Përurohet libri “Vrulle rinore”

Përurim libri

Sot, më 8 qershor 2017, në sallën solemne të Gjimnazit “ Eqrem Çabej” të Vushtrrisë, ku përveç nxënësve e mësimdhenësve, pati edhe mysafirë të shumtë: drejtues të arsimit dhe të kulturës të komunës sonë, krijues, drejtorë shkollash e artdashës, u bë përurimi i librit “VRULLE RINORE” të grupit letrar “GJIMNAZISTI”.

Bedri TAHIRI

Pak fjalë për librin “Vrulle rinore”

Të nderuar krijues të rinj gjimnazistë dhe ju artdashës!

Të respektuar kolegë e mysafirë!

Qysh nga “Poetika” e Aristotelit dihet se të krijosh do të thotë të jetosh. Letërsia, më bukur së kushdo tjetër, pasqyron botën shpirtërore të njeriut. Duke shkruar, njeriu le që vetë çlirohet emocionalisht, por edhe të tjerët i bën të ndjehen mirë dhe ta përjetojnë atë katarsisin e brendshëm ngazëllyes aristotelian. Ai që krijon e ka shpirtin e bardhë dëborë, ngase arti i të shkruarit të fisnikëron. Krijuesi, në fund të fundit, mund edhe vdekjen dhe fiton përjetësinë.

Nxënësit e Gjimnazit “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë, gjithmonë kanë qenë, besoj, edhe do të jenë ardhmëria e qytetit të Hasan Prishtinës  dhe edhe më larg. Kuptohet, së pari në mësime, ku e mbajnë kryet e vendit në nivel republikan, e paskëtaj edhe në aktivitetet e lira…

Në veçanti, Gjimnazi ynë shquhet si një kopsht me lule erëmira, nektari i të cilave ka mbushur qiellin letrar, duke dhënë fryte të nivelit të lartë artistik të gjithanshme. Nga  bankat e tij  kanë dalë emra që sot shkëlqejnë në majat e sukseseve në shkallë kombëtare. Po nga këto banka kanë dalë edhe anëtarët e Klubit letrar “Latif Berisha”, që me veprimtaritë e veta kulturore po e begatonë qytetin e Vicianës së lashtë. Nga gjiri i kësaj vatre edukativo-arsimore kanë dalë edhe emra të mëdhenj shkencëtarësh e krijuesish që sot kanë zënë vend në antologjitë mbarëkombëtare.

Mirëpo, sivjet, nxënësit tanë krijues, të tubuar rreth grupi letrar “GJIMNAZISTI”, pos aktiviteteve të shumta kulturore në shkollë dhe jashtë saj, vunë edhe gurin e parë të përbashkët në murin e kalasë së madhe, të quajtur Letërsi! Ata, mblodhën mendjen dhe fuqinë dhe nga fletëzat e tyre, të mbajtura fshehurazi në gjirmë të zemrës, nxorën ca margaritarë dhe, të futura nën një çati të përbashkët, na e dhuruan në këtë fundvit shkollor dhuratën më të çmuar, librin “Vrulle rinore”.

Vetë titulli ka simbolikën e vet dhe shpreh gjithë atë që reflekton brendia e librit. Lexuesi i vëmendshëm brenda faqeve të tij do të gjej vërtet vrulle e hove rinore që burfullojnë fuqishëm dhe me atë zjarrin shpërthyes rinor të marrin me vete e të shpiejnë gjithandej mbi krahet e suferinës, duke sfiduar suksesshëm trillet e jetës hileqare.

Libri është konceptuar në dy pjesë: poezi dhe prozë. Derisa pjesa e parë, poezia, qëndron në një nivel më të kënaqshëm artistik, e dyta, proza, lë për të dëshiruar. Thënë të drejtën, kjo mbase nuk i përmbush gjithaq të gjitha kriteret e prozës së mirëfillt, ngase këtu janë përfshi edhe ese e skica, të cilat nuk e kapërcejnë dot nivelin e tyre shkollor.

Megjithatë, në përgjithësi, brumi i librit është përmbajtjesor dhe i larmishëm me tema e motive nga më të ndryshmet, gjë që paraqet një mozaik të shkëlqyer ngjyrash ylberore. Meqë të gjitha këto punime i kam  lexuar nga disa herë, kam të drejtë të them se ato janë realizime të bukura artistike. Të shkruara me një stil të thjeshtë e të rrjedhshëm, me përmbajtje të kapshme e më porosi të qartë, ato, veçan ca prej tyre, kanë dalë aq të bukura saqë mund t’u lakmojnë edhe penat me përvojë. Ato, në përgjithësi, janë të liruara nga klishetë e demoduara e nga rregullat e ngurta klasike konvencionale dhe frymojnë lirshëm, ashtu siç ua ka diktuar zemra e padjallëzuar rinore, andaj edhe lexohen me një frymë.

Librit ia shton vlerat edhe ballina, ku shkëlqen piktura e nxënëses sonë Albesë Gela.

Botimin e librit e ka mbështetur Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport  e Vushtrrisë, gjegjësisht drejtoresha Shpresa Rama, të cilën, në emër të nxënësve e falënderojmë nga zemra!

Dihet se krijimtaria artsitike, në veçanti, poezia, nuk shpjegohet, por përjetohet, andaj nuk po e zgjasë më shumë, duke u lënë që ju lexues të nderuar vetë ta kuptoni e ta shijoni këtë mrekulli që muzat rinore na e kanë dhuruar!

Lexim të këndshëm!

Vushtrri, më 8 qershor 2017