POLITIKË E RE PA MILITANTIZËM TË SËMURË

NEBI DRAGOTI
POLITIKË E RE PA MILITANTIZËM TË SËMURË
Ende politika shqiptare nuk është futur në shtratin e vet për të ngritur ndërtesa të konsoliduara alternativash të qëndrueshme me ideollogji e program të studiuar e të avancuar në lartësi dhe shërbim të kërkesave kohore plotësisht çka i intereson vendit. Ende politika shqiptare nuk është zhveshur nga mentalitete çoroditëse, frenuese, rutinore, pengesa të rrymave ideollogjike, që janë vjetëruar dhe u ka ikur koha. Kjo politikë ekzistuese ka zënë ndryshk dhe nga ç’ka dhënë, gjë tjetër që duhet dhe është e nevojshme, kështu, nuk mund të eci në kohë me hap të azhurnuar. Ende ndertimi i alternativave partiake ka mbështetje oligarkinë, nepotizmin duke afruar rreth vetes edhe një llumë individësh të cilët shoqëria e shëndosh nuk i honeps. Ende politika nuk ndërton alternativën, duke grumbulluar rreth vetes të urtët, të diturit, më të zotët, më produktivët. E gjitha kjo ka domethënie, është e vërtetuar, kur nëpër alternativa bëhen përjashtime, largime në nivele qesharake, bëhen fraksione inatçore, kur aspak nuk është nevoja e shtimit të partive binjake e trinjake nga e njënjta alternativë. Në këto alternativa mungon krejtësisht emancipimi demokratik. Mungon alfa, ajo më kryesorja, meritokracia si shtyllë e shoqërisë demokratike. Mungon funksionimi i mendimit kolegjial, armë e fortë në çdo grupim. Dukuri e shëmtuar është dhe militantizmi i sëmurë që afrojnë rreth vetes pothuajse çdo alternativë. Kjo kategori e vogël në numër i ngjitet një alternative partiake dhe nuk i shqitet asaj edhe nëqoftëse ojo ka program , ose është pa program, siç ndodh e që nuk i prinë zhvillimit , por ka motive për të marrë pushtetin me dhunë e për të qeverisur në menyrë harbutshe duke shikuar e ushqyer interest e veta oligarkike si parti. Një natyrë e tillë dëmton kombin siç e ka dëmtuar dhe e ka lënë vendin me shumë probleme duke e krahasuar me vendet e zhvilluar dhe të përparuar. Ky militantizëm i sëmurë dhe ekstrem, më tepër djathtist se majtist, ka ndjenja fashizmi ndaj krahut politik që ka përballë. Kjo kategori e paktë në shtetin tonë edhe nëpër shtete tjera, siç ka edhe në gjithë botën prish ekuilibret e paqës, sepse nuk ka ideale njerëzore veç iluzioneve për të jetuar si parazit, si më i forti e si më shfrytëzuesi ndaj masave të gjëra e të ndershme paqëdashëse që duan të jetojnë e të ndërtojnë jetën me djersë. Çdo alternativë partiake këtë kategori duhet ta tëharri nga vetja, ndryshe, më mirë duhet të pushojë së ekzistuari dhe t’u lejë vendin alternativave me program sa më social, sa më të drejtë ligjërisht, sa më largpamës për konsolidim e forcim të shoqërisë me demokraci të kulluar. Ndryshe, militantizmi plangprishës i shfaqur në shumë drejtime me dukuri ekstremiteti bëhet edhe shkaktar i një lufte civile të padëshiruar duke dalur, si turmë, jashtë kontrollit. Barrikadë e kësaj shëmtie i bëhet bllok vetëm funksionimi i shtetit të rreptë ligjor që vepron në emër të shumicës dhe Kushtetutës së vendit. Ndryshe, konkretisht, ndodh siç ndodhi në vendin tone më 1997-ën, sepse politika e atëhershme nuk qe politikë. Pra, kundër çdo të keqe, kryesore është konsolidimi i shtetit ligjor, që ne ende nuk e kemi dhe prandaj vuajmë.
***
Fundfjala e shkrimit është edhe si kryefjalë për lëvizje të re në politikë.Çdo parti duhet të largohet nga militantizmi i sëmurë, duhet të ketë anëtarësi të shëndoshë, njerëz të pastër dhe të pasur me virtyte njerëzore, njerëz të respektuar dhe të nderuar në shoqëri. Stafi drejtues i çdo alternative duhet të rrezatojë kulturë, qytetari, patriotizëm, përkushtim e devotshmëri në detyrën që ka marrë përsipër vetes dhe të ketë pikësynimin e realizimit të premtimeve që merr para elektoratit. Ka ikur koha e lidershipëve veshur me kult dhe egoizëm, me pamje e sens diktatoriali duke komanduar “ unë, unë, si them unë” . Këtij karakteri prej lidershipi çdo alternativë duhet t’i largohet dhe të zejë vend drejtimi kolegjial, që nuk të lë të gabosh në problemet politiko-ekonomike. Kështu në këtë prizëm, në këtë lëvizje parësore në alternativë do të mbizotëroj harmonia, mirëkuptimi dhe efektiviteti i suksesit në punë e kudo. Ka ikur koha e mashtrimit politik, e dallavereve, e akrobacive dalë boje. Populli të mat mirë, të peshon sakt, ta kalkulon vlerën që ke e që jep tek shoqëria. Këto kërkesa, sa sipër, kjo lëvizje e re, ta quajmë kështu, duhet dhe është e dobishme dhe domosdoshmëri e kohës për t’u zbatuar njëherë e më parë; është në favor të shtetit shqiptar.
2017.