PENGU I MUZËS SË VARGJEVE

Prend BUZHALA

PENGU I MUZËS SË VARGJEVE

(Brahim AVDYLI, MUZAT E VARGJEVE, poezi,

Botimet MESHARI, Prishtinë 2020)

Poeti nëpër vargje e shqipton dramën e tij. Dramën e vargjeve dhe dramën e kohës. Është ajo përpjekje prometheike për ta mbajtur shpirtin e vargjeve si ndriçues e feniks kohësh, ripërtëritjesh nëpër kaq shumë dhimbje, ndjekje, fatkeqësi. “Jam vjeshtë e trishtë e pikëllimeve të vargjeve!…” ligjëron një protagonist lirik i kësaj poezie.

1. Mesazhet e mëdha të vuajtjes

dhe dramës së jetës

Nëpërmes këndimit të tillë lirik, poeti pikësynon ta zgjojë intuitën, ta ofrojë mençurinë e jetuar, t’i pohojë frymëzimet e tij, t’i shquajë thëniet motivuese. Thuhet se poezia i ngjet rrëfimit të njeriut të sinqertë: të flasë për pamjet e përjetimet e vërteta në kohë fatkeqësish. Duke njohur humbjet, zhgënjimet e vuajtjet në jetë, nuk është e habitshme përse kjo poezi depërton kah thellësitë, kah kuptimet që e mbushullojnë gjallimin, kah shqetësimet e thella që shqiptojnë dashurinë ndaj  njeriut, botës dhe qenieve më të dashura. Dhe, kur t’i biesh së lexuari vargjeve në fund, mund të pyesësh: a ka mbaruar ende kjo stuhi jete?

Po të mos kishte qenë

kjo stuhi e dalë bese

me vetëtima të kobeve

e stërkala të tmerrshme

nuk do të përplaseshim në det

me pamëshirën e dhembjes

Shkrimtari japonez Haruki Murakami, do të vlerësojë: « Por një gjë është e sigurt. Kur të dilni nga stuhia, nuk do të jeni i njëjti person që keni hyrë brenda. Kjo është ajo që ka të bëjë me këtë stuhi. « 

le të degdisem

ku të duam

me dhembjen përdore,

Në fakt, folësi lirik i kësaj poezie takohet shpesh me këto humbje, drama jete e fatkeqësi qofshin ato individuale apo nacionale; përbirohet shpesh nëpër disfata:

I zhgënjyer

përplasem nëpër cepat e mjerimit

Por ai qëndron, nuk bie. Gjithnjë kërkon rrugëdaljen, sidomos në situatat kur shprishet identiteti ynë nacional. Brahim Avdyli është poet i këndimit të qenies sonë identitare.

ai merrej me të keqen

kur përpiqeshin ta shprishin

shqiptarinë,

Ky këndim shqip vrujon nëpër vargje përgjatë gjithë librit.

Këto përjetime e vuajtje janë edhe bekimi i qenies. Janë sprovime të shpirtit në kohë e nëpër kohë. Gabime gjenden edhe në parajsë. Së këndejmi, edhe në atmosferën e  një jete të tillë, ai apelon:

hapeni zemrën tuaj

siç e thotë

qenia e gjallë

dhe lëshoni ngadalë

e bindshëm

dashurinë e shumëzuar!…

Jetën duhet ta duam, ashtu siç është. Ta ndjesh të bukurën edhe në trishtim. Kjo përbën sfidën e vërtetë për ta kuptuar bukurinë e jetës dhe për ta ndjerë atë.

Porse poeti i ka betejat e tij. Sprovat e sprovimet e shpirtit e të jetës. I ka vështirësitë që e forcojnë së brendshmi. Në këto ndeshje ai gjen çaste të errëta, por aty e zbulon dritën dhe rrugën drejt mirësisë dhe të vërtetës. Aty, te kët përballje me fatkeqësinë,  gjendet fara përvojave dhe mësimit të rëndë të jetës. Mendimi shfaqet në shumë ngjyra (cikli « NGJYRAT E MENDIMIT »). Aty ku ka një lojë jete, aty ka edhe një dramë.

kthehem në rifillimin e dramave të pafatësisë që përsëritet

prej Trübbach-it, Kreuzlingen-it,

                                 Zürich-ut apo Surses, e të tjera…

Poeti e heton hilen e njerëzve toksikë, njerëzve negativë, njerëzve të ligj që luajnë me tjetrin, kurse ilaçin e gjen të ikën prej tyre. 

Kur ik nga njerëzit

më rrok vetmia

e nuk mbetet vend për këngë!

Dhe kur dëshiron të afrohet me njerëz besnikë, me të cilët do ta gjente zgjidhjen e problemeve, shfaqet paradoksi i rëndë i jetës:

Kur afrohem te njerëzit

më ikin të gjithë nga sytë

e më lënë

të lidhur me trishtimin e fjalëve!

Poeti e ndien këtë flakë kënge, këtë përvojë sfiduese për të ndërtuar raporte flake/ zemre/me qeniet njerëzore. Këtu, te kjo djegie « në mesin e qenieve » (asociacion i vetëflijimit) gjendet ajo forca për të bashkëbiseduar me vetminë, për të udhëtuar me vuajtjen, për të bërë miqësi me fatkeqësinë… për hir të dhuratës e blatës për qenien: siç është kënga e poetit:

A ka vend tjetër për Këngë

pos flakës së fjalëve-

të digjem

në mesin e qenieve

duke kënduar!

Vërtet, a është i vetmuar poeti në rrugëtimet e tij, në betejat e tij? A ka bashkëvëllezër fjale, fatkeqësie, miq betejash? Lord Bajroni do të thoshte se fatkeqësia është rruga e parë drejt së vërtetës. Kurse folësi lirik këtu ligjëron:

Më në fund

dhembja pëlcet

kuq si gjaku në mjedis të ndjenjave

le të bjerrë ngadalë

kupola e mendimeve

e të reshë me to

gjethe të thara jete!…

Duket sikur vetë këto rrethana fati e jete, siç janë vuajtja, dhembja, fatkeqësia, janë partnerë të poetit. Aty, në atë errësirë, aty ai e ka edhe shkëndijën e zjarrit hyjnor, shkëndijë që ndizet mu në vorbullën e çastit të rëndë të dhembjes, që flakëron në orën e rëndë të zhgënjimit.

Nganjëherë zgjimi i kësaj vetëdije është i hidhur. Sigurisht që lexuesi do ta ketë parasysh pamjen e heroit të jetës nëpër vepra arti që ndeshet me të ligën e me fatin e rëndë; janë njerëzit e mëdhenj që ndeshen kundër së keqes. Ata e kanë guximin që i jep energji e gjak ekzistencës dhe jetës. Poeti nuk dëshiron ta ndiejë lidhjen, por mposhtjen e së ligës. Kurse plaga merr tiparet e urtisë së jetës. Dhembja shndërrohet në djegie të qenies, në vetëflijim. Secila vuajtje, secili zhgënjim, secili trishtim a pikëllim, secili mjerim, është një mesazh i madh.

2. Poezia dhe vetmia

Kahdo që të shtegtojë, kudo që të jetojë, tek alpet  shqiptare apo ato zvicerane, ai e sheh se bota është një skenë e madhe e sprovave njerëzore.

Njerëzit ende përqafohen me marrëzinë, kur mendojnë se shkatërrimi i jetës së tjetrit, qenka mirëqenie vetjake! Kjo skenë bote sikur e dërgon Njeriun e Mirë drejt çmendurisë, kurse heroin e jetës e gjunjëzon! Porse në brendinë e poetit ka një zë që rri gjithnjë zgjuar, i ndezur, për të ligjëruar, për ta shqiptuar atë që e mundon, për ta shfaqur dritën e shpirtit të tij. Protagonist i kësaj drame, antagonist i saj, spektator i saj dhe udhërrëfyes i saj, është vetë folësi lirik.

Poeti gjithnjë shtegton me vetminë:

e nuk i numëroj

sa të djeshme

kanë kaluar

me vetminë e këngëve të mia…

Kurse Henry Miller, shkrimtar amerikan, do të thoshte: “Një artist është gjithmonë i vetëm – nëse është një artist. Por ajo që i duhet artistit është vetmia.” Do të thoshim: vetmia krijuese. Vetmia, posi mendimi, shfaqet në shumë ngjyra, vetmi durimi a pikëllimi:

e shpërndahet

në qindra ngjyra

vetmia e durimit (…)

Atëherë

vetmia bëhet kurorë pikëllimi-

Poezia shfaqet si sinonim i përsosmërisë, pastërtisë së ndjenjës, sinqeritetit, virtytit, veprimit të drejtë. Krijimi poetik tërheq vijat e veta nëpër hartën e jetës, nëpër hartën e atdheut e nëpër labirintet e historisë. Dhe kudo shfaqet e bukura që lëviz nëpër kthesa, nëpër rrëpira jete e ekzistence; që shqiptohet si magji e çliruar nga bashkat e gënjeshtrës. Është ai çasti kur ndien nevojë t’i rimendosh gjërat, botën, faktet, realitetin; çasti për t’u ndjerë i frymëzuar për ta rimarrë vetveten. Për ta shijuar vetminë duke qenë vetvetja. Për t’i trajtuar gjërat i vetëm, po ashtu përbën një sfidë guximi. Të qëndrosh i vetëm, përbën edhe një sfidë guximi. Do të jesh i ndryshëm nga të tjerët. Jo pse poeti nuk e dëshiron qëndrimin me të tjerët, por pse ka njerëz që të bëjnë të ndjehesh i vetëm. Te poezia “Bregorja e vetmisë” poeti këndon:

çuditërisht kam mbetur në bregoren e vetmisë

zërin e këngët i ndjej

përtej shpirtit të vargjeve

e sillen vetëm

rreth një pishtari të Dritës!…

herën tjetër te vetmia i gjen kikat e mendimit për fatin e njerëzimit në trajektoret e fatit:

Ka marrë fund

apo nuk ka marrë fund

mbyllja në vetmi

nuk ka rëndësi,

ne

nuk i dimë

trajektoret e fatit,

janë ato paste esullimi ku poeti e shtron pyetjen se nga duhet të shkojë njerëzimi, kombi, atdheu; ku duhet t’i kërkojmë vlerat e thesaret tona të brendshme. Kush duhet të jemi? Është ai çasti i përjetimit të emocionit të thellë por edhe i thellësive të mendimit. Pa mbufatje po e themi se ky vëllim poetik është një ekzemplar i rrallë mendimi për këto trajektore fati (metaforë e poetit).  Sado që ai reshtet pas vetmisë, megjithatë ai nuk e do situatën e tillë, sepse të kërkosh vazhdimisht veçimin na shoqëria, ti shndërrohesh në fantazmë, në hije të tmerrshme:

A jemi përherë

viktimat

e shfrimeve satanike

që kalojnë

nëpër vdekjen tonë,

apo hije të tmerrshme

nëpër errësirë,

3. Poezia dhe thellësia e përsiatjeve

Me vetminë ndërlidhet ngushtë kundrimi i thellë i përsiatjeve. Janë ato situata kur poeti ndjen e mendon thellë, mu si para pasqyrës së rruzullimit, duke shtruar pyetje e shpesh duke marrë përgjigje të pakëndshme. Janë ato gjendje, ku ai thellohet nëpër hapësirat e skajet e vetvetes e të botës. “Gjithsesi heronjtë e vërtetë nuk janë njerëzit që bëjnë gjëra; heronjtë e vërtetë janë njerëzit që vërejnë gjëra, duke i kushtuar vëmendje » (John Green). Brahim Avdyli është kundrues i vëmendshëm i vëzhgimit të rrugëve të shpirtit dhe rrugëve të të vërtetës. Në këso çastesh, shpirti poetik shpalos fletët e tij të frymëzimit,

prej njërës formë kalon

në tjetrën formë materia e jetës

e një flluskë e energjisë

është vetë shpirti!…

më saktësisht të muzës së tij që i ligjërojnë nga thellësi fshehtësie:

Në radhë të parë

ta japim një këshillë

mos e shiko botën asnjëherë për gjykim

Në këtë kundrim ai kërkon blatën e tij të brendshme që t’i realizohet si vlerë ekzistence e jete.  Poezia është medium i tillë, ku folësi lirik ka një botë të pasur ndjesish, meditimesh, sintezash të përsiatjeve. Aq gjatë poeti e pret këtë blatë shpirti:

duke pritur vite të tëra

shpërblimin e merituar të përsiatjeve

Dhe çka i ndodh:

në vend të tyre vjen

ironia e mospajtimit.

Janë, këto, shtresime shpirti, të ardhura nga përvojat e jetës.  Janë kërkime brenda jetës, dhe vetës. Janë gjendje çekulibruese, por poeti resht ta gjejë këtë drejtpeshim midis shpërblimit dhe ironisë së mospajtimit: aty ku jeta gjendet e fshehur. Nuk është thënë më kot se u dashka vuajtje e  madhe për të depërtuar në brenditë e shpirtit, për ta hapur, mandej atë, në përmasat e madhështisë.  Ngjet mu si kundrimi i një peme, së cilës nuk ia shohim rrënjët që e mbajnë të fortë atë.

4. Arti i fjalës

Vargjet vijnë si rrjedha burimesh nga brendia e frymëzimeve të muzës, derdhen nëpër delta drejt një deti që quhet këndim poetik. Poeti kundron këto rrjedha, i kundron njerëzit, por e thotë të vërtetën e tij.

Poeti e ndien jo vetëm së thelli artin e fjalës, por e ndien edhe peshën e tij:

peshoni fjalët tuaja

me peshoren e artit

Te poezia “Stacioni i poezive të mia” ai u thur himn vargjeve të tij, frymëzimeve të tij, i zhdrivillon poetikisht procedimet e tij të gjykimit, vlerësimit, gdhendjes së fjalës, mençurisë së saj, raporteve art-jetë, raportet e komunikimit artistik me rrafshet e domethënies. Edhe shumica e titujve të cikleve e sugjerojnë mendimin poetik mbi frymëzimin, muzën dhe vargjet. Së këndejmi, ky vëllim ka një strukturim serioz, ku secili varg, secila poezi de secili cikël, gjejnë vendin e tyre dhe ndërtojnë ngrehinën poetike. Ato formojnë një tërësi të vetme, harmonike dhe domethënëse. E përbërë nga ciklet: PARAFJALA, NGJYRAT E MENDIMIT, SIMBOLIKA E DHEMBJES, NË KONTEKSTIN E IRONISË, PARADOKSET E KOHËS SONË, NËN PLAFIN E TRISHTË, IKJE NGA DHEMBJET dhe MBI FJALA, ndërtojnë atë që quhet arkitekturë  e veprës letrare, pra thurin strukturën e formuar dhe të plotë midis fjalës, vargut, poezisë, ciklit dhe gjithë librit. Mesazhi poetik jepet me koncizitet që buron nga vargjet e nga tërësia poetike. Kur poeti dëshiron të këndojnë tema serioze, atëherë vargu i tij është i shtrirë, me përmasa epike, me reliefë alpinë. Ndërsa lirizmi, një tjetër vlerë e këtij libri është si ai shpirti që tërhiqet kah regjione e hapësira të panjohura të thënies lirike, kah nyjat e padukshme të lidhnisë së këtij shpirti poetik:

Të mbeti peng një vullnet i përhershëm në shpirtin e vargjeve

deshe t`ua ngjallësh shpresën e madhe të diellit të vegimeve tua

(Vegimet e përmallshme të gëzimit)

Poeti ndahet me këtë peng vargjesh nga muza e tij e vargjeve.

Tetor 2020