PRAGMATIZMI E SHPËTON KOSOVËN

Letër ambasadorëve (14)

PRAGMATIZMI E SHPËTON KOSOVËN


Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Të nderuar Ambasadorë, Kosova ka nevojë për reforma të cilat duhet shoqëruar edhe me programe të aplikueshme të cilat do të duhej t’i menaxhonte një ekip a komision në të cilin do të ishte mirë sikur në të të ishin edhe ndërkombëtaret, pasi akuzat për krim dhe kriminalitet ekonomik dhe politik zakonisht po bëhen nga ndërkombëtarët kundër strukturave shtetërore me të cilët ne ju shohim duke u takuar dhe vazhdimisht po fotografoheni me të tillë, gjë që duket se kemi të bëjmë me standarde që pjellin paradokse në Kosovë.

Janë mjaftë të papranueshme akuzat se në Kosovë janë ngjizur krimi dhe politike, kurse në anën tjetër nuk bëhet gjë, nuk thuhet gjë dhe nuk ndërmerret gjë. Kur thuhet d.m.th. dihet, por mbetet enigmatike pse nuk veprohet, kur këta politikan të kriminalizuara as “cic” e as “mic”, nuk guxojnë të bëjnë nga Amerika dhe as nga zyrtarët e BE-së, andaj nëse udhëheqja politike e shtetërore qenka ngjizur me bandat e krimit, atëherë pse nuk veprohet, por sajojmë propagandë të neveritshme.

Të gjitha sistemeve të hetimit dhe të drejtësisë në botën demokratike iu humbin kohë deri sa të zbulojnë se kush e bënë krimin dhe me të ditur, prokurori i shtetit, i republikës, i komunës, por edhe i qytetit pa asnjë diskutim do t’i kishte prangosur. Në Kosovë ndodh e kundërta, në Kosovën që deri dje sistemin e drejtësisë e kanë udhëhequr ndërkombëtaret nuk veprohet kështu, ata lihen të qetë ndërsa akuzat pse nuk po prangosen vazhdojnë tash e njëzet vjet. Dua te them se edhe pse dihet dhe është ditur, asnjëherë nuk është vepruar. Janë krijuar spektakle mediatike me kamera të porositura, askush nga këto grupe s’ka reaguar dhe asnjëherë nuk ka pasur përplasje në mes grupeve kriminale dhe forcave policore dhe të sigurisë. I gjithë spektakli dhe akuzat e vazhdueshme duket se po bëhen vetëm sa për të krijuar imazhe negative për një organizimi kriminal të cilin nuk mund ta bëjnë zapt as BE-ja por as KFOR-i Amerikan në Kosovë. Ky spektakël më shumë duket se ka për qëllim të bëjë balancime në mes të viktimës dhe kriminelit. Ne jemi dëshmitar okular se as Gjykata Speciale nuk po has në vështirësi për t’i marrë dhe prangosur, prandaj të gjitha akuzat në drejtim të Kosovës bien poshtë si sajesa të qëllimshme. Dhe vërtetë nëse ka vullnet për ta reformuar sistemin politik dhe administratën shtetërore, duhet dikush të flas pa dorëza, e kundër dikujt duhet zgjatur gishtin, kurse politikanët e kriminalizuara të shkarkohen nga të gjitha vendet udhëheqëse, t’iu bllokohen llogaritë rrjedhëse dhe t’iu konfiskohet pasuria, madje duhet për t’ua pamundësuar udhëtimet jashtë shtetit.

Të nderuar Ambasadorë dhe drejtues të Misioneve Diplomatike në Kosovë, posaçërisht po iu drejtohem atyre sektorëve që i përcjellin zhvillimet politike dhe të sigurisë,  dhe atyre të drejtësisë,  duhet me ua publikuar emrat e personave të kriminalizuara dhe në asnjë mënyrë të mbani takime e të fotografoheni, sepse kjo mënyrë po krijon paqartësi tek secili qytetar për ti dalluar se cilët janë kriminelët.

Nuk duhet për të hezituar për ta bërë publike listën për zyrtarët politike që janë të involvuar në krim dhe kriminalitet, pastaj edhe ata që kanë keqpërdorur paranë publike, udhëheqësit politik e shtetëror që kanë dështuar, intelektualët që janë pajisur me grada akademike në mënyrë të pamerituar dhe sidomos t’ua pamundësoni avancimin politik të të gjithë kandidatëve për deputet të cilët nga rruga janë futur në mënyrë klandestine në listat zgjedhore, sepse kjo kategori është parazit i shoqërisë, ata kanë përftuar në situata krizash, dhe do ta paralizojnë udhëheqjen e shtetit sipas dëshirës së klaneve të interesit që i kanë futur në lista.

Të nderuar Ambasadorë, kjo listë nuk ka nevojë të zgjatet në pakufi, se do të mjaftonin disa qindra për t’i disiplinuar disa mijëra të tjerë. Të formohen komisione verifikimi dhe ai Vetting duhet të shtrihet kudo nëpër organizata joqeveritare dhe parti politike, e pastaj kudo në ndërmarrje publike, në aparatin e sigurisë shtetërore, në sistemin e drejtësie e deri në parlament dhe nëpër ministri, madje duke prekur kabinetin presidencial dhe vet presidentin e shtetit. Kjo metodë është e thjesht, e aplikueshme dhe materialisht jo shumë e kushtueshme.

Pastaj pse të mos iu bllokohen llogarit bankare, pse të mos iu bllokohen aksionet nëpër kompani, e nëpër skema të tjera kriminale, pse të mos iu konfiskohet pasuria e fituar në mënyrë klandestine të gjithë zyrtarëve politik dhe familjarëve të tyre? Mjafton t’iu bëhet 500 politikanëve, diku 5.000 bizneseve, për të disiplinuar edhe 50.000 zyrtar të tjerë, sepse Kosova nuk i ka 500 mijë të punësuar për ti disiplinuar 500 milion banorët e saj.

Edhe ashtu BE-ja e ka futur në karantinë tërë Kosovën duke mos lejuar që qytetarët e këtij vendi të lëvizin lirshëm dhe më duket se nuk është bërë nami, përveçse Evropa po dëshmohet se nuk ka qasje të njëjtë për të gjithë evropianët e saj. Tamam kosovarët po trajtohen si zezakët e Evropës. E pavarësisht kësaj njolle dhe kësaj akuze të rëndë, askush në Evropë nuk merakoset, kurse Kosova dhe qytetarët e saj edhe kështu të izoluar po gjallërojnë. Tash kur jemi këtu shtrohet një pyetje publike se çfarë do të kishte ndodhur për Bashkimin Evropian dhe për Amerikën sikur t’ua ndalonte hyrjen në Evropë dhe në Amerikë 500 udhëheqësve shtetëror, 5.000 udhëheqësve të krimit ekonomik, dhe diku nja 50.000 tinejxherëve të këtij krimi. Pra sikur BE-ja dhe Amerika tua pamundësonin lëvizjet dhe ti arrestonin, duke ua konfiskuar asetet dhe pasurinë nja 50 mijë dallaveraxhinjëve, çështja e Kosovës ishte zgjidhur, dhe ky vend do të kishte përparuar.

Të nderuar Ambasadorë, çështja e Kosovës është shumë e thjesht vetëm se duhet vullneti juaj për të vepruar, për të krijuar një ekip për Vetting i cili qysh më datën  07 tetor 2019, do t’i ftonte në mbledhje kryetarët e partive fituese dhe aty qartë tu thuhej se askush me barrën e krimit, korrupsionit, me barrën e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, të gjithë ata që kanë grada akademike të pamerituara dhe të gjithë ata që janë ngritur në udhëheqje politike me dallavere, nuk mund të emërohen në poste udhëheqëse.

Pastaj, ju do të bindeni se kjo gjë është e thjesht dhe lehtë e aplikueshme, vetëm se duhet vullneti i juaj për t’i zgjedhur problemet e ngatërruara, natyrisht jo krejt pa fajin tuaj dhe të misioneve të shumta që janë futur në Kosovë.

Kjo që po themi është një falënderim i madh për gjithë ndihmën që ia keni dhënë popullit të Kosovës për tu çliruar nga Serbia, por nuk duhet tashti të ngulfatët liria përmes këtyre veprimeve të cilat nuk aplikohen në vendet tuaja. Pra askund në Evropë dhe as në Amerikë nuk ndodhin paradokse kaq të shumta, se sa në një Kosovë shumë të vogël e cila disiplinohet kollaj.

Krijoni një Vetting, dhe qysh më datën 07 tetor 2019, duhet me vepruar. E nëse as tashti nuk jeni të gatshëm për t’ua thënë grupeve kriminale mjaftë më, atëherë përgjegjësia sa është tek kosovaret po aq bie dhe rëndon edhe mbi trupin diplomatik në Kosovë. Vërtetë kriminelet që ju i akuzoni se janë involvuar në politike duhet diferencuar dhe akuza paushallë për tërë popullin e Kosovës nuk duhet me u dhënë, andaj është mëkat për ta ndëshkuar një popull për grupe kriminale të cilat mundeni ju dhe mundet edhe drejtësia kosovare me i disiplinuar.

Paradokse e shumta që ndodhin në Kosovë, janë të pa shpjegueshme sidomos kur qytetari i sheh për çdo ditë se si mafia politike po takohet dhe fotografohet me zyrtar ndërkombëtar, i sheh duke udhëtuar kudo dhe bëjnë jetë tepër të shtrenjtë. Populli nuk mundet me i diferencuar, madje secili intelektual që do t’i diferencojë, mediat janë ato qe bëjnë avokatin e tyre. Çfarë mundet të bëjë qytetari i rëndomtë, kur sheh se një kriminel se bënë çfarë të dojë, takohet me cilindo diplomat, fotografohet me ta, kurse në anën tjetër Ambasadat dhe Zyrtaret diplomatik po hezitojnë për ti takuar intelektualët të cilët zëshëm shkruajnë dhe gjykojnë drejt realitetin në Kosovë. Ky konstatim mund të bëhet grotesk kur të kuptojnë qytetarët se intelektualët shqiptarë iu kanë shkruar letra, madje edhe ata intelektual shqiptarë të cilët më shumë se një çerekshekulli jetojnë jashtë Kosovës nëpër vendet e Bashkimit Evropian ose në SHBA. Çuditërisht Ambasadat, Ambasadorët dhe Misionet tjera Diplomatike në Kosovës, as atyre nuk iu besojnë, përkundrazi hezitojnë për tu takuar, nuk kanë kohë për ta dëgjuar as mendimin e tyre Evro-Amerikan dhe nuk i marrin parasysh vërejtjet e tyre.

Jam shumë i sigurt se nëse bëhet një hulumtim i kësaj natyre do të gjejmë shembuj konkret të këtyre përpjekjeve, të cilat i kanë bërë Shqiptarët Etnik të emigruar në Evropën Perëndimore ose në Amerikë, në anën tjetër heshtja e varrit i ka mbuluar thirrjet e tyre.

Analiza e këtyre devijimeve në qasjen e problemeve, nuk duhet të jetë sipërfaqësore, aq më tepër e shtyrë nga inatet ose nga emocionet e çastit, por le të bëhet më e thellë për të parë përpjekjet e kësaj Elite Intelektuale, e cila mundet me ndikuar pozitivisht në udhëheqjen shtetërore e politike në Kosovë. Elita intelektuale, është shpërfillur dhe përbuzur nga të gjithë, sidomos ajo elitë intelektuale e cila është jashtë rrethit të klientelës së tyre. Ky refuzim e ky injorim janë ngjizur në udhëheqjen politike në Kosovë, pa përjashtuar as trupin diplomatik të akredituar në Kosovë. E kjo ka të bëjë direkt me falsifikimin e biografive të të gjithë atyre personave që i konsiderojnë rival serioz. Grotesku i gjithë përpjekjes për të dal nga amullia do të ndodhë atëherë kur të vërtetohet se ndonjëri sysh përveç shkrimeve publike nuk ka bërë mëkate të tjera për t’iu detyruar të refuzoni takimet me ta.

Ne, e kuptojmë se populli duhet t’i zgjedh përfaqësuesit e vet në mënyrë të pavarur, por vendi im i ngjason një pacienti të sëmur, madje nuk ka aspak lidhje nëse ky pacient është vet mjeku, edhe ai ka nevojë për kujdesin e një ekipi dhe një institucioni shëndetësor që kujdeset për pacientët, siç thamë, s’ka lidhje nëse ai pacient është vet mjeku, edhe atij i duhet përkujdesja e një ekipi dhe një institucioni, prandaj Kosova, kërkon nga ju dhe institucioni shtetëror i venit tuaj, ta ndihmoj për të ndarë kriminelin me qytetarin e ndershëm.  Në anën tjetër, nëse ekipi dhe institucioni që do të merrej me ekzaminimin e sëmundjes është i pafuqishëm për shkak të mungesës së personelit profesionist, pacientët po dërgohen në klinikat e vendit tuaj. Pra, Kosova është në gjendje të tillë, asaj i duhet ndihma e ekspertëve tuaj e atyre që kastën politike kaq të kriminalizuara do ta shtrëngojë e kontrolloj, ashtu siç izolohen të sëmurit me virusin e sidës, ju duhet me emër e mbiemër grupet e tilla mafioze ti izoloni, t’ua konfiskoni pasurit e fituara në mënyrë të paligjshme, t’ua bllokoni llogarite bankare, t’ua ndaloni udhëheqjen politike e shtetërore atyre që kanë fituar grada akademike në mënyrë të pamerituar dhe nuk duhet të lejohen në poste udhëheqëse ata që janë avancuar si kleintelë nëpër partitë politike, bashkë me atë kategorinë që nga rruga janë futur si klientelë për t’ua ruajtur e mbrojtur interesat grupeve të kriminalizuara.

Të nderuar Ambasador dhe Misione Diplomatike në Kosovë, krijoni një Vetting të përbashkët të cilin duhet ta nënshkruajnë ambasadorët e vendeve mike, ambasadoret e Vendeve të Quintit dhe përfaqësuesit e SHBA-së, dhe qysh me 07 tetor 2019, kur të dihen partitë fituese, i mblidhni të gjithë dhe çartë ua thoni emrat e atyre që nuk mund ta udhëheqin Kosovën. Pastaj ai ekip nën sloganin “Tradita Vazhdo”, t’iu tregojë se të gjithë ata të tjerët që bien në kundërshtim me këto vlera të cilat i kërkon demokracia e konsoliduar në vendet tuaja nuk munden me udhëhequr shtetin dhe se do të përballën me drejtësinë.

Pra të nderuar Ambasadorë dhe Misione Diplomatike në Kosovë, topi është në duart tuaja, radha për të vepruar është e juaja, këtë e dëshiron Kosova dhe populli i saj, këtë e presim edhe ne!…

 

Vijon…

 

St. Gallen, 29 shtator 2019.

 

*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.