Politika antiKosovë në Shqipëri dhe sfida kundër saj e familjes kosovare Kapiti

Politika antiKosovë në Shqipëri dhe sfida kundër saj e familjes kosovare Kapiti 

Nga Skënder Sadri KAPITI

Kam shkruar libra , shkrime e opinione me tematikë nacionaliste sepse si te tillë jemi edukuar unë, familja  dhe vëllezërit e mi nga prindërit tanë. Por si të tillë kemi qenë edhe të padëshirueshëm dhe të përjashtuar nga jeta politike, ekonomike, dhe akademike në Shqipëri , pasi gjithmonë kemi qenë në përballje dhe në sfidë me politikën antiKosovë të politikës në Shqipëri.

Se sa e vërtetë është kjo për politikën e Tiranës këtë besoj se tashmë po e mësojnë edhe shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë kur po mësohet dhe po del në dritë e vërteta historike e politikës shqiptare e këtyre 100 viteve të shtetit shqiptar, e sidomos  tani pas formimit të Shtetit të Ri të Kosovës.

Nuk është rastësi e E.Ramës marrëveshja  për minishengenin, por është vijimësi antikombëtare e politikës së Tiranës, e klasës politike të saj, e cila interesin kombëtar të Shqipërisë e të shqiptarëve e kanë shfrytëzuar vetëm për interesa personale, pushteti e paraje.  Kështu kanë vepruar E. Toptani, A.Zogu, E.Hoxha, S.Berisha, F.Nano e tani edhe Edi Rama.

Unë kam lindur në Shqipëri në vitin 1959 në Durrës, prindërit e mi kanë lindur në Kosovë.

Po e them këtë në hyrje të këtij shkrimi se kur ishim fëmijë xhaxhai Baftiri e Sadiku, dhe Babai ynë Sadri KAPITI na mësonin  për ta bërë shqiponjën me duar, dhe na  thonin  se kështu e ka bërë shqiponjën Isa Boletini, kur këtë në Shqipëri ua mësuan shqiptarët e Kosovës atyre të Shqipërisë pas rënies së komunizmit në Shqipëri, pasi  në Shqipëri e para ishte u kuqja, ylli kuq komunist me pes cepa dhe himni i Intenacionales komuniste.

Kur isha fëmijë Babai  im më pyeste se ku dallon shqiptari nga serbi, dhe ai më përgjigjej po vetë se: shqiptari nga serbi dallon nga gjuha, shqiponja dhe nga kapuçi i bardhë, plisi. Nga babai im kam mësuar dy gjëra te tjera të mëdha, kam mësuar se Kosova ka luftu , është vrarë  dhe kanë dhënë jetën shqiptarët e Kosovës për ta rujt Durrësin , se Serbia e ka ëndërr daljen në Durrës. Kam mësuar prej prinderve të mi  që kur isha fëmijë se kryeqyteti i Shqipërisë dhe shqiptarëve duhet të ishte Shkupi,  ishqyteti më i rëndësishëm dhe më i madh shqiptar. E kur ua thoja këto mësuesve dhe shokëve të mi të shkollës as nuk e besonin dhe as nuk donin që ta dinin, se në Shqipëri më shumë mësohej për Kinën, Kamboxhion, Laosin, Vietnamin e Palestinën dhe për Leninin e Stalinin se sa për historinë e Shqipërisë dhe aspak për Kosovën. Gjithashtu Babai im Sadri KAPITI më ka pas thënë se Kosovën e çliron vetëm Amerika, se serbin e mbron vëllai i madh  Rusi, dhe se Europa nuk ka takat dhe as dëshirë sepse Europa e Rusi i kanë ndarë dhe i kanë coptu trojet shqiptare. Me këto dhe me histori të tjera lufte, patriotizmi e nacionalizmi  na kanë edukuar e mësuar ne  familjen KAPITI në Durrës xhaxhallarët dhe prindët tanë   gjithmonë.

Dhe pse ishim të tillë , ne gjithmonë jemi parë si të huaj në Shqipëri, si kosovarë dhe jo si shqiptarë, kur ne në fakt ishim shume here  më shqiptarë se sa shqiptarët e Shqipërisë.

Për arsye e bindje nacionaliste, proamerikane  dhe si kosovarë , dhe si të tillë edhe e kemi pësuar në Shqipëri, por që kurrë nuk mundën të na largojnë nga patriotizmi dhe nga dashuria për Kosovën dhe për të gjitha trojet shqiptare..

Edhe gjatë luftës më të fundit në Kosovë, për çlirimin e saj, që njihet në histori si lufta e UÇK-së, ne Familja e Sadri KAPITIT vume ne dispozicion të gjithë qënien tonë shpirtërore, morale e materiale në shërbim të atdheut, në pritjen e përcjelljen e mijra e mijra luftëtarë të lirisë në Qëndren   “Drenica” të Gani KAPITIT, Kosova e Naim KAPITIT,   lokal “KAPITI” i Fatmir KAPITIT  si dhe në shtëpitë tona  në pritjen dhe akomodimin e të të dëburve nga genocidi serb të vëllezërve tanë, shqiptarët e Kosovës.

Minishgeni nuk është rastësi, por vijimësi politike antiKosovë e Tiranës.

Duke u ndalur tani së fundmi, është për t’u krenuar me Protestën e VETËVENDOSJES në Shqipëri kundër takimit Rama-Vuçiç për marrëveshjen e të ashtuquajturit “minishengen”, si dhe nga ana tjeter edhe për t’u çuditur me heshtjen  e shoqërisë civile në Shqipëri, e Presidentit Meta dhe e kryetarit të opozitës, e  politikanit  pupël të Partisë Demokratike L.Basha , pa mos harruar serbofilin e madh, Sali Berisha, si furnitorin energjitiko-jetik  të makinerisë vrastare genocidiste të Milloshevicit gjë që tregon  se ata për Kosovën kanë një linjë e një qëndrim djallëzor, hipokrit e tinëzar të përbashkët kundër saj për interesa personale.

Pra, edhe Bota  po çuditet se si ka mundësi që klasa politike në Tiranë të mos reagojë dhe ta tolerojë këtë veprim e sjellje tradhtie antiKosovë të kryeministrit Rama?!

Është mjerim kombëtar për Shqipërinë që dhimbshuria e ndjenja kombëtare është e falimentuar në këtë farë derexheje.

Nuk e di si spjegohet kjo trashëgimi e ndjenjë serbofilizmi në Shqipëri jo vetëm sot por në vazhdimësi, dhe si spjegohet edhe  kjo mosndjesi humane e kombëtare për shqiptarët e Kosovës dhe për Kosovën që është tipar fatkeqësisht jo vetëm për politikën e Tiranës.

Si është e mundur kjo “harresë” dhe kjo shpëlarje e shlyerje nga kujtesa, dhe ky indiferentizëm prej  politikës dhe prej shqiptarëve të Shqipërisë për  krimin,  dhunën, për genocidin  e  tmerrshëm dhe të paparë në Ballkan që kanë ushtruar serbët kundër bashkëkombasve të tyre shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi?

Pse a për lëvizje të lirë e pa viza në Serbi paskan pasur nevojë shqiptarët e Shqipërisë!?

Si është e mundur që politika e Tiranës të jetë kaq inferiore dhe kaq antikombëtare edhe sot, sikur të jep përshtypjen që ajo i lutet Serbisë për bashkëpunim kaq servil dhe kapitullant para saj?!

Ku janë në Shqipëri ata të cilët i ka dekoruar Hashim Thaçi, dhe ku janë ata që kanë marrë status verterani të luftës nga Komisioni i Veteranëve, gjë që tregon se atyre statusi i veteranit u është dhënë pa asnjë meritë?!

Pse askush prej tyre nuk kundërshton dhe as nuk shkruan një rresht të paktën për shqetësimin e madh, për atë pabesi që po i bëhet  Kosovës nga Kryeministri shqiptar?!

Ku janë shoqëria civile, intelektualët dhe akademikët. Ku ë  Ismail Kadare , i cili nuk doli fare në skenë as për ta kundërshtuar ndarjen e Kosovës dhe as minishengenin? Kur pritet të dalë e të duket letrari Kadare, apo ashtu si priti për të dalë si europian e demokrat kur po binte komunizmi, apo kur të largohet Edi Rama si kryeministër do kritikon idenë e ndarjes së Kosovës dhe minishengenin?!

Kosovë mos prit se do të dalë në mbrojtje as Europa ,sepse Europës gjithmonë i kanë interesuar dhe i interesojnë politikanë shqiptare të korruptuar, të lehtëbinshëm, servilë, kapitullantë dhe aspak nacionalistë e kombëtarë siç i ka pasur gjithmone Shqipëria, e fatkeqësisht po të tillë ka edhe Kosova, siç është p.sh.Hashim Thaçi , i cili i “tradhëtoi” Ramën e Vuçiçin , jo se donte, por sepse ai tashmë ka frikë VETËVENDOSJEN dhe Albin Kurtin, se po t’i kishte fituar zgjedhjet partia e njerëzit e tij, Thaçin do ta kishe pasur edhe në Ohër, edhe në Durrës.

Thaçin nuk mundi ta ndalojë askush në Kosovë, madje as Kushtetuta të cilën ai e ka shkelur rëndë duke takuar e biseduar me Daçiç, Vuçiç e viça të tjerë e që ka bërë marrëveshje e pazare të rënda në dëm të interesave kombëtare, si Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe, Demarkacionin me  Maqedoninë e Malin e Zi, dhe që ka kulmuar me krimin e madh të tradhëtisë : atë të ndarjes së Kosovës apo korigjimin e kufijve. Kjo është arsyeja pse Thaçi nuk ka marrë pjesë në takimet e minishengenit, pasi veprimtaria e tij edhe mëparshme antikombëtare është shumë  e dëmshme.

Fatkeqësisht në protestën kundër minishengenit VETËVENDOSJA u la e vetme që të  protestojë, dhe nuk u dukën as  studentët të paktën që janë shpresa e së ardhmes ?!

Ky qëndrim “indiferent” kolektiv në Shqipëri duket sikur thotë se pavarësisht asaj se çfarë Politika e Tiranës u bën shqiptarëve në Shqipëri dhe ata pajtohen e as nuk rezistojnë, e si të tillë  ata  heshtin  dhe në heshje  pajtohet si gjithmonë  edhe me politikën antiKosovë të politikanëve të Tiranës edhe sot.