Porosia e Sabri Godos

Bedri TAHIRI

Porosia e Sabri Godos

Në një takim miqësor me shkrimtarin e madh shqiptar Sabri Godo (tashmë i ndjerë, ndërroi jetë më 3 dhjetor 2011, në moshën 82 vjeçare), në hotelin “Grand” të Prishtinës, ku i shkëmbyem librat (ma dhuroi romanin historik “Ali Pashë Tepelena” e unë ia dhurova librin “Adem Jashari-legjendë e legjendave”).

Pas një bisedë të shtruar vendçe, për tema të ndryshme, kryesisht kombëtare, veçan mbante mend kur si partizan shumë i ri 16 vjeçar, kishte kaluar këndejpari dhe, kur së fundmi kishin kuptuar hilën e serbit, sikur kërkonte ndjesë ndaj atyre burrave trima e bujarë, që atëbotë u kishin treguar fare qartë kush është hasmi ynë, por nuk qenë bindur kurrësesi, duke i kërcënuar me plumb koke për “vëllezërit” serbë. Ende e kishte në mendje atë mendimin e mëvonshëm të shumicës së mashtruar: Më të mençur kishin qenë çobanët e Kosovës se komandantët tanë!

Kur dolëm te letërsia, u kënaqëm fare. Në të ndarë, krijuesi urtak la një porosi: “Meqë je profesor, të lutëm shumë, ua preferon nxënësve tu ta lexojnë variantin e dytë të përpunuar të veprës  sime “Ali Pashë Tepelena”, ngase këtë e plotësova pasi isha vetë dhe i pashë ato vende ku luftoi e qëndroi kryepersonazhi im. Këtë qëndruaka e gjithë meselja. Të parin e pata shkruar nga zyrja. Ashtu nuk bën kurrësesi! Edhe ti si krijues i monografive gjithmonë vepro kështu, vizitoji vendveprimet e vendbetejat e protagonistëve, sepse ashtu krijon përfytyrimin më të qartë e më real për ngjarjet dhe për heronjtë”.