Përvjetorët e lavdisë

Bedri Shala-1

Bedri TAHIRI

Sot, më 10 gusht 2016, me një ceremoni, ku merrnin pjesë familjarë, bashkëluftëtarë, invalidë, qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, struktura komunale e qeveritare, në vendrënien e tij, në Junik, u bë zbulimi e lapdarit kushtuar luftëtarit të orëve të para, strategut e udhëheqësit të UÇK-së, dëshmorit Bedri Shala.

 

BEDRI SHALA

(1969 – 1998)

Bedri Shala u lind më 2 qershor 1969 në Gjergjicë të Drenasit. Rrjedhe nga një familje e njohur për tradita të atdhetarisë nga Negroci. I ati, Veliu me vëllezër, kishte marrë pjesë në luftimet kundër forcave sllavokomuniste- çetnike në fund të LDB-së, duke u inkuadruar në Brigadën e Shaban Palluzhës.

Djaloshi kureshtar mësimet e para i mori në Arllat, ndërsa të mesmet në Drenas. Ishte nxënës i shkëlqyer, por, kur e arrestuan të vëllanë, Shabanin dhe e dënuan për veprimtari atdhetarie, edhe ky u ballafaqua me dhunën serbe. Ai, që atëherë u njoh edhe me shumë veprimtarë si: Fehmi Lladrovcin, Elmi Zekën, Idriz Hysenajn etj. dhe, mori pjesë në të gjitha organizimet asntijugosllave në Drenicë.

Gjurmë të pashlyera në shpirtin e djaloshit sypatrembur lanë demonstratat e 31 janarit 1990 në Drenas, në ballë të të cilave ishte vetë. Atë ditë ranë në Altarin e Pavdekësisë Enver Karaxha, Sahit Shala e Shani Morina. Ky arriti t’i shpëtojë arrestimit.

Në shtëpinë e tyre, më 1 e 2 janar 1992, janë strehuar disa ditë luftëtarët e bërthamës së parë të UÇK-së, Adem Jashari, Hamzë Jashari, Rifat Jashari, Sahit Jashari, Ilaz Kodra, Fadil Kodra etj, të cilët kishin çarë rrethimin në Prekaz.

Meqenëse familja e tij ishte në shenjestër të pushtetit, Bedriu migroi në Danimarkë e paskëtaj në Holandë, por, pa e shkëputur lidhjen me zhvillimet e ngjarjeve në Kosovë.

Kur plasi lufta e hapur në trojet stërgjyshore, Bedriu la Holandën dhe mësye drejt zjarrit të luftës. Më 6 mars niset për në Shqipëri. Pasi armatoset mirë e mirë, Bedriu bashkë me Xhelal Hajdën, Nexhmedin Morinën, Mehedin Morinën, Halim Shalën (të vëllain), Qerim Kelmedin, Azem Zekajn, Hajzer Çitakun, Musë Dërvishin, Maliq Ndrecajn, Hasan Begonin etj. depërtuan në Jabllanicë (Shqiponjë) të Dushkajës. Pas pak, komandant Ramush Haradinaj e emëron përgjegjës të pikës ushtarake në Gllogjan, ku qëndroi deri më 10 gusht 1998, e pastaj komandant për stërvitjen e rekrutëve.

Kur ushtria jonë masivizohet dhe armët mungonin, Bedriu mori treqind vullnetarë dhe vajti në Shqipëri për armatim. Kështu, kah fundi i qershorit 1998, ai sjell në Negroc edhe armatim të rëndë: 5 topa pa dridhje, 5 gulinova, 1 minahedhës 82 mm, 5 mortaja të tipit 500, 24 mitralozë PKT, disa snajperë dhe predha e fishekë të shumtë.

Më 2 korrik 1998, me Rasim Kiçinën e disa të tjerë, në krye të 600 vullnetarëve, kalon kufirin e mallkuar shqiptare- shqiptar dhe vendoset në Tropojë. Më 26 korrik ndeshen në forcat serbe në Jasiq por depërtojnë dhe bashkë me Bekim Berishën vendosen në Junik. Disa javë rresht u përballojnë sulmeve të forcave serbe që përpiqeshin të depërtonin në Junik e Smolicë.

Më 10 gusht 1998 zhvillohet edhe një betejë për Junikun. Forcat serbe u thyen keq, duke lënë edhe një tank në fushëbetejë. Bedriu i afrohet tankut, duke thënë: “Ja e çoj këtë tank në Drenicë, ja nuk kthehem i gjallë”! Dhe, tamam kur po hynte në tank, një plumb i snajperit serb e godet në krahëror. Në mbrojtje të trupit të tij niset edhe Bekim Berisha, i cili, po ashtu vajti në përjetësi. Atë ditë, në fushën e nderit ranë edhe bashkëluftëtarët, Elton Zherka, Përmet Vula, Bashkim Leku, Basri Beqiri etj.

Trupi i dëshmorit Bedri Shala prehet i qetë në Varrezat e Dëshmorëve në Palac të Drenicës.

Në përkujtim të veprës së tij heroike, Brigada 134 e UÇK-së emërohet “Bedri Shala”. Është dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë dhe është nderuar me gradën kolonel.

Sot emri i tij shkëlqen në shumë vende të Kosovës. Një rrugë në Drenas mban emrin “Bedri Shala”.  Në përvjetorin e 15 të rënies së tij, në Junik, në vendrënie, u zbula lapidari kushtuar trimit të paepur drenicas, kolonelit Bedri Shala.

Bedri Shala-2