisht kjo lëvizje e madhe botërore do të ketë ndikuar te regjimi serb, për të marrë vendime për t’i liruar edhe të burgosurit politik shqiptarë që vuanin dënimet afatgjate nëpër Serbi dhe Jugosllavi.

Fryma e ndryshimeve preku edhe regjimin komunist të Tiranës zyrtare, atje dha dorëheqje Qeveria e Adil Çarçanit, (22 shkurt 1990), u krijua një Këshill i Përkohëshëm i Ministrave të cilit i printe Fatos Nano, e një muaj më pas, më 26 mars 1990, kanë shpërthyer demonstrata në qytetin e Kavajës, që u shtypen me dhunë.

Por lëvizje më të mëdha kishin nisur në Republikat Baltike në BRSS. Në këto përpjekje për të braktisur komunizmin, më 11.03.1990, Lituania, 04.05.1990, Letonia, ndërsa më 30 gusht të atij viti Armenia shpallën pavarësitë e tyre nga BRSS. Pa dyshim se ishin këto lëvizje të mëdha botërore të cilat i kanë determinuar të gjitha ndryshimet politike edhe në Kosovë. Në këto rrethana duhet të pranohet se ishte meritë e LDK-së dhe e asaj Elite Intelektuale, e cila ishte në krye të misionit historik. Por, qysh gjatë asaj kohe, strukturat titiste do të nisin një luftë speciale përplot shpifje dhe etiketime kundër bartsve kryesor të atyre proceseve. Duke mos dashur ta rehabilitojmë asnjërin, shikuar nga kjo retrospektivë kohore, duket se ishte një luftë speciale, e menduar mirë, për t’i sistemuar dalëngadalë elementin e vet, qoftë në LDK, por më vonë edhe në partitë tjera, duke mos përjashtuar as mekanizmat udhëheqës në Qeverinë e Kosovës.

Pavarësisht këtyre fërkimeve, proceset politike kanë ecur mjaftë mirë. E njëra nga ngjarjet më të mëdha të atij viti padyshim se ishte DEKLARATA KUSHTETUESE për pavarësinë e Kosovës, e cila ndodhi më 2 Korrik 1990. Padyshim, se do të mbetet enigmatike, se si ndodhi, po të njëjtën ditë, me mijëra njerëz në Tiranë, të mësyjnë drejt ambasadave të Gjermanisë, Italisë, Francës etj. Policia e atjeshme bënte arrestime, prandaj vëmendja e opinionit botëror u zhvendos nga Prishtina në Tiranë, duke ia humbur në masë të madhe rëndësinë atij veprimi politik që ndërmorën Delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët edhe pse në rrethana mjaftë të dyshimta që ishin zgjedhur e seleksionuar nga ai regjim, ata kryen një mision historik.

Këtë ngjarje, Radio Televizioni i Prishtinës (RTP), në mënyrë eksplicite e pasqyroi rëndësinë kushtetuese të “ Korrikut 1990,  prandaj RTP-ja nuk mbeti pa u ndëshkuar. Më 5 korrik 1990, regjimi i Beogradit e mbylli RTP-në, për të mos u hapur më kurrë, për fat të keq as pas çlirimit të Kosovës?! Mbyllja e dhunshme e Radiotelevizionit të Prishtinës nga forcat policore serbe, erdhi vetëm 3 ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.  

Fushata e egër kundër RTP u bart tek gazeta “RILINDJA”, e cila më 5 shtator 1990, u ndalua edhe botimi i saj, por gazetarët e saj nuk u ndalën veprimtarin e tyre dhe nuk u përkulën para presionit të Serbisë. Shuarja e këtyre dy mediumeve me traditë të gjatë, që patën pasur rolin kryesor në shpërbërjen e Jugosllavisë, u mallkua nga klika titiste e shërbimit komunist jugosllav. Ata shpejt janë riformatizuar, kurse sot pozitat e tyre nëpër parti politike dhe në institucionet shtetërore, është e fortë dhe ndikuese.

Nga ngjarjet ndërkombëtare vlen ta përmendim se gjat muajit gusht të atij viti do të fillon Lufta në Gjirin Persik, kurse më 3 tetor 1990, Gjermania  bashkohet përfundimisht në një shtet të vetëm.  Ngjarje të tjera me rëndësi mbeten demonstrata e studentëve në Tiranë kundër regjimit komunist, kurse një javë më vonë, më 12 dhjetor 1990, themelohet Partia Demokratike e Shqipërisë, e para parti opozitare.

Në Beograd, më 9 dhjetor 1990, Slobodan Milošević, zgjidhet kryetar i Serbisë për të nisur ofensiva e tij drejt Kosovës, e cila vazhdimisht është ndihmuar nga strukturat e mbetura në LKJ-në, në mesin e të cilëve bënte pjesë edhe Isa Mustafa.

Kur jemi këtu, duhet përmendur se në Enciklopedinë e Lirë “Wikipedia”, versioni në gjuhën anglisht thuhet se “në vitet 1990, ndërsa Jugosllavia filloi të shpërbëhej, Isa Mustafa u bë Ministër i Ekonomisë dhe Financave i qeverisë së Republikës së Kosovës, në mërgim, i kryesuar nga Bujar Bukoshi. Gjatë kësaj kohe, një urdhër arresti për Mustafën u lëshua brenda Jugosllavisë – që nuk u bë kërkesë ndërkombëtare, duke bërë të mundur që ai të punojë në Evropën Perëndimore. Isa Mustafa nuk kërkoi azil politik dhe ishte në gjendje të kthehej në Kosovë në çdo kohë nëse ishte e nevojshme”[6]. Kurse në versionin e kësaj enciklopedie në gjuhën gjermane, pos tjerash thuhet: “Pas luftës, Isa Mustafa u përfshi si shkencëtar dhe studiues në Universitetin e Prishtinës dhe Institutin RIINVEST. Ai ishte President i Bordit Mbikëqyrës në Bankën “Dardania”, si dhe anëtarë i Bordit Mbikëqyrës në “Banka e Re”, në Universiteti i Kosovës, Universiteti Amerikan në Kosovë dhe Banka Qendrore e Kosovës”[7]. E këto pozita udhëheqëse, përplot hipoteka e dyshime, janë të mjaftueshme për prokurorin e shtetit për të nisur hetime. Isa Mustafa, vazhdimisht ka ditur të mashtroj, madje dyshohet edhe shërbimet e sofistikuara të inteligjencës ndërkombëtare, që heshtin karshi tij.

Pra, duke i parë obstruksionet e Isa Mustafës në raport me VETVENDOSJEN, për ta themeluar “Qeverinë KURTI”, duket se “Pushteti i butë post-komunist u dëshmua shumë më efektiv në lodhjen dhe vetë-dorëzimin e intelektualëve, se ai i mëparshmi- i vrazhdi-komunist. Intelektualët (edhe ata në LDK, shënimi im sh.d.), e pranuan këtë lojë, andaj as nuk mund të amnistohen. Ata, mbeten humbësit e vazhdueshëm, pavarësisht ndryshimit të sistemit“[8].

 

St. Gallen, 08.12.2019.

 

Vijon…

 

 

[1] Wikipedia, Enciklopedia e lirë, Sali Çekaj, https://sq.wikipedia.org/wiki/Sali_%C3%87ekaj

[2] Ramë Arifaj: “Organizimi Ushtarak në Zonën Operative të Llapit në luftën çlirimtare të Kosovës1998-1999”, FAKULTETI I SIGURISË DHE MBROJTJES, Tiranë 2018

[3] Ahmet Qeriqi: “Revolucioni” i braktisjes së triskave të LKJ-së nga gazetarë e jugo-intelektualët në vitin 1989», Portali «Radio Kosova e Lirë», 20 korrik 2015; https://www.radiokosovaelire.com/revolucioni-i-braktisjes-se-triskave-te-lkj-se-nga-gazetare-e-jugo-intelektualet-ne-vitin-1989/

[4] Po aty: Ahmet Qeriqi: “Revolucioni” i braktisjes së triskave të LKJ-së nga gazetarë e jugo-intelektualët në vitin 1989», Portali «Radio Kosova e Lirë», 20 korrik 2015; https://www.radiokosovaelire.com/revolucioni-i-braktisjes-se-triskave-te-lkj-se-nga-gazetare-e-jugo-intelektualet-ne-vitin-1989/

[5] Blerim Reka: “Lodhja intelektuale”, Zëri, 04 tetor 2018. https://zeri.info/zerat/219257/lodhja-intelektuale/

[6] Wikipedia, the free encyclopedia; ISA MUSTAFA – Political career; https://en.wikipedia.org/wiki/Isa_Mustafa

[7] Isa Mustafa, Leben und Karriere; Wikipedia, Die freie Enzyklopädie»; https://de.wikipedia.org/wiki/Isa_Mustafa

[8] Blerim Reka: “Lodhja intelektuale”, Shekulli, 10 tetor 2018. http://shekulli.com.al/lodhja-intelektuale/