Përgjigje Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa: EPILOGU TRAGJIK I LDK-së

Përgjigje Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa

EPILOGU TRAGJIK I LDK-së

(Isa Mustafës nuk i ka hëngër palla as për Fondin 3% e as për Huan Popullore që mblodhi në Diasporë, e le më për 30 milionët e Telekomit të Kosovës)

Shkruan: Shefqet Dibrani

Si duket “Mocioni për rrëzimin e Qeverisë” e ka tronditur Isa Mustafën i cili ka folur hapur për gjëra të cilat i paska fshehur në mandatin e tij sa ishte Kryeministër i Kosovës.

Isa Mustafa, ka premtuar se do t’i zbardh vrasjet politike, për të cilat nuk ka bërë asnjë hap para. Vetëm kur nuhati se Qeveria e tij po përfundon ashtu siç e ka merituar që moti, Ai në manifestimet e LDK-së, i ra ndërmend të flasë edhe për vrasjet politike, sidomos të Enver Malokut dhe Xhemail Mustafës. I veçova fillimisht këta të dy, pasi kanë qenë miq të afërm të Skënder Hysenit, i cili në këtë mandat ka ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe ai mundet me treguar saktësisht pse nuk i ka hëngër palla, as atij dhe as Isa Mustafës, për tu marrë seriozisht me këto dy raste.

Enver Maloku dhe Xhemail Mustafa, kanë qenë gazetarë dhe autor të qindra e mijëra shkrimeve, madje që të dy kanë lënë vepra të shumta në dorëshkrim, ndërsa Ministri i Kulturës ishte dr. Kujtim Shala, letrar dhe autor librash, asistent i akademik Sabri Hamitit, që të dytë miq dhe të afërm me Enver Malokun dhe Xhemail Mustafën, por as Ministrit të Kulturës nuk i ka hëngër palla, për veprat dhe kulturën që kanë lënë pas Enver Maloku dhe Xhemail Mustafa.

Po ashtu në ditën e sotme (06.05.2017),  u kujtua akademik Fehmi Agani, për të cilin sivjet i paska rënë ndërmend “kokës së LDK”, Ismet Beqiri, i cili pranë varrit të tij, me një gjuhë fshatari, foli për akademik Fehmi Aganin, por nuk tha asgjë sepse niveli i Ismet Beqirit është larg atyre vlerave që është dashur t’i ketë sekretari gjeneral i LDK-së. E përveç atyre fjalimeve që ma shumë u morrë me shqetësimin e tij për zgjedhjet, Ismet Beqiri nuk din të flasë,  këtë e din të gjithë?! Por ata që dinë diçka dhe janë brenda LDK-së, e dinë se akademik Fehmi Agani, ka lënë edhe një mori dijesh të pa publikuara, por Ismet Beqirit nuk i ha palla, për dijet dhe shkencëtarët që ka pasur LDK-ja, se po të ishte kështu do të mbaheshin akademi e ceremoni që nderojnë personalitetin e akademik Fehmi Aganit. Por LDK-ja i ka shkelur emrat e dijes dhe shkencën që kanë bërë shumë për LDK-në, prandaj po i përmend disa nga emrat që bënë shumë për shkencën dhe letërsinë, në mesin e të cilëve janë prof. Latif Berisha dhe dr. Xhavit Ahmeti. Shtrohet pyetja pse LDK-ja nuk ua botoi asnjë nga veprat e tyre në fushat përkatëse, por i harroi sikur të mos kishin qenë fare në këtë botë.

Në vend se të tundej Kosova nga dijetarët e LDK-së, shkatërruesit e Rugovizmit, i harruan edhe akademikët e shquar Gazmend Zajmin e Dërvish Rozhajën dhe prof. dr. Zekiria Canën, që të tre njerëz të penës dhe të dijes. Po kjo dergjje e keqe u aplikua edhe kundër Njeriut ma Popullor që e ka pasur Kosova dhe LDK-ja prof. Anton Çetten dhe shumë e shumë të tjerë. Edhe këta janë njerëz të dijes dhe sigurisht kanë lënë vepra në dorëshkrim, por nuk iu ribotuan ato që ishin të botuara dhe askush nga Letrarët e Shkencëtarët e LDK-së, nuk është marrë me ta dhe veprat e tyre, edhe pse Ministri i Kulturës ishte nga radhët e LDK-së. Madje LDK-ja e Isa Mustafës dhe e Ismet Beqirit, i harruan edhe disa nga emrat eminent të LDK-së që udhëhoqën Degë e Komuna siç ishin Fadil Ferati, Ukë Bytyçi dhe krejt i harruari Faruk Spahiu, e sa për të gjallët le të lajmërohen vet, se ata janë gjallë e duhet të shpurdhin?! Prandaj  “Mocioni për rrëzimin e Qeverisë Mustafa”, duhet të miratohet edhe nga ata pak deputet të LDK-së të cilët janë më pak fajtor për gjendjen e tanishme në këtë parti. Nëse ata dëshirojnë të mbesin me nderë, me votën e tyre duhet t’ia bëjnë me dije Isa Mustafës sa shumë keq ka punuar në mandatin e tij qeverisës. Duke e përfshirë punën e keqe të tij, të kryesisë së LDK-së, dhe të të gjithëve në raport me Diasporën, të cilën me heshtjen e të gjithëve së bashku e vranë, për t’i hyrë në hatër Isa Mustafës i cili e shkatërroi Kosovën dhe LDK-në, se sa për Ju deputet të LDK-së, as palla atij nuk i han?!

Vetëm tani Isa Mustafa qenka zgjuar, e nuk e ditka se ai bartë barrën e përgjegjësisë pse nuk ka folur dhe pse nuk ka vepruar për keqpërdorimet, vjedhjet, abuzimet e aferat e shumta, kundër të cilave në asnjë rast as ai dhe asnjë nga anëtarë e Qeverisë Mustafa, s’kanë bërë zë dhe asnjë veprim kurrë nuk e kanë ndërmarrë, sepse Isa Mustafës kurrë nuk i ka hëngër palla dhe as nuk i han për vjedhjet industriale, por tani mendon se me ndryshimin e kursit dhe me këtë retorikë do ta mashtrojë elektoratin.

Kosova dhe veçmas Diaspora e LDK-së e din se sa miliona nga Fondi i 3% i ka keqpërdorur Isa Mustafa, dhe sa miliona të tjerë nga Huaja Popullore për të cilat ai s’ka dhënë asnjë përgjegjësi, madje as për ata 60 milionët e mbetura në “DARDANIA” Bankë, të cilat i ka bërë rrush e kumbulla me ortakët e vet. Por tani i duhen votat e elektoratit, prandaj “Qeveria e Isa Mustafës” e cila nuk na paska mashtruar kurrë(?!), na tregon se “nuk i shpëton ata që mendojnë të plaçkitin 30 milion euro nga Telekomi i Kosovës, ata që ia bënë shtetit faturën e pasaportave mbi 5 milion euro apo ata që shpresojnë se do ta plaçkitin shtetin edhe përmes Axosit, nëse kjo Qeveri bie”, dhe tashmë ne nuk po kuptojmë nëse Isa Mustafa paska qen budalla, pse nuk paska vepruar, e nëse ka qenë i mençur siç duket, ai këto raste i ka abuzuar siç ka abuzuar tërë jetën e tij me paratë e popullit dhe sikur ky “Mocion për rrëzimin e Qeverisë Mustafa”, të mos paralajmërohej, Isa Mustafa kurrë nuk do të merakosej ashtu siç nuk është duke i hëngër palla për shkatërrimin e LDK-së.

Në këto rrethana elektorati i LDK-së duhet të refuzon Listën Zgjedhore që i prinë Isa Mustafa dhe kushdo tjetër nga anëtarët e Kryesisë së LDK-së, sepse këta janë përgjegjës për shkatërrimin e LDK-së deri në këtë shkallë. Po ashtu dalja e ndonjë emri “reformues” në këto rrethana duhet të jetë e papranueshme sepse është një mashtrim i ri, pasi dihet se Isa Mustafa i ka bërë zapt që të gjithë. Askush nuk mundet me krijuar një ekip shpëtimi dhe me dhënë një platformë të besueshme, pasi tani është vonë edhe për pseudo-reformatorët për t‘u përgatitur dhe për ta shpëtuar LDK-në.

Ndërsa militantët e internetit, të cilët janë kryesisht njerëz të paarsimuar dhe për kah dija mediokër, do të ishte mirë të pranin dhe të heshtnin me publikime dhe thirrje për figura që tashmë dihet se i kanë dosjet e hapura, këta myhib nuk i duhen LDK-së, sepse janë kapërthurur vetëm pasi Isa Mustafa me metodën e nëntokës e pushtoi LDK-në.

Elektorati i ndërgjegjshëm duhet ta detyron LDK-në, për t’iu kthyer reformave të rrënjësishme dhe vetëm pas një mandati tjetër të mendoj për fitore të mundshme. Sepse me një LDK që e shkokërdhoi Isa Mustafën nuk ia vlen të fitohen këto zgjedhje?!

St. Gallen, 06.05.2017