PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (11)

Me shkas:

PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (11)

 Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilin do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në Librin e Rekordeve Guinness!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Kuvendi i VII-të Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbajtur më 7 nëntor 2010[1], pa praninë e përfaqësuesve të Familjes Rugova[2]. Vlen të ritheksohet se mënyra e fitores së Isa Mustafës, ishte e tipit puçist. Paradoksi i asaj demokracie që po instalohej në LDK, ishte e dhëna se Isa Mustafa nuk ishte anëtarë i LDK-së?! Kështu LDK-ja po niste një rrugë të diletantizmit duke shënuar një rast të panjohur gjerë atëherë, jo se jo në vendet demokratike, por askund nuk kishte ndodhur në vendet e lindjes, të cilat kanë dalë nga diktatura komuniste, të kenë zgjedhur një ish komunist në krye të një partie demokratike, e cila në ato rrethana kishte luajtur rolin e vet historik. Mënyra e fitores “me duar në gjepa” dhe akomodimi i tij i pamerituar, siç thamë pa qenë anëtarë i partisë, filloi të bëhej ritual i përhershëm.

Në Kuvendin e VII-të Zgjedhor, Isa Mustafa e kishte “goditur pas shpine[3], mikun e tij Fatmir Sejdiu. Por skenarë të tjerë prapa shpinës së Fatmir Sejdiut, kishin punuar e kishin aktruar edhe Vjosa Osmani[4], Këshilltare për çështje Juridike në Presidencë, Agim Veliu[5], kryetar i Degës së LDK-së në Podujevë, bashkë me Lutfi Hazirin dhe Ismet Beqirin, të cilët ishin struktura të më hershme dhe mbështetës të deridjeshëm të ish Presidenti dhe Kryetarit të deriatëhershëm të LDK-së, por ata brenda natës do ta ndërrojnë gëzofin për tu bërë pastaj klientelë besnike e Isa Mustafës. Pa dyshim skenari i këshilltarit të tij, rezultoi të jetë i suksesshëm. Kurse Fatmir Sejdiu, vetëm të dielën e 7 nëntorit 2010, do të përjetojë gabimin e bërë, dhe sigurisht do të pendohet pse e kishte privilegjuar argatin e Rrahman Morinës, i cili i “kishte bërë be `për kokën e fëmijëve` që nuk kishte ambicie për kryetar të LDK-së”[6], ndërsa në anën tjetër pikërisht ai, ia ka rrëmuar dheun ndër këmbë, për t’ia marrë drejtimin e LDK-së, në mënyrë krejt antidemokratike dhe të pandërgjegjshme. Sipas kodeve zakonore, nuk ka as serb, (nga ata që ishin raje jo), por as shqiptar jo se jo, që do të ishte betuar në kokën e fëmijëve se nuk ka ambicie për kryetar të partisë, e në anën tjetër për t’ia futur thikën pas shpine. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm komunisti, të cilit nëse ia jep dorën do ta hanë kokën, por në asnjë mënyrë qenia njerëzore. Ndërsa për këta karaktere bukur ka portretizuar, Edison Ypi kur shkruan: “KOMUNISTI, është mishërimi i të të gjitha sëmundjeve, deformimeve, patologjive; psikike, psikologjike, sociale, qytetare, kulturore, intelektuale, antropologjike[7].

Andaj ky tip komunisti jugosllav, duke pasur fobi nga vetja e tij, qysh nga Kuvendi i VII-të Zgjedhor, më nuk do të pranojë t’i nënshtrohet votës së lirë, madje pavarësisht edhe nga humbjet e njëpasnjëshme, ai kurrë më nuk dha përgjegjësi, ashtu siç nuk kishte dhënë as formalisht, (se për tu distancuar jo se jo), për veprimet në të kaluarën e tij në kohën e LKJ-së, e gjatë asaj kohe dihet se ka qenë dorë e fort e LKJ, për dhunën, diferencimin dhe për rrënimin e autonomisë së Kosovës. Po ashtu Isa Mustafa, kurrë nuk ka dhënë llogari as për bëmat dhe përgjegjësit e tij sa ishte Ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Republikës së Kosovës në ekzil, e në anën tjetër ekonomia e tij private dhe ajo e djemve[8], ka shënuar vetëm suksese të cilat mund të arrihen vetëm me infuzione ose privilegje që mund t’i krijojnë zyrtarët e lartë shtetëror.

Ardhja e Isa Mustafës në krye të LDK-së bëhej me skenar dhe kishte mision të qartë, për ta shkatërruar partinë e Ibrahim Rugovës, dhe kjo ndodhte si hakmarrje, pse kjo parti ia shkatërroi Isa Mustafës, Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë[9]. Shikuar nga ky prizëm ne mendojmë se nuk ka Parti Politike diku në Evropë dhe as në vendet e Lindjes të cilat kanë dalë nga diktatura komuniste që kanë rizgjedhur një kryetar siç ka vepruar LDK-ja në Kosovë, kryetari i së cilës i ka humbur të gjitha zgjedhjet, lokale e nacionale, dhe përsëri klientela e tij, të cilët kanë pushtuar LDK-në, e ricikluan dështimin, për të dështuar në Zgjedhjet e 6 tetorit 2019, prandaj e kanë rizgjedhur Isa Mustafën, për të satën herë kryetar të LDK-së, ndërsa tashti nuk kanë dert nëse e zhgënjejnë elektoratin e tyre?!

Ky paradoks kaq absurd mund të zë vend në librat e çudirave, të cilat regjistrojnë statistike për çmenduritë dhe për budallëllëkun politik që ndodh vetëm në Ballkanin Perëndimor. Ky paradoks lidhet edhe me mandatin e Isa Mustafës, si kryetar i LDK-së, ku do t’i rehabilitojë të gjitha strukturat e Institutit RIINVEST, madje duke mos qenë asnjëri prej tyre anëtarë i LDK-së. Po ashtu, Isa Mustafa, arriti t’i sistemojë argatët e vet kudo. Punësime politike ose nëpër poste e borde shtetërore, nëpër banka komerciale, në Trustin Pensional dhe nëpër dikasteret tjera të rëndësisë së veçantë. Në anën tjetër dështimet e Isa Mustafës në udhëheqje të partisë dhe vendit s’kanë të ndalur. I vetmi sukses që mund ti pranohet atij, janë prishja e rregullave dhe sistemit demokratik që ekzistonte brenda LDK-së.

Gjatë këtyre viteve sa ka udhëhequr Isa Mustafa, në LDK janë sistemuar pamerituar, të paktën: dr. Vjosa Osmani, dr. Avdullah Hoti, dr. Hikmete Bajrami, Vjosa Dumoshi, dr. Arban Abrashi, mr. Arben Gashi, dr. Lumir Abdixhiku, kryetari i Degës në Ferizaj, Muharrem Sfarqa, Kryetari i Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, kryetari i Degës së LDK-së në Prizren Anton Quni, Bajram Gecaj, etj. të cilët ishin klientelë e besuar në Fondit e Trepërqindëshit, në Gjermani, Sfarqa dhe Angli, Gecaj, ose ishin pjesëtarë të FARK-ut të bujar Bukoshit, rasti i Anton Qunit dhe militantët e Organizatës Joqeveritare “ORA”, Gazmend Muhaxheri, dhe së fundmi shumë të tjerë në emër të “gjakut të familjarëve”, ose fatkeqësive të ndryshme dhe patriarkalizmave ndikues.

Të gjithë këta e dinë se në mandatin e Isa Mustafës, janë shkatërruar dhe janë qitur nga sistemi organizativ të gjitha Aktivet e LDK-së, të cilat kanë mbuluar lagjet e shumta në qytet ose nëpër zonat rurale. Pastaj me bekimin e tij është mbyllur Qendra për Informim e Kosovës (QIK), por nëse është shkatërruar databaza e atyre lajmeve, të cilat janë distribuuar dikur nga kjo qendër, Prokurori i Shtetit, duhet të nis hetimet për kallëzim penal, që ka të bëjë me shkatërrimin e pasurisë arkivore të një qendre informative, e cila në një kohë të errët, ka pasur rolin kryesor për informimin e botës për krimin serb që bënte në Kosovë. Të shpresojmë se kjo thirrje publike do të merret parasysh edhe nga veprimtarët dhe strukturat e LDK-së të cilat duhet të kërkojnë llogari nga vet Isa Mustafa, për të sqaruar nëse Misioni i Lidhjes, ka për qëllim shkatërrimin e të gjitha vlerave, morale, resurset njerëzore dhe faktet e aktet historike.

Lidershipi, Isa Mustafa, vazhdimisht ka dhënë premtime për fitoren dhe ka garantuar për një koalicion qeverisës LDK & LVV, tash heziton, kurse “LDK-ja duhet ta mbajë mend këtë deklaratë. Përgjegjësi kanë edhe kandidatët për komuna, p.sh. Lutfi Haziri, Muharrem Svarqa, po ashtu kanë zbritje në komunat e tyre. Me një fjalë ka zbritje të elektoratit në krahasim me zgjedhje të mëhershme. Mendoj, pasi ata që kanë humb, duhet të japin dorëheqje[10], por kjo nuk ka ndodhur as me humbjet zinxhirore të Isa Mustafës, andaj as këta dhe as të tjerët nëpër komuna e qendra të tjera nuk do të marrin përgjegjësi për rënie e humbje të radhës, e së këndejmi as nuk do të pason asnjë dorëheqje.

LDK-ja tashmë funksionon si pronë private e aksionarëve të RIINVESTIT, prandaj kjo parti nuk ka as anëtarësi të regjistruar, anëtarët e saj nuk janë të pajisur me libreza dhe askush nuk paguan anëtarësi. Prandaj nuk di se si ka mundësi më shumë të degradohen vlerat e demokracisë. Dikur zgjedhjet e brendshme në LDK, kanë pasur një sistem dhe vlerë, sidomos në vitet e nëntëdhjeta, por sot, kundër kandidatët vetëm improvizohen sa për të krijuar mozaik demokratik, por e vërteta qëndron ndryshe, se aty ku respektohen vlerat demokratike, e veçmas nëse dikush zgjidhet pa marrëveshjen me Isa Mustafën, ai proces zgjedhor dhe ato kuvende do të anulohen, siç ka ndodhur me Degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, të cilat do të luftohen nga mercenaret e Isa Mustafës, madje ka edhe nga ata që e kanë tradhtuar në kohë lufte Heroin e Kosovës Salih Çekaj! Në këtë mision të Lidhjes, janë të involvuar brigada vullnetarësh, të cilët mashtrojnë e shantazhojnë njerëzit që nuk i dëshiron Isa Mustafa.

Me mjaftë interes do të ishte të hetohej se kush e ka mashtruar me të dhëna të falsifikuar shërbimin amerikan, për ta vizituar Ambasadori Amerikanë Isa Mustafën, në shtëpinë e tij[11], si dhe çka iu ka thënë zyrtarëve të EPP-së[12] për demokracinë e brendshme në LDK, për klientelizmin e zyrtarëve nga Instituti RIINVEST dhe nga Brezi i Republikës, madje pa qenë anëtarë të LDK-së, duke përfshirë edhe vet Isa Mustafën, për ndëshkimin që LDK-ja ua ka bërë Degëve të LDK-së në Diasporë, dhe formave të tjera të komunikimit antidemokratik që i aplikojnë zyrtarët e RIINVESTIT të ramë pa meritë, dhe në mënyrë klandestine në LDK. Pastaj çka ka mundur të flas për demokracinë e brendshme në LDK, Vjosa Osmani, si dhe si e paska prezantuar Isa Mustafën, në administratës Amerikane[13], dhe veçmas çfarë i ka rrëfyer asaj gjermane, qoftë në takimet e saj me zyrtarët në CDU ose drejtpërdrejt në Bundestagun e Gjermanisë[14]. E pse, të paktën sa ishte në Gjermani, nuk e takoi dhe as nuk e mori në shoqërimin e saj edhe Donikë Gërvallën?! A thua Vjosa, mendon se diplomacia gjermane është aq e mangët për të mos i kuptuar format e mashtrimit që ua bëjnë edhe atyre zyrtarët e lartë të LDK-së, duke përfshirë edhe vetë Vjosa Osmanin.

Çdo përpjekje e strukturave politike brenda LDK-së, për të kërkuar nga EPP, nga CDU dhe mekanizma të tjerë, për tu solidarizuar me Isa Mustafën është e dëmshme, sidomos kur fjala është për një komunist të rafinuar, i cili para se të pendohet është në gjendje për ta shkatërruar Kosovën. Këto veprime kreu i LDK-së, po i bënë edhe ditëve të fundit, që duken të jenë obstruksione tipike komuniste, sepse për të themeluar bashkë me LVV-në, Qeverinë e Republikës, është kontratë publike me votuesit, prandaj nuk duhet me e prishur imazhin e mirë të zgjedhjeve të lira dhe demokratike të cilat u mbajtën më 6 tetorit 2019, veçanërisht për të mos i zhgënjyer votuesit dhe popullin e Kosovës, të cilët janë mashtruar edhe nga premtimi i radhës që ua ka bërë vet zoti Mustafa, se në rast të fitores, qeveria e ardhshme do të jetë koalicioni LVV & LDK!

 

St. Gallen, 30.12.2019.

 

[1] “Isa Mustafa zgjidhet kryetar i LDK-së”, Radio Evropa e Lirë, 07 nëntor, 2010; https://www.evropaelire.org/a/2212983.html

[2] Valmir Klaiqi, “Isa Mustafa, përballë Thaçit”, Gazeta Express, 08. Nëntor 2010.

[3] Fatmir Sejdiu: Isa Mustafa më ka “goditur pas shpine”, INA, 20/11/2019; https://ina-online.net/fatmir-sejdiu-isa-mustafa-me-ka-goditur-pas-shpine/

[4] Fatmir Sejdiu: Isa Mustafa më ka “goditur pas shpine”, INA, 20/11/2019; https://ina-online.net/fatmir-sejdiu-isa-mustafa-me-ka-goditur-pas-shpine/

[5] “Fatmir Sejdiu tregon si u tradhëtua nga Vjosa Osmani e Agim Veliu”, Indeksonline, E Martë, 19 Nëntor 2019; https://indeksonline.net/fatmir-sejdiu-tregon-si-u-tradhetua-nga-vjosa-osmani-e-agim-veliu/

[6] “Fatmir Sejdiu tregon si u tradhëtua nga Vjosa Osmani e Agim Veliu”, Indeksonline, E Martë, 19 Nëntor 2019; https://indeksonline.net/fatmir-sejdiu-tregon-si-u-tradhetua-nga-vjosa-osmani-e-agim-veliu/

– “Fatmir Sejdiu: Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe Muharrem Svarqa duhet të japin dorëheqje nga LDK”, Kosova.Live, 19 Nëntor 2019 ora 22:29; https://kosova.live/fatmir-sejdiu-isa-mustafa-lutfi-haziri-dhe-muharrem-svarqa-duhet-te-japin-doreheqje-nga-ldk/

[7] Edison Ypi, “KOMUNISTI”; Publikuar në “CNA.AL”, 19 Shkurt 2016; https://www.cna.al/2016/02/19/nga-edison-ypikomunisti/

[8] Këto janë ndërtesat milionëshe të djemve të Isa Mustafës në Prishtinë (Video), Ballkan Web, 25 Dhjetor, 2016 22:45; https://balkanweb.com/keto-jane-ndertesat-milioneshe-te-djemve-te-isa-mustafes-ne-prishtine-video/

[9] “ISA MUSTAFA NË MISION SHKATËRRUES SE LDK- se SË RUGOVES DHE KOSOVËS”, Presheva Jonë, February 24, 2016; https://www.preshevajone.com/isa-mustafa-ne-mision-shkaterrues-se-ldk-se-se-rugoves-dhe-kosoves/

[10] “Fatmir Sejdiu: Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe Muharrem Svarqa duhet të japin dorëheqje nga LDK”, Kosova.Live, 19 Nëntor 2019 ora 22:29; https://kosova.live/fatmir-sejdiu-isa-mustafa-lutfi-haziri-dhe-muharrem-svarqa-duhet-te-japin-doreheqje-nga-ldk/

 

[11] “Ambasadori amerikan Greg Delawie të mërkurën e ka vizituar në shtëpinë e tij kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa”, Informatat.com, 7 qershor 2018; http://www.informatat.com/delawie-viziton-isa-mustafe-ne-shtepi-kjo-eshte-arsyeja/

– “Zhvillime të reja: Ambasadori amerikan i shkon për vizitë në shtëpi Isa Mustafës”, Veriu.info, 31/12/2018; http://www.veriu.info/zhvillime-te-reja-ambasadori-amerikan-i-shkon-per-vizite-ne-shtepi-isa-mustafes/

[12] Wikipedia, Die freie Enzyklopädien: Die Europäische Volkspartei (EVP; französisch Parti populaire européen, PPE, englisch European People’s Party, EPP); https://de.wikipedia.org/wiki/Europ%C3%A4ische_Volkspartei

[13] “Vjosa Osmani takon Albrightin në Washington: Shpëtimtarja e shtetit tonë”, Gazeta Express, 18 Tetor 2019 16:18; https://www.gazetaexpress.com/vjosa-osmani-takon-albrightin-ne-washington-shpetimtarja-e-shtetit-tone/

– “Vjosa Osmani në Washington takon kongresistin Johnson», Korrospondenti”, 17 Tetor, 2019 – 15:53; https://korrespodenti.com/lajme/vjosa-osmani-ne-washington-takon-kongresistin-johnson/

[14] Vjosa Osmani vazhdon takimet me zyrtarë të lartë në Gjermani», Gazeta Blic, 11 dhjetor 2019, https://gazetablic.com/vjosa-osmani-vazhdon-takimet-me-zyrtare-te-larte-ne-gjermani/