Përballja e parë FRONTALE E UÇK- së

Përvjetor

Bedri Tahiri

Bedri Tahiri 8-445Agu i së mërkurës së 26 Nëntorit të 1997 u gdhi fare i zymtë. Natyra hijerëndë sikur parandiente diç të pazakontë. Qielli i mërrolur veçsa s’lotonte. Dielli nuk po dukej gjëkundi. Po hezitonte të hidhte dritë mbi hori­zont. Retë e harlisura kalëronin çmendurisht në qie­llin e trazuar.

Drenica ende përkundej në djepin e praruar të ën­drrave liridashëse, E, drejt saj, që me natë, ishte nisur nga Mitrovica kolona e zezë mortore. Bishat e shfre­nuara nga Karpatet, tërë tërfëllimë e ulërimë, ngaren­dnin e ngarendnin çmendurisht. Ditë më parë, më 25 nëntor 1997, një ekspeditë serbe kishte tentuar të hy­n­te në lagjen Binakaj të Vojnikut, por Abedin Sokol Rexha (Sandokani) me shokë i ktheu mbrapsht. Ata, të turpëruar e të fyer, në të kthyer plagosin rëndë fë­mijën 11-vjeçar Baki Krasniqi.

Të dehur e të vërbuar nga egoizmi mashtrues e të zhytur në batakun e mitit të rremë të pathyeshmërisë, futeshin, fare çlirshëm, thellë e më thellë në zemër të saj.

Papritmas, te lugina midis Llaushës, Rezallës së Re dhe Rakinicës dheu u trand si nga tërmeti shumë­shkallësh. Thellë, nga gjiri i tokës mëmë fuqishëm shpër­theu amaneti i bre­za­ve. Nga hiri i vet, si feniksi, u ri­ngjallën: Millesh Kopili­qi, Ah­­met Delia, Shaqir Sma­ka, Shota e Azem Galica, Sha­ban Polluzha, Me­h­met Gradica e Tahir Meha. Të bërë tok si­kur folën përnjëherësh: Mjaft më barbarë të ndyrë! S’ka ngelur shkret kjo tokë, jo, që ta përdhunoni pamëshirshëm. Bijtë e saj ende janë gjallë që t’i dalin zot!…

Njëzet e një kreshnikë në krye me komandantin Adem Jashari ia kishin prerë rrugën lubisë shumë­krerëshe.

Lugjet përreth oshëtinë llahtarshëm duke e përcjellë kushtrimin larg e më larg. Kodra-kodrës ia zgja­ti do­rën. Malet u përqafuan vëllazërisht duke u lidhur në besa-besë. Shqipet krahhapura fluturonin krenarisht maje kreshtash. Poshtë në rrugë rrëmujë katandisëse. Tanket e autoblindat gjëmonin si bishat e pla­gosura kur japin shpirt. Nuk bënin dot më tutje as një çap. As­falti u skuq fare. I tërë arsenali ushtarak shka­për­­der­dhur nëpër tokë. Edhe kokën e kishin harruar horrat e djallit. As për t’u kthyer s’ktheheshin dot. E ki­shin hu­mbur torruan fare dhe s’u punonin duar as këmbë…

Një tufë rrezesh, në kryqëzim reshë, u lëshuan mbi shkollën “Përparimi” të Llaushës. Në mësonjëtore drita mundi errësirën. Mësuesi i palodhur, Halit Gecaj, ishte para filizave njomëzakë, që përpiqeshin ta përpijnë çdo fjalë të tij. U fliste për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Atë ditë të shënuar, u thoshte ai, pla­ku i urtë vlonjat, Ismail Qemali, bashkë me atdhe­tarë të tjerë, arriti ta bëjë një Shqipëri të pavarur, por fare të vogël, pa Kosovën martire dhe pa Çamërinë fatkeqe. Nesër, kur t’ia bashkojmë këto, do ta bëjmë të tërën Shqipërinë…

Një breshëri predhash e mbuloi shkollën. Na e vranë më­sue­sin! – bërtitën vogëlushët e lemeritur. Gjaku pi­koi në ditar. Ai u ka­lamend, por e mbajti veten. Du­ke i ngrë­në buzët me dhëmbë, mezi arriti t’u drejtohet nxënësve: Më­soni dhe punoni për lirinë e Ko­sovës!

Korbat e zinj, me krrokamën e tyre makabre, u zbra­psën zhurmshëm. Tek ikin në theqafje, feçkëthyer e tërë inat, zunë të shfryejnë në të pafajshimit. Nuk kursenin asgjë. Që­llo­nin kudo e këdo: shkollën, xhaminë, shtëpitë, fëmijët dhe bagëtinë e gjorë. Dielli i hutuar fare nga kjo barbari e paparë harroi të ecte e zogjtë ndaluan këngën.

Llaushë, 28 Nëntor 1997. Lumenj të pafund nje­rë­zish vërshuan drejt saj. Të gjithë tok i bashkonte flamuri kuqezi. Jo për ta kremtuar Ditën e Tij, por për ta prëcjellë mësuesin në amshueshmëri. Ah, sa bukur qëndronte mbi trupin e tij të pajetë. Flamur i lashtë, flamur lavdie. Mbi pesë shekuj jetë e rezistencë. Den­babaden kemi ecur bashkë. Kudo të pandarë: në das­ma, në festa, në beteja e në vdekje. Fare pranë nxë­në­sit e tij supërlotur. Ata përjetë do ta përkujtojnë orën e fu­ndit, që mësuesi i tyre i paepur ua mbajti nën zhurmën e makinerisë serbe e nëpër flakën e mitralozëve.

Lumi i njerëzve s’kishte të ndalur. E tërë Kosova po vinte aty për ta ndarë dhembjen e pikëllimin. Ishte kjo një dhembje krenare, sepse po hapej një faqe e re e historisë sonë. Flamuri ynë fare pranë aspiratave she­kullore, pranë Nëntorit të Tretë. Kjo shihej qartë në fy­tyrat e gjithë pjesëmarrësve dhe në zemrat e bëra NJË.

Sakaq, tri shqipe zbritën nga kreshtat. Masa mbaj­ti frymë. Njerëzit e nemitur fërkonin sytë me mosbesim. Iu bë vend ballë binës improviziese. Sa bukur u shkonin uniformat ushtarake. Pas fjalimit të zjarrtë të atij që mbante maskën, turma mori zjarr.

Bro­ho­ritjet: UÇK, UÇK… i zhgurgulluan malet përreth. Edhe mësuesi në arkivol do të ketë luajtur vendit.

Tej, në një qoshe, kishte zënë vend një plak i mbetur. Mbështetur mbi kërrutën prej thane e i futur në gunën e arnosur, që i shkonte deri në tokë, mërmë­ri­ste më vete: U lumtë ore djema, u lumtë! Ju dhe vetëm ju do t’ia sillni Kosovës dritën. Edhe ne patëm luftuar mjaft, por ju keni edhe shkollë e nuk ju mashtrojnë lehtë. Kur jeni të bashkuar, si një grusht i vetëm, s’ka çka ju bën askush… Ah, mësues, mësues!- vazhdoi ai duke përcjellë ata që e mbulonin me dhe, juve ju ka prirë shorti i zi që nga fillimi. Çdo pushtues u pati halë në sy, por ato shkronja të arta, të lara në gjak, më s’kanë frikë nga plumbat. Tre muaj ishe kur çetnikët ta vranë babanë… dhe lotët iu lidhën në grykë. Ulur galuç zuri t’i fshijë me shaminë e rrudhosur, pa i vënë re të tjerët përreth.

-Ishim ëndërr apo na bënë sytë?- pëshpërsinin ca zëra, duke u shpërndarë pas varrimit, të mahnitur nga e papritura.

-Si ore tutkuna, ende nuk po besoni?!- ua priti tje­tri gjaknxehtë e i xhindosur. Ushtria Çlirimtare e Ko­so­vës është realitet dhe sot e tutje do të veprojë haptas.

Ashtu ishte me të vërtetë. Çdo epokë i ka heronjtë e vet, është thënë që në antikë. Atyre herë herë fati u ngarkon barrë të rëndë. Forca mbrojtëse dhe çlirim­tare e Kosovës duhej dalë haptas para publikut. Koha s’priste më. Dhe, kësaj herë, kjo detyrë e ky nder u ta­koi:Re­xhep Selimit (“Dhjetëshit”), Mujë Krasniqit (“Kapuçit”) dhe Daut Hara­dinajnt (“Davidit”)…

Kosova po i hapte rrugë lirisë e 28 Nëntorit iu shtua edhe një festë e re: DITËLINDJA E UÇK-së.