Përballja e Familjes Kapiti me politikën antikosovare në Shqipëri

Nga Avokat Ilir Malindi

Unë Ilir Malindi me profesionin e avokatit, shkrimtarit  dhe të historianit, autor i librave, “KOSOVA është imja”, si dhe të librave “ Lufta ime” e të 52 Volumeve të “United States of Albania ” e njoh familjen kosovare të  patriotit Sadri Kapiti nga Durrësi  që në kohët  e demonstratave të viteve tetëdhjetë që u bënë në Kosovë për Kosovën Republikë, dhe ajo familje gjithnjë mëndjen, zemrën e shpirtin e kishte për Kosovën ; ata i njoha për bindjet e thella  e të pastra  kombëtare , që kanë qënë historikisht kundër kolonizatorit serb prej regjimit të të cilit u larguan dhe erdhën e u vendosën në Shqipëri, në Durrës. Por ata kundërshtuan dhe ishin edhe kundër politikës së vetëizolimit i regjimit komunist dhe të luftës së klasave të tij në Shqipëri dhe  Skënder Kapiti me guxim të madh, që atëhere shprehej  dhe e quante atë si një politikë tmerri e terrori i Partisë ndaj popullit të vet.

Kapitët, këta patriotë shqiptarë nga Kosova shpreheshin gjithnjë hapur dhe ishin kundër kolektivizimit të tokës, të tufëzimit të bagëtive, sidomos ishin kundër  ideologjisë e politikës së  vetizolimit nga perëndimi dhe kundër politikës antiamerikane të ishdiktaturës komuniste, si një politikë që dëmtonte rëndë interesat kombëtare dhe sidomos Kosovën, që  izolohej  edhe nga vetë Shqipëria ideologjike komuniste e cila  ishte e vetëizoluar  dhe e vetëarmiqësuar  me botën demokratike perendimore  dhe SHBA.

Skënder Kapiti deklaronte  atë që e kishte dëgjuar prej prindërve të tij, se Kosova nuk fiton dhe nuk bashkohet me Shqipërinë  se  nuk e lënë as sllavi,  as rusi dhe as   kinezi ku e ka zëmrën edhe ky komunizmi i Shqipëris, por, vetëm me ndihmën e Perëndimit dhe të SHBA, Kosova do të clirohet dhe do të bashkohet me Shqipërinë, kurse Shqipëria socialiste dhe Partia e Enveri  e konsiderojnë dhe e propagandojnë Perëndimin dhe SHBA si rrezik për Shqipërinë, shprehej kështu Skënderi  pa pasur frikë se një qëndrim i tillë në atë kohë të kushtonte shumë shtrenjtë prej regjimit komunist.

Dhe si e tillë, kjo familje nuk është parë kurrë me sy të mirë  dhe është përndjekur nga politika  e atëhershme e komunizmit por edhe nga kjo e sotme e pas rënies së tij, sepse Kapitët pra, haptazi e kundërshtonin regjimin komunist në Shqipëri si një regjim johuman dhe antiperëndimor të dëmshëm kombëtarisht dhe aspak e interesuar për Kosovën dhe për shqiptarët në trojet etnike jashtë Shqipërisë,  gjë e cila  vëllezërve dhe familjes Kapiti ju kushtoi shumë rëndë dhe shtrenjtë politikisht dhe jo vetëm atëhere por edhe pas rënies së komunizmit.

Prej edukatës dhe qëndrimeve antikomuniste dhe nacionaliste  e patriotike    Kapitët e pësuan politikisht jo vetëm nga regjimi komunist por edhe pas rënies së tij, sepse sipas Skënderit komunizmi në Shqipëri ra vetë dhe u bë vetëm një zëvëndësim,  dhe Shqipëria e këtij tranzicioni kaloi  nga komunizmi ekstrem në një komunizëm liberal ( modern) ku mungesat apo deficitet më të mëdha që ka sot edhe ky sistem hibrid politik gjysmë demokratik e gjysmë autoritarist janë: deficiti  me lirintë dhe të drejtat e njeriut, deficiti demokratik dhe deficiti i madh patriotiko-kombëtar.

Edhe pas komunizmit Kapitët konstatuan dhe u zhgënjyen  që në fillim me politikën  dhe  tranzicionin politik, traumatik, korruptiv, antipublik dhe kundërintegrues të politikës  në tërësi në Shqipëri: të rrënimit të gjithçkaje të ndërtuar nga puna dhe djersa e popullit shqiptarë; kundërshtuan reformat pseudodemokratike shumë të dëmshme me pronësinë dhe ligjin e shpërndarjes së saj dhe  me pasoja të rënda kombëtare dhe  ekonomiko-sociale; privatizimet korruptive, shkatërrimin e ndërmarrjeve  me strategji kombëtare, minierat, energjitikën dhe krimin me trashëgiminë historiko-kulturore dhe të territorit.

Unë i njoh nga afër dhe e di mirë se ata nuk u pajtuan dhe e kundërshtuan  sidomos qëndrimin e politikës dhe të shtetit shqiptar të asaj kohe për joseriozitetin dhe hipokrizinë me njohjen e Republikës së Kosovës së vitit 1990 dhe të Pavarësisë së saj  me Referendumin e  vitit 1991 që ishin ngjarje të mëdha të cilat edhe te unë kanë lënë gjurmë dhe mbresa të larta frymëzimi, krenarie dhe besimi se e ardhmja do t’i përkasë fitores së Kosovës dhe tërë kombit shqiptar ashtu siç edhe me të vërtetë erdhën dhe ndodhën me çlirimin e Kosovës pak vite më vonë pas tyre; nuk pajtoheshin  me indiferentizmin dhe mosmbështetjen reale të  Kosovës, për mosinteresimin për shqiptarët në trojet e tyre në Mal të Zi e në Maqedoni si  dhe të atyre në diasporë  ashtu si gjithnjë që ka bërë edhe politika paraardhëse dhe kjo e sotme si një vazhdimësi,  por  vetëm si retorikë politiko-patriotike sipërfaqësore e momentale për pëfitime politike; politikë e cila  arriti deri atje sa kundër interesit kombëtar të Kosovës shkeli dhe theu  embargon ndërkombëtare të naftës dhe karburanteve me Serbinë.

Ata kritikonin dhe kundërshtonin edhe për mospërkrahjen dhe pengesat e mëdha që interesi i ngushtë personal i politikës në Shqipërinë e viteve të tranzicionit që  i ka bërë dëme të mëdha vetë Shqipërisë së pari, dhe sidomos si politikës e diplomacisë kosovare ashtu edhe Luftës  për çlirimin e Kosovës, dhe  për këto arsye ata  e pësuan më pastaj e në vazhdimësi edhe vazhdojnë ta pësojnë edhe sot nga politika në Shqipëri vetëm se Kapitët  janë nacionalistë  e patriotë dhe se  ndihmuan dhe kontribuan aq shumë për Lirinë dhe  Pavarësinë e Kosovës.

Edhe unë autori i këtij shkrimi me profesionin e avokatit po edhe si analist, publicist, shkrimtar dhe historian me origjinë nga Skrapari me formësim dhe me edukatë patriotike e kombëtare u njoha me këtë familje heret qysh në vitet 1980 dhe që atëhere takohesha shpesh me ta si dhe me shumë shqiptarë kosovarë në Shqipëri prej të cilëve mësoja shumë për padrejtësitë, tmerret dhe genocidin që kishte ushtruar gjithnjë pushtuesi barbar serb mbi popullin shqiptar të Kosovës e që politika ideologjike komuniste për pushtet e Tiranës bënte shumë pak gjë për mbrojtjen e të drejtave njerëzore e kombëtare të tyre dhe madje  as nuk informonte publikun e brëndshëm në Shqipëri se çfarë ndodhte  në Kosovë, përveçse sipërfaqësisht e me hipokrizi me ndonjë deklaratë apo të ndonjë artikulli në gazetën e saj politike “Zëri i Popullit”dhe vetëm kur ja donte asaj interesi i ngushtë për pushtet.

Unë e dua Kosovën, të cilën e kam dashur që në fëmijëri dhe këtë dashuri ma kanë kultivuar gjyshi im që ka pasur miq qysh herët në Kosovë si dhe prindërit mi, e që për fat të mirë edhe shkolla fillore ku unë kam mësuar në Tiranë e ka pasur emrin “KOSOVA”.

Jam banor në Plazh, Lagje nr 13 Durrës dhe tek po kaloja me makinë në mëngjesin e datës 31 Tetor 2014 vura re  policë me uniforma dhe buldozerë përballë “Drenicës” historike të Luftës së Kosovës dhe te Memoriali i “Luftëtarit të Lirisë” të cilin po e godisnin edhe këta që na premtuan “Rilindjen” shqiptare. Eh, thashë me vete edhe tani pas 15 vitesh të çlirimit të Kosovës nuk paska të ndalur kjo politika e këtyre palo pushtetarëve që kanë vite e vite që merren me Drenicën dhe me Kapitët e Kosovës, kjo për faktin se edhe dy herë të tjera politika dhe pushteti në Shqipëri e kanë shëmbur Drenicën, Muzeun e Luftës dhe të historisë sonë kombëtare; njëherë në vitin 2004 kur ishte kryeministër Fatos Nano dhe kryetar i Bashkisë Durrës Lefter Koka ; herën tjetër në vitin 2009 kur kryeministër ishte Sali Berisha dhe kryetar Bashkie Vangjush Dako, po ky që është dhe tani  kur “Drenica” u godit për së treti herë.

Unë jam dëshmitar ashtu si dhe mijra të tjerë për rëndësinë e madhe kombëtare  që ka e që luajti  ky vënd, ky objekt dhe vëllezërit Kapiti, ky ishte vëndi  i cili ishte i pranishëm edhe në të gjitha lajmet dhe ekranet televizive ndërkombëtare  më prestigjoze  gjatë vitit 1999 , kohë kur u zhvillua  Lufta në Kosovë.

Kapitët, dhe ky vënd dhe kjo ngjarje e madhe kombëtare e grumbullimit të mijra e mijra luftëtarëve që vinin nga diaspora për lirinë e Kosovës  përbëjnë dhe kanë hyrë në histori  si vënd dhe  një ngjarje e madhe me rëndësi kombëtare njohur publikisht dhe kombëtarisht në Shqipëri, Kosovë dhe në diasporë për atë vepër të madhe në çështjen kombëtare shqiptare, në atë të çlirimit të Kosovës për të cilën është shkruar shumë për grumbullimin e luftëtarëve të lirisë si dhe në pritjen, akomodimin  dhe sistemimin e mijra e mijra shqiptarëve të Kosovës të dëbuar me dhunë nga makina kriminale dhe nga genocidi serb.

Të shumta  janë shkresat dhe kërkesat qytetare dhe të shoqërive e të shoqatave të ndryshme artistike, kulturore , patriotike dhe të ndonjë partie politike, por  të papeshë politike drejtuar institucioneve më të larta të shtetit shqiptarë si Presidentit të Shqiperise por edhe ishpresidentes se Kosovës, Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë etj., që Qendra “Drenica” të shpallet Muze dhe Kapitët minimalisht sa për moral të paktën të dekoroheshin dhe të respektoheshin nga shteti shqiptar, por përkundrazi politika dhe pushteti në Shqipëri i ka sulmuar ata me paturpësinë më të madhe sidomos pas çlirimit të Kosovës, kjo pasi ndoshta politikës dhe pushtetit në Shqipëri nuk u kanë interesuar dhe as nuk ju intereson çështja kombëtare , asaj ndoshta ju verbon sytë memoriali historik dhe ngjarja e madhe kombëtare e Drenicës durrsake  që me të vërtetë është ashtu siç e ka perifrazuar Thanas Mustaqi është si një “Mekë ” atdhedashurie.

Unë si avokat me profesion jam dëshmitarë edhe i asaj se çfarë kanë pësuar kjo familje nga shteti shqiptar dhe nga strukturat e tij si policia, avokatura e shtetit, pushteti vendor dhe nga drejtësia shqiptare që kanë bërë mbi ta presione nga më të ndryshmet, fabrikime e falsifikime akuzash e provash, provokimesh e kontrollesh të paligjshme dhe mafioze kundër të drejtave ligjore qytetare, të punësimit dhe të shkollimit, të drejtave  pronësore të kësaj familje vetëm për faktin e ndershmërisë patriotike që i karaktrerizon dhe me qëllimin e poshtër të politikës dhe pushtetit për t’i detyruar ata që ta lënë Shqipërinë dhe bashkë me këtë të fshihet nga kujtesa kombëtare ngjarja e madhe dhe roli historik i tyre, qëllim i errët ky ndoshta pse jo dhe në sinkron me armiqtë tanë shekullorë sllavë.

Mbi këtë familje është ushtruar dhe është përpjekur që politika me instrumentet e saj të pushtetit t’i mposhtë dhe t’i gjunjëzojë, duke i goditur në pronat dhe në shtëpitë e tyre të ndërtuara ligjërisht në trojet e tyre , madje dhe memorialin “Luftetari i Lirisë” ngritur në oborrin e Drenicës, pronë e patriotit dhe e veteranit të UÇK-së Gani Kapiti edhe me atë memorial të ligjëruar me shumë e shumë vështirësi e pengesa nga Bashkia u dëmtua përsëri para një viti  ashtu si edhe më parë nga ishpolicia ndërtimore, po dhe tani në vitin 2014 nga INUK-u (Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar). Jo vetëm Drenica po dhe lokali i vëllait tjetër Naim Kapitit me emrin “Kosova”me gjithë dokumentacionin e rregullt ligjor dhe të hipotekuar para 12 vitesh u rrafshua nga Policia ndërtimore me pretekstin se na është bërë si “Ambasadë” e Kosovës, dhe po tani në vitin 2014 përsëri ju prish biznesi i N.Kapitit ndërtur në truallin e tij .

Po  kështu ndodhi dhe para dy  vitesh, pra,në tetor 2014 që me të ashtuquajturin aksion i INUK që vetëm objektet e vëllezërve Kapiti në Durrës që ishin me dokumente të rregullta legalizimi u shëmben pa i kompensuar dhe aksioni u bë  madje dhe në ditët e pushimit zyrtar. Nuk mbeti prapa Policia  Ndërtimore edhe në aksionet e saja për t’i prishur  në vitin 2004 Skënderit, vëllait tjetër të Kapitëve edhe shtëpinë e banimit ndërtuar në truallin e vet gjë që bie në kontrast absurditeti, pasi shteti shqiptar në 25 vite nuk u muar fare për lirimin e trojeve të uzurpuara pronarëve të vërtetë  e të zëna prej të tjerëve ndërsa me Kapitët shteti vepronte poshtërsisht duke ua prishur ndërtesat dhe pasurite në trojet e tyre. Deri atje pati  arritur shteti shqiptar dhe drejtësia e tij sa që dhe ankimimet ligjore të vëllezërve Kapiti, prokuroria dhe gjykata në Shqipëri, ne Durrës, nuk i pranonte por neglizhonin për gjykimin dhe dhënien e drejtësisë për ta.

Gjatë periudhës së tranzicionit në përpjekjet e orvajtjet e saj duke shkelur në mënyrën më flagrante ligjin, kundër Kapitëve u përfshinë në mënyrën më skandaloze dhe të paturpshme edhe avokatura e shtetit duke ngritur padi korrupsioni dhe antiligjore për t’jua rrëmbyer pronat në bashkëveprim mafioz me Gjykatën e Durrësit dhe me Hipotekën, po që u doli bllof dhe vetëm sa e diskredituan publikisht dhe mediatikisht(për të gjitha këto disponohen dokumente shkresore të sakta dhe ligjore si  dhe videokaseta që i kanë zënë mat strukturat e shtetit shqiptar dhe që përbëjnë skandale të padëgjuara për to) .

Mënyre tjetër për të goditur Kapitët ka qenë dhe bashkëpunimi i pushtetit lokal me atë qëndror në mënyrë djallëzore dhe antiligjore duke zvarritur dhënien e lejeve të ndërtimit për objekte shtëpi banimi dhe biznesi, mospunësimin e tyre madje as si mësimdhënës shkolle të ciklit të ulët, kontrollet e shumta, të shpeshta dhe të kota  e rutinore nga ana e tatimoreve për bizneset e tyre, dhe e gjitha kjo vetëm e vetëm për t’i dëmtuar ekonomikisht , për t’i vënë nën presion administrativ e shtetëror që t’i largojnë nga Shqipëria.

Po ju them një të vërtetë tjetër që e di unë po që dhe diskutohet në rrethe qytetarësh dhe intelektualësh që vjen si çudi se si ka mundësi që asnjë anëtarë i kësaj familjeje, Familjes Kapiti në Durrës, dhe që janë shumë nuk është i punësuar në administratën shtetërore, mirë në atë qëndrore jo se jo , po madje as dhe në atë lokale  bashkiake jo. Shiko pra,se çfarë përkujdesje dhe se çfarë vigjilence bëhet nga politika shqiptare dhe nga pushteti në Shqipëri, edhe nga ky i sotmi i “Rilindjes” së Edi Ramës për të mos lejuar integrimin punësor administrativ, social dhe politik të kësaj familje, por përkundrazi provokohet dhe montohen lloj-lloj intrigash kundër tyre, me qëndrime e nxitje djallëzore intriguse dhe me një neglizhencë kriminale të pashoqe, gjë të cilën për fat të mirë të Kapitëve ju kanë ardhur në ndihmë vetëm ca media investigative të shkruara si gazeta lokale “bulevard” dhe  ato vizive “Top Channel ” dhe “Agon Channel”në Shqipëri, të cilat i kanë demaskuar publikisht tradhëtitë, pabesitë dhe poshtërsitë e institucioneve shtetërore shqiptare kundër kësaj familje po që anëtarët e së cilës as që kanë dashur t’ja dinë për to, dhe për antishtetshmërinë dhe paligjshmërinë e autoriteteve të paautoritet dhe të korruptuara të institucioneve privato- shtetërore të shtetit shqiptar.

Si avokat, unë disponoj argumente dhe fakte rrënqethëse se si strukturat e shtetit shqiptar janë sjellur ndaj kësaj familje. Duke qenë edhe vetë një njohës shumë i mirë i historisë shekullore, i vuajtjeve dhe sakrificave sublime të popullit martir shqiptar  të Kosovës dhe që kam me qindra shokë e miq poetë, shkrimtarë, historianë, artistë , politikanë dhe njoh shumë e shumë ishluftëtarë të UҪK-së dhe familjarë dëshmorësh, që në ditët e para të mobilizimit të luftës së Kosovës dhe te pritjes dhe të akomodimit të të debuarve nga Kosova, kam qenë prezent për ditë në atë se çfarë qëndre e rëndësishme kombëtare dhe se çfarë roli të madh patriotik kanë bërë vëllezërit Kapiti, vepër të cilën e njeh dhe e respekton tërë kombi shqiptar me përjashtim të segmenteve të pista, të korruptuara pse jo dhe antikombëtare të politikës shqiptare.

Në respekt dhe për simpatinë që kam për shqiptarët e Kosovës po tërheq vëmëndjen dhe për turpe të tjera të politikës shqiptare , për neglizhencë direkte po më shumë tinzare dhe dashakeqe të saj prej së cilës kosovarët grabiteshin vazhdimisht edhe gjatë kohës së kthimit biblik të tyre në Kosovë pas luftës. Them se zor se mund të gjesh ndonjë familje kosovare që nuk i ka ndodhur ndonjë siç thonë ata,  ndonjë taksirat “i vogël” me policinë e qarkullimit , me atë gjyqësore dhe të kufirit, me autoritetet portuale, tatimore e doganore si dhe sidomos me policinë hetimore , në dhomat e paraburgimit e me prokurorinë  e nëpër gjykatat në Shqipëri, po pse jo dhe me qytetarë të Shqipërisë në periudha edhe vizitash e pushimesh turistike. Këto i them si të vërteta, pasi i dëgjoj nga vetë goja e kosovarëve, dhe  shumë prej tyre i kam shokë dhe miq dhe i takoj  e bisedoj me ta, pasi jetoj e banoj  në Plazhin e Durrësit, ku cdo vit vijnë rreth 400 mijë pushues nga Kosova, pavarësisht edhe kushteve jonormale higjeno-sanitare që u ofron Plazhi këtu.

Me këtë shkrim unë dua t’i tërheq vëmëndjen dhe politikës dhe të Shtetit të Kosovës që të tregojnë edhe ata një interesim të duhur për këtë familje patriotike që është me origjinë nga Kosova që të ndërhyjnë pranë autoriteteve shtetërore shqiptare të Shqipërisë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre nga halabakëria politike dhe institucionale si dhe të qytetarëve të tjerë të vet, pasi në Shqipëri jo vetëm Kapitët po dhe qytetarët e tjerë shqiptarë nga trojet jashtë Shqipërisë dhe diaspora dhe madje edhe emigrantët nga Shqipëria  që e vizitojnë Shqipërinë qoftë edhe si turist, si biznesmen e biznese  sezonale apo investitorë trajtohen me standarte të ndryshme  dhe jo në mënyrë  dinjitoze siç trajtohen të tjerët me kombësi joshqiptare.

Tashmë Kosova është një shtet i pavarur dhe që njihet botërisht  dhe i takon dhe  asaj që të interesohet për të gjithë shtetasit dhe popullin e vet kudo që ndodhen ata, madje dhe të atyre që jetojnë në Shqipëri. Sot aktualisht megjithse në Shqipëri ka rreth 200-300 mijë shqiptarë me origjinë nga Kosova dhe nuk e di se a ka ndonjë prej tyre të punësuar në administratën shtetërore apo  ndonjë antarë në këshillat bashkiake sidomos nga subjekti politik i Partisë Socialiste të kryeministrit Rama, se sa për kryetar të ndonjë njësie bashkiake e deputetë, ministër e drejtor drejtorie që i përkasin  këtij subjekti politik as që bëhet fjalë kur ka plot minoritarë sllavë, grekë, vllehë etj., dhe është mirë që ka deputetë dhe në pushtetin vendor në Shqipëri shqiptarë me origjinë çame pasi kjo është mundësuar prej asaj se ata kanë partinë e vet politike.

Shqiptarët me origjinë nga Kosova nuk kanë subjekt politik nga ana e tyre në Shqipëri pasi për ata nuk do të kishte kuptim një gjë e tillë ku si Shqipëria dhe Kosova janë shqiptare dhe nuk është  përveçse si përçarje dhe e dëmshme krijime formacionesh politike mbi baza përkatësie qoftë fetare e krahinizmi brënda një shteti kombëtar , pasi për shtetin kombëtar të gjithë bashkëkombasit janë të barabartë në të drejtat e tyre politike. Kjo sjellje ordinere e politikës në Shqipëri e cila si gjithnjë dhe në vazhdimësi, edhe kjo e sotme, ka një antikosovarizëm djallëzor dhe vepron me shumë finesë si e tillë  nuk është një  gjë e mirë dhe nuk i shërben aspak afrimitetit, integrimit e bashkimit kombëtar përveçse si hipokrizi e fasadë.

Mjafton të themi një fakt që Shqipëria ka sot komunikime dhe  marrëdhënie shumë më të mira ekonomike dhe tregëtare me fqinjët e tjerë në Ballkan se sa me shtetin shqiptar të Kosovës. Dhe unë po e them këtë të vërtetë për ta demaskuar dhe hipokrizinë e llomotitjet fasadë dhe mashtruese të gjoja apo sikur e me demek se politikanët tanë po punojnë për bashkimin shpirtëror e pastaj në perpektivë të bëjmë bashkimin kombëtar kur të antarësohemi në BE.

Të vërtetat e padëshirueshme të politikës dhe të pushtetit nuk thuhen kurrë nga ato vetë, por duhet t’i themi ne opinionistët, vëzhguesit e paannshëm, letrarët , gazetarët, mediat etj.; duhet t’i thonë njerëzit e guximshëm të vërtetat e hidhura të politikës; të vërtetat e padëshirueshme të politikës dhe të pushtetit duhet t’i thonë qytetarët, intelektualët dhe mediat, në mënyrë që: të ligave, tradhëtive publike e kombëtare, poshtërsive dhe korrupsionit patriotik, ekonomik e politik t’i bëjmë gjyqin që të paktën t’i pengojmë dhe t’i frikësojmë politikanët dhe pushtetarët e paturp , antipublik dhe të korruptuar që ata t’i bëjnë sa më pak tradhëti e  dëme kombit. Unë dhe më herët përsa i përket vëllezërve Kapiti për të cilët shkrova në këtë shkrim dhe për qëndrën “Drenica” kam thënë saktësisht kështu , ashtu siç miku im  dhe profesori e shkrimtari Bedri Tahiri në Librin e tij  “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”kushtuar patriotit të madh Sadri Kapiti dhe bijve të tij më  ka citur se ( është fjala për qëndren Drenica): “Ky është një monument historik, i cili si i tillë duhet të përjetësohet nga të dy qeveritë tona në Tiranë dhe në Prishtinë….. si pjesë e historisë kombëtare ku brezat e rinj ta vizitojnë rregullisht.

im

Momenti kur INUK-u goditi për të tretën herë memorialin te Drenica (31 Tetor 2014).