PO SHOQËRIA, A E “DËSHIRON” REFORMËN NË DREJTËSI?

Skënder S. Kapiti-(Analizë)

Nga Skënder S. KAPITI

Reforma në Drejtësi është më se e nevojshme sepse ajo e çliron shoqërinë, shtetin dhe moralitetin njerëzor nga vargojt e robërisë së politikës dhe të padrejtësisë; Reforma dhe sundimi i ligjit e shërojnë shoqërinë nga epidemia e kulturës negative së parasë së pisët, drogës dhe e vesit politik  të pandëshkueshëm dhe të pakurueshëm akoma që e kanë infektuar edhe shoqërinë; Reforma e çliron shoqërinë nga injoranca, hajnija, tradhëtia, ligësia, krimi dhe nga korrupsioni i tejskajshëm që e kanë kapur dhe e qeverisin sot shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Prandaj duhet ndërgjegjsuar thellë shoqëria shqiptare për rëndësinë e kësaj Reforme dhe se ajo nuk duhet të qëndrojë indiferente ndaj saj, pasi indiferentizmi të lë përshtypjen sikur shoqëria  pajtohet me këtë realitet të rëndë që vjen nga korrupsioni dhe nga antiligji politik.

Pse ju afrohemi dhe kërkojmë të arrijmë të mirat me kaq shumë mund, me kaq rraskapitje të panevojshme dhe me shumë vonesë si: mirëqënien, sigurinë, sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës  dhe integrimin. Koha ecën dhe ajo as nuk na pret dhe as nuk pyet kur të jemi dakord dhe gati ne, dhe kur edhe këtë e dimë pse rrimë larg dhe indiferent dhe nuk ecim në kohë dhe me kohën. Pse p.sh. nuk e kryejmë Reformën në Drejtësi akoma kur dihet se aq shumë e rëndësishme dhe jetike janë për individin, shtetin dhe shoqërinë shqiptare ligji i mirë dhe sundimi e qeverisja e tij.

Janë pjesë e shoqërisë shqiptare edhe moria tepër e madhe dhe e  panevojshme e partive politike dhe shoqatat e ndryshme parazitare që grabisin paranë publike dhe bëjnë korrupsionin lidershipët apo kryetarët dhe paria e tyre si dhe manipulimin me kolektivitetin njerëzor që ata sundojnë; janë pjesë e popullit moria e madhe e politikanëve, pushtetarëve dhe të atyre që ju ka dhënë mundësia të jenë pjesë e pushteteve qendrore dhe lokale; janë moria e madhe e gjyqtarëve, prokurorëve dhe e administratës shtetërore, profesorë, tatimorë, doganjerë, punonjës hipoteke dhe lloj-lloj komisionesh e komisionerësh këshilltarësh e matrapazësh pushteti bashkë me kontrobandistët dhe sekserët pranë tyre që kanë abuzuar, vjedhur e përfituar nga posti dhe detyra shtetërore; janë një masë e konsiderueshme e popullsisë të cilët të detyruar nga varfëria, skamja, papunësia dhe mjerimi janë përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e qënieve njerëzore e të drogës; janë shumë individë të cilët kanë korruptuar gjykatat dhe e kanë blerë padrejtësinë; janë një mori e madhe të rinjsh që kanë blerë diplomat e universitetit dhe që drejtojnë institucionet dhe kanë zënë postet në to; dhe pra këta të cilët janë jo pak dhe që e sundojnë, e manipulojnë e paralizojnë dhe e bllokojnë funksionimin e shtetit dhe të ligjit, dhe a janë këta  të interesuar për Reformën në Drejtësi kur dihet se kjo mori njerëzish e kanë shkelur dhe kanë spekulluar me ligjin, e kanë kapur dhe rrënuar shtetin e shoqërinë?

Kjo gjëndje shoqërore ka ardhur si pasojë e korrupsionit, e kriminalizimit, e degjenerimit dhe e degradimit të sistemit politik dhe të atij të drejtësisë të cillët e kanë paralizuar shoqërinë dhe e kanë prishur shtetin; të cilët pra nuk e duan zbatimin e ligjit dhe  as Reformën në Drejtësi.

Dhe prej kësaj soji politike dhe të këtill shteti të ndërtuar e të sunduar prej saj është bërë i mundur edhe dëbimi, përjashtimi dhe largimi jasht Shqipërisë për në egzil në vëndet e SHBA dhe të BE-së të pjesës më të shëndetshme dhe të elites më aktive, më potente intelektualisht, profesionalisht  dhe të asaj më patriotike dhe më të pjekur moralisht dhe më të edukuar me botën demokratike të ligjeve, ndësa ata si këta meritorë patriotë, profesionistë, intelektualësh të mirëfilltë që jetojnë në Shqipëri ata janë të izoluar, të frikësuar dhe jasht aktivizimit politik, shtetëror, pushtetor, akademik dhe prej të gjitha sferave  të tjera shoqërore.

 

Dhe në rast se këta meritorë të këtillë ose elita e vërtetë kombëtare dhe intelektuale janë pak ose kanë mbetur pak në Shqipëri pasi janë larguar jasht saj atëhere është gati e pamundur që ata të jenë e të zgjidhen  në krye të punëve politike, ekonomike, shtetërore, juridike, akademike etj., dhe kjo përbën fatkeqësi të madhe për vëndin. Kjo u duk  edhe me  rastin e fundit të zgjedhjeve në Shqipëri që si në parlament në vitin 2013, ashtu dhe në pushtetin vendor në vitin 2015 u votuan dhe fituan individë me rekorde kriminale, pavarësisht se votuesi shqiptar i dinte dhe i njihte se kush ishin ata, dhe pavarësisht thirrjes së diplomatëve peëndimor drejtuar shoqërisë shqiptare dhe votuesit shqiptar për t’i mos votuar ata.
Duke sodituar zhurmën e madhe politike, publike e mediatike si dhe interesimin dhe këmbënguljen e jashtëzakonshme të faktorit politiko-demokratik ndërkombëtar të cilët i japin një rëndësi të jashtzakonshme Reformës në Drejtësi duke shkuar deri aty sa atë ta quajnë aq të rëndësishme sa atë të rënies së komunizmit dhe si kushtin kryesor për fillimin e negociatave për Antarsimin e Shqipërisë në BE, dhe  krahasuar kjo me indiferentizmin dhe mosreagimin publik dhe civil ndaj kësaj kryereforme e cila e  reformon pastaj edhe shtetin shqiptar dhe i hap rrugën ndërtimit të shtetit modern demokratik e ligjor si dhe integrimin e Shqipërisë për në BE, a nuk të shkon mëndja e të pyesësh se a është e gatshme dhe a e dëshiron shoqëria jonë Reformën në Drejtësi apo është pajtuar ajo me gjëndjen skandaloze të sistemit të drejtësisë. Apo mos vallë do ta kryejë politika dhe shoqëria shqiptare Reformën në Drejtësi që e kërkon Europa si kusht për antarësimin e Shqipërisënë BE, ndoshta atëherë kur BE edhe mund të shpërbëhet? (Vazhdon….)