Poezia e çalë dhe drejtshkrimi i çoroditur

(Ribotim)

Poezia e çalë dhe drejtshkrimi i çoroditur (por jo as i qalë e as i qoroditur)

Nga: Reis Mirdita

Kaloi gati edhe ky vit 2012, vit i apokaliptikëve, por mua më la mbresa një apokalips tjetër…,  apokalipsi e poezisë nga ana e poetëve karkaleca dhe nga drejtshkrimi i tyre.

E shohim të gjithë se është bërë modë shkrimi! Dhe jo secili shkrim! Flas enkas për poezinë (dhe prozën)  e ca individëve që kalojnë kohën më të madhe të jetës duke u shitur poetë e shkrimtarë nëpër kafene dhe në rrjetin social duke promovuar do poezi që nuk mund të konsiderohen si një asgjë e rëndomtë sepse janë me të vërtetë aq prekëse sa nuk mund të radhiten askund tjetër përveçse (jo përveqse) në kaptinën e re poetike që pagëzohet Poezi Vrerëtrazuese. Aq më keq është gjendja me drejtshkrimin që do ta pagëzojmë me Drejtshkrim i Karkalecave.

Poezi Vrerëtrazuese për shkak se nëse një ditë je fatkeq, do të ngjeshësh me një libër me ca ” poezi” që posa të kapesh për leximin e tyre, do të tolloviten zorrë e mushkëri nga stili dhe drejtshkrimi e matej të hipë vreri nga përmbajtja e tyre që më së shpeshti ka nijet të shitet si poezi serioze por që në të vërtetë, është një pornografi naive që nuk mund të krahasohet as me tregimthat e vargjet rreth uçkurit (jo uqkurit) që krijojnë të rinjtë në pubertet si:

«Te mullari i kashtës,
takova Shahzadën,
I thash: Çoe fustanin
Ta shof patlixhanin!
…»

(P.S : Pseudopoetë, shifni mirë dhe merrni shënime, Çoe shkruhet me ç e jo me q si dhe patëllxhanin (pop. “patlixhanin” , gjithashtu me xh e jo me gj).

Të them të drejtën, nuk kam as mundësi e as dëshirë të përmbledh të gjitha gabimet që hasen ndër këta poezi. Do të ndalem kryesisht në përdorimin apo keqpërdorimin e pesë harfave që «poetët» tonë kanë vështirësi t’i dallojnë, t’i dëgjojnë dhe t’i përdorin në shkrimet e tyre. Do të filloj nga një vjershë e shkurtër lexuar në internet ( hasur në një libër me poezi) ku nuk ka asnjë ë po vetëm e-ja. Këtu bëhet fjalë në pikë të parë për plogështi të sëmurë por ka edhe një anomali tjetër që lë të dyshosh në aftësitë intelektuale të autorit. Në dhjetë rreshtat, përfshi titullin, hasim në tri gabime të njëjta ku në vend të shkruhet çuditni qëndron quditni; në vend të xhelatit është gjelatit kurse ëndrrën e gjejmë si endrren.

Fjalët që përbëjnë ç, q, xh, gj, dhe ë, janë plotësisht të panjohura për karkalecat e ndryshëm dhe mëkati është shumë i madh për shkak se ata as nuk ndalen së kërcyeri në qiell (jo çiell) nga vetëlavdërimi. Do të ishte shumë e udhës dhe do të respektonin veten, ndonjë lexues që rastësisht has në libër të këtillë, dhe sidomos respekt për gjuhën e bukur shqipe, të hapin fjalorin ose të konsultojnë internetin dhe të gjejnë si shkruhet fjala që duan të përdorin. Nëse nuk kanë kohë për një gjë të tillë sepse janë shumë të nxënë duke shkruar gjëra me rëndësi (!), të ndajnë 50 ose 100 euro e të paguajnë një intelektual të vërtetë që ndoshta edhe nuk ka pasur mundësi të punësohet, kështu që ai, do të iu bëj korrigjimet e duhura. Pasi këta autorë kanë 400-500 e më tepër euro për të paguar botimin pra, njëqind më shumë ose më pak nuk çon (jo qon) peshë. Së paku me këtë, do t’i mënjanohen pasqyrës që tradhton mos diturinë e tyre që të bën të dyshosh edhe në diplomat e radhitura në jetëshkrimet të cilat në këtë gjendje, rezultojnë të rrejshme. Profesor (eshë) e kiamete të tjera diploma fakultetesh, të shkruash: diqka, qelës, ndriqon, qalë… ; gjamadan, gjeloz, gjam e mos të flas për ë-në të cilën e kanë shndërruar në pijanece që as vet më nuk din ku e ka vendin, nuk mban dot.

Lexuesit ndoshta presin të them emra, por vallë të bëjë reklamë dhe të nxis publikun të shohin e lexojnë masakrues të gjinisë më të bukur letrare! Të, bëj të njohur emra që çorodisin (jo: qorodisin) fjalën dhe drejtshkrimin tonë?! Lë vet autorët të gjejnë veten në këtë shkrim dhe të marrin guximin t’i tërheqin librat e tyre pa vonesë (kalova në idealizëm), të korrigjojnë së paku gabimet më evidente gramatikore (si dhe kakofoninë e shprehjes për të cilat do të bëhet fjalë ditëve që vijojnë). Preferoj këtu të them se vë re një dallim të madh në mes autorëve në diasporë dhe një sasie të mirë të atyre në vendlindje. Diaspora posedon një njohuri dhe respekt të madh për gjuhën, për drejtshkrimin. Ata jetojnë me vite në perëndim, kanë kryer studimet që moti ose ata të moshës më të re, me diploma të freskëta, kanë kryer në gjuhë të huaja; por sa bukur e shkruajnë shqipen. Është kënaqësi të lexosh veprat e tyre.

As këtu nuk do të përmend emra nga se nuk dua të veçoj (jo veqoj) asnjë. Pjesa më e bukur e tyre meriton respektin më të madh të lexuesve sepse ata respektojnë lexuesit e tyre, respektojnë gjuhën e vet, respektojnë kombin dhe kështu respektojnë vetveten.

Tiranë, 21. 12. 2012