Policia e Kosovës e besueshme apo e korruptuar?

Policia e Kosovës e besueshme apo e korruptuar?

MSc. Adem Lushaj

Me vëmendje të veçantë përcjella një reagim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndaj shkrimit të koleges së Koha Ditore, Brikena Rexhepi, e publikuar me 29.10.2017. Sipas këtij reagimi të lëshuar nga Zyra për Informim e DPP së Kosovës, bien në sy pohimet se: policia e Kosovës është e pa korruptuar dhe një nga institucionet më të besueshme të Republikës së Kosovës.

Bazuar nga ato pak njohuri që kemi, asnjë nga kolegët gazetar, nuk kemi të drejtë të përgjithësojmë dhe të themi se Policia e Kosovës, është e korruptuar, ngase brenda këtij institucioni të sigurisë, janë të shumtë ATA, që kanë treguar profesionalizëm dhe ndershmëri në kryerje të detyrave policore dhe në shërbim të qytetarëve, pa dallim përkatësie nacionale, fetare, politike e sociale. Pasi që kemi lexuar kolumnen e koleges Rexhepi, dua të besoj se, assesi nuk i përgjithëson pjesëtarët e policisë, “si të korruptuar”.

Por, të thuhet se Policia e Kosovës është e pa korruptuar (siç thuhet në komunikatën e DPP të Kosovës), jo vetëm gazetarët, por asnjëri nga qytetarët e këtij vendi (me logjikë të drejtë), nuk e beson këtë pohim të DPP-së, ngase koha ka treguar se fatkeqësisht kemi individ në të cilët nuk mund të besohet e as të abstrahohen nga veprimet e këqija, në mesin e tyre edhe me afera korruptive.

Në sqarimin e policisë të lëshuar për media, në të njëjtën ditë me publikimin e kolumnes, përmenden disa vlerësime të bëra ka institucione ndërkombëtare e vendore, ku Policinë e Kosovës e renditin ndër institucionet më të besueshme për qytetarët. Pa dyshim se këtë mendim e ndajmë edhe Ne, qoftë si gazetar apo drejtues i njërës nga Shoqatat që ka bërë hulumtim me qytetar të Komunës së Deçanit. Pra, policia, së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës, konsiderohen ndër dy institucionet më të besuara në Kosovë. Personalisht, kam besim shumë më të madh në policinë tonë, se në EULEX apo edhe në institucionet tjera ndërkombëtare, duke përfshirë edhe KFOR-in. Mirëpo, as më të voglin besim nuk e kemi në zinxhirin komandues të policisë sonë, ngase këmbë e krye janë të “zier” me “bosët” e politikës, të cilët janë “e zeza” e këtij vendi.

Ndaj, besimi i qytetarëve të Kosovës në uniformën policore të Republikës së Kosovës është në rritje, por assesi të kemi besimin tonë në menaxhmentin e këtij institucioni, se ky Menaxhment vepron në bazë të kompetencave dhe të pa ndikuar nga këta “bosë të politikës kosovare” dhe asaj ndërkombëtare. Qytetarët e Kosovës, gjithsesi duhet besuar në djemtë e vajzat, të “veshur” me uniformën policore, ngase ka në mesin e tyre, jashtëzakonisht profesional dhe të vendosur në shtet-ndërtimin e të gjitha institucioneve të shtetit tonë.