Piktorja kosovare Shpresa Gjonbalaj hap ekspozitë edhe në Durrës

Adem Lushaj

“Në ekuivalencë të reales dhe ireales” ishte motoja e Ekspozitës së hapur në Durrës nga piktorja me prejardhje deçanase, Shpresa Tolaj-Gjonbalaj, e cila pas një rrugëtimi nëpër disa qytete të Italisë dhe Shqipërisë, kishte përzgjedh edhe qytetin antik të Durrësit, për ti ekspozuar punimet e saj, pikturat të punuar me akrilik dhe vaj në pëlhurë.

Ajo, para shumë artistëve dhe artdashësve  nga Shqipëria , por edhe adhuruesve të artit  të ardhur edhe nga Kosova, është shprehur e kënaqur me vlerësimin që iu bëhet veprave  të  saj artistike, sidomos nga njohësit e artit piktural.

sh-4Tolaj-Gjonbalaj, duke shpjeguar për domethënien e 35 pikturave të saj të vendosura në Galerinë e Durrësit, ka thënë se Pikturat e saj përgjithësisht  pasqyrojnë realitetin social, kufirin ndarës mes reales dhe imagjinares, të bukurës dhe të shëmtuarës, shpresës dhe dëshpërimit, optimizmit e pesimizmit, mbi të gjitha ëndrrës për  progres, perspektivë, për të ardhme më të mirë. Ndaj përmes shprehjes figurative pretendon  të jetë  zë i shoqërisë, të  transmetoj realitetin dhe dërgoj mesazhe.

“Durrësi ka traditë kulturore dhe kombëtare,  prandaj edhe hapja e ekspozitës në këtë qytet bregdetar, është në saje të  kulturës dhe traditës  durrsake, si  dhe vlerësimit që bëjnë qytetarët e sidomos kritikët e artit”, është shprehur piktorja kosovare, Shpresa Gjonbalaj, që ka shpjeguar edhe për  stilin e shprehjes, lirinë krijuese, teknikat e përdorura përmes ngjyrës, duke u munduar të balancoj realen me irealen.

Ndërsa, skulptori i mirënjohur, jo vetëm në Shqipëri, Idriz Balani, pasi ka falënderuar artisten kosovare, sikurse edhe gjithë vizitorët e ardhur nga Kosova, ka thënë se për durrsakët është nderim hapja e një ekspozite të tillë, ngase Gjonbalaj me këto punime në pikturë, është e mirëpritur në çdo shtet, jo vetëm në Shqipëri. Sipas tij, punimet e Gjonbalaj janë konkrete, duke ndërlidhur botën reale me atë ireale, e sidomos përdorimi i ngjyrave intensive, bëjnë që punimet e saj të jenë më të veçanta. Vlerësim të ngjashme si të Balanit, dha edhe  Piktori i  njohur Buron Kaceli, i cili për vite të tëra ishte Drejtor i Galerisë Kombëtare në Tiranë.  Edhe komuniteti artistik nga Tirana dhe Durrësi, Prishtina, Peja e Deçani pjesëmarrës  të  kësaj ekspozite 7 ditore, ishin shprehur të mahnitur me pikturat e prezantuara në Galerinë e Durrësit, ku autorësinë e tyre e mbante piktorja Tolaj –  Gjonbalaj.

sh-2sh-3