PO SHOQËRIA, A E DËSHIRON REFORMËN NË DREJTËSI?! (Pjesa e 2-të)

Skënder S. Kapiti-(Analizë)

Nga Skënder S.KAPITI

(Vazhdim…) Një shoqëri e civilizuar kurrë nuk do ta pranonte këtë Sistem Drejtësie dhe këtë farë politike që e ka degraduar sistemin e drejtësisë, shoqërinë dhe shtetin shqiptar deri në këtë gjëndje. Nuk është e pranueshme sidomos sot në shekullin e 21 që akoma, dhe në Europë madje ku aspirojmë të integrohemi, që shoqëria jonë të pranojë pengmarrjen politike të saj dhe të presë që zgjidhjet t’i vijnë gjithmonë nga lart, madje duke u pajtuar dhe  pranuar poshtërsitë, tradhëtinë, korrupsionin dhe të këqijat e tjera  që i vijnë shoqërisë shqiptare nga “lartësia” e pushtetit dhe e politikës antihumane, antisociale, të papërgjegjshme, të kriminalizuar dhe të korruptuar.

Me sa dëgjojmë, pothuajse asnjë familje shqiptare nuk i ka shpëtuar padrejtësisë dhe korrupsionit nga drejtësia e padrejtësisë shqiptare, pasi shumica ankohen dhe deklarohen  me fjalë në media kur u jipet mundësia, por edhe klubeve dhe kafeneve, por çuditërisht nuk shohim ndonjë reagim apo protestë të shoqatave apo të shoqërisë civile kundër politikës dhe politikanëve shqiptarë të cilët  e kanë bllokuar dhe e pengojnë qëllimisht  Reformën në Drejtësi që të mos kryhet; apo padrejtësia, korrupsioni e varfëria dhe anormaliteti juridiko-civil e ka paralizuar dhe kompromentuar edhe shoqërinë civile duke bërë pajtimin e saj me këtë farë sistemi drejtësie dhe duke e pranuar ajo këtë sistem dështak e korruptiv politiko-juridik si kulturë masive?

Popull, mos prisni se po ju fton politika qoftë pozita në ndojië protestë apo pushteti me antiprotestë për tu bërë Reforma në Drejtësi, pasi vetë politika pothuajse e gjitha e korruptuar dhe kriminale nuk e dëshiron atë dhe ndëshkimin e vetes së saj, por mjerisht edhe shoqëria civile mesa duket është atrofizuar dhe e sëmurë nga padrejtësia dhe nga ndërgjegjsimi negativ i saj se drejtësinë e jep vetëm paraja, ryshfeti, korrupsioni dhe politika përderisa nuk po reagon as ajo

Pra, po vertetohet ajo që e kam shkruar para rreth dy vitesh me thirrje publike në mediat e shkruara se pa ndërhyrjen vendimtare e serioze të SHBA-së dhe të shteteve kryesore të BE-së nuk bëhet  Reforma në Drejtësi, por edhe po u bë ajo formalisht në letër, nuk ka për tu zbatuar nga kjo politika aktuale shqiptare që e mban peng Shqipërinë dhe integrimin e saj prej 25 vitesh. Nuk mund të kryhet shpejt dhe në kohë Reforma në Drejtësi përderisa vetë shoqëria nuk është akoma e mirëedukuar  dhe nuk e njeh mirë botën e ligjeve demokratike, prandaj kërkohet ndihma dhe faktori ndërkombëtarë duhet të jetë promotori i Reformës në Drejtësi.

Këtë besoj tanimë e dinë dhe janë ndërgjegjsuar tashmë edhe publiku shqiptar por edhe vetë ndërkombëtarët se me këtë politikë dhe me këta politikanë nuk realizohen as kushte, as vlera dhe as standarte moderne shteformuase, nuk ka as prosperitet dhe as mirëqënie, prandaj faktori ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion dhe ta detyrojë politikën aktuale shqiptare që të dekriminalizohet duke e larguar atë nga politika dhe këtë gjë e bën vetëm Reforma në Drejtësi dhe zbatimi i ligjit, që dhe këto duhen të kontrollohen dhe të monitorohen rreptësisht nga ndërkombëtarët, sidomos nga SHBA.

Edhe kohë më parë në shkrimet dhe opinionet e mia në shtypin e shkruar, kryesisht në gazetën tuaj e kam deklaruar se: më shumë progresin, zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë e duan SHBA sidomos, dhe BE se sa politikanët shqiptarë të cilët vetëm sa bllokojnë dhe i pengojnë ato. Nuk e di se prej Shpalljes së Pavarësisë, pra, prej 100 vitesh a ka bërë ndonjë gjë të madhe kombëtare vetë shoqëria shqiptare pa përkrahjen dhe pa ndihmën e aleatit tonë të madh jetik e strategjik, SHBA-në?

Por mbi të gjitha duhet reagim i fortë antipolitik i shoqërisë shqiptare për ta detyruar politikën që ta bëjë Reformën dhe në zgjedhjet demokratike, pse jo edhe të parakohshme te cilat edhe duhet t’í kërkojë ato shoqëria, dhe me votën e saj ta ndëshkojë ashpër këtë politikën e sotme të korruptuar dhe të kriminalizuar.