PËR TRIMAT, JUSUF E BARDHOSH GËRVALLA DHE KADRI ZEKA KA VETEM PËRJETËSI….!!!

FARIDIN TAFALLARI

PËR TRIMAT, JUSUF E BARDHOSH GËRVALLA DHE

KADRI ZEKA KA VETEM PËRJETËSI….!!!

(Në 36-vjetorin e vrasjes së TRE YJEVE TË PAVDEKËSISË)

Koha ecën pa u ndalë…..Vitet rrokullisen njëri mbas tjetrit, pa u ndjerë e pa na marrë leje aspak, duke lënë gjurmë…duke gdhëndur në kalendarin e ditëve të tyre, ndodhi e ngjarje të pashlyeshme në kujtesën tonë! Së bashku me vitet, ashtu pa u ndjerë edhe muajt janarë zevëndësojnë njëri tjetrin!!! Por mua, këta janarët sepse më duken njësoj… Dhe në realitet janë njësoj…JANARI, një muaj i ftohtë i stinës së dimrit, ku gjithçka mbulohet nga dëbora e bardhë!

… Kështu ishte edhe ai 17 janari i vitit 1982! Nën qiellin e errët, të një dimri të ashpër e të ftohtë, me dëborë, në atë natë të zezë, larg atdheut, në dhe të huaj, përgatitej të ndodhte një tragjedi, e cila do të mbetej gjëma më e madhe në historinë e kombit shqiptar. Bashkëpunëtorët e UDB –së titiste, të ndihmuar nga sahanlëpirësit shqiptarë (sa e rëndë dhe sa më vret kjo fjalë….!?) ja arritën qëllimit!!!…Ranë në gjurmë, ju zunë pritë dhe i vranë TRIMAT, bijtë e shqiptarisë, e Kosovës kreshnike, Jusufin e Madh, Kadriun, e Bardhoshin!

Por, dëshmorët e kombit, martirët e tij, JUSUF e BARDHOSH GËRVALLA dhe KADRI ZEKA nuk vdesin kurrë!!! Kurrë nuk vdesin e nuk harrohen! Për ATA ka vetëm PËRJETËSI!!!“ …Kush lufton për atdheun, nuk ka garanci për rreziqet; po të vritemi për atdhe është si me le dhe të mos vajtohen ata që bien në fushën e nderit; për ta të shkruhet e të këndohet…” Këto janë fjalët lapidar, të thëna nga goja e Jusufit të Madh e që më flejnë në shpirt e zemër….E unë, biri i popullit tim, malësori i Struzhës, që fati dhe rruga e jetës më lidhi me TRIMAT, duke u bërë shoku dhe bashkëveprimtari më i afërt i Vëllezërve Gërvalla, me Jusufin e Madh, Bardhoshin, por dhe me Kadriun, dua të flas e të shkruaj pambarim për ta!

Nuk dëshiroj aspak të numëroj përvjetorët….e të them i 27…i 28…i…36…i sepse, në çdo hap të jetës sime, i kam ndjerë dhe i kam pranë TRIMAT…Kam dëgjuar këshillat, fjalët e Jusufit të mençur, porositë e tij! Kam vrapuar e nxituar me TA kudo, në të gjitha veprimtaritë, duke marrë hov nga sakrificat, guximi, trimëria, patriotizmi, flijimi i tyre, për LIRINË, aq të dëshiruar për ty moj Kosova ime, për bashkimin tënd në NJË o kombi im i copëtuar!!! Nuk ju jam ndarë

TRIMAVE, veçanërisht Jusufit e Bardhoshit dhe, në çdo janar kam rrëfyer aktivitetet me ta, bisedat, ndejat, demonstratat, aksionet deri dhe atë humorin e bukur e të hollë, por mbi të gjitha shpirtin e tyre luftarak e të guximit!

Por sot dua të zbres shkallët e kohës e të kthehem në 16 janarin e vitit1982… në atë takim të fundit me TA.. t’i shoh dhe një herë, të gjallë, të burrëruar, duke kuvenduar, ashtu siç dinë të kuvendojnë vetëm TRIMAT e vërtetë të shqipes!!!….

…Atë 16 janar të vitit 1982, i qeshuri Bardhosh më njoftoi se, do të mblidheshim tek Murat Kryeziu, në Bernhausen, për të parë disa filma shqiptarë, të xhiruar në atdheun amë, në Shqipërinë aq të dëshiruar e të ëndërruar nga Jusufi i Madh, filma, që i kishim siguruar dhe që do të shfaqeshin përmes shiritave të videove. Dhoma, ku u mblodhëm, ishte e mbushur plot. Midis nesh, mërgimtarëve patriotë ishin dhe TRIMAT. Zumë vend. Bardhoshi merrej me kabllot e videove, Kadriu kishte zënë vend diku nga mesi i dhomës. Unë u ula pranë Jusufit, i cili, i ulur përballë derës, pinte cigare njëra mbas tjetrës.. U shfaqën filmat “Gërsheti i luftrave”; “Plumba Perandorit”; “Udha e shkronjave”. Filmat i ndoqëm me kënaqësi, por dhe u mallëngjyem….Duke ndjekur filmat, në një moment, hodha vështrimin tek Jusufi…Sytë e tij ndrisnin nga lotët e mallëngjimit! Jusufi i Madh më pikasi dhe tepër i prekur më tha : „ Faridin, këta filma na prekin, por ama na burrërojnë…! “ Ndenjëm deri vonë, pas mesnate. Kur po ndaheshim, i thashë Kadriut, që të vinte tek unë, për të fjetur. Ai qe dakort dhe i thotë Jusufit : – Unë po shkoj tek Faridini – , – Jo – i kthehet Jusufi – sonte do të vish tek unë –, – Ti, mund të kesh mysafirë në shtëpi dhe bëhemi shumë…prandaj, më mirë po shkoj tek Faridini – Por, Jusufi nguli këmbë dhe pasi u përqafuam dhe u ndamë, ai e morri me vete Kadriun. Kështu që, Kadriu, atë natë, shkoi me Jusufin dhe Bardhoshin. Dhe unë, sot e kësaj dite, i kam në sy siluetat e tyre, duke u larguar nëpër errësirë të tre së bashku…

…Po errësira e asaj nate të acartë janari dhe mjegulla e dendur, nuk mundi të mbulonte shkëlqimin e fytyrave dhe vezullimin e syve, të atyre YJEVE, që largoheshin, të tre së toku dhe që, pas asaj ndarje të fundit, mes shokësh, do të ngjiteshin, po së toku, lart në hapësirë, për të mos u shuar kurrë, për të ndriçuar në përjetësi!!! Kush e mendonte se, ky ishte përqafimi i fundit, me ATA, TRIMAT E PAVDEKËSISË?!

Ndaj të flasësh për ATA është pak…të shkruash për ATA… përsëri është pak! Kam shkruar në librat e mi për ta! U botua dhe libri im i pestë kushtuar TRIMAVE “ ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME“ ! Por vepra e tyre qe dhe është e madhe, e çmuar, e paharruar në breza! Emrat e tyre

janë gdhëndur me shkronja të arta në historinë e kombit tim, në historinë e rrugës drejt Lirisë, drejt Bashkimit Kombëtar!

ATA janë atje, në ballë të historisë së popullit tim të TRE së bashku, të skalitur në monument graniti, që nuk mund ta shemb asnjë stuhi e kohës, sado e fuqishme që të jetë ajo !!! ATA janë atje, në vendin e Nderit, të pandarë, të gjallë, të pamposhtur, me fjalën e tyre çelik, me forcën e luftëtarit të paepur !!! Zemrat e tyre rinore dhe sot frymojnë …Jo, jo nuk kanë pushuar, frymojnë me hapin e kohës, me hapin, që hedh Lokja Kosovë, me hapin e gjithë shqiptarisë së ndershme… që mundohet edhe të shpërndajë ca re të zeza, që shfaqen herë herë aty këtu, për të mbuluar e errësuar rrezet e forta të diellit, që lindën nga vepra e tyre e pavdekësisë!!!

Te ky vend, te ky dhe i huaj, ku ne mërgimtarët mblidhemi me shokët për të kujtuar Trimat, unë i shoh ATA të gjallë dhe asesi nuk mund të rri pa“ kuvenduar“ me ta – ….“ JU ishit që të TRE, shokët e mi të Idealit të shenjtë, shokët e mi të luftës për Lirinë e atdheut të robëruar, të përpjekjeve për Çështjen Mbarëkombëtare! Kurrë nuk mund t’ju ndaj!… Ashtu të TRE së bashku, ju kam në sy… në mendje… në kujtime… Ndaj dhe kur shkruaj për JU… çdo rresht, çdo fjalë, çdo gërmë, në faqet e shkrimeve dhe të librave të mi, ju takon të TREVE!!! Përpiqem, ndonjëherë, t’u thurr edhe poezi, ashtu thjeshtë me fjalë zemre e malli, megjithëse nuk kam aspak dell poeti:

Pres, që era nga atdheu një lajm të më sjellë

Që dielli i Kosovës një mall të më shuaj

Për TY JUSUF, BARDHOSH, KADRI!

Për JU, SHOKËT E MI të paharruar!

Çuditërisht edhe zërin nuk jua harroj! Edhe sot ai më kumbon, ashtu i fuqishëm, burrëror, duke më kujtuar në çdo hap, që hedh amanetin, që latë, atë amanet, që as dheu se tret…por fatkeqësisht ende nuk është realizuar!?…Duhet ta dini, që sa e sa herë kthehem në ato vite të stuhishme.. e shkruaj… e shkruaj, ashtu thjeshtë e realisht, duke ju thirrur në emër njëherish, të TREVE së bashku :

” JUSUF – KADRI – BARDHOSH !!! ”

…..Edhe sot, erdhëm e u tubuam, u mblodhëm tok si përherë, u përshëndetëm, u përqafuam me pyetjet e zakonshme. Jemi shokët dhe bashkëveprimtarët e Jusufit

të Madh, Kadriut, Bardhoshit…. Të gjithë së bashku ndjejmë gëzim, kënaqësi, harmoni, çmallje me njëri tjetrin! Por mbi të gjitha ndjejmë mall, mall të pashuar për TRIMAT, për të Madhin Jusuf, për Kadriun, për Bardhoshin!!!Kujtojmë së bashku gjithë atë rrugë të mundimshme të nisur, gjithë atë mund e sakrifica, përpjekje të panumërta, gjithë atë veprimtari e aktivitet me shokët, për afro tri dekada…. për t’u organizuar, për t’u bashkuar, për të luftuar, për atë, që ishim betuar së bashku me Jusufin e Madh, së bashku me TRIMAT, drejt qëllimit final, drejt Lirisë e Pavarësisë së Kosovës së dashur, drejt Bashkimit Kombëtar!!! Më duket edhe sot, sikur nga kreu i vendit dëgjoj fjalët dhe porositë e prijësit tonë të pavdekshëm…amanetin e tij…amanetin e Jusufit të Madh : “Afrohuni me njëri tjetrin, bashkohuni si një trup i vetëm dhe për një qëllim!” Po, po Jusuf i dashur, amanetin tënd, do ta çojmë në vend! Më në fund e kuptoi bota mbarë se, lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë! Koha e shkjaut perëndoi njëherë e përgjithmonë! Kosova sot është republikë…është shtet më vete…është vend sovran! Sa mund e sakrifica, sa gjak u derdh e u bashkua me gjakun tuaj, për të arritur deri këtu! Por duhet ta dini se ka ende shumë për të bërë, për ta çuar deri në fund fjalën dhe AMANETIN TUAJ!!!

……Eh, sa të lumtur e sa të fuqishëm e ndjej veten në mes të shokëve, i harroj hallet, brengat, mundimet…harroj sëmundjen, që mu bë “rrodhe”, që në vitet e rinisë dhe luftoj me te çdo ditë, por nuk i dorëzohem jooo!!!….Biseda, me shokët e mi rrjedh ashtu natyrshëm, si gjithmonë, për problemet e Kosovës dhe viset tona etnike, për Çështjen Kombëtare, ende të pazgjidhur, për JUSUFIN e MADH, për TRIMAT, për luftën, për UÇK –në heroike, për shokët e rënë dëshmorë, për atë gjysëm pavarësi të fituar me gjak e sakrifica, për qeverinë e ditëve të sotme në Kosovë… për qeveritarët tanë, kukulla të ndërkombëtarëve, për….për….për…..dhe problemet, shqetësimet dhe hallet e njeriut “popull” nuk paskan të sosuuuuuur!!! Dhe në këto biseda e në këto halle tonat edhe TRIMAT janë në mes nesh se, fjala dhe vepra e tyre mbetet e freskët,aktuale tepër e nevojshme për ditët, që po kalojmë…por edhe për brezat që do të vijnë…… Prandaj për JUSUFIN e MADH, KADRI ZEKËN dhe BARDHOSH GËRVALLËN kavetëm PËRJETË!!!