Portrete martirësh AFRIM K. ABAZI (07.06.1963 – 19.03.1982)

Portrete martirësh

AFRIM K. ABAZI (07.06.1963 – 19.03.1982)

Jeta dhe vepra e Afrim Abazit, anëtarit aktiv dhe njërit nga udhëheqësit
e Organizatës së Rinisë (ORK) të PKMLSHJ, lidhet ngushtë me lëvizjen
revolucionare e atdhetare në Kosovë dhe luftën e paepur të popullit tonë
për liri, barazi e pavarësi të vazhduar ndër shekuj e dekada për të
arritur në ditën e një agimi të pritur ndër mote. Pjesëtarë në jetësimin
e kësaj aspirate të dashur e të ndritur, në të cilën u lidhën brezat
njeri pas tjetrit, i ra nderi të bëhej edhe Afrimit.
Përgatitur nga Osman Osmani, 20 mars 2021
Afrim Abazi u lind më 7 qershor 1963 në fshatin Slivovë, komuna e
Ferizajt. Babai i Afrimit, Kadriu, ishte mësues i dalluar dhe këtë
profesion e ushtroi me dashuri dhe përkushtim plot 40 vjet. Nënë Ajshja
ishte një nënë shembullore, e cila gjithnjë ishte pranë të birit, duke
përfshirë edhe pjesëmarrjen e saj aktive në demonstratat e Ferizajt, më
3 prill 1981.
Të shkruhet për rininë aktive, atdhetare e revolucionare shqiptare të
periudhës para dhe pas vitit 1981 është një detyrë e domosdoshme,
njëkohësisht është edhe një punë që evidenton argumente dhe dëshmi të
rëndësishme, të cilat kanë vulën e punës dhe veprimtarisë heroike të
djemve dhe vajzave që për Atdheun, lirinë, barazinë e prosperitetin
kombëtar e shoqëror nuk kursyen aspak shpatullat e tyre të njoma dhe u
vunë tërësisht në shërbim të rrugës së mundimshme, por krenare
madhështore për lirinë, çlirimin kombëtar e shoqëror. Ngjarjet e
rëndësishme të zhvillimeve politike dhe atdhetare kanë lënë gjurmë të
thella në të gjithë ecurinë e jetës dhe punës, veprimtarisë të asaj
pjese të popullit shqiptar nën pushtimin e atëhershëm jugosllav. Në këtë
vijueshmëri roli dhe gatishmëria shpirtërore e shumë të rinjve e të
rejave atdhedashëse po shtronin të fortë tabanin në rrugët revolucionare
për çlirimin e kësaj pjese të Atdheut, që qe nën pushtimin jugosllav.
Afrim Abazi, duke shtegtuar në rrugëtimin drejt lirisë, në rrugën e
pakthyeshme shoqërore e kombëtare për të cilën ishte përcaktuar me kohë,
më 11 mars 1982, kur po bëheshin përgatitjet e fundit për të shënuar dhe
për të kremtuar njëvjetorin e demonstratave historike të 3 prillit 1981,
u rrëmbye nga Sigurimi Shtetëror serbo-jugosllav, me dorën e shqiptarëve
kuislingë, bashkë me shokun e tij, Ymri Ilazi, dhe u dërgua në UDB-në e
Ferizajt, prej nga pas pak ditësh doli i mbytur në tortura, kurse shoku
i tij, Ymri Ilazi, u dënua me burg të gjatë.
Familje me traditë atdhetare e përparimtare
Pra, Afrimi u rrit dhe u edukua nën përkujdesjen, sidomos, të babë
Kadriut, i cili dikur kishte qenë anëtar i Partisë Nacionale Demokratike
Shqiptare. Nga të gjitha mësimet e babait, Afrimit të vogël i kishte
lënë mbresa të thella shembulli i Mic Sokolit, i cili ia kishte vënë
kraharorin topit të armikut duke u shndërruar në simbol të guximit dhe
të sakrificës për të gjitha brezat. Shpeshherë, Afrimi me babë Kadriun
ia rregullonte varrin Heroit dhe mbillte lule mbi varrin e tij. Gjatë
shkollimit të mesëm në Ferizaj, ku i ndiqte mësimet në Shkollën Teknike,
shpeshherë u thoshte shokëve: “Slivova ka një nder të veçantë, që mban
në gjirin e vet Heroin kombëtar, Mic Sokolin”.
Anëtarë i ORK të PKMLSHJ dhe bashkë-organizator i demonstratave
Marsi e prilli i vitit 1981 e gjejnë Afrimin në ballë të veprimeve
revolucionare të rinisë shqiptare të Kosovës. Si anëtarë i OR së PKMLSHJ
dhe Komitetit Drejtues të saj u angazhua aktivisht në organizimin e
demonstratave.
Një kontribut shumë të rëndësishëm u tij ishte në fund të muajit mars
1981 kur u bënë përgatitjet e shpërthimit të demonstratave në Ferizaj.
Afrimi bënte pjesë në grupin e ngushtë të shoqeve e shokëve që do të
nisnin demonstratën. Çdo gjë ishte zhvilluar sipas parashikimeve deri në
momentin e fundit, kur erdhi urdhri i prerë që demonstrata të mos
shpërthente, meqë policia ishte në dijeni dhe kishte marrë të gjitha
masat që ajo të shuhej me gjak. Afrimi kishte shtangur. Atë shtangie të
tij, atë fytyrë plotë dritë e zjarre, shokët e shoqet e tij nuk do ta
harrojnë kurrë. T’ia fillonte e shtynte një zjarr i brendshëm rinor,
ndërsa mësimet e Organizatës e mësonin të ishte i disiplinuar. Afrimi e
zbatoi urdhrin e Organizatës për të heshtur me 29 mars e për të ngritur
lartë zërin me 3 prill 1981, kur në ballë të popullit ferizajas, me
flamurin kuq e zi në dorë i priu masës në betejën me serbomëdhenjtë.
Në shkrimet e tija revokuese për demonstratat e vitit 1981 në Ferizaj,
Faton Topalli si njëri nge bashkëveprimtarët kryesorë të Afrim Abazit
revokon: “Më kujtohet si sot ai moment kur Afrim Abazi më pyeti se si do
të fillojmë demonstratën pa transparente. I thashë: – Ja ku i janë
transparentet ja ktheva duke i treguar me dorë nga to me mbishkrimet:
‘Rroftë shoku Tito’, ‘Rroftë 25 Maji’ e tjera të ngjashme. Po bënë
shaka, më tha. Jo, i thash: – Ato janë transparente të dyfishta. Prapa
parullave që duken janë të shkruara kërkesat tona ‘Duam Republikë,
Barazi, etj.’. Posa të filloi demonstrata do ti heqim të parat dhe do të
dalin në pah ato me kërkesat tona. Afrimi vetëm sa nuk më përqafoi nga
gëzimi”.
Afrimi qëndroi në ballë edhe në përleshjet e egra me forcat policore të
Beogradit. Atij nuk iu drodh zëri kur foli para masës për luftën që po
bëhej. Afrimi më pas veproi vazhdimisht në masivizimin e radhëve të ORK,
ndërsa veprimtaria e tij prej revolucionari do të intensifikohej përmes
shpërndarjes dhe propagandimit të trakteve dhe materialeve tjera të
Organizatës së Rinisë dhe Partisë, si gazetat “Revolucioni”, “Zëri i
Atdheut”, “Teoria dhe praktika e Revolucionit” si dhe materialet tjera.
Me dashurinë e tij për atdheun dhe me guximin për të sakrifikuar çdo gjë
për lirinë e atdheut, Afrimi me kohë u bë njëra nga shtyllat kryesore të
veprimtarisë atdhetare ilegale në kuadër të Organizatës së Rinisë (të
Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi),
bashkë me shokët dhe me shoqet e tij më të ngushtë, si: Faton Topalli,
Ymri Ilazi, Fehmi Hajrullahu, Sejdi Sejdiu, Fatmir Bajrami, Rafiz
Haliti, Fatime Gjinollin, Lumnije Azemin, Naim Ramadani, Gazmend Bajra,
Lirie dhe Fitim Ramadani, Agron Ramadani, duke e zgjeruar rrethien edhe
me Teuta Zymberin, Fatmir Avdullahun, Naim Nuredinin, Halit Osmanin,
Naser Kukën, Hysen Shehun, Xhevahire Avdullahun, Hanumshahe dhe Isak
Begeshollin, Mikreme Demirin, Shyqeri Gjinollin, Vehadin Azemin,e të
tjerë, veprimtarinë e të cilëve e koordinonte drejtuesi i ORK (dhe
sekretari për rini i PKMLSHJ) Faton Topall, paraqisnin bërthamën, e cila
do të jepte kushtrimin për shpërthimin e demonstratës së 3 prillit 1981
dhe aktivitetet pasuese atdhetare e revolucionare në Kosovë e më gjerë.

Afrim Abazi dhe demonstrata e 3 prillit 1981 në Ferizaj
Të gjitha organizimet për demonstratat e 3 prillit 1981, në Ferizaj,
ishin kryer. Ora e madhe e demonstratave, e caktuar me kohë nga
organizatorët, erdhi.
Më 3 prill 1981 qyteti gumëzhinte nga njerëzit që në orët e para të
mëngjesit.  Mes ferizajasve sikur ishte arritur një marrëveshje në
heshtje: Demonstrata do të fillonte sot. Punëtorët trima të Kombinatit
të Drurit “Tefik Çanga” me grevën e tyre sikur kishin lëshuar
kushtrimin. Demonstrata filloi në ora 13:45, mes dy ndërrimeve të
shkollave. Sado që organizatorët kishin caktuar grupi nismëtar për
fillimin e demonstratës, brohoritjen e parë e bëri Nexhat Tërstena,
ndërsa e shoqëruan me brohoritje qindra zëra të shkollarëve që po
prisnin padurim këtë moment.
Në grupin dhe rendin e parë të demonstruesve u shpërndanë disa dhjetëra
trakte të ardhura disa ditë më parë nga Komiteti Qendror i PKMLSHJ, në
të cilat ishin të shënuara parullat dhe kërkesat që duhej të
brohoriteshin në demonstratë. Nga Lista e parullave dhe kërkesave të
përpiluara nga shtabi për demonstrata i Organizatës (PKMLSHJ) në Traktin
e shpërndarë po veçojmë: ‘Kërkojmë Republikë’, ‘Kërkojmë pavarësi’,
‘Kërkojmë kushte’,  ‘Kërkojmë barazi’, ‘Kërkojmë bashkimin e mbarë
trevave shqiptare në një Republikë’,  ‘Poshtë dallimet sociale’, 
‘Poshtë eksploatimi i Kosovës’, “Poshtë hegjemonizmi’, ‘Poshtë
kolonializmi’, ‘Poshtë tradhtarët’, ‘Poshtë kolonialistët’, ‘Nuk ka paqe
pa liri’, ‘Nuk ka barazi pa pavarësi’, ‘Nuk ka barazi pa Republikë’,
‘Nuk do të ketë paqe për tradhtarët e mashtruesit’, “Rroftë Adem
Demaçi!”, etj. Siç dihet shumica e këtyre kërkesave dhe parullave edhe u
brohoritën zëshëm dhe u përdorën nga demonstratat masive në Prishtine,
në Ferizaj dhe në qendrat e tjera të Kosovës në demonstratat e
mars-prillit 1981. Kështu platforma e Organizatës bashkë me kërkesat e
saja dominuan dhe u bënë kërkesa të masave popullore.
Siç dihet ky grup i parë u shpërnda shumë shpejt nga ndërhyrja e
policisë. Me rastin e sulmit të parë të policisë u godit njëri nga
organizatorët e demonstratës, veprimtari e drejtuesi i ORK – Fatmir
Bajrami, i cili po ashtu ishte në ballë të demonstratës.  Këtu filloi
edhe përleshja me policinë e armatosur deri në dhëmbë dhe e
demonstruesve duarthatë e popullit të pambrojtur, të cilët megjithatë me
gurë disa herë arriti të zmbrapsë policinë që po sulmonte duke shti me
armë.
Afrim Abazi ndodhej në grupin tjetër që ishte tubuar tek shkolla
teknike. I tërë qyteti ushtonte nga brohoritjet REPUBLIKË! Kur ky grup
arriti në qendër të qytetit, Afrim Abazi ndodhej në ballë të tij.
Pranë Parkut të qytetit, demonstruesit e tubuar filluan një duartrokitje
të gjatë frenetike. Disa demonstrues e ngritën Afrim Abazin në duar,
kurse Afrimi brohoriti me zë të fuqishëm: “Kush s’bashkohet, është
tradhtar!”.
Afrim Abazi propozoi që të hynim në një shitore aty pranë dhe të merrnim
një flamur kombëtar për të dalë me te në ballë të turmës. Asokohe
përballë shtëpisë së mallrave “17 nëntori” gjendej një shitore
zanatlinjsh që shiste jorganë. I zoti i shitores nuk ngurroi për t’ua
dhënë flamurin demonstruesve. Pasi nuk dispononte shtizë, flamurin
fillimisht në njërën anë e mbante Afrim Abazi e në tjetrën Faton
Topalli, të cilin pas një kohë e zëvendësoi një shok tjetër.
Demonstruesit e tubuar u nisën në drejtim të shkollave të mesme të
qytetit dhe drejt fabrikave. Në anën tjetër nga ndërtesa e Shtëpisë së
Kulturës, pasi thyen derën e hyrjes, Nexhat Tërstena, Naim Ramadani dhe
Isuf Lipovica hipin në katin e dytë dhe marrin flamurin kombëtar.
Nexhati, me flamur në duar, i prin demonstratave deri te fabrika e
mobileve “Tefik Çanga”. Udhëheqësit e Komunës bënin përpjekje t’i
bindnin punëtorët e fabrikës që të mos u bashkoheshin demonstruesve, por
nuk arritën t’i bindnin ata. Punëtorët i thyen dyert kryesore të
fabrikës dhe iu bashkuan demonstruesve.
Bashkë me Afrim Abazin, në demonstratat e Ferizajt të 3 prillit 1981, u
dalluan edhe dëshmorët Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu. Gjatë
demonstratës, Afrimi, së bashku me shokët e tij dhe me nënë Ajshen, që
nuk iu nda për asnjë çast, ishte në ballë të tyre. Në orët e pasdites së
3 prillit, kur forcat e mëdha të policisë speciale kishin ardhur nga
Serbia, pothuaj e kishin vënë qytetin e Ferizaj në shtetrrethim të
plotë. Kur u vranë demonstruesit Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu, kur u
plagosën me armë zjarri së paku 15 demonstrues dhe kur filloi arrestimi
në masë i demonstruesve, organizatorët vendosën që demonstruesit të
shpërndaheshin, duke mos iu ekspozuar edhe më tutje rreziqeve të mëdha
nga policia kriminale serbo-jugosllave.
Atë ditë, sipas informatës interne të zyrtarëve të KK të Ferizajt, u
vranë dy demonstrues dhe pati së paku 15 të plagosur.

Shënimi i përvjetorit të parë të demonstratave e kryengritjes shqiptare
të vitit 1981
Policia dhe UDB-ja serbe nuk kishin arritur të zbulonin shumë veprime të
ilegales në Ferizaj dhe rrethinë. Nuk kishin arritur të zbulonin se kush
i kishte vënë zjarrin makinave të policisë në vitin 1980, para hundëve
të policisë. Nuk dihej, plotësisht, kush ishte implikuar në organizimin
e demonstratës së 29 marsit dhe të 3 prillit 1981. Nuk dihej kush i
kishte vënë zjarrin shtëpisë së shefit të UDB-së në Ferizaj, në vitin
1981. Nuk dihej, po ashtu, kush po i përgatiste demonstratat e reja, më
3 prill 1982, për të shënuar përvjetorin e demonstratave të një viti më
parë. Afrim Abazi bashke me shoke e shoqe kishte marrë pjesë, i kishte
propozuar dhe i kishte organizuar disa nga veprimet e lartpërmendura.
Inspektorët e UDB-së kishin nuhatur apo kishin informacione të pjesshme
për veprimtarinë e Afrim Abazit dhe të shokëve e të shoqeve të tij,
prandaj kishte bërë çmos për ta kuptuar dhe për ta zbuluar gjithë të
vërtetën. Në aktivitete atdhetare, të viteve të tetëdhjeta, nuk kishte
ndodhur ndokund tjetër në Kosovë që t’u vihej zjarri makinave të
policisë para dyerve të policisë, apo t’i vihej zjarri shtëpisë së
kryeudbashit të qytetit, e të mos zbuloheshin ato veprime. Prandaj, edhe
trysnia për t’i zbuluar aktorët e veprave të tilla, ishte tepër e madhe.
Për zbulimin e këtyre aksioneve, që kishin zhvilluar anëtarët e Partisë
Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi në qytetin e
Ferizajt, të cilës i takonte edhe Afrim Abazi, regjimi serb dhe
kuislingët nga radhët e shqiptarëve vendosën të shkonin deri në atë
shkallë sa të ushtronin tortura të tmerrshme ndaj Afrim Abazit, të
burgosur më 11 mars 1982.
Në nëntor të vitit 1981 filluan burgosje të reja. Ato përfshinë e dhe
shumë anëtarë të PKMLSHJ, por Afrim Abazi mbeti jashtë tyre. Ai do të
vazhdonte me intensivet aktivitetin e tij deri në mbrëmjen e ndërmjetme
të 10 e 11 marsit 1982, kur në Kosovë filloi një valë e gjerë burgosjesh
e cila përfshiu edhe Afrimin. Pikërisht në kohën kur PKMLSHJ kishte
Në ketë kohë Organizata ku militonte aktivisht Afrimi kishte ftuar
përmes një thirrjeje që të shënohet përvjetori i demonstratave
madhështore të vitit 1981. Edhe Afrimi me shokë e shoqe ishte në ballë
të këtij organizimi për shënimin e përvjetorit. Për organizimin e këtij
përvjetori kryesisht në qendrat si Ferizaj e Prishtinë flitej
gjithandej. UDB-ja e frikësuar për të frenuar këtë organizim reagoi me
një valë të egër arrestimesh karshi veprimtarëve të eksponuar të këtij
organizimi, duke krijuar një rrëmujë në Kosovë. Megjithatë u bojkotua
mësimi në shumë shkolla dhe u ndërpre puna dhe prodhimi në shumë
fabrika.
Përgjigja e masave thirrjes për shënim të përvjetorit i dha UDB-së të
kuptoi se ishte mashtruar me vlerësimin se përmes arrestimeve kishte
arritur të shkatërroi rrjetin operativ dhe veprimtarinë e organizatave
revolucionare e atdhetare, që tanimë me bashkimin e tyre në Lëvizjen për
Republikë (LRSSHJ) ishte bërë edhe më i fortë.
Arrestimi i Afrimit ishte bërë me vendim personal të Sekretarit Krahinor
të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Mehmet Maliqi. Në
përvjetorin e këtyre demonstratave, më 11 mars 1982, Afrimi, së bashku
me shokun e klasës, Ymri Ilazi nga Shtimja, kishte organizuar të gjithë
nxënësit e Shkollës Teknike të Ferizajt që të dilnin në qytet për t`i
përkujtuar demonstratat historike të një viti më parë. Mirëpo,
kolaboracionistët i kishin dhënë sinjalin e alarmit policisë serbe dhe
UDB-së se në Shkollën Teknike vetëm sa nuk kishin shpërthyer
demonstratat. Pas këtij alarmi, policia e kishte rrethuar shkollën dhe
kishte vënë nën pranga militantët Afrim Abazi dhe Imri Ilazin.
Afrimi gjatë hetimeve u përballë me tortura e represalie të egra të
ushtruara ndaj tij. Edhe përkundër kësaj, UDB-ja nga Afrimi nuk mundën
të nxjerrin asnjë emër bashkëveprimtarësh. Ai qëndroi si guri. Me 19
mars 1982, pas nëntë ditë tortura çnjerëzore, në orën 13.30, UDB-ja
hodhi trupi i pajetë i Afrimit nga dritaret e katit të pestë të
ndërtesës së re Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Ferizajt.
“Bëri vetëvrasje”: nën këtë shpifje u munduan të fshehin duart e krimit
gjakpirës shovinistët ndër të cilët shefi i UDB-së së Ferizajt Milorad
Stankoviq – Lacki e bashkëpunëtori e tij me emrin Serboljub, e
kuislingët servil të tyre si Adem Goga, Halit Loku, Hafet Rexhallari e
të tjerë.
Bijtë e Kosovës e kanë dashur dhe e duan jetën dhe ata vdesin për të
jetuar, por kurrë duke vrarë veten!



Emri i Afrim Abazit është i pandashëm nga kryengritja shqiptare e vitit
1981
Pas demonstratave të 1 e 2 prillit në Prishtinë dhe të 3 prillit 1981,
në Ferizaj, ku pati të vrarë, të plagosur dhe shumë të burgosur, asgjë
më nuk ishte si më parë. Njerëzit ishin trimëruar dhe kishin fituar
guximin se, për lirinë e qytetit të tyre të dashur, Ferizajt, por edhe
të tërë Kosovës, ia vlente të vazhdoheshin aktivitetet e organizuara
atdhetare. Andaj, viti 1981 dhe viti 1982 ishin vite të kthesave të
mëdha në jetën e veprimtarisë ilegale atdhetare.
Veprimtaria atdhetare e revolucionare dhe protestat, demonstratat e
kryengritja e vitit 1981/82 në Kosovë e veçanërisht në Ferizaj dhe emri
i Afrim Abazit, janë gjëra të ndërlidhura ngushtë mes veti, ndaj edhe
është pamundshme të shkruash për njërën e të mos përmendësh tjetrën.
Bashkëveprimtari Faton Topalli në një shkrim të tij revokues për
Afrimin, ndër të tjera shkruan: “Në vitin 1981 në rrugën e Gjilanit në
Ferizaj familja jonë kishte një shitore, në të cilën shisnim xhemperë që
i thurte nëna ime. Shpesh, pas orarit të mësimit, më binte të punoja në
shitore. Aty mund të kamuflonim mirë edhe takimet tona, pa ra në sy të
organeve të ndjekjes. Një ditë tek sa bisedoja në shitore me Afrimin për
situatën dhe detyrat që na prisnin, mes tjerash më tha: – Po pate nevojë
për dike që duhet të ngrejë gishtin, më thirr mua. Afrim Abazi ishte nga
ata njerëz që e mbanin fjalën dhe siç do ta dëshmonte koha më vonë,
ishte i gatshëm në çdo sakrificë. Nëntori i vitit 1981 solli me veti
edhe valën e burgosjeve masive. Pikërisht në mes të nëntorit u burgosën
edhe Lumnije Azemi, Fatime Gjinolli e shumë shoqe e shokë tjerë që
vepronin në kuadër të Organizatës PKMLSHJ. Si Lumnija ashtu edhe Fatimja
me qëndresën e tyre heroike shpëtuan nga burgosja një grup të tërë
shokësh e shoqesh, mes të cilëve bënte pjesë edhe Afrim Abazi.
Shtypi jugosllavë, por edhe ai në gjuhën shqipe në Kosovë, sikur edhe
institucionet tjera si gjyqësia e asaj kohe, por edhe zyrtarët shqiptarë
ishin tërësisht në shërbim të pushtuesit, të cilët edhe kur raportonin
apo prononcoheshin,  shpesh nuk druanin edhe të dezinformonin, të
heshtnin kërkesat, të ndërronin, ngatërronin e shtrembëronin qëllimisht
e faktet, bile shkonin aq larg, sa edhe shpifnin e fyenin siç është më
së keqi, kundër kërkesave dhe veprimtarëve. Kjo shihet edhe me rastin e 
mbajtjes së gjykimeve kundër grupeve të ndryshme të veprimtarëve
atdhetarë shqiptarë gjithandej. Disa nga gjykimet e dënimet as që
bëheshin publike, as për opinion vendës e as për atë të jashtëm.
Veçanërisht gjykimi i grupeve, që vepronin duke u bazuar në platformën
politike të PKMLSHJ, bëhej pothuajse i fshehur. Ato gjyqe zhvilloheshin
ne fshehtësi të plotë.
Armiku dhe veglat e tij, pos tjerash,  në pamundësi të asgjësimit të
veprimtarisë atdhetare dhe të luftimit me argumente të kërkesave të
drejta e të arsyeshme, që dilnin nga platforma politike e Organizatës
për Republikë – PKMLSHJ, bënin një luftë speciale propagandistike e
shoqëruar me intriga, shpifje e shtrembërime të ngjarjeve dhe kërkesave
objektiveve shqiptare të kohës.

Krimi as nuk vjetrohet as nuk harrohet
Edhe pse kanë kaluar 39 vite, autorët e krimit janë të lirë. Vepra
kriminale as nuk vjetërsohet e as nuk harrohet, andaj organet përkatëse
duhet të ndriçojnë mbytjen me torturë  dëshmorit të parë ferizajas e të
Kosovës pas vitit 1981, vetëm pse për herë të parë publikisht në
demonstrata kërkoi që Kosova të bëhet republikë. Autorët duhet
domosdoshmërish të përgjigjen para organeve të drejtësisë së Republikës
së Kosovës!
Afrimi nuk ka vdekur. Asi jeton me ne, në zemrat e Ferizajasve, jeton në
zemrat e Kosovës dhe Kosova e shqiptarët do ti thurin lavdi të
përjetshme.
Tanimë emri i Afrim Abazit dhe i dy të rënëve në demonstratat e vitit
1981, Sherif Frangut nga Sllatina e Vitisë dhe Rizah Matoshit nga
Nikadini, ndër të tjera ndodhen të skalitur në pllaka të vendosura në
murin e Bibliotekës Publike të Ferizajt.
Bashkëveprimtarët e Afrim Abazit konsekuent në veprimtari atdhetare e
luftë çlirimtare
Shumica e bashkëveprimtarëve të Afrimit ose janë arrestuar e dënuar me
vite burgu, ose janë përndjekur e detyruar të emigrojnë, apo më pas kanë
luftuar me armë në dorë për çlirimin e Kosovës e viseve tjera shqiptare.
Të gjithë ata ruajnë kujtime të shumta dhe më të mira për të.
Sqarim: Ky përshkrim përmbledhës paraqet një strukturim kronologjik
bazuar në shkrime të ndryshme të  bashkëveprimtarëve të Afrim Abazit të
botuara fillimisht në gazetën “Punëtori” -organ i Organizatës Sindikale
Bashkimi i Punëtorëve të Kosovës në kuadër të Lëvizjes për Republikë
Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (OS BPK e LRSSHJ); nga shkrime e
fjalime të bashkëveprimtarëve më të ngushtë të Afrim Abazit në rast
përvjetorësh, si Faton Topalli e Fatmir Bajrami; nga revokime të
bashkëveprimtarëve të tij – ish të burgosurve politik Ymri Ilazi e Fehmi
Hajrullahu; nga shkrime të gazetarëve shqiptar të botuara me rastin e
përvjetorit të vrasjes së Afrim Abazit nga ana e UDB-ës; si dhe nga një
shkrim të veteranit të lëvizjes atdhetare Selatin Novosellës botuar në
shtypin e kohës me rastin e njërit nga përvjetorët e martirizimit të
Afrim Abazit.

Përmblodhi, përshtati dhe përditësoi Osman Osmani,
Prishtinë e Neuhausen, 16 – 20 mars 2021

(Me rastin e përvjetorit e 39’të te dëshmorit e heroit Afrim Abazit,
këtij shkrimi po ia bashkëngjisim edhe vegën e FB me një këngë të
kënduar nga rapsodi lezhjan Gjon Frroku, interpretuar me 19 mars 2016 me
rastin e Akademisë përkujtimore mbajtur në Sallën e Kuqe të Qendrës së
Rinisë dhe Kulturës në Prishtinë: https://fb.watch/4jl89xxOXN/)