Përmbledhje me poezi të zgjedhura nga libri ‘‘Në secilën hije pak dritë’’

Anton Marku

GJENEZA

Ditën që u zu dielli

për të parën herë

jeta u fërkua me vdekjen

 

vrimave të zeza

heshtja i shtriu duart

ta prek fundin

 

vorbujve

e përdrodhi era

si një avull ujërash

të përvëluar

 

koha e përplasi

në tokën e askujt

 

para syve i kaluan

flluska drite

drithnaja

 

larg

ca dyer të hapura

 

fjala

nga lart rrëshqiti

 

para gjunjëve të qiellit ra

 

jetës gji i dha.

 

MOLLË E EVËS 

Mollë e mëkatit

u shkëput e ra

në dorën e saj

 

ajo

nuk deshi ta kafshojë

por Adami i tha

 

duart u mbetën

varur degëve

 

jeta u përdrodh

nëpër dhëmbë

 

këmbët i mblodhi

dhe u nis botërave

 

koha filloi

të gërryejë vetveten

orët t’i numërojë.

    

 

GJUNJËZUAR 

E djeshmja

nuk po lejohet

të varroset

 

nga e sotmja

në të nesërmen

shfletoj

kohëra

si në një libër besimi

 

hijen time

hedh mbi supe

dhe i druhem

 

e nisem

largësive

fijet e zërit tim

t’i lidh nyje.

PORTRET

Kur gjithçka nisi

nuk kishte kufij

as mure,

kishte vetëm fillime

 

para nesh

u hap

një portë e re

 

ne hymë brenda

dhe u humbëm

eshtrave të atdheut

 

fati pa

letrat tona

 

diçka e padukshme

na barti dimrave

 

pa na pyetur:

–                     sa do të zgjasë

përjetësia.

 

 DUARTHATË

Më shumë po dhembin mëkatet

se sa plagët

nga gurët në gjoks

 

shpirti i mirë

në trupin e keq

vuan

 

nga fantazmat

do të ikë

 

mjegullave fshihet

fytyrë e skuqur

 

duarthatë

e kalon urën

përskaj fajit.

 

RRËNJË 

Në librat e shenjtë

gjendet apo fshihet

e vërteta?

 

Çka erdhi

e çka jo

nga qielli?

 

Cila dorë i shkroi

ato që nuk u thanë?

 

Si i gjeti rrugët fjala

nga goja në gojë

deri tek ne?

 

Në këtë,

apo atë botën tjetër

do digjen

të fjeturit?

FJALA 

Vdes

njëqind herë në ditë

e prapë ringjallet

 

përgjithmonë

përjetësisht

pafundësisht.

 

QIRIU I BARDHË 

E mira dhe e keqja

takohen shpesh

 

në secilën hije pak dritë

në secilën dritë pak hije

 

para mijëra viteve

yjet nisën të puthin

buzët e shpirtrave të etshëm

 

që nga atëherë

engjëjt u dënuan

të mos mund të ëndërrojnë më

 

vetëm njerëzve

fati u troket mbi shpatulla

 

çdo ditë.

 

 

 KRYQI 

Në këtë botë vdekatarësh

jo të gjithë janë heronj

as shenjtorë

 

lum ata

që gjenden

aty ku duhet

 

mos qofsha

në lëkurën e atyre

që zvarriten

pellgjeve.

 

 

SHKUARJA

E di

se nuk të mund dot

andaj

nuk ta kam frikën

 

kurdo që të duash

më merr

 

por më parë

më le të jetoj

 

pjesën time të rrugës

ta bëj

 

duke ecur

kurrizit të jetës

në këmbët e mia.

 

 

I PENDUARI 

Tërë jetën bredha kotësirave

derisa të takova

në librat e shenjtë

në lutjet e të premteve

në predikimet e të dielave

 

në gjuhën time më fole

në më të mirën gjuhë

 

sa afër të paskam pasur

e nuk e paskam ditur

 

më fal

për vitet e mykura

që jetova pa ty

 

vetëm

mes njerëzve si unë.

 

Për autorin:

Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore e të mesme i mbaroi në Gjakovë, ku kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Fakultetin juridik e  përfundoi në Universitetin e Prishtinës ndërsa në Vjenë studimet master në shkencat politike.

Ka 10 vite që jeton dhe punon në Austri.

Me shkrime letrare ka filluar të merret qëkur ishte nxënës. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar nëntë libra me poezi, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune:

1. ‘‘Cikloni i dashurisë’’ (2000)

2. ‘‘Gjurmë mbi hije’’ (2002)

3. ‘‘Dielli i mesnatës’’ (2004)

4. ‘‘Vizioni blu’’ (2010)

5. ‘‘Në duet me vetveten’’ (2012)

6. ‘‘Ishjut e jetës’’ (2018)

7. ,,Du meine Stimme’’ (‘’Ti, zëri im’’, 2018)

8. ‘‘The islands of life’’ (‘‘Ishujt e jetës’’,2018)

9. ‘‘Në secilën hije pak dritë’’ (2019)

Ai po ashtu është prezantuar edhe në disa antologji në Austri dhe Gjermani, si në: ,,Man fragt mich, ob ich bin (2009); ,,Stadtschattierungen’’ (2015); ,,Words and Worlds‘‘(2016); ,,Liebe’’  dhe  ,,Wir, bewegende Steine’’ (2017); ,,Ausgewählte Werke XXI’’, ,,Anima‘‘dhe ,,Ein Tag meines Lebens’’ (2018); revistat ,,Zwischenwelt’’ 2014), ,,Aktuell’’ (2017),  ,,Literarisches Österreich’’ (2017) dhe ,,Literamus 45’’ (2018), si dhe në disa antologji të krijuesve shqiptarë në mërgim.

Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë,i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës ‘‘Words and Worlds‘‘,  i klubit letrar në Vjenë ‘‘Der Kreis’’, Klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani”, Bruksel.