Përmbyllja e dialogut me Serbinë, jetik për Kosovën!

Shkruan: Florim Zeqa                     17.04.2021

Përmbyllja e dialogut me Serbinë, jetik për Kosovën!

Florim Zeqa

Pas një rrugëtimi të gjatë maratonik 10 vjeçar, i ka ardhur koha e përfundimit  dialogut me Serbinë! Të gjithëve na janë të njohura të arriturat dhe dështimet e këtij dialogu. Pa marrë parasysh se kush do të përfitojë më shumë, e kush do të humbë më pak, epilogu përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi duhet të shënojë një kapitull të ri të stabilitetit politik në rajonin e trazuar të Ballkanit.

Legalizimi i ndarjes nga pushtetarët tonë

Ndarja faktike që i ndodhi veriut të vendit të vendit me hyrjen e forcave paqëruajtëse, përkatësisht të vendosjes së KFOR-it ruso-francez mbi Urën e lumit Ibër, nga kush më pak e kush tjetër më shumë, nga të gjitha pushtetet e pasluftës është përligjur ajo ndarje!

Pushtetarët tonë për dy dekada rresht, jo vetëm që nuk arritën ta shtrijnë sovranitetin në atë pjesë, e zyrtarizuan ndarjen e qytetit në dy pjesë; në Mitrovicën Jugore të banuar me shqiptarë dhe në Mitrovicën Veriore të pushtuar nga serbët lokal!

Pas ndarjes së qytetit në dysh ekziston një ndarje më e dhimbshme, më e thellë dhe më e gjërë territoriale, nga e cila rrezikojmë t’i humbim pasuritë me flori të nëntokës dhe pasuritë ujore, ku të dyja së bashku përbërjnë arterijen më vitale dhe më ekzistenciale për qytetarët e Kosovës.

Pra, Trepça dhe Ujmani, shpirti dhe zemra e Kosovës vetëm formalisht dhe juridikisht janë ende të Kosovës, kurse praktikisht ndodhen jashtë kontrollit të plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Pra, me legalizimin “de facto” të ndarjes së Mitrovicës në dy njësi administrative (Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut) u legalizua ndarja e asaj pjese nga vetë pushtetarët tonë.

Në anën tjetër serbët lokal, kohë pas kohe me ndryshimin e pamjes së barrikadave për rreth Urës së lumit Ibër, me shtatoren e Car Llazarit dhe flamuj shtetërorë të Serbisë na përkujtojnë se sovraniteti i shtetit të Kosovës përfundon pikërisht aty e jo në Jarinje ku aktualisht është kufiri administrativ!

Ka kaluar koha e eksperimenteve politike

Tani kemi ardhur në një momentum ku dialogu duhet të zhvillohet pa asnjë pengesë, pa kushtëzime dhe obstruksione politike, me guxim dhe transparencë të plotë para qytetarëve të vendit.

Dialogu është i pa alternativë, ‘Qeveria Kurti2’ duhet të përgatitet seriozisht për përmbylljen e fazës finale të dialogut me Serbinë në Bruksel, Paris apo Washington kudo që të organizohet ai.  

Qeveria e re duhet t’ua bëjë të qarta qytetarëve të vendit të gjitha detajet e bisedimeve me Serbinë, që i bie, të i bëjë transparente kërkesat e Serbisë në dialog, e në veçanti kërkesat tona përballë Serbisë.

Le të bëhen transparente edhe “thikat mbi harta” apo “gërshërët” nëse ekzistojnë, e jo të hidhen teori konspirative për qytetarët për konsum të brendshëm politik.

Legjitimiteti i lartë qytetarë i zgjedhjeve të 14 shkurtit e ngarkon Albin Kurtin me përgjegjësi të lartë shtetërore për zgjidhjen e problemit historik me Serbinë.

Prandaj e ftojë kryeministrin Albin Kurti që të ulet sa më parë në tavolinën e bisedimeve, le të ballafaqohet me problemin e pazgjidhur dhe le t’ua tregojë qytetarëve të vendit se cilat janë kompromiset e dhimbshme për të cilat na fliste pararëndësi i tij Hashim Thaçi!?

Ikja dhe prolongimi i dialogut nuk e zgjidhë problemin me Serbinë, përkundrazi e thellon akoma më tepër atë. 

Të mos e mendoj askush se bota sillet rreth Kosovës!

Me asgjë nuk mund të arsyetohet mos gatishmëria e liderëve aktualë shtetërorë për ta vënë në plan të parë përmbylljen e dialogut me Serbinë. 

Nuk ka çështje më të rëndësishme, më ekzistenciale dhe më prioritare sesa përmbyllja e kapitullit me Serbinë, për arsye se kjo çështje është duke e mbajtur peng të ardhmen vendit dhe qytetarëve, përkatësisht lëvizjen e lirë të qytetarëve, sigurinë dhe stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik, integrimin e Kosovës në BE dhe OKB, UNESCO dhe INTERPOL.

Duhet të jenë të vetëdijshëm liderët aktual shtetërorë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, se bashkësia ndërkombëtare nuk do t’na pres pafundësisht në zgjidhjen e problemit me Serbinë, sikurse që nuk do të përkujdeset përjetësisht për sigurinë dhe ekzistencën e shtetit tonë!

Prandaj, pa asnjë hezitim liderët shtetëror të Kosovës duhet të bashkangjiten në dialog për përmbylljen e kapitullit të gjatë të luftërave me Serbinë, për t’i hapur rrugë një kapitulli të ri të të paqes dhe stabiltetit politik në hapësirat ballkanike.

Të punojmë ditë e natë në drejtimin e duhur, që sa më parë të vie dita që t’i përcjellim ashtu siq i pritem paqeruajtësit ndërkombëtar, pa ndihmën e të cilëve sot nuk do ta kishim lirinë dhe as shtetin të cilin nuk po arrijmë ta ndërtojmë dot!

Askush nuk na dhuron asgjë, do ta marrim atë që e kemi merituar!